Wednesday, December 10, 2014

Rudi Vata: Jetoj i lumtur në Angli, Shqipërinë e dua pa interes

NGA ENIDA HIMAJ*
TIRANE
-Është shoqëruar me polemika eliminimi i legjendës së futbollit shqiptar nga “Dancing With the Stars”. Rudi Vata është dhe i larguari i parë nga sfida e kërcimit. Në këtë intervistë për “Vip Pages”, kapiteni shpjegon arsyet që e çuan në konflikt atë dhe kryetarin e jurisë. “Iliri Shaqiri bëri një padrejtësi me mua”, rrëfen. Sipas tij, kishte konkurrentë më të dobët
në lojë që meritonin të largoheshin. Rudi shprehet se votat e publikut nuk janë bërë transparente, çfarë e ka çuar dhe drejt “Dance off”. Megjithatë, ai nuk heq dorë nga gara, premton se do të rikthehet në skenë, ashtu si formula e do. “Rudi Vata gjithnjë është i gatshëm të rikthehet në Shqipëri, nëse ftesa është e sinqertë”, rrëfen një prej futbollistëve më të famshëm në Shqipëri.
Jeni i eliminuari parë i “Dancing With the Stars”, si u ndjetë?
Nuk e prisja të them të drejtën. Mendoj se nuk ishte radha ime dje. E kam pranuar ftesën me shumë kënaqësi dhe kam menduar të jap maksimumin tim për këtë format. Nuk ishte radha ime të hënën, ndaj dhe atë që e mendoja, e thashë. Unë jam një njeri i lirë dhe nuk mund të mbetesha pa e thënë atë që ndodhi.
Çfarë ndodhi realisht, sepse ju u shprehët që e dinit që do të ishit ju që do të largoheshit?
Mbrëmja e spektaklit ishte një natë e mërzitshme për mua. Nuk po kaloja mirë, ndaj dhe e parandjeva se do të isha unë ai që do të largohesha. Nuk rri dot në një ambient ku e ndjej veten jo komod.
A mendoni se iu është bërë një padrejtësi?
Mund të them vetëm se unë i urrej padrejtësitë. Thash edhe pak më sipër se ftesën e pranova me kënaqësi, ashtu si pranoj çdo gjë që më vjen, sidomos nga vendi im. Unë Shqipërinë e dua me gjithë shpirt. Nuk e dua as për diçka materiale, as për ndonjë interes. Nëse u bëra pjesë e “Dancing With the Stars”, ishte sepse doja të rikthehesha në vendin tim dhe mendoja se isha një personalitet që i duhet këtij formati. Nuk e prisja të dilja kaq shpejt në “Dance off”, ishte një padrejtësi që mu bë mua.
Ju thatë se e dinit që do largoheshit, pasi ju kishte mbaruar kontrata, për çfarë kontrate e kishit fjalën?
E kisha kuptuar pak a shumë se unë do të isha i eliminuari i mbrëmjes. U krijua një atmosferë shumë e nderë gjatë spektaklit, sa për ta kuptuar se unë jo vetëm që do të isha në “Dace Off”, por edhe do të eliminohesha, ndaj dhe unë u tërhoqa nga gara përpara se kjo të ndodhte.
Mendoni se kishte personazhe të tjerë që ishim më dobët se ju?
Po, aty kishte disa emra që ishin me të vërtet më të dobët se mua. Unë i kam ndjekur si në prova, ashtu edhe në natën e spektaklit. Unë nuk isha më i dobëti në kërcim, ndaj dhe vendimi për “Dance off” më erdhi papritur. Kam parë personazhe që nuk kanë shumë lidhje me kërcimin dhe mendoja se do të eliminoheshin ata të paktën para meje. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Mes jush dhe Eva Alikajt, kush ishte më i dobët, kush meritonte të eliminohej?
Padyshim që unë. Eva Alikaj i ka dhënë shpirtin kësaj gare dhe meriton akoma që të jetë pjesë e “Dancing With the Stars”. Ndaj dhe unë si një kavalier vendosa ta lija garën pa u marrë verdikti i jurisë.
Në momentet e fundit të spektaklit pate një përplasje me Ilir Shaqirin, mendoni se padrejtësia ju bë prej tij?
Ilir Shaqiri nuk ishte i drejtë mbrëmjen e ditës së hënë. Pikët e mia ishin thuajse të njëjta me të konkurrentëve të tjerë, nuk kishte asnjë arsye pse unë duhet të isha në “Dance off”. Unë përpiqem gjithnjë të jem i drejtë në jetën time. Jam në një rrugë të mbarë dhe kam Zotin në këtë rrugë. Deri më sot i kam vlerësuar të gjitha gjërat pozitive ku kam qenë, ndaj dhe reagova në atë formë ndaj padrejtësive që mu bënë.
Si e pritët shprehjen e Ilirit, kur ju drejtua se ju e shitët ndeshjen 3 me 0 në tavolinë?
Unë në profesionin tim jam futbollist dhe kurrë nuk kam bërë kompromise me karrierën time. Ndoshta Ilir Shaqiri kërkonte një perfeksion më të madh prej meje. Megjithatë, duhet të marrin parasysh se përgatitja fizike nuk më lejon që të performoj edhe si konkurrentët e tjerë. Mund të them se performancat e mia janë vlerësuar shumë si nga publiku, që më ka votuar shumë, ashtu edhe nga juria. Interpretimi im në tango ka marrë shumë komente pozitive, çfarë më ngrohu disi me bindjen se unë kisha rrugë të gjatë për të bërë. Nuk jam mësuar as të shes, e aq më pak të heq dorë nga iniciativat që ndërmarr, por kur e shikoj që karshi meje bëhen të tilla sjellje, preferoj të tërhiqem vetë nga gara. Iliri bëri një padrejtësi me mua.
Thatë që publiku ju ka votuar shumë, përse mendoni atëherë se ju ishit në “Dance off”?
Të them të drejtën, nuk e kuptoj këtë gjë. Votat e publikut nuk janë bërë transparente, sepse jam i bindur që unë do të isha votuar shumë nga publiku, të paktën sa për të mos qenë në rrezik eliminimi. Edhe pse unë nuk i përdor rrjetet sociale, miqtë e mi më kanë thënë se më kanë mbështetur shumë dhe performancat e mia janë pëlqyer shumë. Madje, dhe shumë miq të mi me origjinë çame më kanë përgëzuar, pasi e kam kërcyer më së miri këtë valle.
A ju penalizoi vallja çame, duke qenë se ju jeni nga veriu dhe keni më shumë vështirësi për të kërcyer një valle jugu?
Ndoshta ka qenë dhe kjo. Mua kjo valle më ra dhe nuk kisha ndërmend të përkëdhelesha të thoja jo se dua. E pranova me shumë kënaqësi dhe u mundova të jap maksimumin tim në këtë disiplinë. Pashë dhe konkurrentët e tjerë që e zgjidhnin vetë këngën, në shumicën e rasteve të kënduar vetë nga ata, madje zgjidhnin dhe koreografinë. Unë nuk bëra diçka të tillë dhe ndoshta më ka penalizuar kjo.
Formula e këtij viti u jep mundësi konkurrentëve të rikthehen dhe një herë në skenë, ju do të riktheheni përsëri?
Këtë gjë ende nuk e di. Është një muaj festash dhe kam ndërmend të kaloj pak kohë me familjen time në Britani. Megjithatë, nëse është një ftesë e sinqertë, nëse bëhet fjalë për një gjë të mirë, Rudi Vata gjithnjë është i gatshëm të rikthehet në Shqipëri. Unë e adhuroj vendin tim dhe përpiqem t’i jap më të mirën gjithnjë.
Kë shikoni si fitues këtë vit, sipas jush?
Kam parë shumë konkurrentë që janë shprehur se kanë ardhur për ta fituar. Personazhet e këtij viti janë me shumë ambicie dhe kanë besim te fitorja. Unë uroj dhe shpresoj që nëse vërtet e meritojnë, le ta fitojë më i miri.
Shumë polemika ka pasur në rrjetet sociale se fitorja këtë vit është e paracaktuar dhe se triumfuesja është Tuna, ju i keni dëgjuar ndonjëherë?
Për sa kohë kam qenë në “Dancing With the Stars”, nuk kam dëgjuar kurrë të tilla gjëra. Nëse do të kisha marr vesh se fitorja ishte e paracaktuar, do të isha tërhequr nga gara që në momentin e parë. Nëse dikush e ka bërë me të vërtetë këtë, atëherë turp për ata që bëjnë të tilla pazare. Them se është ende herët dhe mbetet për t’u parë.
A jeni zhgënjyer nga kjo eksperiencë?
Aspak. Unë jam një njeri që nuk mbaj inate. Kam jetën time, punën, familjen time dhe jam i rrethuar me dashuri. Absolutisht që kjo eksperiencë nuk më zhgënjeu aspak. Rudi Vata ishte padyshim emri që i dha peshën dhe i duhej këtij formati. Tashmë nuk e di sesa VIP-a kanë mbetur realisht atje.
Si të vazhdojë jeta juaj, do të riktheheni në Angli?
Patjetër që po. Unë kam dy djem atje dhe duhet të jap vetëm shembuj pozitiv për ta. Kam një jetë në Angli, megjithatë në vendin tim rikthehem sa herë që ka nevojë.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

No comments: