Saturday, December 13, 2014

KRIMI KOMUNIST DHE DEKORATAT

Shkruan : Filip  GURAZIU
Krimi komunist vazhdoi panderprerje që pas Konferencës së Mukjes e deri në vetëkapitullimin e sistemit diktatorial. Unë, së bashku me shumë të tjerë, patëm fatkeqësinë të jemi deshmitarë të gjallë të atij kobi, që, si rrufe ra ne familjet tona. Mbrënda një nate, 27 Shkurt 1951 (jo në kohë lufte dhe revolucioni, por në periudhë paqeje dhe nën një pushtet të konsoliduar) hijet e zeza me zemër të kuqe, eleminuan 22 intelektualë nacionalistë,
pa zhvilluar proçes gjyqësor dhe pa provuar asnjë lidhje me akuzën, vetëm e vetëm për terror, si kurban per servilizëm ndaj baba Stalinit. Kaq e turpëshme dhe skandaloze qe ajo masakër, sa që Ramiz Alia, për ti treguar shqiptarëve dhe botës së lirë se komunizmi në Shqipëri po fillonte të merrte “fytyrë njeriu”, urdhëroi Plenumin e Gjykatës së Lartë që të shpallte të pafajshëm 22 intelektualët e masakruar ! Vendimi u muar me 8 Gusht 1991. Ky qe rasti i parë që komunistët shqiptarë pranuan publikisht krimin e tyre ! Aplikimi i krimit komunist, si metodë kriminale-mafioze-terroriste për të fituar dhe mbajtur pushtetin, eleminoi elitën intelektuale shqiptare, shkatërroi institucionet fetare, i mori jetën në tortura rreth 6000 shqiptarëve, burgosi 30.000 “ armiq” dhe interrnoi 60.000 te tjerë. Familjarët e tyre u përbuzën , u poshtëruan, u diskriminuan dhe u quajtën “të prekur”!. “Të prekur” ?, po prej kujt? : “Të prekur nga murtaja komuniste”. Po, krimi komunist ishte një murtajë, një sëmundje çfarosëse me virus politik, që aplikoi klika kriminale e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut “and company” për të ndërtuar gjoja (sepse edhe ato e dinin që ishte utopi) shoqërinë komuniste, në themel të së cilës duhej të qëndronte “njeriu e ri”, gjë që do të realizohej në luftë të pamëshirëshme dhe të vazhdueshme me ‘ mbeturinat e shoqërisë së vjetër kulako-borgjezo-kapitaliste’ !. Ato krime të gjithë i jetuam dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar i provoi mbi supe. Brezat e ri që lindën rreth viteve 90, arritën ti njohin sipas tregimeve të prindërve të tyre, arkivave të shtetit apo dëshmive autentike në publikimet që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë ato që i vuajtën direkt në burgjet komuniste.
Sot pas 23 viteve të kapitullimit të diktaturës komuniste dhe të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për konsolidimin e demokracisë, po përjetojmë një situatë vertetë të paparashikuar dhe të koordinuar sipas një propogande mediatike të mirëmenduar e cila tenton ta bëjë ujkun qëngj, ose me qartë po kerkon të bindë brezat e rinjë “se edhe në qoftë se ndonjëherë diku në Shqipëri paska patur krim komunist ( pasi minareja nuk futet në thes), ai krim është bërë vetëvetiu, pa urdhërdhënës, si pasojë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi ! Për të arritur në këtë konkluzion makiavelist, personazhe me të kaluar të errët ne aparatin shtypës të diktaturës së Enver Hoxhës, duke përfituar nga mangësitë e demokracisë së brishtë shqiptare, po publikojnë libra, artikuj si dhe po organizojnë programe televizive për të paraqitur se si ujqërit e kuq komunistë nuk paskan pasë qenë bisha që u ushqyen me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, por në realitet, paskan pasë qenë qëngja, që ngjajnë me ujkun rastësisht… Ato udhëheqës komunistë, urdhëruesat dhe zbatuesat e gjenocidit, paskan pasë qenë një lloj qënie njerëzore e veçantë, vertetë të ashpër me armikun e klasës, por me “shpirt babaxhani, kryefamiljarë të dashur, me moral të pastërt, me shije letrare, poetike dhe sentimentale, të ditur, strategë dhe burra shteti…etj.,etj”. Kurse me krimin komunist ato skanë të bëjnë fare, atë e kanë bërë vetë shqiptarët, (pra populli), ato vetë e kanë dashur, ajo është vepër e tyre ! Trashëgimtarëve të ish kupolës komuniste, përgjegjëse për krimet më mizore ndaj popullit shqiptar, sot pas 23 viteve ndërrim sistemi, nuk i mjaftojnë pozitat e larta që zotërojnë në sferat e pushtetit, nuk i mjafton pasuria që ato gëzojnë, pensionet e majme që marrin etj., por duan më, duan më. Po çfarë pra duan !? Ato duan moralin, të rifitojnë moralin e humbur, që sipas tyre, do të arrihet duke vlerësuar dhe respektuar “ titujt që i dhuruan njëri tjetrit” në kohën e diktaturës, marrjës së dekoratave të reja në demokraci si dhe duke ringritur monumente në kujtim të krimeve të bëra dhe të “meritës së madhe” së veprës për transformimin e Shqipërisë në varrezë bunkerësh dhe “njeriun e ri” shqiptar në qënien më mjerane në botë. Çfarë kuptimi tjeter, për një shoqëri demokratike, mund të kenë dekorimet që u janë bërë kohën e fundit gjerarkëve të kupolës komuniste? Le ti rendisim: I jepen tituj ‘Qytetarë nderi’ kryekriminelit Melmet Shehu dhe ndihmësit të tij Feçorr Shehu; i akordohet titulli ‘Nderi i Kombit’ gjeneralit komunist terrorist Rahman Parllaku, ringrihet vënd dhe pavënd foto e diktatorit, dhe së fundi dekorohet per merita ne luftën Nacional Çlirimtare Shoqia Vito Kapo…..
E thënë troç dhe shqip, kjo do të thotë përbuzje e kujtimit te atyre martrirëve që u masakruan dhe vuajtën nga diktatura e Enver Hoxhës, do të thotë përdhunim dhe poshtërim i shtresës së ish të përndjekurve politikë që kontribuoi aq tepër në konsolidimin e demokracisë. Në diktaturë humbëm njerëzit më të dashur dhe pësuam vuajtjet e ferrit dantesk, sot pas 23 viteve në demokraci , po përpiqen të na vjedhin dinjitetin dhe moralin dhe kjo nuk duhet lejuar !Eshtë koha, që të gjithë forcat përparimtare; shoqatat, institucionet, religjonet, partitë, intelektualët me bindje liberale, mediat progresiste etj., të reagojnë të bashkuar, ndaj kësaj përpjekje te mbarsur me moral përvers që po kërkon ti serviret dhe në një fazë të dytë ti imponohet brezit te ri . Helmatisja e brezit te ri me ideollogji primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe më të papranueshem për një shoqëri demokratike . Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje, duhet konsideruar tradhëti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan per liri dhe demokraci; ( kujtojm ato mijra të rinjë që vdiqën në luftë kundër okupatorit gjatë luftës së dytë botërore si dhe ato mijra të tjerë që u përsekutuan nga diktatura komuniste). Duhet ta dini se historia, për kriminelët që bënë krim dhe gjenocid ndaj popullit të vet, është e pamëshirëshme, ajo për ta, nuk rezervon vënd tjetër, veçse koshin e madh të plehrave. O nostalgjikë donkishoteskë të diktaturës komuniste ! Lerini ato kriminelë aty ku janë hedhur nga historia. Mos i ngacmoni me dekorata dhe tituj të rinj dhe mos u bëni merak, se në kohën e sundimit të tyre kanë marrë aq shumë sa nuk ja zë më gjoksi…Lerini në punë të tyre, të gëzojnë njëri tjetrin “të shtërnguar në unitet të çelniktë, si në bironë politike” dhe mos ja vështirësoni ecjen përpara shqiptarëve të stërvuajtur, duke i ngarkuar artificialisht me emocione imorale te së kaluarës diktatoriale! Na leni edhe neve të qetë në vuajtjet dhe hallet tona që skanë të mbaruar… Shqiptarët sot, kanë nevojë më fort se kurrë, për forcim të unitetit kombëtar dhe jo për përçarje për “mullinjtë e erës”.

No comments: