Sunday, November 28, 2010

“Plus” del në treg


Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Qendrës së parë Teknologjike të Operatorit te Katërt te Telefonisë Celulare, PLUS

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në ceremoninë e inaugurimit te Qendrës së parë Teknologjike të Operatorit te Katërt te Telefonisë Celulare, PLUS.

Kjo qendër përbën një investim të rëndësishëm, pasi në të është instaluar teknologjia më bashkëkohore e telekomunikacionit, e cila operohet nga një staf tërësisht shqiptar.

PLUS, operatori celular më i ri në vend është një ndër investimet më të rëndësishme të komunitetit të biznesit, duke përfaqësuar disa prej bizneseve më të suksesshmet shqiptare, si Post Telekomunikacioni i Kosovës (PTK), Aci Enginering, Union Group sh.p.k, Albanian Drink Distribution, etj.

Së bashku me kryeministrin Berisha merrnin pjesë në këtë event, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Z. Genc Pollo, Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, Kryetari i Bordit Drejtues të aksionerëve të PLUS, zoti Petraq Shomo, si dhe investitorë nga Prishtina, Tirana dhe të ftuar të tjerë.

Në përshëndetjen e rastit, kryeministri Berisha u shpreh se inaugurimi i kësaj kompanie të përbashkët midis investitorëve shqiptarë, të Tiranës dhe Prishtinës shënon një ngjarje shumë të rëndësishme, një dallëndyshe të integrimeve të pandalshme ndërshqiptare, rajonale dhe evropiane.

Kryeministri theksoi gjithashtu se ky inaugurim përbën një arritje tjetër të madhe, në njërin prej tregjeve që është shndërruar sot në një nevojë jetike, njëlloj si buka e përditshme për njeriun modern, për njeriun e qytetëruar.

Duke vlerësuar ekipin e përbashkët të investitorëve, Kryeministri shprehu besimin se ky operator do të shndërrohet në më të mirin e të gjithë rrjeteve dhe të gjithë operatorëve në hapësirat shqiptare.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Për Shqipërinë, për kompaninë kjo është një datë e shënuar. Inaugurimi sot i kësaj kompanie të përbashkët midis investitorëve shqiptarë, të Tiranës dhe Prishtinës shënon një ngjarje shumë të rëndësishme, një dallëndyshe të integrimeve të pandalshme ndërshqiptare, rajonale dhe evropiane.

Po inaugurimi i sotëm përbën një arritje tjetër të madhe, në njërin prej tregjeve që është shndërruar sot në një nevojë jetike, njëlloj si buka e përditshme për njeriun modern, për njeriun e qytetëruar.

Tregu i komunikimit dhe komunikimi i njeriut përbën levën e tij të Arkimedit për të kapur shpejtësitë e kohës, për të kapur kohën e humbur. Ndaj dhe qeveria ime përcaktoi që vitin e parë të mandatit të saj të parë, të operojë me të gjithë potencialet në kohën e shqiptarëve, e bindur se kjo është më e çmuar se çdo vlerë tjetër. Iniciativa ishte e guximshme, e vështirë dhe jo në pak raste e paimagjinueshme.

Ne deklaruam 5 vite më parë se do të shkurtojmë distancën nga çdo qoshe e këtij vendi me kryeqytetin, së paku 50 %. Me ekstreme të këtij vendi sot, kjo distancë është shkurtuar me 70 % dhe vazhdon në të gjitha drejtimet.

Ne deklaruam 4 vjet më parë se do të sjellim Shqipërinë në moshën e internetit, si mosha më e shpejtë, si mosha e të gjitha moshave. Por në kohën e kësaj deklarate, interneti në Shqipëri, penetrimi i tij ishte ndër më të ultit, jo në Evropë, por në planet, ishte gjithsej 4,8 %. Sot, ne në këtë treg vendosemi për penetrimin e internetit me një distancë shumë shumë të vogël që mund të mbyllet brenda këtij viti, me penetrimin e internetit në mesataren e Evropës.

Sot, ne qëndrojmë 14 % më lart në penetrimin e telefonisë mobile, krahasuar me mesataren evropiane. Vendi ka 4.4 milion përdorues. Ka një rritje marramendëse, ka një rritje të papërmbajtur. Unë dua tu rrëfej ju diçka personale. Që nga vitet e rinisë sime deri më sot, për koincidencë apo kam mbetur shumë i lidhur me kompjuterin apo më vonë internetin, në zyrën time natyrisht që kam një kompjuter, në shtëpinë time, natyrisht që kam një tjetër. Me vete kam një i-pod, por internetin, më shumë se në secilin prej tyre lexoj në kompjuterin që mbaj në xhepin e sahatit, Blackberry-in tim, ndaj dhe është kaq e mirëpritur PLUS, sot, si një aktor, në në fushë që po bëhet nevojë jetike e njeriut të qytetëruar. Shkalla e përdorimit të celularit në Shqipëri është mbidyfishuar dhe rritet me shpejtësi, por magjia e tregut është një univers i tërë i pafundmë.

Ndaj dhe unë kam shumë besim tek ky ekip i shkëlqyer, se do të do ta shndërrojnë më të riun, në më të mirin e të gjithë rrjeteve e të gjithë operatorëve në hapësirat shqiptare. Le tu urojmë ne këtyre sukses të plotë. PLUS është gjithmonë sukses.

Urime"

No comments: