Sqarohet mospjesëmarrja e Presidentit Topi në 568 vjetorin e Kuvendit të Lezhës: Iu mohua fjala
Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit të
Republikës sqaron se: “Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë
ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë
zyrtare në përkujtim të 568 vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në përputhje
me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit
shqiptar më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e
tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e
cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë. Në prag të
ceremonisë, më datë 2 mars 2012, Kabineti i Presidentit të Republikës ka
marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit
Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë
ceremoni. Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë
zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si
mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si
dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund
të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni. Në këto rrethana,
Presidenti e gjykon të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit
të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit
shqiptar, të komunikojë me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë
me mesazhin, të cilin në rrethana normale të një vendi demokratik, do të
duhej të lexohej në ceremoninë solemne në Lezhë."
No comments:
Post a Comment