Shkruar nga Gjergj Zefi
Në skandalin e Lalit, që po bën të pamundurën ta mbulojë, fiqtë duhet të hyjnë në shportën e frutave, ku vjedhja dënohet sado lart të qëndrojë urdhëruesi...
Kuriozitet i madh ka pas heqjes së dy gurëve nga "tëmthi i çmuar" i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Si do të mbrohet kryetari përballë vjedhjes 20 milion dollarësh që kishte muaj që "flinte" në sirtarët e SPAK-ut?
Fotot e propagandës së Lalit në spital, nuk e ngritën valën e dëshiruar. Arrestimi i drejtorëve të tij të afërt, vjedhja ashiqare, pa marrë as mundimin më të vogël për ta mbuluar dhe indiciet që çojnë drejt e në zyrën e kryetarit, deri tani kanë kaluar në heshtje prej këtij të fundit. Tentativat e mekëta për të thënë që "drejtorët hajdutë janë përjashtuar dhe se duhen dënuar që të mos punojnë kurrë më në shtet", nuk pinë ujë. Erioni duhet të japë llogari dhe të gjitha sinjalet që ka lëshuar deri tani tregojnë se atë e ka zënë frika.
E para sepse nuk e pati burrërinë (siç pritej) të dilte dhe të mbante një qëndrim ditën kur bashkëpunëtorët e tij, të dytët në radhë sepse pjesa e parë e klanit është aktualisht në burg, u arrestuan. Aq u tremb sa sajoji një operacion, publikoi foto i lidhur me tuba e me tela, në një kohë kur, edhe një fëmijë i klasës së parë e di se, sot heqja e gurëve në tëmth është një ndërhyrje minimaliste dhe pas një ditë kthehesh në shtëpi me këmbët e tua.
Lalit nuk ia mbajti të luante as lojën e dëshiruar të shefit të vet: të dilte e të mbronte tezën, "ku di unë ça bëjnë ata pas kurrizit tim". Një tezë që për politikanët shqiptarë përkthehet në "ku di unë, çfarë bëj unë".
Dihet se Lalit i pëlqejnë shumë fiqtë dhe po të dilte të fliste për kumbulla e mollë, i pari që do të nxehej do të ishte Babloku.
Prandaj u fsheh pas një aparati të stisur fotografik.
E dyta, ata që ia njohin stilin e propagandës e dinë që Lali Fiku ka një fobi: ai nuk e përballon dot kur flasin keq, e kritikojnë apo i zbulojnë publikisht bëmat kriminale që bën, përfshirë edhe vjedhjen. Kjo është arsyeja që Lali blen këdo që i del përpara. Deri diku ia doli edhe kësaj radhë, por jo me sukses të plotë. Ndonëse skandali i drejtorëve të bashkisë së Tiranës është i përmasave të mëdha, ndonëse siguria me të cilën ka vjedhur para publike duke i hedhur në llogaritë e tyre personale është ashiqare, çka tregon sigurinë që kanë pasur për paprekshmëri, mediat e shumta të oborrit kanë ndenjur sus. Kjo përbën edhe pjesën më të dhimbshme të realitetit shqiptar, mediatik dhe social. Lali ua ka mbyllur gojën pjesës më të madhe të gazetarëve. Ama në këtë skandal nuk pati sukses të plot: të dobët ose jo, ka pasur sëra që kanë folur, kanë shkruar për atë që ndodhi dhe po ndodh.
Së treti, kjo është prova e radhës për drejtësinë e re, ajo që do të vulosë përfundimisht ardhmërinë e drejtësisë në Shqipëri. Precedentët që drejtësia e Dumanit&Co ka krijuar deri tani është ajo e veglës së pushtetit që sa herë u hedh kunja Babloku veprojnë. Veprojnë, por pa e kaluar gardhin e shefit. Mjaftohen tek tregu i frutave me kumbulla, dardhë e mollë, por pa e prekur krimbin që vërtet po e gërryen këtë vend. Kjo drejtësi deri tani po mundohet të na mbushë mendjen se në Shqipëri vidhet, por drejtuesit nuk marrin vesh vetë. Vjedh ministri, por Kryeministri nuk e di se për çfarë firmos; vjedh drejtori por ministri nuk e di se çfarë firmos; vjedhin nëpunësit por kryetari nuk e di se çfarë firmos. Për këtë drejtësi kjo vlen edhe kur flitet me miliona euro vjedhje dhe ky është krye skandali i këtij vendi.
Paprekshmëria e kokave të krimit është kodi më i lartë mafioz që kjo drejtësi po mbron.
Prandaj kjo duhet të marrë fund dhe në skandalin e Lalit, që po bën të pamundurën ta mbulojë, fiqtë duhet të hyjnë në shportën e frutave, ku vjedhja dënohet sado lart të qëndrojë urdhëruesi./Pamfleti
No comments:
Post a Comment