Wednesday, January 26, 2011

Prokuroria, urdhër ndalimet për gardën të diskutueshme

Ardit Halili
image

Organi i akuzës nuk ka filluar hetimet kundër organizatorëve të demonstratës edhe pse ka materiale të mjaftueshme për ketë

Prokuroria u tërhoq dje nga urdhër ndalimet për drejtuesit e gardës, duke lënë të kuptohet se ajo ishte vetëm pjesë e lojës. Madje në një konferencë për shtyp Prokuroria e Përgjithshme vlerësoi se çështja e refuzimit nuk ishte aq skandaloze sa ishte paraqitur nga opozita, por “Thjeshtë një çështje teknike që ha diskutim”. Kjo tërheqje e prokurorisë erdhi pas tre ditësh heshtje nga ky institucion, i cili me gjithë dhunën që shpërtheu në kryeqytet ende nuk ka asnjë akuzë ndaj organizatorëve të demonstratës së dhunshme.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka deklaruar se nuk ka nisur akoma hetimet kundër organizatorëve të protestës, edhe pse ka prova të servirura nga policia se ata kanë qenë nxitësit e dhunës. Kryeprokurorja gjatë një konference të dhënë ditën e djeshme në prani të ambasadorit të SHBA-së, është shprehur se hetimet e para që prokuroria e Shqipërisë po bën do të bazohen tek pasojat që ka pasur gjatë protestës. Ndërsa ka bërë të ditur se vetëm më vonë do të fillojnë hetimet mbi organizatorët “Hetimi i mëpasshëm do të tregojë nëse kemi pasur një aktivitet të ndryshëm”, - tha zonja Rama.

Sipas prokurores së Përgjithshme hetimet e para ku organi i akuzës do të zhvillojë konsistojnë në referimit të ngjarjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “hetimet konsistojnë në vrasjen e tre personave dhe gjithashtu ka filluar hetimet referuar materialeve që policia e shtetit ka dorëzuar në prokurori, për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës” dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë dhe goditjes së tyre”. E pyetur se nëse kanë filluar hetimet për një grusht shteti nga ana e opozitës znj. Rama është përgjigjur se ato janë akuza me sfond politik, pasi sipas kryeprokurores nga ana e policisë nuk ka pasur asnjë material që të provojë këtë fakt. “Nga Policia e Shtetit presim materialet e referime për të nisur hetimet”, -deklaroi Ina Rama.

Gjatë konferencës për shtyp, prokurorja e Përgjithshme shqiptare ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga ekspertë të Shteteve të Bashkuara për hetimin e demonstratës së dhunshme të 21 janarit, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Për të gjitha këto, kryeprokurorja theksoi se duhet një hetim objektiv dhe i pavarur, çka, sipas saj, do të vijë me ndihmën teknike të ekspertëve amerikanë. “Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje që ditën e protestës, duke angazhuar në hetim të gjithë trupën gjyqësore. Rezultatet e kësaj veprimtare hetimore me profesionalizëm të lartë, është i nevojshëm t’i nënshtrohen një sërë ekzaminimesh ligjore”, - sqaroi zonja Rama. Ajo shtoi se ndihma e kërkuar do të garantojë hetimin më të besueshëm.

E pyetur nga mediat për mosekzekutimin e urdhrit të prokurorisë për ndalimin e 6 gardistëve, Kryeprokurorja u përgjigj se “Urdhër-ndalimet lëshohen për persona të dyshuar, kemi pasur dyshime që këta persona janë përfshirë në ngjarjet e 21 janarit. Ekzekutimi i këtyre urdhër arresteve do na ndihmonte të zbardhnim ngjarjen”, -tha ajo. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeprokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ambasadori amerikan Alexander Arvizu konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me hetimet për demonstratën e të premtes së 21 janarit. “Sipas ligjit shqiptar, zyra e prokurorisë merret me hetimin e ngjarjeve dhe unë konfirmoj mbështetjen e SHBA-ve për këtë zyrë në lidhje me këtë investigim. Do ta marr, do ta lexoj dhe do ta shqyrtoj me kujdes kërkesën e kryeprokurores, që më është drejtuar mua dhe gjithashtu do ta dërgoj në Uashington. Besoj se përgjigjja do të jetë pozitive”, - u shpreh ambasadori amerikan. Ndërsa theksoi gatishmërinë për të shqyrtuar me kujdes kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e një asistence teknike në këtë investigim, ambasadori Arvizu i bëri thirrje Kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, të anulojnë ose të shtyjnë tubimet e lajmëruara për këtë javë. “Hetimi i shkaqeve që çuan në ngjarjen e së premtes, është një çështje thelbësore. Shpresoj që Kryeministri Berisha dhe udhëheqësi i opozitës të marrin në konsideratë anulimin e tubimeve ose shtyrjen e tyre”, - tha ambasadori Arvizu.

No comments: