Luis Tanushi
U zhduk nga zyra e misionit diplomatik shqiptar në Nju Jork. I vjedhur apo i shitur?
Zbulohet i plotë skandali i vjedhjes së një kompjuteri portabël (laptop) që përdorej për komunikimin e informacioneve sekrete mes Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Nju Jork dhe zyrës përkatëse në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.
Detajet e "zhdukjes" së habitshme të kësaj aparature që përdorej për kriptimin e mesazheve sekrete diplomatike, dhe rëndësia e saj, kuptohen qartësisht në një letërkëmbim mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kuvendit të Republikës, ku ky i fundit merr përgjigje zyrtare, lidhur me pyetjet që një deputet ka ngritur mbi ngjarjen misterioze.
Vjedhja e laptopit (që është shumë më tepër se thjesht një laptop) ka ndodhur rreth fundit të shtatorit të këtij viti dhe ka kaluar pa bujë, në tentativë për të minimizuar dëmin. Pyetja e parë e cila merr përgjigje në letërkëmbimin që posedohet nga "Shekulli", është: "Si qëndron e vërteta në lidhje me "humbjen" e kompjuterit laptop në Misionin tonë diplomatik në Nju Jork?"
Përgjigjja e Ministrisë së Punëve të Jashtme për këtë pyetje është si më poshtë vijon (citohet letërkëmbimi):
"..Përfaqësuesi i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zoti Ferit Hoxha, me shkresën Nr. Prot. 147/2010 të datës 04.03.2010, na njoftoi zyrtarisht dhe me hollësi (Ministrinë e Punëve të Jashtme) për zhdukjen brenda zyrave të Misionit tonë në Nju Jork të kompjuterit portabël (laptop), që përdorej për komunikimin e klasifikuar Mision-MPJ.
Pas marrjes dijeni, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë menjëherë gjitha masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për izolimin e shpejtë të riskut të shkaktuar nga rastet me karakter vjedhjen apo dëmtimin e pajisjeve të kriptimit. Informacioni i ardhur nga Misioni Nju Jork, pas regjistrimit në Zyrën e Ndërlidhjes dhe Shifrës, u përcoll urgjentisht tek Sekretari i Përgjithshëm, Drejtori i Kabinetit dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse.
Duke vlerësuar ngjarjen e ndodhur, Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i Kabinetit urdhëruan njoftimin e menjëhershëm të Drejtorisë së Shifrës në SHISH dhe Drejtorit të DSIK, për të koordinuar masat dhe hapat që duheshin, këto dy institucione u njoftuan zyrtarisht me shkrim nëpërmjet shkresave përkatëse, respektivisht me Nr. Prot. 10 datë 17.03.2010 dhe 91, datë 23.03.2010.
Gjithashtu, Drejtori i Drejtorisë së Sekretarisë, Ndërlidhjes dhe Shifrës u konsultua edhe gojarisht me drejtuesit e këtyre dy institucioneve. Nga specialistët e SHISH-it u morën menjëherë masat e nevojshme teknike për bllokimin e çelësave të komunikimit me kompjuterin (laptop) e humbur..".
Nga rreshtat e mësipërm, kuptohet rëndësia e pajisjes, por jo rrethanat e kësaj "zhdukjeje" të habitshme.
Në dokumentacionin lidhur me këtë ngjarje që të kujton filmat me spiunazh, dëshmohet më pas se duke marrë shkas nga ngjarja e mësipërme, me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së, u përgatit dhe u dërgua shkresa qarkore Nr. Prot. 97 datë 17.03.2010 drejtuar gjithë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit.
Nëpërmjet saj bëhej njoftimi për ngjarjen dhe tërhiqej vëmendja për respektimin me rreptësi të rregullores në ruajtjen dhe trajtimin e mjeteve të kriptimit dhe dokumenteve të klasifikuara.
Kush ka qenë i interesuar për të vjedhur këtë kompjuter me materiale sekrete të diplomacisë shqiptare? Pyetja mbetet pa përgjigje, por nga dosja mbi këtë ngjarje, mësohet se anëtarët e majtë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kanë hedhur dyshimet se realisht ky kompjuter server është shitur.
Anëtarë të Komisionit gjatë debatit kanë hedhur dyshimin se kreu i misionit shqiptar, ambasadori Ferid Hoxha, e ka shitur këtë kompjuter tek shërbimet sekrete ruse.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Hoxha u ka dhënë atyre edhe kodet sekrete që çkodojnë çdo komunikim mes selive diplomatike shqiptare. Deri dy vjet më parë, Shqipëria ishte një objektiv tepër i vogël për shumë agjenci të huaja zbulimi por pas anëtarësimit në NATO, "pesha specifike" e vendit tonë u rrit ndjeshëm.
Humbja e laptopit, por edhe disa konflikte banale të ambasadorit shqiptar në NATO, Artur Kuko, sollën edhe një lloj pezullimi të vendit tonë nga mbledhjet e sigurisë së lartë në NATO.
Ministria e Jashtme, në letrën dërguar Kuvendit, e cila posedohet nga Shekulli, shkruan më tej se "kjo ngjarje nuk ka komprometuar standardin e sigurisë në komunikim, pasi kompjuteri bëhet i papërdorshëm (softëare duhet riinstaluar nga e para) nëse nuk futen kodet e përdorimit, për të cilat kishte dijeni vetëm Ambasadori Ferit Hoxha".
Kjo është e saktë nëse kompjuteri thjesht është vjedhur, por nëse dyshimet e opozitës verifikohen, atëherë laptopi është dhënë bashkë me kodet përkatëse të kriptimit të mesazheve.
I vjedhur apo i shitur? Ngjarje ordinere apo spiunazh?
Letra ku ministri i jashtëm Haxhinasto përgjigjet për pyetjet e ngritura rreth zhdukjes së aparaturës në fjalë, thotë: "..Humbja/vjedhja e kompjuterit të komunikimit të klasifikuar në Misionin tonë në Nju Jork është një rast i vetmuar i shkaktuar nga mosrespektimi i rregullave dhe standardeve të sigurisë.
Nga analiza është nxjerre në dukje se në këtë rast ishin shkelur: seksioni II/A, pika 4, 5 dhe 11, si dhe seksioni III, pika 4 dhe 5, - (Udhëzimi Nr.405, datë 03.09.2007 i ministrit të PJ) - shkelje për të cilat janë informuar më hollësisht me anë të Memove të veçanta në muajin mars 2010, sekretari dhe ministri. Mbrojtja teknike e informacionit realizohet me anë të programeve të shifrimit elektronik PGP dhe Key One, të instaluara në aparaturat përkatëse nga ana e specialistëve të SHISH.."
Më tej në materialet që posedon Shekulli thuhet:
"Ministria e Punëve të Jashtme, në zbatim të kuadrit ligjor mbi informacionin e klasifikuar sekret shtetëror ka nxjerrë udhëzimet përkatëse me anën e të cilave udhëzohen të gjithë diplomatët për mënyrën e nivelit të klasifikimit, ruajtjes dhe asgjësimit të materialeve të klasifikuara..."
Këtë thotë Ministria por anëtarët e majtë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kanë hedhur dyshimet se realisht ky kompjuter server është shitur. Anëtarë të Komisionit gjatë debatit kanë hedhur dyshimin se kreu i misionit shqiptar, ambasadori Ferid Hoxha, e ka shitur këtë kompjuter tek shërbimet sekrete ruse. Interesi për informacionet që përmbante laptopi lidhet me dokumente të NATO-s.
Në ngjarje të tilla, dorën në zjarr nuk mund ta vesh, por fakt është që NATO ka reduktuar aksesin shqiptar në informacione të përbashkëta, pas kësaj ngjarjeje. Nëse ata kanë dyshime konkrete për shitje, apo thjesht kanë reaguar të skandalizuar nga mungesa e seriozitetit të shtetit shqiptar, kjo mbetet për tu parë.
Ku ka pajisje të tilla kriptimi..
Sipas dokumentacionit që shoqëron ngjarjen e vjedhjes / zhdukjes së laptopit në zyrën e misionit tonë në Nju Jork, mësohet se këto pajisje kriptimi/komunikimi janë në përdorim në përfaqësitë dhe misionet në: Ankara, Athinë, Bernë, Beograd, Bruksel, Budapest, Bukuresht, Gjenevë, Hagë, Kopenhagën, Londër, Milano, Moskë, NATO (Bruksel), Misioni pranë OSBE në Vjenë, Paris, Pekin, Podgoricë, Pragë, Prishtinë, Romë, Shkup, Sofje Stokholm, Varshavë, Vatikan, Vjenë, Zagreb.
No comments:
Post a Comment