Sipas kryeministrit të vendit, në 21 janar në Tiranë ka patur një tentativë për grusht shteti. Sipas tij, kjo tentativë vazhdon, duke përfshirë, veç opozitës, prokuroren e përgjithshme dhe SHISH-in. Ministra, deputetë, nëpunës dhe mediat afër qeverisë, e trajtojnë këtë tashmë si fakt të mirëqënë. Po a qe vërtet kështu? Përgjigja e kësaj pyetje ka mjaft rëndësi, sepse akuza për grusht shteti duket se s’është thjesht pjesë e arsenalit të zakonshëm propagandistik të përdorur jo rrallë për të kërcënuar e trembur kundërshtarin, apo për t’i dhënë zemër e mobilizuar të vetët. Kjo akuzë ka përligjur refuzimin e kryeministrit për t’iu bindur urdhër ndalimit të lëshuar nga prokuroria për gjashtë krerët e gardës të akuzuar për vrasje. Me të është përligjur përdorimi i armëve të zjarrit dhe vrasja me to e tre demonstruesve, duke paralajmëruar madje, se në raste të tilla është e ligjshme të vriten jo tre, por dhe tridhjetë e më shumë vetë! Në këtë kontekst, kryeministri kërcënoi publikisht liderin e opozitës se do të ndëshkohej ‘në mënyrë ekzemplare e fatale”, nëse provonte dhe një herë të rrethonte kryeministrinë. Sërish në emër të pandehmës së një grushti shteti në vazhdim, kryeministri mblodhi gjeneralët e ushtrisë, duke kërcënuar me një fjalor vërtet rrëqethës se ‘do t’i shtypte kokën’ të gjithë atyre që do provonin ta përsërisnin një tentativë të tillë. Gjithnjë në emër të saj, policia ka kryer në orët e ditët pas ngjarjes një sërë veprimesh që në çfarëdo kushti do të ishin të dënueshme, siç është përdorimi abuziv i dhunës me të ndaluarit.
Sidoqoftë, pyetja e parë që shtrohet është, përse kësaj here kryeministri akuzoi për grusht shteti dhe jo më për ‘rebelim për të rrëzuar pushtetin’, siç ka bërë, për shembull, për atë që ndodhi më 1997! Sepse dihet që fjala grusht (apo puç) shteti ka një konotacion teorik e praktik të përcaktuar qartë: një grusht shteti nënkupton përpjekjen e befasishme për të rrëzuar e marrë pushtetin e shtetin nga forca e segmente të caktuara brenda vetë shtetit, sidomos ushtrisë. Në tekstin e tij tashmë të mirënjohur, “Një doracak për një grusht shteti", politologu dhe historiani i njohur amerikan Edward Lutwak, shpjegon se “Grusht shteti kemi atëhere kur një segment i vogël, por i rëndësishëm i aparatit shtetëror (zakonisht ushtria por jo vetëm ajo) përdoret për të përmbysur qeverinë, duke marrë kontrollin e saj.”Atëhere natyrshëm, del pyetja: Ç’ka parasysh Berisha kur akuzon për grusht shteti, po qe se s’e përdor këtë term në mënyrë figurative, apo siç përdorej vend e pavend fjala puçist gjatë viteve të diktaturës, për të akuzuar e dënuar çdo armik të mundshëm? Dhe duke vazhduar më tej në të njëjtën linjë: a është në kontakt kryeministri i vendit me kryetarin e shtetit? Ligji përcakton qartë masat që duhen marrë kur rendi kushtetues e siguria kombëtare janë të kanosura. Përse ai s’ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Sigurisë? Në kushtet e një grushti shteti në vazhdim, pranohet qoftë dhe shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme. Atëhere, përse s’e kërkon këtë masë, përderisa vendi, sipas tij, përballet me një rrezik të tillë? Përse s’arreston autorët e komplotit? Kudo në botën demokratike, nëse verifikohet e provohet se ndodh grusht shteti, autorët e një krimi kaq të rëndë, meritojnë ndëshkim të plot ligjor. Ç’do të thotë ai vallë, kur paralajmëron të mos e provojnë sërish. Kur bëhet fjalë për tentativë të mirëfilltë grusht shteti, një herë mjafton e tepron. Po kur premton se do t’i amnistojë të gjithë, sigurisht përveç Ramës, çka parasysh? Sepse, me ç’dimë, tagrin për të ndëshkuar e amnistuar e ka tjetërkush dhe jo kryeministri.
Po ka dhe diçka tjetër që të bie në sy. Nëse ai është i bindur se ka qenë tentativë për grusht shteti, përse në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të seancës të mbledhur me urgjencë në darkën e 23 janart, fjala grusht shteti s’përmendet asgjëkundi. Aty bëhet fjalë për krijimin e një Komisioni parlamentar hetimor për të hetuar “Veprimtarinë e institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011.”
S’ka asnjë dyshim se në 21 janar në Tiranë ndodhi diçka tepër e rëndë. Pamë veprime të dhunshme që kishim vite pa i parë, të cilat në çdo rast e rrethanë janë të dënueshme. Në vartësi të optikës me të cilën njerëz të ndryshëm i shohin ngjarjet, faji i vihet njërës apo tjetrës palë si shkaktare të dhunës, por sidoqoftë ligji është fare i qartë se kush janë veprimet e ndëshkueshme për raste të tilla. Ka të tjerë që e fajësojnë opozitën jo vetëm që s’qe në gjendje të kontrollonte turmën e demonstruesve, por dhe për gjuhën nxitëse të përdorur përpara demonstratës. Dhe s’ka dyshim se dinamika e përgjegjësitë e asaj që ndodhi duhen gjykuar me gjakftohtësi e përgjegjësi, për t’i dhënë gjithkujt atë që meriton sipas ligjit (e vetëm ligjit). Por ama, s’ke si të mos shtrosh pyetjen, a mjaftojnë veprimet e dy tre qind vetëve që godasin policinë me gurë, çadra apo shkopinj, që të shpallet se paskemi patur një tentativë për grusht shteti? Sepse atëhere natyrshëm lind pyetja, po 14 shtatori i disa viteve më parë ç’ishte, kur turma me armë në dorë, e prirë nga ata që sot janë në pushtet, hyri dhe shkatërroi jo pak institucione, përfshirë kryeministrinë, ndërkohë që personi që sot mban vendin e zevendësministrit të mbrojtjes, doli në ekranin e televizionit shtetëror për të shpallur ngadhënjimtar marrjen e shtetit?
Sigurisht, s’përjashtohet që kryeministri të ketë të dhëna të tjera veç atyre që ka bërë publike dhe nëse ai arrin të sjellë prova bindëse se vërtet ka patur plane për një tentativë të tillë, unë i pari do isha në krah të qeverisë në mbrojtje të rendit kushtetues. Por atëhere pyetja shtrohet, përse s’i çon këto prova në institucionet e duhura të cilave kushtetuta iu jep të drejtën të hetojnë e ndëshkojnë autorët. Sepse në asnjë vend demokratik, kryeministri s’mund të jetë njëkohësisht prokuror, gjykatës dhe ekzekutiv. Thelbi i demokracisë qëndron pikërisht në ndarjen dhe pavarësinë e këtyre roleve. Përndryshe kemi hyrë në një rrugë ku vija ndarëse mes shtetit ligjor dhe atij antiligjor, hollohet mjaft, duke rrezikuar të këputet.
Në mbasditen e 21 janarit në mes të Tiranës u vranë tre njerëz. Të cilët, së paku nga sa u pa në televizione, në çastin kur u vranë s’po bënin asgjë të paligjshme, që të përligjte vrasjen e tyre me plumb. U plagosën, po me plumba, shumë të tjerë. Dhe nga të gjitha të dhënat e deritanishme, tregohet me gisht Garda e Republikës. Sigurisht, do të jenë hetimet ato që do provojnë të vërtetën, e cila duhet të dalë me çdo kusht, por le të jemi të qartë: nëse s’i shkohet deri në fund kësaj historie jo vetëm që do të krijohet një precedent me pasoja të paparashikueshme, por drejtësia në Shqipëri, edhe kështu mjaft e kontestueshme, ka për të marrë goditjen fatale. Në një shoqëri demokratike jeta e njeriut është mbi gjithçka tjetër.
Fatkeqësisht, përvoja e viteve të tranzicionit na ka mësuar se në politikën shqiptare ka shumë papërgjegjshmëri. Është kjo papërgjegjshmëri që e ka shndërruar politikën në një sherr pafund. Është kjo papërgjegjshmëri që e ka katandisur demokracinë e brishtë shqiptare në një shfaqje të deformuar ku mbizotëron logjika e më të fortit, duke demonstruar orë e çast muskujt në një garë ku mbizotëron logjika atavike sipas së cilës kush bërtet e kërcëllin më fortë dhëmbët, e tregon se është i zoti të rreshtojë më shumë trima pas vetes, shpallet fitimtar.
S’besoj të ketë shumë shqiptarë, me përjashtim të ca kokave të nxehta, që të mos jenë dakord me thirrjen që i bëhet këto ditë politikanëve shqiptarë për të ulur tonet. Unë do t’i bëja thirrje të kafshojnë gjuhën përpara se të hapin gojën të flasin, sepse siç thotë urtësia popullore, fjala të vret. Prova për këtë kemi plot. Duke nisur nga seanca e turpshme e fundit parlamentare. A s’ishte ajo një paralajmërim i tragjedisë që ndodhi? Dhe s’ka dyshim se tash e tutje politikanëve tanë u duhet kërkuar me forcë që të heqin dorë njëherë e mirë nga retorika e forcës, duke u treguar të përgjegjshëm për atë që thonë. Duke i kërkuar kryeministrit që të sillet e flasë siç i ka hije një kryeministri, pa shpërthime të papranushme si ai i seancës së fundit parlamentare; duke i kërkuar kryetares së Parlamentit që të kuptojë se cili është roli i saj institucional, duke mos i hedhur më orë e çast benzinë zjarrit; duke i kërkuar opozitës që të përdorë një gjuhë të përgjegjshme e të moderuar.
Por s’duhet harruar se ngjarjet e 21 janarit grisën përfundimisht në sy të të gjithëve fasadën e normalitetit të jetës sonë politike e institucionale. Dhe për t’u kthyer në normalitet, s’mjafton thjesht t’i hedhim ca ujë zjarrit. Duhen kërkuar rrënjët e thella të krizës, arsyet e atyre deformimeve jo të pakta që karakterizojnë sot jetën shqiptare, për t’i hapur rrugë vërtet një zgjidhjeje të qartë, të besueshme e afatgjatë politike.
No comments:
Post a Comment