Saturday, November 6, 2010

Genta Ismajli, do të përfaqësojë Zvicrën në Eurosong



Që Genta Ismaili po përpiqet medoemos të gjej sukses jashtë kufijve shqiptarë këtë e kemi dëshmuar nga viti në vit, por askush nuk e kishte pritur lëvizjen e saj të fundit. Fillimisht tregoi se do të dilte në MTV në Amerikë, madje bashkëpunoi dhe me Kara Dio- Guardi, publikoi disa këngë në anglisht, por…asgjë më tepër. Më vonë tregoi se kishte filluar bashkëpunimin me këngëtarin e njohur turk Cuneyt Çakim me të cilin këndoi dhe një këngë “Sexy”. Fatkeqësish, një vit e ca më vonë, kënga nuk është publikuar si singël e për të nuk u realizua ndonjë videoklip. Tani, Genta ka hedhur sytë drejt Evropës ku në një fshehtësi totale po merr pjesë në seleksionimin e Zvicrës për përfaqësuesen e tyre në “Eurovision”.

Rregullat e reja të këtij festivali, në përpjekje për të fituar një audiencë sa më të madhe, tregojnë se nuk është më e nevojshme , që të jesh shtetas apo banor i një shteti, për të marrë pjesë në konkursin seleksionues të këtij shteti për përfaqësuesin e tyre në Eurovizion. Pak si e ngatërruar eh? Pak më qartë….rregullat e reja tregojnë se ti mund të jesh shqiptar dhe po të duash të konkurrosh në konkursin seleksionues grek, mund ta bësh pa problem. Me këtë në mendje dhe me idenë se do të mbështetet nga numri i madh i shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, Genta ka paketuar valixhet drejt Suedisë dhe i është larguar për pak kohë Kosovës. Atje ka regjistruar këngën e re “This Is My Night” e cila ka për autorë Cuneyt Çakim dhe S.Levenberger. Prej disa ditësh vetë këngëtarja ka paralajmëruar se është në pritje të një lajmi shumë të madh në datën 30 tetor. Ky lajm (shënimi ynë) është në fakt shpallja e 10 finalistëve të seleksionimit zviceran.

Nga këngët e prezantuara, më 30 tetor nga juria do të përzgjidhen 10 më të mirët e më pas, në nëntor në një spektakël, 10 konkurruesit do të vlerësohen nga publiku zvicerian nëpërmjet votave se kush do të shpallet përfaqësuesi/ja i/re e Zvicrës. Ne patëm rastin të dëgjojmë këngën “This Is My Night” dhe në përgjithësi është ok. Tipike këngë ritmike/dance Made in Eurovision. A do të ketë sukses? Në këtë seleksionim paraprak janë dorëzuar 283 këngë, shumë prej tyre të realizuara mjaft mirë, por gjithashtu shumë prej tyre disi jashtë rrymës së preferuar Euro-dance/balada që vlerësohen më së shumti në Eurosong. Nëse kualifikohet në seleksionimin paraprak dhe hyn në dhjetëshen finale, Genta ka më shumë shanse për të fituar, pasi është mjaft e preferuar nga shqiptarët e Zvicrës të cilët padyshim do të votonin për të. Në anën tjetër, diçka na thotë se këngëtarja nuk do të merrte gjithë këtë mundim nëse nuk do kishte një “nën sqetull”, si po thoni? Pamja, interpretimi dhe ritmet dance janë patjetër dhe faktorë që do ta nisnin atë drejt spektaklit të madh, e ndoshta …shumë shpejt mund të ndodh vërtetë që “ nata të jetë e saja”.

Ilira Gashi gjithashtu në konkurrim

Një tjetër shqiptare në konkurrimin zvicerian është dhe Ilira Gashi e cila ka një zë shumë të mirë. Publiku shqiptar e njeh Ilirën falë interpretimeve të suksesshme në festivalet “Top Fest” me këngën “Shoku im i ngushtë “ dhe së fundmi tek “Kënga Magjike” me këngën “Tek”.

No comments: