Përshëndetja e Presidentit Topi, e përgatitur për t’u mbajtur në Lezhë
Në
historinë e një kombi, ashtu si në jetën e një njeriu, ka data e vende,
të cilat me simbolikën dhe rëndësinë e tyre mbeten të pazëvendësueshme,
kujtohen me respektin më të madh dhe frymëzojnë në rrugën drejt të
ardhmes. Shteti shqiptar ka heroin e tij kombëtar, Gjergj Kastriotin
Skënderbeun; shteti shqiptar ka edhe simbolin e tij – flamurin kuq e zi;
shteti shqiptar ka edhe simbolikën frymëzuese të tij – Kuvendin e madh
të Lezhës, njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë
kombëtare. Me Kuvendin e Fisnikëve Lezha u bë zemra e shqiptarizmit,
vendimet e tij u bënë gurë themeli i shtetit shqiptar të Skënderbeut;
jehona e tij frymëzoi disa dhjetëra breza shqiptarësh, - derisa ne sot,
nga Tirana dhe Prishtina, nga Tetova dhe Ulqini, mblidhemi për të
kujtuar me krenari e respektin më të thellë shtetëror, aktin e madh
patriotik, shtetëror, kombëtar dhe evropian të prijësave të Kuvendit të
Lezhës. 2 marsi mbetet dita – simbol e bashkimit, dita kur burrat e
mençur e të fortë, lanë mënjanë dasitë e vogla dhe vendosën të bëjnë
bashkimin politik të shqiptarëve. Ata hodhën themelet e shtetit të ri
evropian të shqiptarëve, dhe me këtë akt, iu kundërvunë njërës prej
perandorive pushtuese më të mëdha që ka njohur historia evropiane. Me
një ndërgjegje të lartë atdhetare, me vizionin e qartë për identitetin
dhe kombin shqiptar, me aftësinë politike për t’u bashkuar në një flamur
dhe atdhe, prijësat shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ia
dolën të themelojnë Besëlidhjen Shqiptare dhe bashkë me të, shtetin e ri
shqiptar. Akti i tyre është aq i madh e frymëzues saqë në shekuj me
radhë emri, flamuri, fjalët dhe vendimet e Lezhës u bënë lajmotiv i çdo
rezistence apo përpjekje për çlirim e bashkim kombëtar. Madhështia dhe
jehona e saj u përcoll brez pas brezi, mbajti të gjallë dashurinë për
vendin dhe ndjenjat patriotike, dhe jo rastësisht gjendet kudo si pikë
reference në të gjitha aktet e tjera të mëdha, që nga Lidhja e
Prizrenit, Kuvendi i Vlorës, Kongresi i Lushnjës deri në luftën e re
çlirimtare të Kosovës. Rrallë ndonjë ngjarje apo datë tjetër historike, e
ka fituar natyrshëm këtë respekt dhe status sa Gjergj Kastrioti me
besëlidhjen e prijësve në Lezhën e vitit 1444. Nder përjetë atyre
burrave të shquar, shtetarë e fisnikë, të cilët me aktet politike dhe
qëndresën e tyre ushtarake bënë që shteti shqiptar e Shqipëria të
mbijetojnë, dhe sot, shqiptarët të mbetën ashtu si në kohën e
Skënderbeut, populli më pro evropian në rajonin tonë. Festa e sotme nis
vargun e gjatë të aktiviteteve për nder të 100-vjetorit të shtetit
modern shqiptar. Në festa ashtu si në ditëlindjet e njeriut, thuhen
vetëm urime dhe fjalë të mira. Shqiptarët kanë arsye t’i gëzohen
bilancit historik 100-vjeçar, sepse sot kemi një Shqipëri evropiane,
kemi Kosovën si një shtet të dytë shqiptar dhe evropian, siç kemi një
komb shqiptar vital, të lirë dhe evropian. Urimet tona janë sot për më
shumë progres dhe mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen,
për arritje më të mëdha e të prekshme në rrugën tonë të demokracisë,
shtetit të së drejtës dhe integrimit, por mbi të gjitha, për një shoqëri
e komb shqiptar që rriten, forcohen dhe bëhen, ashtu siç aspironin
rilindasit tanë, një kopsht i begatë në Evropën Juglindore. Duke nderuar
sot Kuvendin e Lezhës, madhështinë dhe aktet historike të prijësave
shqiptarë, Skënderbeun dhe veprën e tij të pavdekshme, kemi detyrimin që
sot në Lezhën e bekuar nga Zoti, të shohim së bashku nga e ardhmja, për
një bashkim energjish dhe forcash në interes të qytetarëve dhe të
vendit. Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa simbolika e
Besëlidhjës së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse,
- ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe
përgjegjshmëri; - si një detyrim moral, politik, institucional dhe
atdhetar para qytetarëve, vendit dhe interesave madhore të tij.
Shqipëria dhe kombi shqiptar ka nevojë për një besëlidhje rreth vlerave
dhe normave demokratike, një sjellje e mentalitet politik që shikon larg
nga selitë politike apo interesat e momentit, një bashkim të energjive
dhe vullneteve politike e qytetare më të mira,
•për të kuptuar më mirë shansin historik të kombit shqiptar,
•për të përsosur modelin e shtetit në shërbim të qytetarëve,
•për ta bërë shoqërinë më humane dhe qytetarët më aktivë,
•për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta,
•për të forcuar kulturën demokratike dhe pavarësinë politike dhe ekonomike të qytetarit të lirë,
•dhe kështu, për të bërë gjithçka çfarë pritet nga ne, çfarë u kemi borxh qytetarëve dhe çfarë shqiptarët meritojnë, për shtet e komb shqiptar në mirëqënie, zhvillim, stabilitet demokratik dhe pa humbur kohë, - të bashkuar në familjen e madhe evropiane. 100-vjetori i shtetit shqiptar e meriton këtë reflektim, - të frymëzohemi dhe të mësojmë nga e kaluara për ta ndërtuar sa më të sigurtë të ardhmen tonë. Kjo është arsyeja që kam bindjen se të gjithë shqiptarët do të donin sot të ishin në Lezhë për t’u bërë pjesë e nderimit, respektit, reflektimit dhe angazhimit, duke e bërë këtë festë dhe mesazhet e saj - edhe më madhështore, më fisnike dhe më atdhetare, siç bënë të parët tanë 568 vite më parë. Edhe njëherë nderim e përulje me respekt për Lezhën, për Kuvendin e Fisnikëve dhe Besëlidhjen e Lezhës, për Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe për të gjithë ata breza që u frymëzuan e sakrifikuan jetët e tyre në shërbim të shtetit shqiptar, kombit dhe shqiptarizmit!

No comments:
Post a Comment