Sunday, November 21, 2010

Lëvdohet qëndrimi më i ri i Papa Benediktit XVI: Po prezervativëve


Deutsche Welle

Papa Benedikti i XVI është shprehur për herë të parë për përdorimin e kufizuar të prezervativëve, në një libër me intervista që prezantohet të martën (23.11) në Vatikan. Për këtë hap kreu i Vatikanit po korr lëvdata.


Për kishën katolike ishin të papritura deklaratat e papës për të zbutur ndalimin e përdorimit të prezervativëve. Në pritjen e organizuar në ambasadën e Selisë së Shenjtë në Romë të shtunën në mbrëmje (20.11) me rastin e emërimit të kardinalëve të rinj askush nuk donte të prononcohej për këtë temë. Megjithatë flitet se shumë krerë të kishës katolike kanë shprehur miratimin e tyre për këtë hap që ka qenë prej kohësh i nevojshëm.


Një deklaratë me lëndë eksplozive

Gazeta e Vatikanit "Osservatore Romano" publikoi të shtunën pjesë nga një intervistë me papës në librin që do të promovohet të martën. Në këtë intervistë papa nuk është parimisht kundër përdorimit të prezervativëve. Më pas media të tjera botuan detaje të reja. Megjithëse kisha katolike nuk e sheh përdorimin e prezervativëve si zgjidhje morale dhe të vërtetë, citohet papa, prezervativët mund të jenë në një rast apo tjetër me qëllim reduktimin e rrezikut të infektimit, një hap i duhur drejt një seksualiteti njerëzor, të jetuar ndryshe.
Megjithatë deklarata e Benediktit përmban më shumë lëndë eksplozive. Papa përmend 'prostitutat meshkuj', të cilët në këtë mënyrë mund të ndalojnë përhapjen e sidës - një tjetër temë tabu kjo- papa së pari aludon për homoseksualë që shiten, dhe së dyti, sipas kishës katolike, kjo formë e seksualitetit nuk duhet të ekzistonte. Gazeta e Vatikanit në të vërtetë e ka përkthyer gabimisht pasazhin me përcaktimin 'prostituta femra', - në të vërtetë Benedikti i XVI përdor formulimin 'meshkuj'.


Lëvdata të menjëhershme

Pavarësisht kësaj, deklaratat e papës janë një ndryshim radikal i qëndrimeve të deritanishme të Benediktit. Ai është kështu papa i parë që shprehet kaq hapur dhe që i lejon besimtarëve katolikë përdorimin e prezervativëve në raste të caktuara. Ende në udhëtimin e tij në Afrikë në vitin 2009, papa kishte thënë se problemin e sidës nuk mund ta zgjidhin prezervativët. "Ky nuk mund të mposhtet nga prezervativët. Përkundrazi. Ato e forcojnë problemin" , tha papa në Afrikë.

Për këtë deklaratë papa u kritikua ashpër. Tanimë vijnë lëvdata. Edhe nga Charlotte Knobloch, presidente e Këshillit Qëndror të Hebrenjve në Gjermani. Një një reagim të saj në Romë ajo tha. "Po, përparimet që mund të vëresh këtu në Vatikan, janë të dukshme, tanimë edhe më shumë me deklaratën e papës lidhur me përdorimin e prezervativëve. Shpresoj që kjo të vazhdojë të zgjerohet.


Por nga ajo çfarë kam dëgjuar për një kohë të shkurtër, të gjithë janë të entuziazmuar se si po sillet papa me këtë temë." Edhe nga qeveria bavareze ka pasur miratim për këtë qëndrim të ri. Ministri i Kulturës, Ludwig Spaendle tha se realiteti nuk e ka anashkaluar papën, kjo zbutje është një shenjë e rëndësishme. Duket qartë edhe një ndryshim i strategjisë me median. Kreu ndryshon linjën dhe e bën punën me publikun po vetë. Intervista është regjistruar në korrik, dhe përmbajtja ka qenë e njohur që më parë për Vatikanin.

Edhe nga libri "Drita e botës" me nëntitullin Papa, Kisha dhe Shenjat e kohës dalin citate të tjera. Kështu papa shprehet kundër ndalimit të përgjithshëm të burkës,, është pro ngritjes së xhamive në vendet perëndimore dhe shprehet qartë edhe për dorëheqjen. Po qe se një papë nuk është i aftë nga ana fizike, psikologjike apo shpirtërore të ndjekë detyrën e tij, atëherë ai ka të drejtën në kushte të caktuara të japë dorëheqjen.

No comments: