Edicioni i dymbëdhjetë i Këngës Magjike u mbyll të shtunën në mbrëmje, në Pallatin e Kongreseve, në një spektakël që mori vëmendjen e gjithë audiencës mbarë shqiptare. “Sa e shite zemrën”, e kantautorit Pirro Çako, kënduar nga Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, u vlerësua nga vetë këngëtarët si kënga më e mirë e Festivalit. Ndërkaq, vetë Pirro Çako mori vendin e dytë me këngën “Mirëmbrëma, si je?”. Rozana Radi dhe Ramadan Krasniqi u renditën të tretët, me këngën “Valsi i dashurisë”. Gjatë natës finale u dhanë edhe 21 çmime të tjera. Por përveç jehonës që pati ky festival, ne sjellim sot disa nga të pathënat e tij….
Thyen akujt me Klanin, Goni divorc Top-it
Ftesa që dikur Ardit Gjebrea i bëri Agron Llakajt për të qenë në skenën e “Këngës Magjike”, është vënë në jetë me disa vite vonesë. Të shtunën në mbrëmje, aktori i mirënjohur Llakaj ka kënduar dhe bërë humor me disa nga hitet e vetë kantautorit Gjebrea. Prezenca e tij në skenën e Festivalit ka çuditur shumë njerëz. Por në fakt, akujt mes Klanit dhe Gonit kanë pak kohë që janë thyer. Dihet tashmë që Llakaj do të lërë kabarenë “Portokalli”, në televizion Top-Channel, për të nisur sfidën e parë me show-n “Kush do të bëhet milioner” dhe hapi i parë i këtij bashkëpunimi, u dha pikërisht te “Kënga Magjike”.
Faleminderit Ardit, për Julin
Ashtu siç edhe pritej e përflitej mes këngëtarëve, Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, morën vendin e parë të Festivalit “Kënga Magjike”, me këngën “Sa e shite zemrën”. Dueti bëri diferencën vetëm me dy pikë ndaj Pirro Çakos, që ishte edhe autori i kësaj këngë, mjaft kuptimplotë për të. Megjithatë, duke i lënë mënjanë të gjitha komentet e supozimet e ndonjë artisti për lobing votash, mbetet fakt se Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli sollën një këngë që e meritonte vendin e parë. Por për sa i përket paraqitjes skenike të Julianës, mendojmë se së pari ajo duhet t’i jetë shumë mirënjohëse producentit Ardit Gjebrea. Të mos keqkuptohemi! Jo për çmimin. Por për orientimin që i ka dhënë kësaj këngëtareje në skenë. Gjë që u vu re qysh një vit më parë, në performancën e saj në Festivalin në RTSh, e ku u bë edhe më e dukshme në Eurovizion. Një Julianë që ishte shumë larg paraqitjeve të saj të hershme. Për vite me radhë në skenë, Juliana asnjëherë nuk bëri efekt tek publiku me veshjet dhe performancën skenike, ku, me gjithë përpjekjet, ajo linte shumë për të dëshiruar. E në këtë pikë, në harkun e një viti të paktën një arsye më shumë përse njerëzit duhet ta duan Julin, është fakti se ajo ka pësuar një kthesë 180 gradëshe përsa i përket këtij aspekti.
No comments:
Post a Comment