Friday, April 29, 2011

Plani i KQZ, 4 865 vula rezervë e burg për komisionerë

Fejzi Braushi

Tiranë- Çdo skenar i forcave politike për të bllokuar procesin e votimit përmes tërheqjes së komisionarëve, së bashku me vulën, do të jetë i destinuar të dështojë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot vendimin për të prodhuar vula rezervë për çdo qendër votimi, në mënyrë që të përdoren në ato momente kur përfaqësuesit e një force politike do të braktisin procesin, duke marrë me vete edhe vulën e QV-së. Gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ miratoi edhe manualin e trajnimit të komisionerëve të nivelit të tretë, ku për rastet e braktisjes së vendeve në komisione janë sanksionuar gjoba maksimale si dhe ndëshkime deri në 2 vjet burg.

Vulat rezervë

Në zgjedhjet e shkuara KQZ u gjend shpeshherë para faktit të dëmtimit dhe humbjes së vulave, si pasojë e largimit të komisionerëve nga detyra. Ky institucion ka qenë i detyruar që brenda një kohe shumë të shkurtër të bëjë zëvendësimin e këtyre vulave, në mënyrë që të sigurojë vazhdimin e procesit të votimit. Nisur nga eksperienca e proceseve të mëparshme, por edhe nga mundësia që një gjë e tillë të përsëritet në një shtrirje më të gjerë në këto zgjedhje nga komisionerët socialistë, KQZ ka vendosur që të marrë masat paraprake për eliminuar çdo mundësi për bllokimin e proceseve, nëpërmjet skenarëve të tillë. Ndaj për të shmangur qoftë kostot kohore, ashtu edhe ato financiare që do të kishte shpërndarja e vulave ditën e votimit, KQZ ka vendosur që t’i prodhojë ato që në këtë fazë dhe t’i shpërndajë nëpër zyrat e saj rajonale, së bashku me materialet e tjera zgjedhore. Kështu, për shmangien e bllokimit të procesit, KQZ ka përgatitur një projekt-akt që do të miratohet sot e nëpërmjet të cilit parashikohet të prodhohen paraprakisht vula rezervë për çdo qendër votimi, të cilat do të administrohen nga Zyrat Rajonale të KQZ-së dhe do të përdoren vetëm me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këto vula do kenë të njëjtën përbërje si dhe vulat e tjera, me të vetmin ndryshim se krahas simbolit “QV” do të vendoset dhe germa “R”, si tregues se ajo do të jetë rezervë. Pas miratimit të këtij vendimi, KQZ do duhet të prodhojë 4 865 vula rezervë.

Sanksionet

Prodhimi i vulave rezervë do të jetë vetëm njëri hap që do të marrë KQZ për të parandaluar bllokimin e procesit zgjedhor nga tërheqja me urdhër politik e komisionerëve të Qendrave të Votimit. Shumë shpejt, KQZ pritet të miratojë dhe një akt tjetër, që ka të bëjë me zëvendësimin e komisionerëve që mund të largohen nga detyra, ditën e zgjedhjeve. Lidhur me këtë akt, janë në diskutim variantet për t’i zëvendësuar ata me nëpunës civilë, jo partiakë, siç mund të jenë dhe mësuesit. Përsa i përket komisionerëve që do të tentojnë të braktisin detyrën gjatë procesit të votimit, KQZ ka përcaktuar dje dhe sanksionet që faktikisht parashikohen dhe në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal. Në manualin e trajnimit të komisionerëve të KQV-ve, i miratuar dje, KQZ ka përfshirë dhe një kapitull të veçantë që ka të bëjë vetëm me sanksionet ligjore për shpërdorimin e detyrës nga komisionerët. Braktisja e detyrës, pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve zgjedhore, anëtarët e grupeve të numërimit apo vëzhguesit, përbën, sipas këtij Manuali, kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie nga 6 muaj deri në 2 vjet heqje.

No comments: