30.10.2010
Ka kundërthënie mes Kushtetutës, Kodit penal dhe Ligjit për zgjedhje. Unë mendoj se kam të drejtë të kandidoj dhe do të kandidoj, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje.
RADIO EVROPA E LIRË
Mocioni për të thirrur Qeverinë e Kosovës në votëbesim, do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës, të martën, më 2 nëntor. Si e shihni ju këtë çështje dhe zhvillimet e fundit politike?
ALBIN KURTI
Gjithë kriza institucionale në Kosovë është krizë e shkaktuar prej politikanëve, për hir të interesave të politikanëve dhe nuk ka të bëjë me qytetarët dhe interesin e tyre.
Jemi të bindur që qytetari i Kosovës sot e ka jetën shumë të vështirë për shkak të krizës së politikës, sigurisë dhe krizës socio-ekonomike, e jo për shkak të kësaj farse prej krize institucionale, me të cilën eksponentë të ndryshëm përbrenda konjukturës udhëheqëse politike i vënë ndërskamca njëri-tjetrit në mënyrë që ta rrisin pazarin e tyre karshi njëri-tjetrit.
Edhe votëbesimin e ardhshëm të Qeverisë e shoh në kuadër të kësaj mënyre të tyre, ku ata zgjedhjet e rregullta i zëvendësuan me ato të parakohshme, e tash po përpiqen t’i zëvendësojnë edhe këto me zgjedhje të jashtëzakonshme, ashtu që të mund të shpëtojnë se çfarë mund të shpëtojnë prej votave të tyre.
Por, mendoj që në Kosovë ka ardhur koha për ndryshime dhe ai që duhet shpëtuar është populli i Kosovës, e jo ky regjim.
RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi dëgjojmë dhe shohim deklarata të ndryshme në media duke folur për koalicione të mundshme para dhe pas zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje me cilën parti politike do ta bënte një gjë të tillë?
ALBIN KURTI
Ne i kemi dy parime themelore për çfarëdo bashkëpunimi me individë dhe subjekte politike. I pari është ai i përputhjes programore dhe ideo-politike, ndërkaq kushti i dytë është ai i besimit të ndërsjellë.
Partitë, të cilat kanë hyrë e kanë dalë nga qeverisja në këto vitet e pasluftës, janë parti, me të cilat ne e përjashtojmë bashkëpunimin, e rrjedhimisht edhe koalicionet me to, si para zgjedhjeve, si pas tyre. Mendojmë që atë janë pjesë e problemeve të Kosovës, e jo pjesë e zgjidhjes së atyre problemeve.
Ne tash jemi të përqendruar te forcimi i organizimit të lëvizjes sonë dhe nuk e kemi fare temë të diskutimit çështjen e koalicioneve.
Lëvizja Vetëvendosje ka një koncept dhe program të fuqishëm, të cilit po ia bashkon edhe një organizim të fuqishëm. Mendojmë që zgjidhja është që ne të luajmë një rol unifikues te të gjithë të pakënaqurit, te pjesa dërmuese e popullsisë që janë të zhgënjyer, e jo të fokusohemi në koalicione me këdo qoftë, për shkak se logjika e veprimit tonë nuk është logjikë e sajimit të numrave, por e shndërrimit të mbështetjes në strukturë të organizuar.
RADIO EVROPA E LIRË
Kush do t’i prijë listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që thuhet se ju nuk mund të garoni për zgjedhje?
ALBIN KURTI
Ka vështirësi brenda institucioneve të sistemit që të m’i shkaktojnë mua këto vështirësi, për shkak se ka kundërthënie ndërmjet Kushtetutës, Kodit penal, dhe Ligjit për zgjedhjet, kështu që unë mendoj se kam të drejtë të kandidoj dhe do të kandidoj, ndërkaq, përkitazi me atë se si do të duket lista e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, këtë do ta bëjmë të ditur me kohë.
RADIO EVROPA E LIRË
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme këtë vit a mund ta dëmtojë lëvizjen tuaj?
ALBIN KURTI
Neve nuk mund të na befasojë pushteti aktual, sepse prej tij nuk presim drejtësi, e as mëshirë, ne po bëhemi gati për secilin variant. Prandaj, në lidhje me atë se a do të jenë zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme dhe influenca e kësaj në suksesin e Lëvizjes Vetëvendosje, unë them që po përgatitemi maksimalisht dhe do të jemi gati për secilin variant.
RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi shohim se faktori ndërkombëtar bën thirrje që bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të nisin sa më parë. Ju si mendoni?
ALBIN KURTI
Të gjitha paralajmërimet për negociatat e reja midis Prishtinës dhe Beogradit janë përbrenda kuadrit të negociatave midis Beogradit dhe Brukselit. Serbia është e interesuar që të rrugëtojë në integrimet evropiane pa e pranuar pavarësinë e Kosovës dhe, njëkohësisht, që të sajojë një republikë serbe në Kosovë të ngjashme sikurse në Bosnjë.
Ne jemi kundër çfarëdo negociatash me Serbinë dhe mendojmë që është absurde të negociohet me Serbinë, përderisa ajo nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk e ndryshon Kushtetutën ku thuhet që Kosova është pjesë e Serbisë, nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, nuk na i kthen trupat e të pagjeturve, nuk na i paguan dëmshpërblimet për shkatërrimet e luftës, nuk na i kthen librat kadastral dhe fondin pensional dhe nuk i kërkon falje Kosovës.
Besojmë që pushteti në Kosovë në negociatat, të cilat po hyn, po bën një padrejtësi të madhe ndaj popullit, ndaj historisë së popullit, ndaj të ardhmes së tij. Mendojmë që është çmenduri që në Kosovën e pavarur pushteti të negociojë me Serbinë që i financon strukturat paralele që t’ia rrënojë asaj pavarësinë dhe me këtë rast temë të jetë vetë Kosova.
No comments:
Post a Comment