Nëse flitet, pas vitit ’90-t, për rishfaqje globale të shoqërisë civile, ka qenë pikërisht roli që feja ka luajtur në këtë proces, e cila e ka vënë atë në fokus të analizave të sotme. Roli dhe qëndrimet e feve në vendet e Europës Lindore e Qendrore dhe të Amerikës Latine, demokratizimi i tyre (veçanërisht katolicizmi pas Koncilit të Dytë të Vatikanit), shfaqjet e mobilizimit publik të Islamit në kohën e sotme etj., dëshmojnë se fetë dhe institucionet fetare vazhdojnë të kenë një ndikim të konsiderueshëm në jetën publike dhe në përpjekjet demokratizuese të këtyre vendeve.
Fetë në Shqipëri, ndoshta ndryshe prej feve në Europën Perëndimore, janë shfaqur shpesh si aktorë politik dhe kjo i dedikohet mesa duket historisë komplekse të tyre, si pasojë e ndërhyrjeve konstante të të huajve, si dhe të kaluarës represive ndaj tyre gjatë sundimit të regjimit komunist. Historia e hidhur e feve në këtë vend dhe ngjarjet e 20 viteve të fundit, tregojnë se kishat dhe asosacionet fetare mund të ofrojnë mundësi të mëdha bashkëpunimi, përkujdesjeje e vëmendjeje më të madhe ndaj njerëzve dhe problemeve sociale. Vetë fetë monoteiste mbrojnë me forcë pikëpamjen se personi njerëzor nuk është individ abstrakt, por dinjiteti i tij realizohet vetëm në komunitet, jo thjesht në komunitetin e tij/saj fetar, por në një komunitet më të gjerë jetësor. Pjesë përbërëse e këtij komuniteti të gjerë jetësor është edhe shkolla.
Institucioni social i shkollës është një agjent i rëndësishëm i socializimit, ku bashkëjetojnë dhe ndërveprojnë individë me background-e të ndryshme familjare, fetare etj. Për sa kohë një simbol fetar, që bartet nga një nxënës në shkollë, nuk nxit urrejtje për një nxënës tjetër dhe nuk thyen kodin e etikës që mund të ketë hartuar shkolla, atëherë ai/ajo mund ta mbajë atë. Në Angli, për shembull, çështja e simboleve fetare vërtet është çështje diskutimi, por shkollat në përgjithësi lihen të vendosin vetë mbi këtë çështje. Gjykatat japin vendime rast pas rasti, por në këtë vend kemi të bëjmë kryesisht me fëmijë emigrantësh. Megjithatë, kjo mbetet një praktikë anglo-saksone, ndërsa Shqipëria dhe disa vende të ish-Lindjes komuniste kanë përqafuar, mesa duket, një praktikë ligjore napolonike, ashtu si Franca, ku shteti sanksionon gjithçka.
Harmonia ndërfetare në Shqipëri është pasuri e madhe kombëtare, që lidhet me historinë e këtij vendi, traditën, Rilindjen Kombëtare, mendësinë dhe qasjen kundrejt çështjeve dhe simboleve fetare. “Rregullimet” ligjore të imponuara nuk bëjnë asgjë tjetër veçse shtojnë paragjykimet e ndërsjella midis shtetit dhe bashkësive fetare, ose midis vetë atyre. Vetë fetë janë diverse, por në rastin e shoqërisë shumëfetare shqiptare shfaqen si denominacione, as eklesi, as kulte. Duke marrë formën specifike të denominacionit, ato mbajnë dhe ruajnë marrëdhënie shoqërore e miqësore me qeverinë dhe fetë e tjera, si dhe nuk pretendojnë të jenë i vetmi besim fetar i ligjshëm i kombit, pra në këtë rast nuk kemi fe zyrtare. Feja është e ndarë nga shteti, ndërkaq organizatat fetare ruajnë marrëdhënie të mira me të dhe njëra-tjetrën. Megjithëse anëtarët e një denominacioni të caktuar mund të besojnë se besimi i tyre fetar është i vetmi besim i vërtetë, ata gjithashtu njohin të drejtën e njerëzve të tjerë të kenë pikëpamje të ndryshme mbi çështje të caktuara.
Laiciteti përbën një vlerë të madhe për shoqëritë moderne, veçanërisht për një vend shumëfetar, siç është Shqipëria. Laicitet do të thotë një ndarje e dallueshme e sferës fetare prej sferës publike, por jo ndarje absolute midis tyre. Fetë dhe veprimtaritë e tyre nuk duhen parë si të shkëputura nga veprimtaritë publike, por si pjesë përbërëse e rëndësishme e tyre. Shekullarizimi në kohën tonë nuk është një forcë e gjithëpushtetshme. Ai e transformon fenë, por nuk e zhduk atë. Natyrisht pranohet se shekullarizimi ka ulur ndjeshëm rëndësinë e fesë, por fetë botërore vazhdojnë të jenë një element kryesor i identifikimit kulturor dhe burime të fuqishme të diversitetit kulturor. Modernizimi dhe arsimi sot kanë ndikuar në uljen e besnikërisë ndaj kishës, por megjithatë nuk kanë munguar polemikat midis fesë dhe shtetit, për çështje nga më të ndryshmet.
Shqipëria tregon se ekziston një ndarje e qartë e Kishës me shtetin, por dinamika e institucioneve fetare ka qenë e pranishme gjatë tranzicionit dhe roli i feve është shfaqur dukshëm edhe në sferat publike. Prononcimet dhe/ose ndërhyrjet e fundit të përfaqësuesve fetarë lidhur me projektligjin për simbolet fetare në shkolla nisen, në gjykimin tim, nga preokupacioni dhe dashuria e tyre për individin, që të nxisin përfaqësuesit politikë të hartojnë ligje e politika sa më të drejta, sa më sociale dhe të pranueshme për njerëzit.
*Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale-UET
No comments:
Post a Comment