Aleksander Ceferin tha të enjten se nuk do të kërkonte një mandat të katërt si president i UEFA-s në vitin 2027, pavarësisht miratimit të reformave të diskutueshme që do t'i mundësonin atij të zgjaste mandatin e tij.
“Kam vendosur rreth gjashtë muaj më parë se nuk po planifikoj të kandidoj më në vitin 2027”, tha Ceferin në një konferencë për shtyp pas Kongresit të UEFA-s në Paris.
“Arsyeja është se pas një kohe çdo organizate ka nevojë për gjak të freskët, por kryesisht për shkak se unë jam larguar nga familja tash e shtatë vjet”.
Njoftimi i Ceferin erdhi menjëherë pasi vendet anëtare të UEFA-s votuan me shumicë dërrmuese në favor të një sërë ndryshimesh të statutit, duke përfshirë një masë që do ta lejonte Ceferin të qëndronte potencialisht në rolin e tij deri në vitin 2031.
“Qëllimisht nuk doja të zbuloja mendimet e mia më parë, sepse së pari doja të shihja fytyrën e vërtetë të disa njerëzve dhe e pashë atë”, tha Ceferin, i zgjedhur për herë të parë në vitin 2016 pas rënies së francezit Michel Platini.
“Unë kam një jetë të bukur në futboll, kam një jetë të bukur edhe jashtë futbollit”.
Ndryshimi i statutit në lidhje me presidencën nuk e fshin kufirin e tre mandateve, por parashikon që mandatet e nisura ose të kryera para datës 1 korrik 2017 nuk do të merren parasysh.
No comments:
Post a Comment