Partia Demokratike do t'i kthehet sallës së Paralamentit të mërkurën e
ardhshme, me 24 dhjetor. Pas takimit me eurodeputetin Fleckenstein, i
cili prej dy ditësh ndodhet në Tiranë për të ndërmjetësuar bashkë me
Eduard Kuka pajtimin mes palëve në Shqipëri, Lulzim Basha la të kuptohet
se forca e tij politike do të futet në Kuvend javën tjetër.
Por, si pas takimit me Fleckestein, ashtu edhe një ditë më parë në
Bruksel, kreu i opozitës foli për një "marrëveshje politike shumicë-
opozitë që do t'i hapë rrugë dekriminalizimit të Kuvendit dhe rikthimit
të jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, ligjshmërisë dhe frymës
së konsensusit për reformat madhore...". Për këtë marrëveshje, Basha ka
përshëndetur edhe ndërmjetësimin e parlamentit europian. "Shpresat dhe
besimi im është që përmes reflektimit në përputhje me problemet kryesore
që shkaktuan këtë gjendje, që ishte përdorimi i dhunës me skenarë të
mirëorganizuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër opozitës si dhe shkelja
flagrante e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga
shumica, të tejkalojmë këtë situatë përmes një marrëveshje politike, do
t'i hapim rrugë rikthimit të normalitetit të parlamentit të Shqipërisë",
tha Basha në një intervistë nga Brukseli një ditë para takimit me
Fleckenstein në Tiranë.
Pra shihet qartë që Basha kërkon një marrëveshje politike (draftin e së
cilës e gjeni tek lapsi.al në rubrikën lajme) me kryetarin e
mazhorancës si garanci për kthimin në Kuvend. Por burime të lapsi.al
bëjnë me dije se kryeministri Rama nuk ka ndërmend të nënshkruajë një
marrëveshje me Bashën. Ai e konsideron të pakuptimtë një marrëveshje
politike për dekriminalizimin e parlamentit dhe detyrimin për të
respektuar Kushtetutën. Sipas deputetit Taulant Balla, nëse opozita ka
një propozim të sajin, mazhoranca është e gatshme që brenda 3 muajve të
parë të vitit 2015 të marrë në shqyrtim propozimin për dekriminalizimin.
"Ne jemi në pritje të propozimit, pasi kjo është një kërkesë e bërë nga
Partia Demokratike dhe ne duhet të respektojmë këtë të drejtë të saj. I
vetmi kusht që ne kemi, është që propozimi të bëhet në përputhje me
Kushtetutën dhe të jetë në kunsultim me Komisionin e Venecias", deklaroi
Balla, sipas të cilit kërkesat e tjera të opozitës si ndryshimi i
rregullores dhe zbatimi i vendimeve të Kushtetueses janë plotësuar.
Në deklaratën e Ballës bie në sy që një asnjë rast nuk përmendet termi:
marrëveshje. Ai flet për propozime të opozitës dhe konkretisht për
propozimin për dekriminalizimin, por atë e sheh si një akt ligjor që
duhet konsultuar me komisionin e Vencias dhe jo si një angazhim politik
për marrëveshje me opozitën.
Në kushtet që Edi Rama do të refuzojë të nënshkruajë marrëveshjen që
kërkon Lulzim Basha, për PD shtrohet pyetja se a do të mjaftohet ajo me
shqyrtimin e propozimit të saj për dekriminalizimin për t'u kthyer në
Parlament. Burime pranë PD, thanë për lapsi.al se Basha do të futet në
Kuvend edhe në një rast të tillë. Shkak për këtë lëshim duket se është
bërë një grup deputetëtsh nga vetë PD dhe partitë aleate, të cilët kanë
vendosur të futen në Kuvend, pavarëisht vendimit politik që do të marrë
lidershipi i kësaj partie. bëhet fjalë për rreth 10 deputetë, që hapur
ose në heshtje kanë qenë kundër bojkotit.
Në këto rrethana është i kuptueshëm edhe refuzimi i Ramës për një
marrëveshje politike me opozitën. Ai ndihet i sigurtë se kundërshtari i
tij nuk ka shumë lëvizje për të bërë. Ky vit me siguri do të mbyllet me
PD të riulur në sallën e Kuvendit.
No comments:
Post a Comment