NGA AFRIM KRASNIQI
Në çdo
dhjetor të gjithërendim pas datës kur studentët nisën protestat dhe më pas, për
kulmin e lëvizjes studentore, rikthimin e pluralizmit politik. Ishte hequr në
janar 1925, u rikthye në dhjetor 1990. Me 75 vjet mungesë, dhe më parë, me
vetëm 4 vjet eksperiment të brishtë të një sistemi formal konkurrues, ku më
shumë se midis partive, gara bëhej midis grupeve klienteliste, fiseve, krahinave
dhe elitës së vogël të shoqërisë.
Më 1990 premtimi
dhe pritshmëria për demokracinë e munguarpluralizmin e munguar
dhe lirinë e munguar ishin thelbi i protestës, lëvizjes, suksesit dhe
trashëgimisë së saj. Studentët mposhtën frikën, regjimi u detyrua të jetësojë
sistemin shumëpartiak, Shqipëria zyrtarisht i dha fund sistemit të
partisë-shtet dhe një epokë e re mori udhë. Për ku? Më 1990 nuk kishte dilemë
se destanacioni ishte “liria, demokracia, Evropa”, pra gjithçka që mungonte dhe
që përbën, interesin madhor shtetëror e shoqëror.Më 1990 premtimi
Çdo vit vendosja e pluralizmit përkujtohet nga ceremoni paralele, ku udhëheqësit politikë mbajnë fjalime, rrëfejnë kujtime dhe ngjarjet unike marrin konotacionin e emrit, fytyrës dhe interesit të sundimtarit të radhës! Ata që ato ditë ishin kundër pluralizmit politik sot vrapojnë të marrin flamurin e protagonistit të ndryshimit; ata që kërkonin pluralizëm mendimi dhe jo konkurrimi sot sillen si pronarët e ndryshimit; ata që jetësuan ndryshimin sot janë në periferi të ngjarjeve dhe teatrit absurd e fyes që na sjell rregullisht dhjetori i nëntoristëve të përjetshëm. Skenat përsëriten e përsëriten me të vetmin ndryshim majtas e djathtas, - kur janë në pushtet thonë se u realizuan ëndrrat e dhjetorit, kur janë në opozitë apelojnë për dhjetor të ri dhe flasin vetëm për zhgënjime.
Paradoksi tjetër lidhet po me ato ngjarje: të gjithë pranojnë të gjejnë një dëshmi, një foto, një ekran, apo diçka tjetër që t’i lidhë me prezencën formale në dhjetor 1990 në Tiranë dhe kështu, me lëvizjen e asaj periudhe, e para dhe deri tani, e fundit lëvizje politike përgjatë shekullit shqiptar pa viktima dhe e nisur dhe realizuar nga elitat më të kulturuara qytetare. Kjo sjellje manipuluese ndaj faktit, historisë dhe tëvërtetës ka ndikimin e vet negativ në kultivimin e një klime denigruese mbi gjithçka që përfaqëson dhjetori 90. Një akt teatror që nuk ka më shikues dhe as auditor.
E gjithë kjo parodi tranzicioni ndihmon të kuptojmë aftësinë tonë për të mos arritur të kuptojmë se çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte negative në historinë tonë modern, dhe kështu, për të mos pasur njëvizion të qartë mbi drejtimin ku duam të shkojmë. Cila është liria për shqiptarët, cila është demokracia, cila është Evropa? Një pyetje thelbësore, ende pa përgjigje bindëse. Le të marrim konceptin që sjellin përvjetorët e 8-12 dhjetorit! Cilido sot është në gjendje të kuptojë se lejimi e krijimi i mbi 126 partive politike, zhvillimi i 10-12 proceseve zgjedhore apo zyrtarizimi i më shumë se 3000 grupeve civile nuk përmbush pritshmëritë e mëdha që kishim 24 vjet më parë kur masivisht thirrej për lirinë, demokracinë dhe Evropën. Ato janë një efekt pozitiv i sistemit, por jo thelbi dhe garancia e tij.
Përpara 24 vitesh shumica e aktorëve të sotëm politikë ishin të bindur se modeli i partisë – shtet përbën fatkeqësi dhe se dhënia fund e këtij modeli do ishte konsensusi i parë politik e publik shqiptar. Përgjatë 24 viteve shoqëria ndryshoi por jo aq shumë sa të shkëputet nga modeli i partisë-shtet, modeli i unit në udhëheqje, modeli i partisë që sundon, modeli i karrierës mbi bazën e besnikërisë politike, modeli i denigrimit për shkak të bindjes dhe deri edhe modeli i kultit personal, duke refuzuar shumë prej normave më jetike të demokracisë.
Le ta ilustrojmë me Shqipërinë e sotme, më shumë se dy dekada më pas! A nuk kanë partitë monopol për ligjet dhe kushtetutën, për administratën publike dhe institucionet kushtetuese, për ushtrimin e sovranitetit qytetar dhe çdo vendimmarrje tjetër në emër të qytetarëve? A nuk emërohen prej partive deputetët e ministrat, presidentët dhe gjyqtarët, prokurorët dhe gjeneralët, zyrtarët publikë dhe drejtuesit e policisë, ambasadorët dhe drejtuesit vendorë, drejtorët e shkollave dhe deri ata të kopshteve?
Për qytetarin që nuk paguan një faturë mujore energjie apo gjobash reagimi i shtetit është i ashpër, por kur bëhet fjalë për partitë politike të cilat janë e mbeten subjektet kryesore nëpastrimin e parave dhe financimeve kriminale në fushata elektorale, shteti nuk ka zë, konsensusi politik injoron detyrimin kushtetues dhe kështu, krijohet standardi i dyfishtë: një për qytetarët, një për politikanët.
Le ta lëmë politikën dhe të shohim më tej: në cilën OJF votohet, në cilën sindikatë ka mbledhje e vendimmarrje votimi, në cilin institucion publik gara përfundon me respektin e fituesit dhe sfiduesit, në cilën zyrë të shtetit, medias apo shoqërisë civile pranohet kritika dhe protesta ndaj shkeljes së të drejtave themelore? Pluralizëm nuk do të thotë të kesh disa subjekte në fletën e votimit.
Mbi të gjitha do të thotë një sistem konkurrence i garantuar, bazuar në aftësi, program, vizion, transparencë dhe integritet, - cilësi që mungojnë gjerësisht në shtet, parti dhe shoqëri. Pluralizmi kërkon të dëgjosh, dialogosh dhe respektosh tjetrin; të ketë etikë e moral midis qytetarëve dhe atyre që i përfaqësojnë ata, të ketë akte maturie dhe sjellje dinjitoze nga ata që kërkojnë e marrin përgjegjësi! A nuk duken nocione pa vlerë këto në një shoqëri ku çelësi i suksesit politik, publik dhe ekonomik është e kundërta, - miku, fisi, partia, klientela, turma e të paaftëve dhe padituria si institucion vlerësues?
Zgjidhja mbetet një dhe është unike. E provuan dhe e kaluan të tjerët, ata që 24 vjet më parë ishin në të njëjtin start me ne dhe që sot, janë kilometra larg gjithçkaje që ne kemi arritur. Një reflektim i thellë për të sjellë pluralizmin e vërtetë politik e demokratik dhe më pas, një kompromis real i elitës politike e publike për të ndryshuar raportin mes shtetit e qytetarëve, midis vendimmarrësve dhe objektit të tyre. Së pari për të zgjidhur pesëçështjet e mbetura peng, - ndarjen me të kaluarën, çështjet e pronësisë, reformimin e gjyqësorit, jetësimin e institucioneve garantuese të shtetit dhe axhendën integruese.
Së dyti, për të rikthyer demokracinë si koncept e praktikë, përmes rikthimit ose vendosjes së votës direkte qytetare për zgjedhjen e Presidentit, deputetit dhe deri tek drejtuesit e shkollave. Së treti përmes imponimit të normave të reja që detyrojnë partitë të funksionojnë si struktura demokratike alternative, pra që të kenë zgjedhje, transparencë financimi, program qeverisës, llogaridhënie, rotacion dhe moralitet në vendimmarrje. Së katërti, përmes një sistemi sa më aktiv dhe përfaqësues të aplikimit të demokracisë dhe garës konkurruese për çdo post publik dhe institucion, si dhe nevojës jetike për krijimin e të parës administratë shtetërore jopartiake pas 1938-ës. Së fundi, për tëndryshuar të gjithë shoqërinë përmes arsimit, kulturës, dëgjesës, pjesëmarrjes, debatit dhe përgjegjësisë ndaj ligjit.
Në shoqëri me histori civile ndodh që elitat shoqërore të sjellin ndryshimin, në ato me trashëgimi sociale ndodh që ndryshimi të vijë nga poshtë, në vendet me elita vizionare drejtuese ndodh që ndryshimi të vijë nga lart. Shqipëria nuk bën pjesë në asnjërën kategori. Nuk ka elita shoqërore, nuk ka elita vizionare politike dhe as shtresime sociale që dinë të bëjnë ndryshimin. Tradita jonë flet për 1-2-3 individë që takohen, flasin, bëjnë marrëveshje, grinden, krijojnë luftën dhe sjellin paqen.
Kjo traditë sot na pengon, megjithëse ka një shumicë opinionesh që e shohin si zgjidhjen e vetme, të cilën unë e shoh me mosbesim. Në këto rrethana zgjidhja afatshkurtër mbetet ikja nga modelet klasike të traditës dhe modernes, dhe krijimi i një sistemi miks, ku të gjithë mund e duhet të bëjnë diçka, dhe ku njëherësh, të gjithë kanë nevojë e duhet të monitorohen të mos bëjnë gjithçka. Rezultat mund të mos jetë ndryshimi i shpejtë, por shenja për ndryshim, shpresa se mund të ketë ndryshim, besimi se e ardhmja do jetë ndryshe, - diçka që në kohë krizash shoqërore ka më shumë vlerë se mijëra fjalime patetike dhe replikash politike në tribunat partiake, në media apo rrjetet sociale.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Dhjetor 2014
Analiza NGA AFRIM KRASNIQ
Për pluralizmin e vërtetë
No comments:
Post a Comment