Wednesday, December 10, 2014

Kryemuza është jeta! Requiem për Dhora Lekën

Nga PËRPARIM KABO*
70-vjetori i Çlirimit të vendit erdhi dhe iku, por ti fatalisht nuk ishe, Dhora Leka. Në këtë përvjetor të plotë nuk ishte e nuk u këndua as edhe kënga partizane që ti Dhora krijove, ndaj, që kujtesa e humbur të mos na vërë poshtë, po botoj këto radhë kushtuar ty, mike, ato ditë kur ike nga kjo botë që çshpirtërohet çdo ditë.

*         *          *
Do të doja të bisedoja me ty, Dhora Leka! Ike pa lajmëruar dhe u befasova kur mësova lajmin. Dërgova një mesazh tek njerëzit e tu të dashur ku shkruaja: “Cilido që e mban tani këtë telefon, do të doja t’i thosha se me engjëllizimin e Dhorës qielli ka më shumë muzikë, më shumë dinjitet, më shumë respekt për dhimbjen dhe sakrificën njerëzore! Nga miku i saj, Përparim Kabo.”
Ndihem mirë me fjalën ‘miku yt’, Dhora! Vërtet u njohëm vonë, por si në një vepër arti, qysh në takimin e parë na u krijua bindja se i kishim munguar njëri-tjetrit në një njohje vlerash që mund të kishte filluar vite më parë! Të tillë e bënin këtë afrim dëshirat e përbashkëta, deti i thellë dhe i paanë i kulturës dhe adhurimi deri në idol për muzikën. Miqësitë që vijnë prej saj janë më të rrallat. Qysh në ditën e parë e lexuam brenda nesh si pa u vënë re këtë kumt! Është diçka Apolloniane! Sipas tij, vetëm muzika mund të ngjizë themelet e civilizimeve dhe në brendësi të saj ka sekrete që nuk shteren!
Motra jote e shtrenjtë e kishte pasur në dorë telefonin dhe të gjithëve ua kishte treguar mesazhin. Më kthyen një përgjigje, më vonë më dërguan një të dytë, e më pas më thirrën në telefon.  Vajta vizitova shtëpinë tënde. E gjeta me celularin tënd në duar. Mbante kontaktet me njerëzit nga të gjitha anët, që vijonin të shpinin mesazhe. Ishte shuar një njeri me vlera, që në jetën e saj iu kishte treguar edhe shumë të tjerëve ç’ishte kalvari i vuajtjes, i shpresës dhe i triumfit mbi tiraninë, pabesinë dhe hipokrizinë. Dhora Leka ishte larguar nga kjo botë me mision të kryer dhe me triumfin me vete.
E përqafova atë grua fisnike, motrën tënde të luftës dhe të hallave, të kalvarit dhe të besës. Në sytë e saj kishte më shumë se pikëllim. Dukej se për të bota ishte përmbysur si të kishte humbur kuptimin e ekzistencës dhe prej atij momenti të ndarjes me ty, ajo kishte ndjerë dhimbjet e të gjitha plagëve të jetës, që për të nuk kishin qenë të pakta!
Pashë atë dhomë modeste ku mbylle sytë dhe atë shtratin tënd njerëzor ku e le frymën e fundit në mënyrë dinjitoze. Gjithçka ishte thjesht njerëzore.
E gjithë pasuria jote ka qenë dhe mbetet vetëm brenda teje, në thellësi të këngës së jetës tënde unikale; si e tillë ajo vlerësohet vetëm duke u studiuar. Nëse diktaturës i shpëtove duke krijuar në heshtje, tani duhet të njihet e studiohet krijimtaria jote, duke mposhtur “pushtetin e heshtjes”!
Të kërkoj ndjesë që po të prish qetësinë eterike; ndoshta je duke krijuar ndonjë këngë qiellore, nuk ka si ndodh ndryshe. Vargjet “rebele”, edhe kur u dogjën, nga hiri i tyre prodhuan mijëra të tjerë. Vargjet qiellore nuk mund të digjen, ato vijnë te ne bashkë me dritën dhe i japin kuptim historisë!
Frymëzimi është frymëmarrja e njerëzve që jetojnë me dashurinë për atdheun dhe me përkushtimin për lirinë njerëzore, si një ajër që nuk mund të pushtohet e zotërohet nga asnjë tiran. Ndaj, ma do mendja se kënga jote e qiellit është me titullin e plotkuptimtë: “Për një tokësore më të mirë”.
Dhe engjëjt me përkushtim dhe olimpizëm zotash harmonizojnë zërat tashmë qiellorë të tyre, me qëllimin bujar që ata tinguj të përhapen valëve të kozmosit dhe të mbërrijnë këtyre brigjeve tanë të ashpër, shprishur e ende të formësuar si llogore, ku duket se njerëzia kanë mbetur të armatosur në luftë absurde me jetën!
Është muzika jote e përtejme një simfonizëm gjithënjerëzor për jetën, jo thjesht të një individi, por të një populli të vuajtur dhe krenar, të cilit nuk i ka munguar tragjedia, por edhe absurdi i vetvetes ndaj vetes, ku një pasion i errët i ka shtyrë jo në pak raste njërin kundër tjetrit, duke e shitur të gjithë këtë si një heroizëm të radhës, ku okultizmi zbulon gjithnjë armiq dhe tradhtarë. E ti e di o grua me emrin e kuptimtë “dhuratzoti”, se sa të rënda janë këto lloj fjalësh, sa ëndrra vrasin, sa energji shpërdorojnë, sa vite e dekada humbasin, sa dëshpërim mbjellin, sa iluzione bëjnë të vegjetojnë, sa verbëri sjellin për fatkeqësinë e përgjithshme, sa dhe si e mbysin lirinë njerëzore!
E dashur Dhora, me lejen tënde do të dëshiroja të parathosha si një paradigmë logjike, shprehjen filozofike të një filozofi, Friedrich Nietzsche, i cili i ka bërë anatominë vullnetit më të keq të njeriut, “vullnetit për pushtet”, i cili e deformon dhimbshëm atë, individin, qytetarin, kur sëmuret me të. Përballë kësaj sëmundjeje, njerëz si ty vendosën si “mur” human, jetën!
“Mos vallë ne e përbuzim jetën? Përkundrazi, ne kërkojmë instiktivisht një jetë të fuqishme në rrezik …” (Friedrich Nietzsche, “Vullneti për pushtet”, botimi shqip viti 1999, shtëpia botuese Marin Barleti, faqe 40). Jetë e fuqishme përballë rreziqeve, ky ishte pelegrinimi yt Dhora! Nuk u dhe, nuk e ndryshove drejtimin, sepse jetën e konsiderove pasuri, vlerat produkt i saj, dhe rreziqet prova të një qëndrueshmërie që njeriu i mirë duhet t’i tregojë për të dëshmuar se ka jetuar. Më dukesh sikur çapitesh ende hapësirave ku syri nuk shkon, por vështrimi i arsyes e ka mundësinë të mbërrijë dhe të lexojë këtë udhëtim të ri tëndin, ku ende krijimtaria nuk ndalet.
I tërë frymëzimi të vjen nga mëmëdheu atdhe. Nuk ka burim tjetër si ai që nuk mund të shterojë. Ujët e tij mund të turbullohet, zhgulmojë dhe pengohet, por atdheu nuk mund “të vihet në kryq”, si ai që në momentet e fundit thirri: “Kam etje!”. Dhe për t’ia lehtësuar dhimbjen, ia ngulën në ijë ushtën, duke krijuar kështu një figurë që frymëzoi më vonë shpagime të ushqyera nga një teozoizëm ekstrem, si themel të ideologjisë totalitare.
Atdheu në kryq s’ka kuptim, atdheu në udhëkryqe historike, po!
Të shohësh nga jashtë frëngjisë është fokusliri, apo jo Dhora?! Ndaj, do të dëshiroja të të drejtoja disa pyetje që mbajnë pezull enigma. Si duket dheu mëmë nga hapësira e përtejme, o mike e çmuar? A frymëzon ai si dikur? Po toponomia e dhimbjes, si të vjen atje? A duken nga largësia burgjet-gërmadha me gravurat e ngurtësuara njerëzore në ritualin e përkuljes? A i dallohen gjurmët e kampeve të internimit dhe fatet njerëzore që zvarriteshin si ai “Lumi i vdekur”, si edhe shkruaje Ti e dashur dikur, jo shumë larg në kohë, veçse para disa dekadave?
Përtej atij dekori makabër, ne njerëzit e lirë, si dukemi, a dimë të sillemi me lirinë si qytetarë, apo kemi nevojë të na mësohen marshet e rregullit civil?
A jemi në udhën e arsyes dhe prosperitetit, apo zhgërryhemi në llagëmet e makutërisë, ku patologjia më e tmerrshme është të mos mbajmë asnjë lloj përgjegjësie, sepse tanimë atdhe kemi tregun dhe parime të jetës tregtimin?! Ja përse na duhen sërish këngët e tua! Duhen gjetur sërish, si atëherë motivet e shpëtimit me nord atdheun dhe jetën e tij! Ja përse na mungon! Prej atij trungu e gjejmë “fotosintezën humane” të gjithë ne shtetasit dhe kombësit e tij! Koha për njerëz si ty, Dhora, nuk është numër ditësh, as dhjetëvjeçarë, as vite, por as edhe sistem politik! Ajo është një lloj kohe që nuk shteret dhe nuk kthehet në heshtjen me emrin e “kaluara”.
Ajo është kohë ekzistenciale që ushqehet nga vlerat, kultivohet prej tyre dhe u përgjërohet vetëm atyre! Ju njerëzit që edhe përballë dhimbjes e donit jetën dhe besonit për ditë më të mira që do të vinin, e sillni kohën në trajtën e “një njeriu” dhe e vendosni atë me të gjitha mirësitë dhe marrëzitë e tij në qendër të arsyes. E shihni, e gjykoni, e vlerësoni, e këshilloni si një bashkudhëtar që nuk mund të zbohet nga vetja, thjesht në emër të një puritanizmi steril. Brenda çdo njeriu ju përpiqeni të gjeni e krijoni mirësinë njerëzore si matës kohe dhe njësi humanizmi e marrëdhënieje. Të ndërtohet njeriu kjo është në të gjitha kohërat misioni i atyre që duan jetën, lirinë dhe paqen!
Ndërsa ai apo ajo, që shtrembërohet e prishet nën peshën dhe në shërbim të tiranisë, për ty Dhora, është (ka qenë) deformimi jashtë kohës njerëzore, është pjella e keqe e kohës dehumane. Sa të tillë takove në jetë dhe fitove! Sa poshtërsi të panë sytë, sa hipokrizi ndeshe në jetë! Atdheu mund të numërojë përvjetorë lirie dhe jo rilindjeje, si edhe përpiqen “poseduesit tiranë”, që ardhjen e tyre në pushtet e shënojnë si datë të rilindjes së tij. Ndërsa ti dëshiroje liri për të gjithë popujt, për njerëzimin. “Kësaj i thonë këngë”, kumtoje Ti, disa dekada më parë në 25-vjetorin e Çlirimit, e më tej vijoje:
“…këngë e madhërishmja
e zjarrta frymëzuesja
Këngë  Atdhe!”
…..
Ja pse “armën-këngë”
Për Ty
E mbaj ngrehur
…dhe me të
Luftoj…!
Të luftosh me armë-muzën për lirinë, është një luftë që nuk sjell viktima, por në të kundërtën, pengon që marrëzia të shkojë deri te vdekja. Muza e bën botën më humane, e shpie larg vdekjes dhe shpërdorimit të jetës njerëzore, ku ajo puthet nga lumturia! Heronjtë e saj janë të tillë si ty, Dhora Leka!
Trinomi Kënga-Atdheu-Armëkënga, duket shumë i thjeshtë në formulim, por pakkush ka ditur gjatë jetës të lëvizë brenda tij, të rakordohet në këndet dhe perpendikularet e mesoret e brinjëve të tij! Është kjo një gjeometri që nuk mund të lindë oborreve mbretërore, vilave të byroistëve, sarajeve të bejlerëve të rinj të ekonomisë së tregut.
Ka një ndryshim thelbësor, sepse në trinomin tënd (trekëndëshin tënd) Dhorë e paharruar, mungon (mungoi) pushteti, pushtetmbajtja, pangopësia pronësore, ofiqet mburravece, shitmendja për mrekullira individuale, snobimi me datat historike.
Të kesh atdheun muzë dhe muzën armë për atdheun, kjo nuk vjen nga pushteti, nuk mund të lihet trashëgimi, nuk blihet dot në treg, nuk sigurohet as nga shërbimet e lakenjve apo vrasësit me pagesë.
Kjo ndodh vetëm me ata/ato që lindin të lirë, jetojnë të lirë edhe kur ajo fizikisht iu merret, dhe krijojnë të lirë; paçka se mund të keqtrajtohen në burgje apo kampe shfrytëzimi. Këta njerëz nuk nëmin me urrejtje, nuk shajnë me fëlliqësira, nuk përbuzin me xhelozi të verbra, nuk prostituojnë me atdheun. Ata e duan më shumë atë. Në këto rrethana ata janë dishepuj vetëm të tij, të atdheut dhe lirisë humane!
Dëshiroj të ndaj me ty Theodhora, një dallim thelbësor mes të qenit “i madh” që vjen nga pushteti dhe abuzimi me të, dhe “madhështisë” që vjen nga vlerat.
“Tek njerëzit e mëdhenj gjejmë në shkallën më të lartë, cilësitë specifike të jetës: padrejtësinë, gënjeshtrën, shfrytëzimin.” (Friedrich Nietzsche, “Vullneti për Pushtet”, botimi shqip, faqe 44)
Ti e dashur Dhora, e ndjeve këtë ballafaqim dhe e sfidove me qëndrueshmëri.
Nuk u përkule, sepse brenda vetes besoje dhe krijoje krejt ndryshe, në një liri sublime që sillej në hapësirat e një identiteti të pandryshuar. Të mos kesh frikë nga të vërtetat jashtë censurës ideologjike, të lejon të gjesh, të takosh dhe të bisedosh me çdo gjë brenda vetes. Kur krijon për të mos botuar në diktaturë, asnjëherë nuk je i penguar. Je i lirë të takosh lirinë! Jean Paul Sartre, ka thënë diku, se ai nuk kishte qenë ndjerë kurrë aq i lirë sesa nën okupacionin nazist, citon në librin e tij “Djihad versus McWorld”, autori Benjamin Barber, dhe më tej, për të shprehur shqetësimin e tij për tregëzimin e vlerave (të tilla ato shndërrohen në pseudo), ai shkon në përfundimin: “Në luftë literatura ka një qëllim, në treg ajo duhet të jetë kompetitive, për të kënaqur shijet popullore dhe për të garantuar fitimin e editorit” (libri i lartpërmendur, botimi frëngjisht, faqe 118, enti botues HACHETTE-Literatures).
Të njëjtën kuptim për lirinë e krijimit e kam gjetur edhe tek shkrimtari hungarez Imre Kertecsh, fituesi i çmimit Nobel, i cili kaloi kalvarin e kampeve naziste. “Atë kohë, – thotë ai, – shkruaje për të mos botuar, ndaj qëmtoja brenda vetes pa censurë dhe i shkoja së vërtetës deri në fund!”
E tërë jeta jote ishte luftë, Dhora, ndaj krijimtaria jote ishte e qëllimtë, kishte ideale, bartte vlera dhe dhuronte humanizëm e tolerancë. Krijimtaria jote nën diktaturë nuk shkruhej për t’u botuar, por për të mos harruar. Ishte një lloj anatomie që i bëhej një kufome të gjallë. Lustra kishte mbuluar plagët! Si godet ti me vargun tënd therës;
…Lustër, mbi lustër heqin
nga ky shkëlqim i rremë
vetëm lolot me gojë hapur mbesin…
Ece brenda vetes për në një “tokë të premtuar”, për të cilën besoje se një ditë do të mbërrihej nga ty dhe nga të tjerë, për ty dhe për të gjithë ata që më në fund do të dilnin nga kopeja dhe do të kurajonin ta shihnin veten ndryshe, përtej kolektivizmit nulifikues, si dhe do të kërkonin ta kalonin “horizontin e mbyllur” të pafuqisë dhe nënshtrimit si qaramanë dhe hipokritë, si taslëpirës apo, më keq, si helmpërgatitës!
Duhej bërë njeriu nga liria! Kjo lloj jete mungonte, ndaj zvarriteshim!
Veçse jeta në liri nuk është më pak e vështirë, më pak sfidante dhe detyruese. Liria pa kulturë e bën demokracinë autoritare, dhe kultura pa traditën historike nuk të ndihmon të shkosh e të shijosh lirinë demokratike. Lyp të më japësh të drejtë Dhora për këto përfundime! Jeta jote ishte një udhëtim i tillë, sepse edhe atje në kasollen ku “nga xhami i thyer Era, si ‘picolo-flauto’ vërshëllente, e bënte që kompesatot e barangës si ‘tamburo-militare’ tra-ta-ta-ta-tam ta shoqëronin” (vargje të poezisë së Dhorës me titull ‘E heshtura kënga ime’, shkruar në internim në Seman nëntor 1968), ti vështroje nga ideale heroike, sepse frymëzim ishte Bethoven me ‘Heroiken kundër Napoleonit’, ishte Lizst, ishte Migjeni, me dëshirën për të pasur grushtin e tij të fortë! Të dënuan me burg, qëndrove! Të dënuan me izolim, sfidove!
“Në përgjithësi, çdo gjë ka aq vlerë sa njeriu ka paguar për të”. Thelbi kuptimor është i qartë. Mos kërko vlera kur nuk ke paguar për to. Jo vetëm kur deti është i qetë dhe dielli të përkëdhel. Por edhe kur ai ishte me tallaze, si në atë kohë Dhorë e dashur, kur prokurori kërkoi për ty dënim me vdekje. Si në atë kohë, kur ish-e diplomuara në akademinë “Pjetër Iljiç Çajkovski” punonte si rrobaqepëse e më tej si një punëtore fushe dhe duart “e mpira nga lodhja” e saj nuk mund të viheshin dot më mbi tastierën e pianos, asaj vjetnukes së viteve tetëqind të Vjenës, por që kur nuk e braktise dhe nuk të braktisi. Mbi tastierën e saj “gagaçe” thua ti, luaje heroiken, për të mbajtur gjallë frymën kundër tiranisë dhe për të ushqyer shpirtin me këngën dhe mendjen, me muzat që vinin e iknin tek ty në ditë të mira dhe të liga, si misionare të hapësirave ku nuk mbërrinte dot dritëshkurtësia dhe deformimi njerëzor që i rrinte ‘gati tu’ diktaturës.
Ai dëgjonte tingullin e pianos tënde dhe raportonte se “armikja e popullit” ishte e lumtur, ishte e gëzuar, ishte e “degjeneruar”, se luante në piano.
Kështu mendonte diktatura asokohe. Në segmentet e saj të errëta nuk e duronte sfidën e optimizmit që vinte nga kultura.
Ai apo ata që përgjonin asokohe pas kasolles tënde, nuk ishin as sa oficeri gjerman Hosenfeld që ia shpëtoi jetën pianistit çifut polak Wladislav Shpilman. Duke e dëgjuar muzikën e tij interpretative, ai kuptoi më mirë botën dhe absurdin e ideologjisë që e kishte shpënë në luftë.! Por tek ne nuk ka kujdes për këtë histori dhe nuk ka Roman Polanski të xhirojë filma të tillë. Kulturën dhe njerëzit e filmit i ka zënë ethja e parasë, e asgjësë dhe e produkteve efemere.
Të degdisën në internim dhe në punët e rënda të fushave. U gdhive dhe u ngryse nën dritën e qiririt, çizmes së kontrollit dhe bisedës me këngën tënde.
Atëherë ata përdorën taktikën e vjetër, iu turrën dashurisë.
Një herë në rininë partizane ta vranë atë! Më tej në socializmin e masave punonjëse ta vodhën dashurinë! Shpirtra të shprishur që nuk mund të kënaqen veçse duke i parë të tjerët si një turmë kokulur!
Donin të ta thanin basenet e frymëzimit dhe kuptimin e jetës, me qëllimin makabër që ti ta mallkoje dhe braktisje atë. Kështu ata dilnin dorëjashtë. Edhe kjo djallëzi nuk u shkoi, megjithëse shpirtin ta lënduan rëndë! Si shkruaje Ti poete e dhimbjes:
“Por jeta
S’është vetëm poezi
Herë u shkumbos
dhe si deti në stuhi
dhe e humba atëherë
të bukurën
të dlirtën
plot ëndrra
Dashuri!
Kostoja e këtij udhëtimi për ty ishte e tmerrshme, por se: “E tmerrshmja është pjesë e madhështisë, çfarëdo që të thuhet kundër” (Friedrich Nietzsche, po aty faqe 44).
Nordi yt nuk ndryshoi edhe në ato rrethana kur goja do duhej të mërmëriste mes turmës, fjalë që mendja nuk t’i krijonte, mendime që arsyeja nuk t’i mëkonte dhe ndjenja që shpirti nuk t’i ushqente. Marrëveshja me të vërtetën e brendshme u ruajt. Atje, vetëm në ato thellësi, nuk pranohet braktisja, nuk ka vend tradhtia apo pabesia.
Atje dhe vetëm atje mund të sigurohet liria dhe çdo takim me të është muzë e krijimit. Ti dhe vetvetja, mos ki frikë! Ky është një dansing tingëllor! “Sa vërtetësi suporton, sa vërtetësi guxon një shpirt? Kjo është… masa e vërtetë e vlerës”. Ai/ajo që i duron armiqësitë e gjata, ka fatin të mos mbetet një personalitet i lehtë. Kalvari e shndërron atë në një personalitet të paepur. Në mënyrën më adekuate dhe me një përputhshmëri genuine! E shoh, e ndjej, e prek kur kam ditë që përpiqem të kryej anatominë jetës tënde, Dhorë e dashur!
Dialogimi me të vdekurit është më i gjallë se më të gjallët pa vlera, pa moral, pa ide, pa sinqeritet, pa tejdukshmëri! Vjen prej lashtësisë kjo mënyrë e të rrëfyerit që fort bukur Dantja e përdori! E di që modestia jote do të thoshte: “Ndoshta nuk e meritoj”, por se nuk mundem në këtë rast të të jap të drejtë. Pa mëdyshje do t’i shkoj deri në fund fillit të arsyetimit.
Ndaj nuk ka se si të mos më vijë në mendje, si i pari parim i saj, ajo shprehja e famshme: “Për t’u ngritur për të luftuar, në këtë kaos, ka një gjë të domosdoshme; duhet të bëjmë zgjedhjen: ose të zhdukemi, ose t’ia dalim”.
Ti e pranove sfidën dhe fatin. Nuk u zhduke, sepse brenda teje jetonte dhe krijonte muzëjeta, ndaj për asnjë çast nuk u dorëzove, mbajte peshën e detyrimeve të pakryera që prisnin të lindnin përtej epokës tirane. Kishte brenda tyre jo thjesht objektiva individuale. Bujonin atje amanete të rënësh dhe ideale që nuk duhet të varroseshin me braktisje!
Ti besoje te shpjegimi i arsyeshëm i thelbit njerëzor, tek arsyeja e njeriut dhe tek qiriu i Zotit! E gjej të plotpërputhur tek personaliteti yt kumtin filozofik Hegelian, se “intuita dhe dashuria krijojnë një unitet mes njerëzores dhe hyjnores, e cila sjell mirëkuptim dhe barazi”!  Të trembur nga njeriu i vërtetë, “Tirani dhe tiranët xhuxha”, pjella të keqkuptimit dhe cuba të pabarazisë, iu sulën kujtesës dhe sajuan për ty termin “armike”, “njollën tradhtare e atdheut” ta veshën me dhunë.
Nuk e mësuan kurrë ata dhe të tjerë të sojit të tyre, të hershëm dhe të djeshëm, të sotëm dhe të nesërm, se atdheu nuk pronësohet.
Atdheu nuk e mat respektin e njerëzve ndaj tij dhe besnikërinë, me pronarë që si “dokumente hipoteke” tregojnë ideologjitë klasore përjashtuese.
Atdheu të do po ta duash, ai të respekton po ta respektosh, të kujton po t’i përkushtohesh, të jep nga vetja po t’i japësh sinqerisht atë që vjen si detyrim brezi dhe sfidë të kohës epokale kur jeton, që mban peshën e amanetit. Përballë rrethanave të tilla, askush nuk mund të humbasë, sepse kujtesa arkivale e atdheut nuk është ajo e krijuar në zyrat e errëta të pushteteve. Në ato puse gatuhet procesioni i vdekjes që llahtariset nga kujtesa.
Atdheu ka një memorie të një lloji krejt të veçantë.
Ai di të klasifikojë ata/ato që japin nga vetja me dashuri, dhe i dallon thekshëm nga ata që dinë të shërbejnë pa dinjitet, prej atyre që dinë vetëm të përdorin çdo gjë në mënyrë utilitare dhe përfituese. Dashuria krijon raporte që askush dhe asnjë marrëdhënie tjetër nuk mund ta plazmojë. Dashuria për atdheun nuk mund të të vidhet!
Njerëzit me vlera nuk e njohin këtë lloj pazari! Atdheu u pëlqen atyre dhe nuk e mallkojnë edhe atje ku goja e hapur lyp kotheren e bukës, ndërsa diku gjetiu shtriqet në kolltuk tirania e ngopur deri në plasje. Të klasifikohesh në kujtesën e dashurisë, ky është një tregues që atdheu të njeh si birë/bijë të vet me virtyte e me kontribute.
E nëse strehohesh për fatkeqësinë tënde në dosjen e “të shërbyerit”, atëherë je sërish birë/bijë i atdheut, (ai nuk të bën hasha) por je djali/vajza plangprishës, që me grykësi ke dashur të mbërrish në maja të tilla, që konsiderohen si të paarritshme, duke harruar se mund të të mbulojë nesër harresa ose një shpagim që e bën memorien e brezave të ardhshëm alergjike ndaj teje dhe krijon për ty gjyqin e historisë!
Kujtesa dhe harresa është një ballafaqim universal. Brenda saj jemi të gjithë pa përjashtim! Kur ju Dhora ishit në jetë, ata krijuan “botën e eklipseve”, aq sa kënduan se “edhe dielli, dhe hëna zhduken kur del udhëheqësi”.
Njerëzit ca nga padia, ca nga frika, mbërritën atje ku arsyeja mungonte dhe duke parë deri te hunda e tyre dhe deri te gardhi i shtëpisë, menduan se bota ishte deri aty, dhe himni i jetës qe kënga e “udhëheqësit legjendar”, që bënte dhe diellin, dhe hënën, dhe gjithçka. Sajuan njollosjen e fytyrave tuaja, helmfrymëzuar me mendimin e shkurtër se jeta e tyre do të mjaftonte për të fshirë kujtesën.
Harruan ose nuk ishin në gjendje të dilnin nga ajo patologji e posedimit (o Zot kështu silleshin ndaj të vërtetës), se fshirja e kujtesës së fiksuar nuk mund të hynte qoftë edhe si frikë e terror në dixhitalitetin e memories njerëzore. Kush është sjellë tinëz, me helm, me errësirë, apo me zjarr ndaj kujtesës, gjithmonë ka dështuar. Hije të tilla fantomike kanë harruar që kujtesa qysh kur ka lindur ka qenë bashkëshorte e arsyes.
Të dy së bashku ata ishin ngjizësit e frymëzimeve, prindërit jetëdhënës të muzave të përjetshme. Luftëtari më fatkeq, më i dështuar dhe më tragjiko-komik ka qenë dhe mbetet ai që është nisur në luftë ndaj kujtesës.
Ajo as mund të shuhet, as mund të fshihet, as mund të eklipsohet, as mund të njolloset apo të deformohet. Kjo, sepse në vetvete kujtesa është sistem imunitar që mban në ekuilibër dhe vë në funksion çdo gjë tjetër që ka lidhje me arsyen, me kryerjen e misionit, me ëndërrimet dhe detyrimet historike të njeriut! Pa kujtesë ose me kujtesë të porositur funksionojnë vetëm ideologjitë fondamentale dhe idhtarët e tyre, bijtë e mediokritetit!
“…Tendenca kryesore e të dobëtëve dhe mediokërve, e të gjitha kohëve, është t’i bëjnë të dobët të fortët dhe t’i bëjnë të zbresin në nivelin e tyre. Mjeti kryesor; gjykimi moral. Prirjet, aftësitë e më të fortëve kundrejt më të dobëtëve, damkosen. Vetitë më të larta të të fortëve shahen me epitete të shëmtuara” (Friedrich Nietzche vepra e cituar faqe 15).
Kështu u sollën me ty në të gjitha kohërat, por nuk të zhbën dot. Tani atje ti i sheh se si tërhiqen në hone vetmie dhe nuk qasen të flasin hapur dhe të pranojnë përgjegjësitë. Ende besojnë dhe paguajnë “mercenarët e mendimit”, që të këndojnë për ta këngët e gënjeshtra të lavdisë. Ndaj më thuaj mike:
Si të duket hija e tiranisë?! Sigurisht e zbehtë, keqane dhe mjerane në fatmallkimin e vet, sepse ti e paralajmërove qysh në poezinë tënde në internim në Seman, në vitin 1969 të titulluar plotkuptimisht: “Unë dhe Ti”, kur i the shkoqur dhe me guxim:
As unë, as t’i
Armët s’po i dorëzojmë
Ti, jo, se je i pari i tiranisë
As unë, jo
Se jam ushtar besnik i vegjëlisë
Kush pra?
Le t’ia lemë, historisë!
***
Përball tiranisë vendosi historia o shpirt i bardhë! Ti vijon të na shohësh se si ende jemi të zhytur në pafuqinë e mirësisë së munguar! Kaluan 70 vite nga ajo ditë e çlirimit të atdheut, por ne ende s’e kemi mbaruar luftën mes njëri-tjetrit dhe festimet ishin të vakëta, gati-gati si të sforcuara. Kisha menduar se së paku do të kishte një konferencë jubilare dedikuar antifashizmit. Por, jo! Shfaqjet kanë të tjera objektiva në ditët tona. Njerëzit rrugëve nuk e dinin pse kishin dalë dhe se çfarë duhet të përkujtonin. Në vend të këngëve partizane dëgjuam këngë angleze. Sa çudi Dhora, disa ditë para 29 Nëntorit tonë në Angli u përkujtuan të rënët e Luftës së Dytë Botërore, por se atje pati solemnitet, fisnikëri, heshtje funebër, e mbi të gjitha seriozitet. Kujtesa u respektua me përunjësi e detyrim historik. E di që nuk je penduar Dhora Leka, dhe atë natë me shi të 29 Nëntorit 2014 ia ke marrë këngës së bashku me luftëtarët martirë. Panteoni i historisë Ju ka duartrokitur. Mirënjohje! Historia vazhdon.
(o.d/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments: