Wednesday, December 26, 2012

Formimi i qeverisë së përkohshme dhe interesat italiane për të evituar pretendimet territoriale të fqinjëve ballkanikë në pjesën e tyre

Nga Dr. Lavdosh AHMETAJ* Përpjekjet për formimin e një qeverie kishin nisur me fillimin e Luftës së Parë Botërore, pas largimit nga Shqipëria të princ Vidit dhe qeverisë së tij. Shqiptarët nuk i reshtën përpjekjet edhe gjatë konfliktit botëror por, megjithë orvatjet e kohës, ata kishin ndeshur në kundërshtim me interesat e pushtuesve. Kushtet e formimit të një qeverie shqiptare u mundësuan në fund të Luftës së Parë Botërore, atëhere kur ajo duhej të harmonizonte të gjitha përpjekjet për të evituar kërcënimin real nga fituesit e luftës.
Këto kërcënime reale duket se ishin duke u institucionalizuar nëpërmjet organizimit të Konferencës së Paqes së Parisit.
Duke i ndjekur me kujdes ngjarjet, shqiptarët ndodheshin përpara një evenimenti tepër të rëndësishëm ndërkombëtar, i cili kërkonte pjekuri dhe maturi politike. Me praninë e një qeverie në mërgim, të përfaqësuar nga Esad Toptani, së cilës i ishte bërë një publicitet i mjaftueshëm nëpërmjet gazetave të fuqive europiane, ishte arritur që, jo vetëm nuk qe dëmtuar figura politike e tij, por, përkundrazi, po i sigurohej atij një vend nderi “si diplomat i parë shqiptar në sytë e diplomacisë europiane, gjë që në të vërtetë ishte një tregues i mirë i pozicionimit të tij”. Këto ishin disa nga rrethanat të cilat e kishin shtyrë Vatrën që, pa mbaruar ende lufta, në gusht të vitit 1918, t’i drejtohej qeverisë italiane, nëpërmjet gazetës Dielli, dhe t’i tërhiqte vëmendjen se ajo duhej të plotësonte dëshirat e të gjithë shqiptarëve, duke i lejuar ata të formonin në Shqipëri “një qeveri të tyren”. Çdo kundërshtim ndaj kësaj kërkese Dielli e quante një qëndrim të “gabuar të Italisë”. Kërkesë drejtuar palës italiane kishte edhe nga Myfit Libohova, i cili, në tetor, i kërkonte komandës italiane në Shqipëri ngritjen e një qeverie të përkohshme. Formimin e kësaj qeverie ai e shikonte si një organ që duhej të luftonte për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Por, si një qeveri që do të ishte “krah për krah me qeverinë italiane, që do të luftonte kundër armiqve të përbashkët”. Në kushtet e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, edhe qeverisë së Italisë i duhej një qeveri shqiptare, e cila të ishte e përbërë nga elementë pro politikës së saj. Kjo gjë i duhej: së pari, për të formuar tek shqiptarët përshtypjen se kërkesa për formimin e qeverisë ishte realizuar me përkrahjen e Italisë; dhe së dyti, një organ zyrtar i krijuar mbi baza ligjore do të ishte mundësia më e mirë për të mënjanuar çdo përfaqësi që do të mund të prezantohej në Konferencën e Paqes e që do të pretendonte atje të ishte përfaqësuese e interesave të Shqipërisë.
Kjo qeveri i duhej Italisë si mbështetje e brendshme, por edhe për të evituar pretendimet territoriale të fqinjëve ballkanikë në pjesën e tyre. Sonino, më 22 tetor 1918, interesohej të thirreshin menjëherë në Romë Turhan Pasha, Myfit Libohova, Mihal Turtulli. Këta duhet të vendosnin kontakte me kolonitë shqiptare dhe të formonin një qeveri të përkohshme, ku të përfaqësoheshin krahinat e mëdha shqiptare, si dhe tri fetë që ishin prezente në Shqipëri. Turhan Pasha dhe Myfit Libohova, në fillim të nëntorit, u gjendën në Itali dhe gazeta Kombi i prezantonte si “njerëz patriotë dhe me një të kaluar pa njolla”.
Ndërsa Mihal Turtulli, i cili qëndronte ende në Zvicër dhe kishte mandatin e Vatrës, në fillim nuk iu përgjigj thirrjes për të shkuar në Itali. Ai e shikonte rrezikun që paraqisnin synimet e Italisë, por brenda vendit ai nuk gjente forca për ta përballuar atë. Politika italiane e zëvendësoi M. Turtullin me delegatin tjetër të Vatrës, M. Konicën, i cili u thirr të shkonte në kryeqytetin e Italisë më vonë, 3-4 nëntor 1918.
Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Për organizimin e vajtjes së shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur edhe Mehdi Frashëri e Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane. Këta i kërkonin Vatrës, më 6 tetor 1918, “të dërgonte në Itali përfaqësuesit e saj për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes”. Ndërkohë Mehmet Konica, sipas gazetës Kombi, arriti në Romë më 19 nëntor, “i pritur me ngrohtësi nga italianët”.
Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi që kishte në fillim për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Shqiptarët që erdhën nga Roma për në Shqipëri ishin këshilluar të formonin, jo një qeveri, por vetëm një këshill ose komitet kombëtar. Të gjithë këtë, Roma e bënte gjoja për të shmangur “ngatërresat diplomatike”. Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur, as brenda vendit e as jashtë tij, por duhet të gjendej si një vegël në duart e politikës italiane.
Në fund të nëntorit 1918 u aprovua formimi i këshillit kombëtar shqiptar, i ideuar nga Gaetano Manconi, me porosinë që këshilli të formohej sa më parë në Durrës “me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë territorin e saj”. Por, në të dy rastet, si qeveri apo edhe këshill, për t’i formuar këto organe duhet të mblidhej një kongres kombëtar. Mehmet Konica, Myfit Libohova e Mehdi Frashëri, u nisën në Shqipëri në fund të dhjetorit 1918, të shoqëruar nga koloneli Etore Lodi, i cili do të kryente detyra politike si gjatë kongresit ashtu edhe më vonë. Kjo është dhe faza e përgatitjes brenda vendit për Kongresin e Durrësit, fazë e cila u shoqërua me inisiativën për mbledhjen e një kongresi në Shkodër. Por ishte francezi Bardi de Furtu ai që nuk e lejoi mbajtjen e tij. Kjo mbledhje u arrit të bëhej në Lezhë më 9 dhjetor 1918, duke u organizuar prej klerikëve katolikë dhe kryetarit të bajraktarëve të Mirditës, Preng Bib Doda; por, si një lëvizje e cila përfshinte vetëm Shqipërinë e Veriut, nuk kishte gjetur mbështetjen e pjesës tjetër. Një përpjekje tjetër ishte ajo e Tiranës, që u mbajt më 19-20 dhjetor, në të cilën morën pjesë vetëm përfaqësues nga disa krahina të Shqipërisë së Mesme.
Por këto lëvizje politike duket se u shkrinë në Kongresin e Durrësit, organizuesit e të cilit kishin marrë qysh më parë miratimin e Italisë. Ky kongres u hap në pasditen e 25 dhjetorit 1918 me pjesëmarrjen e 53 delegatëve. Ata vinin nga pjesa më e madhe e vendit, e cila ishte nën pushtimin e Italisë. Por në kongres nuk merrnin pjesë delegatë nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos lejoheshin delegatë nga ky qytet. Në kongres mungonin edhe përfaqësuesit e krahinave që ishin nën pushtimin serb, Peshkopisë dhe Lumës, dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, si qyteti i Korçës.
Këta kanë qenë faktorët të cilët bënin të mundur elektrizimin e zhvillimeve në Kongresin e Durrësit. Por në Durrës nuk kishin ardhur vetëm delegatët, po edhe shumë figura të tjera politike. Ja si e pasqyronte gazeta Agimi: “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”. Por përfaqësuesit e Durrësit, pa kaluar ende në diskutimin e rendit të ditës, shprehën shqetësimin edhe për mungesen e pjesëmarrjes së delegatëve të të gjitha krahinave të Shqipërisë. Tërheq vëmendjen fakti se sekretari i kongresit në emër të Asamblesë shprehu “hidhërimin e Asamblesë lidhur me mosparaqitjen e përfaqësuesve të Vlorës, të Himarës e të tjera krahinave që janë pjesë e pandashme e Shqipërisë”. Pasi u lexua katalogu, disa përfaqësues të Korçës, si Sotir Peci, Kosturi e të tjerë, deklaruan se nuk do të merrnin pjesë mbasi nuk ishin zgjedhur në mënyrë legale, por “u vendos me britma që të thirren e të priten si përfaqësues të Korçës”. Nëpërmjet këtij dokumenti marrim vesh se në kongres kishte edhe pjesëmarrës të palegjitimuar, fakt ky i diktuar nga kushtet nëpër të cilat kalonte Shqipëria e pas Luftës së Parë Botërore. Koha ishte duke rrjedhur në mënyrë të atillë, sa shqiptarët kërkonin me të gjitha mjetet e disponueshme të gjenin zgjidhje legjitime në funksion të kombit. Por ajo çka është e vërteta, këta emra që shënuam më lart do të ngeleshin në kujtesën historike si disa nga figurat më interesante në shërbim të Shqipërisë. Delegatët,, që në fillim të punës shfaqën besimin ndaj fituesve të luftës, duke e shoqëruar këtë me një përshëndetje të veçantë kundrejt presidentit Uillson, “i cili kishte shpallur parimet e vetëvendosjes së popujve”. Ndërsa Gurakuqi, në diskutimin e tij ishte më konkret: ai përmendi deklaratën e senatorit Loxhi, e cila ishte botuar në gazetat e ditëve të dhjetorit, para fillimit të Kongresit të Durrësit. Sipas saj, “njëra nga bazat e paqes është krijimi i Shqipërisë prej të gjithë atyre që flasin shqipen”, Për këtë u propozua që, përveç Uillsonit, mirënjohja t’i shprehej edhe këtij senatori. Në kongres u fol edhe për mbështetjen tek Italia, e cila mund të kishte interes të përkrahte kërkesat territoriale të Shqipërisë. Nëpërmjet kujtimeve të Myfit Libohovës, del se Mehmet Konica, në Kongresin e Durrësit, kishte paraqitur propozimin italian për formimin e një “Komiteti Përmbarues”, i cili do të përpiqej për dërgimin e një delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes dhe do të vepronte brenda vendit “për sigurimin e jetës kombëtare e politike të popullit shqiptar”.
Por, nga ana tjetër, Mehmet Konica përkrahu propozimin e Namik Delvinës dhe Riza Danit, për krijimin e një qeverie të përkohshme. Ai u shpreh se formimin e qeverisë duhet ta pranonte edhe Roma. Ai kërkoi që, përpara se kjo të shpallej, të merrej një përgjigje nga Roma, “duke shpresuar se ajo më në fund do të pranonte formimin e saj”. Ndërsa disa delegatë të tjerë deklaruan se qeveria “ishte dëshirë e popullit shqiptar dhe nuk kishte rëndësi nëse ajo do të pranohej nga Italia”.
Më pas u kalua në diskutimin e rendit të ditës. Kongresi nuk pranoi pikën e parë, e cila parashikonte formimin e një komiteti që, në bazë të procesverbalit, kishte dy detyra: E para, të dërgonte një delegacion shqiptar në Konferencën e Paqes dhe, e dyta, të sigurohej jeta politike kombëtare e popullit shqiptar. Por delegatët vendosën formimin e një qeverie të përkohshme, çka ishte një vendim i pavarur dhe sfidues kundrejt diplomacisë së Romës.
Lidhur me këtë çështje kishte dy qëndrime, të cilët u shprehën nëpërmjet fjalës së Mehmet Konicës më 26 dhjetor 1918. “Mbasi delegatët me shumicën absolute pëlqyen formimin e qeverisë së përkohshme, - nënvizonte ai - pasi pranuan vendimin e dhanun në mbledhje të djeshme, edhe komanda italiane së cilës iu dha lajmi për formimin e qeverisë së përkohshme, pati mirësinë të na zotohet se do t’ia kumtojë qeverisë së vet. Duhet të pritet dy a tri ditë përgjigjia e saj nga Roma në do të pranohet apo jo”. Ndërsa Hiqmet Bej Delvina u shpreh se shqiptarët i faleshin nderit Komandës Italiane për kujdesin dhe mirësinë që tregonte ndaj shqiptarëve, por ai theksonte se nuk kishte rëndësi fakti, nëse do të pranohej vendimi i mbledhjes, por me vlerë ishte që populli shqiptar, me anë të të dërguarve të tij në mbledhjen kombëtare, “deshi dhe shpalli Qeverinë e Përkohshme”. Ai ishte një vendim i suksesshëm edhe përsa i përket situatës brenda vendit, pasi nuk ishte shumë e vështirë që, qoftë Italia, qoftë dhe Esad Toptani, të bënin të mundur nxitjen e shtresave të caktuara shqiptare për inisiativa dhe lëvizje të tjera politike pështjelluese.
Në mëngjesin e 26 dhjetorit, Konica i paraqiti një Promemorie nënkolonelit E. Lodi, duke argumentuar formimin e qeverisë, së pari, për rëndësinë që kishte ajo për të zhvleftësuar ndonjë përpjekje të mundshme të Francës dhe të shteteve ballkanike për thirrjen e delegatëve të Esad Toptanit në Konferencën e Paqes. Këtë e vërtetonte edhe më tepër letra e Gurakuqit, e cila mban datën 26 dhjetor 1918. Midis të tjerave ai tërhiqte vëmendjen se teorikisht kishte vetëm një shtet shqiptar të pavarur, duke u mbështetur moralisht edhe nga Italia. Por ajo që e shqetësonte më shumë Shqipërinë, ishte fakti se Franca dhe disa shtete ballkanikë, duke njohur tanimë Esad Pashën si kryetar të qeverisë shqiptare, vërtetonin që në Konferencën e Paqes ata do të përkrahnin delegatët e tij. *Rektor i Universitetit “Pavarësia” Vlorë

No comments: