Friday, December 19, 2014

Ekskluzive/ Teksti i marrëveshjes Basha- Rama

Një draft paraprak, i cili mund të pësojë edhe ndryshime, u është dhënë deputetëve europianë nga opozita shqiptare, me qëllim që të negociohet me shumicën për të arritur një marrëveshje politike. Lapsi.al po e boton të plotë këtë draft, i cili përmban tre shqetësimet kryesore të opozitës: zbatimin e vendimeve të Kushtetueses, dekriminalizimin e parlamentit dhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. 
Në pamje të parë duket sikur negociatorët europianë do ta kenë punën të lehtë pasi palët bien dakort pa asnjë problem për këto pika. PS thotë që është e gatshme për kërkesat e opozitës. Por problemi që do të haset shumë shpejt ka të bëjë me faktin se mazhoranca nuk do që të nënshkruajë një marrëveshje politike me opozitën. Edi Rama mesa duket nuk do të krijojë përshtypjen se ai ka shkelur rregullat e lojës dhe tani po tërhiqet përballë presionit të opozitës. Një marrëveshje politike do të nënkuptonte këtë dhe do i jepte të drejtë opozitës në sytë e opinionit publik. Për këtë arsye, mazhoranca pretendon se nga tre pikat e opozitës, ajo e dekriminalizimit duhet konsideruar si një propozim për t'u shqyrtuar në Kuvend nga pikëpamja ligjore dhe kaq. Dy kërkesat e tjera sipas PD, janë të realizuara. Duke e kthyer një draft marrëveshje në një propozim të vetëm, Rama e shmang nënshkrimin e një marrëveshje me Bashën që do ta vinte atë në pozitën e dikujt që bën hapa pas.
Ndërkohë, nuk dihet nëse PD do ta pranojë këtë gjë apo do ta refuzojë. Por sipas shenjave të para, ajo gjithsesi do të kthehet në Kuvend të mërkurën e ardhshme.
Më poshtë, lapsi.al po boton të plotë draft marrëveshjen e propozuar nga opozita:
 
1. Konfirmimi i angazhimit të tyre (Kyetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës, shën. i lapsi.al) për zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm si dhe të papenguar të të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto implementime duhet të bëhen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mirëbesim nga institucionet përgjegjëse. Palët do të amendojnë legjislacionin duke përfshirë dhe rregullat e procedurave të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, në mënyrë që të vendosen detyrimet e qarta ligjore, përgjegjësitë, procedurat dhe afatet për ekzaminimin dhe marrjen e masave të nevojshme për zbatimin sistematik të vendimeve gjyqësore. Legjislacioni i ndryshuar duhet të garantojë që zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit, të këshillit të Ministrave apo të ndonjë institucioni tjetër të Administratës Publike, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i pjesshëm apo të devijojë nga ajo që thuhet në vendimin gjyqësor apo të shtyhet zbatimi i tij. 
Palët angazhohen të vendosin pa vonesë dhe pa pengesë komisionet hetimore sipas kërkesës së minoritetit prej 1/4 (një e katërta) e anëtarëve të Kuvendit siç përcaktohet edhe nga neni 77 i Kushtetutës. Kjo duhet të ndodhë pa u ndryshuar nga votat e mazhorancës qëllimi apo objekti i hetimit ashtu siç është prezantuar nga kërkuesi. Palët do të ndryshojnë ligjin për komisionet hetimore në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese mbi hetimet parlamentare. Legjislacioni i ndryshuar duhet të sigurojë që komisionet e hetimit do të punojnë në një mënyrë efikase. Për këtë qëllim shumica e komisionit duhet të kontrollohet nga kërkuesi.
 
2. Palët do të ndërmarrin hapa të vendosur dhe gjithëpërfshirëse për dekriminalizimin e anëtarësimit të legjislaturave aktuale dhe të ardhshme të parlamentit. Për këtë qëllim, ata kërkojnë dhe mirëpresin ndihmën e Parlamentit dhe Komisionit Europian për standartet dhe praktikat më të mira. Kjo do të përfshijë ndryshimin e rregullave të Kuvendit për procedurat dhe të legjislacionit tjetër përkatës në mënyrë që të sigurohet një verifikim periodik i integritetit të anëtarëve të Kuvendit në lidhje me dënimet kriminale aktuale apo të kaluara dhe ndekjen penale të tyre për akuzat për krim të organizuar. Përveç kësaj legjislacioni i ndryshuar, do të sigurojë që individët të cilët rezultojnë të dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen një krimi serioz brenda apo jashtë Shqipërisë, të mos mund të mbajnë apo kandidojnë për poste publike.
 
3. Palët do të miratojnë ndryshimet në rregullat e procedurave të Kuvendit që garantojnë kohë të njëjtë të mbajtjes së fjalës ndërmjet Kryeministrit dhe kryetarit të grupit parlamentar të opozitës, apo të një përfaësuesi të caktuar prej tij, për çdo ndërhyrje të Kryeministrit në seancat plenare të Kuvendit.
/lapsi.al/
Albdreams Suplement eshte plotesues i Kompanise AlbDreams.Net

No comments: