Saturday, November 6, 2010
Lidhjet dashurore të Edi Ramës, nga Makoçi tek Basha
Një dasmë gjigante, me më shumë se 800 të ftuar, ose më e madhja që është organizuar deri më sot në Shqipëri. 47-vjeçar, në krye të Bashkisë së Tiranës që në vitin 2000 dhe me një karrierë publike disa planëshe, Rama ka hyrë në marrëdhënien e tij të tretë zyrtare dhe ndoshta e pesta, që i njihet dhe deklarohet publikisht. Edhe pse asnjë prej marrëdhënieve të mëparshme nuk ka pasur madhështinë dhe shkëlqimin e kësaj ceremonie, që rezulton të jetë e para për kreun e selisë rozë në këtë model.
Historia e parë publike, që përfundoi me kurorë, i takon një kohe të largët, mesit të dytë të viteve ‘80, kur studenti i Institutit të Arteve dhe basketbollisti i “Dinamos” së Tiranës filloi të shfaqet në bulevardin e Tiranës dhe në Pallatet e Sportit i shoqëruar nga një femër shumë më e njohur se sa ai vetë, një aktore që po dominonte kinematografinë shqiptare në ato vite, e quajtur Matilda Makoçi. Studentë të Institutit të Arteve, ai për pikturë dhe ajo për aktrim, Edi Rama dhe Matilda Makoçi e shpallën martesën e tyre më 4 korrik të vitit 1986 dhe që nga ajo kohë, pa ndonjë ceremoni të ngjashme me atë që djeshmen, filluan të jetojnë bashkë. Nga martesa e tyre lindi një djalë, Gregori, i cili ka filluar të ndjekë si edhe i ati dhe gjyshi, karrierën artistike. Historia e tyre dukej si një histori suksesi. Të dy të rinj, të njohur, artistë, ata dukej se do të dominonin gjatë jetën rozë të kryeqytetit. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Pas thuajse 5 vitesh, lidhja e tyre mori fund në rrethana jo shumë të qarta, që u pasuan nga një gjyq i tensionuar në fillim të vitit 1991 dhe që është përfolur gjatë më pas në karrierën politike të Edi Ramës.
I divorcuar nga Matilda Makoçi, i larguar nga basketbolli, por gjithnjë e më shumë i tërhequr nga sporti i ri i politikës, Edi Rama shfaqet në fillim të vitit 1991 shumë shpesh në publik në shoqërinë e një pedagogeje të re të Fakultetit të Histori – Filologjisë, Delina Ficos. Raporti i tij me të u bë publik rreth asaj kohe dhe çifti u lidh përmes martesës pak kohë më vonë. Edi Rama dhe Delina Fico jetuan bashkë për një periudhë kohe thuajse 6-vjeçare, në vende të ndryshme si në Tiranë, Paris apo Gjermani. Aktivë në lëvizjet politike të kohës, ata jetuan në një apartament që Edi Rama e kish pronë të tijën në periferi të Tiranës pranë Parkut të Autobusëve. Ata ishin bashkë duke u kthyer aty, në shkurt të vitit 1997, kur Edi Rama u godit në fytyrë nga persona të panjohur dhe u dërgua në spital. Duket se ajo ditë ishte dhe shfaqja e tyre e fundit bashkë në publik në Shqipëri. Menjëherë pas saj, Edi Rama u largua për në Paris, ku kish menduar të vendosej përfundimisht, ndërsa Delina Fico udhëtoi drejt SHBA-së me një bursë studimi. Asnjëherë nuk është mësuar se përse martesa e tyre mori fund. Ndryshe nga ajo me Matilda Makoçin që u përfol gjatë në gjykata dhe në shtyp, martesa me Delina Ficon u zgjidh normalisht me mirëkuptimin e të dyve, duke ruajtur më pas edhe një raport miqësor.
Në prill të vitit 1998, kur mbërriti në Tiranë në detyrën e re të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Edi Rama shoqërohej nga një antropologe gjermane, Caroline Hornstein, me të cilën ishte njohur në Paris afro një vit më parë. Historia e tyre ishte publike dhe në maj të vitit 1998, Caroline Hornstein u vendos në Tiranë për të jetuar me Edi Ramën. Ideja e një martese mes tyre ishte mjaft e pranishme në atë kohë dhe çifti shfaqej bashkë kudo, përfshi edhe evenimentet e rëndësishme kulturore. E diplomuar në Frankfurt dhe më pas e specializuar në Boston të SHBA-së, Caroline duket se u thye shpejt me bashkëshortin e ardhshëm. Nuk dihet se si marrëdhënia mes tyre, bashkë me dasmën e pritshme, mbaruan në verën e vitit 1999, pas një takimi të fundit mes tyre në Gjermani. Caroline nuk u kthye më në Shqipëri dhe disa vjet më vonë u martua me kryetarin e Bashkisë së Mostarit, qytetit të njohur boshnjak, duke u bërë Caroline Tomic.
Por mungesa e një partnereje stabël dhe jeta e tij private, u bënë në shumë raste edhe objekt i kritikave dhe sulmeve politike të kundërshtarëve të tij dhe të opozitës. Kritikave që ai vetë iu përgjigj direkt në një debat televiziv.
Në verën e vitit 1999, Edi Rama intensifikon shfaqjet në publik në shoqërinë e një prezantueseje të njohur televizive, 11 vjet më e vogël se sa ai, por e njohur që në fillim të viteve ‘90, Rudina Magjistari. Në muajin gusht të po atij viti, revista “Klan” botoi e para lajmin se mes ministrit të Kulturës dhe ikonës së ekranit kish nisur një lidhje dashurie. Lajmi u përgënjeshtrua, por dy muaj më vonë, Edi Rama dhe Rudina Magjistari u prezantuan bashkë në publik në një darkë miqsh në televizionin Klan. Në një intervistë të 4 viteve më vonë, Rudina Magjistari rrëfen njohjen dhe ndjenjat e saj për Ramën. “Jam e dashuruar me çdo gjë të tijën, edhe me defektet”, do të thoshte ajo.
Historia me Rudina Magjistarin, një ikonë e ekraneve në atë kohë, u bë shpejt një histori publike nga më të komentuarat në Shqipëri. Ajo zuri kopertinat e revistave, shumë faqe gazetash dhe të dy, si ai ashtu edhe ajo, folën disa herë për lidhjen e tyre, madje edhe për mediat ndërkombëtare. Rudina Magjistari u shfaq në videoklipin “Tirona” të Edi Ramës, realizuar nga Liri Begeja, në vitin 2003. Në fakt, nga gjithë marrëdhëniet zyrtare dhe publike të Edi Ramës me femrat, ajo me Rudina Magjistarin u mediatizua më tepër. Sidomos në raste fushatash elektorale si në rastin e fushatës së vitit 2003, kur ata u puthën në skenë, apo siç dëshmon në një intervistë të vitit 2004 për “Blu” të Blendi Strakoshës, ku ajo tregon se bashkëjetonte me Edin, apo “gjysmën tjetër”, siç i pëlqente atij të thoshte. Por ajo do të thoshte gjithashtu: “Dashuria mund të lindë, mund të transformohet, mund të rilindë… Jeta është shumë e gjatë vetëm për një dashuri”.
Në mënyrë instiktive, Rudina Magjistari kish përcaktuar jo vetëm një aksiomë të vetën, por mbi të gjitha një aksiomë të njeriut me të cilin jetonte prej afro 5 vitesh e që do jetonte edhe dy vite të tjerë, duke rrumbullakuar plot 7 vite e ca bashkëjetesë, deri në fund të vitit 2006, kur u ndanë pa vënë kurorë. Lajmi u bë publik me media në prag të fushatës elektorale të vitit 2007, po ashtu siç u bë publik lajmi për lidhjen dhe martesën e Edi Ramës me Lindita Bashën, po në shtyp, javën e shkuar.
Në fakt, është e vështirë të thuash se kur ka nisur lidhja e tyre. Bashkëshortja e re e Edi Ramës deklaroi se e njeh atë që në fillim të punës së tij për transformimin e Tiranës, diku në fillim të viteve 2000. Imazhi i tyre i vetëm në shtyp është një foto paparaci, që kaloi pa rënë shumë në sy në revistën “Klan” në gusht të vitit 2005, kur Lindita Basha dhe Edi Rama me partnerët e tyre drekojnë së bashku në restorant “Millenium” në Pogradec, gjatë kthimit nga Korça.
Fotoja u konsiderua rutinë dhe historia e tyre mbeti gjithnjë e panjohur, ose në pritje të divorcit zyrtar të zonjës Basha. Që nga ai moment, Edi Rama dhe Lindita Basha vendosën të martohen, në një vendim surprizë, që u bë publik në shtyp të shtunën e shkuar dhe u konfirmua në konferencë shtypi nga kryetari i PS-së dhe i bashkisë po atë ditë. Në javën në vazhdim, Edi Rama dhe Lindita Basha bënë shfaqjen e tyre të parë në publik në emisionin “Top Story” në “Top Chanel”, ku Rama deklaroi se Lindita ishte gjysma e tij më e mirë. Të dielën, ata u martuan në Tiranë, në prani të fëmijëve të tyre 20-vjeçarë dhe një numri të madh miqsh, dashamirësish, por edhe personash publikë, në një dasmë, e cila nga përmasat rezulton më e madhja në vend! Një dasmë që Edi Rama nuk e kish organizuar kurrë në lidhjet e tij të mëparshme dhe që selia rozë e priste që pas 2005-s, kur Edi Rama hyri në zyrën e kreut të saj, duke varur në garderobën jashtë, mantelin e artistit bohem, çorapet e kuqe dhe tashmë së fundi, edhe beqarinë e tij…
Marrë nga emisioni “Opinion” në TV Klan
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment