Wednesday, March 2, 2011

Flet shoqja e Emmy-t: Kelmendi më telefonoi nga celulari i saj


Mikesha e Elsina Hidershës (Emmy-t), këngëtarja nga Kosova, me iniciale V.B., e cila ndodhej bashkë me 22-vjeçaren mbrëmjen kur ajo u plagos për vdekje, tregon se nuk e ka parë Aziz Kelmendin brenda në lokal. Biznesmeni kosovar, sipas dëshmitares, e ka telefonuar atë më vonë, duke i treguar për “aksidentin”. Dëshmitarja tregon se biznesmeni Kelmendi i ka telefonuar nga celulari i Emmy-t, që ende nuk është gjetur nga policia. Nga ana tjetër, këngëtarja kosovare tregon përballjen e saj me shoqen e Emmy-t, e cila pretendonte se ishte e dashura e Aziz Kelmendit. Kjo përballje, sipas dëshmitares, ka ndodhur në momentin e paraqitjes së saj për të dëshmuar për ngjarjen në policinë e Tiranës. Aty ishte ndodhur edhe vajza tjetër, e cila ka qenë e pranishme në “aksidentin” që shkaktoi vdekjen e këngëtares së njohur me emrin “Emmy”. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, këngëtarja nga Kosova pranoi të shpjegojë ngjarjen, në kushtet e mospublikimit të identitetit të plotë të saj.
Me kë ndodhej Emmy mbrëmjen e së shtunës tek “Venue”?
Emmy ndodhej vetëm me mua, nuk kishim asnjë njeri tjetër me vete. Atë natë këndonte Dafina Zeqiri dhe ne ishim të ftuara. Në fakt kishim disa ditë që rrinim bashkë në Tiranë dhe kishim shkuar edhe në pub-e të tjera, vetëm ne të dyja. Atje kishim takuar edhe shoqe e kolege të tjera.
Në momentin që Emmy u largua nga lokali, ju tha se ku po shkonte?
Në fakt më tha që po shkonte në tualet. Xhaketën që kishte veshur e la aty, ndërsa me vete mori çantën, ku kishte edhe celularët. Ora ishte rreth 01:30, kur ajo u largua, por duke qenë se u vonua, sepse po shkonte ora 02:00, tentova disa herë që ta merrja në telefon, por ajo nuk përgjigjej. Nuk dyshova për asgjë, thjesht mendova se nuk e dëgjonte zilen e telefonit. Derisa më pas, më mori në celular, nga telefoni i Emmy-t, Aziz Kelmendi dhe më tregoi.
Çfarë ju tha Kelmendi konkretisht?
Fillimisht më pyeti nëse isha unë shoqja më të cilën Emmy ndodhej tek “Venue”. Unë i thashë që unë jam, por e pyeta se ku është Emmy. Ai më tha që Emmy kishte rënë nga makina e tij dhe ishte aksidentuar. Për këtë arsye e kishte dërguar në spital. Vetëm kaq, pastaj telefoni i Emmyt më ka dalë vazhdimisht i fikur.
Po Aziz Kelmendi është futur në lokal për ndonjë moment atë natë?
Jo, ai nuk ka qenë për asnjë çast aty brenda. Unë nuk e kam parë, por as Emmy nuk e ka takuar brenda lokalit. Mbase ai e ka marrë në telefon, në momentin kur ajo doli dhe më tha që po shkonte në tualet. Pasi ai më telefonoi dhe më tregoi se çfarë kishte ndodhur, unë kam nxituar menjëherë që të dal nga lokali dhe kam marrë në telefon babanë e Emmyt, zotin Ali Hidersha. I thashë që Elsina ndodhej në spital dhe se duhej të shkonim atje. Reagimi i tij më befasoi dhe kuptova që ai ishte në dijeni të ndonjë kërcënimi që kishte pasur vajza e tij, që ai ma tregoi më vonë. “Mos, Azizi...”, tha dhe ma mbylli telefonin. Kur unë dola jashtë, Emmy-n e kishin dërguar në spital, por pashë vetëm gjakun e saj dhe menjëherë më ra të fikët.
Si shoqe e Emmyt, a ishit në dijeni të ndonjë konflikti që ajo mund të kishte me biznesmenin nga Kosova?
Si fillim po iu them që Emmy nuk ka qenë e lidhur asnjëherë me Aziz Kelmendin. Nuk ka qenë kurrë e dashura e tij. Kelmendi e ka ndihmuar në nja dy raste për organizimin e koncerteve të saj në Kosovë dhe në një rast tjetër ka ndërhyrë që ajo të blinte një makinë me çmim më të lirë, në një kompani në Kosovë. Por asgjë më shumë. Me sa di unë, ai ishte i martuar, madje kishte edhe 5 fëmijë. Ndërsa për konflikte nuk di të kenë pasur, përveç refuzimeve të vazhdueshme të Emmyt, pas propozimeve që ai i bënte për ta pasur të dashur. Por Emmy nuk ka pranuar dhe asnjëherë nuk ka qenë e dashura e tij.
A jeni pyetur në policinë e Tiranës rreth kësaj ngjarjeje?
Pavarësisht se unë nuk di asgjë se si mund të ketë ndodhur ngjarja, duke qenë se isha me Emmy-n atë natë, më kanë shoqëruar dhe më kanë marrë në pyetje. Kam deklaruar të njëjtat gjëra që po ju them edhe ju, pasi nuk di asgjë më shumë se kaq. Por aty, në korridoret e policisë, pashë një vajzë, që pretendonte se ishte e dashura e Aziz Kelmendit, madje që ishte e lidhur me të prej 8 muajsh. Nuk ia mbaj mend emrin, por unë e njoh, sepse ajo është shoqja e Emmy-t. Ishte një vajzë e re, shumë e bukur, e gjatë dhe brune, që unë e kam takuar me Emmyn në një pub në Tiranë, mbrëmjen e së mërkurës. Madje, takimi i tyre atë natë ishte mjaft i dashur, që fliste për një miqësi të ngushtë të dyjave. Ndërsa aty, në polici, kur unë iu drejtova dhe i thashë që ishte ajo shoqja e Emmy-t, ajo u largua duke më thënë që as që e njihte vajzën me emrin që i përmenda unë.

Hetimi, dyshohet për goditje të qëllimshme me makinë ndaj Emmy-t

TIRANE – Policia e kryeqytetit ka deklaruar se e ka arrestuar biznesmenin Aziz Kelmendi, me akuzën e shkaktarit të plagosjes me pasojë vdekjen e këngëtares së njohur, me emrin Emmy. Sipas policisë së Tiranës, Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, kanë bërë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të shtetasit Aziz Sefedin Kelmendi, 47 vjeç, banues në Kosovë. Arrestimi i tij, sipas deklaratës së policisë është bërë mbi bazën e hetimeve të kryera nën dyshimin se 47-vjeçari ka kryer konsumimin e veprës penale të plagosjes së rëndë me dashje, parashikuar nga neni 76 e 22 i Kodit Penal. Siç duket edhe nga kualifikimi i akuzës, policia dyshon se goditja me makinë e këngëtares 22-vjeçare ka ndodhur në mënyrë të qëllimshme. Pas vdekjes së Emmy-t në spital, pritet që akuza të rikualifikohet nga plagosje në vrasje, për shkak të pasojave serioze që ka sjellë ngjarja.

Shoqja e Emmy-t

Këngëtarja kosovare, V.B., e cila ka qenë bashkë me Emmy-n tek “Venue” deri disa minuta para se të ndodhte ngjarja, është shoqëruar në policinë e Tiranës për të dhënë deklarime. Menjëherë pasi është marrë në pyetje, këngëtarja është shoqëruar nga forca policie, që e kanë marrë në mbrojtje, madje duke e përcjellë edhe drejt Kosovës, pasi ajo ndihet e kërcënuar. Shoqja e Emmy-t është ndeshur në korridoret e Drejtorisë së Policisë së Tiranës me autorin e ngjarjes dhe me të dashurën e re të tij, ku sipas babait të Emmy-t, biznesmeni e ka kërcënuar, duke i thënë që të mos flasë.

Ceremonia mortore

Kortezhi mortor ka përcjellë dje rreth orës 13:00 për në banesën e fundit këngëtaren 22-vjeçare Elsina Hidersha, e njohur me emrin Emmy. Ceremonia mortore për artisten që ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në Spitalin Ushtarak, nisi nga banesa e saj në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë dhe përfundoi me homazhe në varrezat e Tufinës. Ajo që ra në sy tek kolegët e Emmy-t, të cilët ishin të pranishëm gjatë ceremonisë, ishte mungesa e vajzës brune që ndodhej në makinë me biznesmenin Kelmendi dhe që sipas tyre, është mikeshë e Emmy-t.

Etleva Delia

No comments: