Monday, June 6, 2011

Babai i Griseldës: Elvis Roshi e përdori vajzën time për fushatë

Muhamet Zaimi, babai i Griselda Zaimit, akuzon kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, se përdori vajzën e tij në fushatë, ndërsa tani shprehet se e kishte vetëm të dashur.Babai i vajzës, që u bë personazh publik nga ngjarja e javës së kaluar, nuk jep shumë shpjegime dhe as nuk komenton ato çfarë tha dy ditë më parë Elvis Rroshi në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama”. I ati i Griseldës na drejton të rishikojmë videon kur ai shfaqet me Griseldën gjatë fushatës, një provë që sipas tij është tregues i dukshëm se për çfarë i ka interesuar vajza Elvis Roshit. Babai i Griseldës tregon se privatisht po investon me mjekë psikologë për kurimin e së bijës, e cila është në gjendje jo të mirë pas ngjarjeve që kanë ndodhur. Prej gjashtë ditësh e gjithë vëmendja e opinionit publik është përqendruar te Griselda Zaimi, vajza që deri para pak ditësh konsiderohej si bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Kavajë. Që prej momentit kur denoncoi rrëmbimin dhe më pas kur Griselda pranoi në Prokurori se nuk ishte rrëmbyer, madje nuk kishte qenë kurrë shtatzënë, “bashkëshortja” e kryebashkiakut të Kavajës ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike. Në pallatin ku banon familja Zaimi, e larguar prej vitesh nga Përmeti dhe e vendosur në zonën “Ali Demi” në Tiranë, të gjithë flasin për këtë histori. Fqinjët, banorët e zonës përreth, rojet e pallatit, komentojnë me njëri-tjetrin atë çfarë kanë mësuar. Ata thonë se ndiejnë keqardhje për të zotin e shtëpisë, Muhamet Zaimin, pasi për ta ai është një njeri i nderuar, një intelektual dhe një zotëri që pavarësisht asaj çfarë i ndodhi për ta duket i pamposhtur, edhe pse pranojnë se kjo ngjarje e ka tronditur dhe e ka lodhur shumë. Muhameti po shkon drejt të 70-ave dhe, ashtu si dikur që punonte si ekonomist për të siguruar jetesën e tri vajzave të tij, edhe sot, edhe pse në moshë të thyer, vazhdon të mbajë “gjallë” familjen. Madje tani e ka edhe më të vështirë, pasi gruas së tij, Alies, i duhet të kujdeset për të dy vajzat e saj, Arbanën, tashmë edhe Griseldën, të cilën bashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, e ktheu të mërkurën tek prindërit e saj. E vetmja mbështetje për të në këto ditë të vështira ka qenë vajza e tij e madhe, e cila është e martuar dhe jeton në Francë. “Veç asaj që i ndodhi, prania dhe interesi i medias e ka shqetësuar shumë”, thonë rojet e pallatit, të cilët më tregojnë se Muhameti u ka kërkuar të mos lejojnë asnjë gazetar të futen brenda oborrit të pallatit. Në kohën kur rojet këmbëngulnin që “vizitorët” të qëndrojnë larg pallatit, aty afrohet babai i Griseldës, Muhameti. Ishte ora rreth 19:00 e mbrëmjes dhe Muhameti po kthehej në shtëpi, pasi kishte bërë pazarin. Në të dy duart mbante dy qese me ushqime, perime dhe bukë dhe ecte ngadalë e me kokën ulur. Më shumë se ushqimet që mbante në duar, duket se Muhametit i rëndon situata që po kalon ai dhe familja e tij këto ditë, pasi e shohim që ecën gati i kërrusur. Komunikimi me të ishte si më poshtë:
Zoti Muhamet, ju kërkoj ndjesë për shqetësimin që ju kemi sjellë këto ditë…
Të lutem shumë. Të kam si vajzën time. Më lër në hallin tim. Ju duhet ta merrni me mend se çfarë po kaloj.
Ju lutem, një reagim për gjithë këtë që ka ndodhur?
Nuk kam çfarë të reagoj. Nuk dua të flas. Ju kam parë që vini çdo ditë dhe nuk dua të flas me asnjë gazetar. Kam shqetësimet e mia.
Besoj jeni në dijeni të deklarimeve që ka dhënë zoti Elvis Rroshi në gazetën “Panorama”?
E di, e kam parë dhe nuk më intereson. Le të thotë çfarë të dojë, nuk dua të komentoj asgjë. Ai ka mendimin e tij, unë kam mendimin tim. Çfarë rëndësie ka kjo tani?
Por Elvis Rroshi është shprehur se Griseldën e kishte të dashur, se ajo nuk ishte e fejuara e tij, madje nuk do të martoheshin?
Të lutem shumë. Ai le të thotë çfarë të dojë. Ka video për këtë punë. Ai e përdori vajzën time në fushatë. Tani le të shprehet në mënyrën e tij, nuk dua ta komentoj asgjë çfarë thotë. Janë videot që i kanë parë të gjithë. Mund t’i rishikoni.
Po Griselda si ndjehet tani? Si është shëndeti i saj?
Griselda do të bëhet mirë. Unë po kujdesem privatisht për shëndetin e saj, me mjekë, me psikologe. Ajo do të bëhet mirë.
Muhamet Zaimi më pas largohet, pasi thotë se do të shkojë në shtëpi me një mimikë që i rrezaton mirësi në fytyrë, ai përshëndet dhe largohet. Ndërsa ai arrin shkallët e katit të parë të pallatit dhe i afrohet hyrjes së godinës së banimit lart te ballkoni i apartamentit të tij bashkëshortja e tij, nëna e Griseldës, Alia, e ka ndjekur nga lart gjithë çka ndodhur në oborrin e pallatit. Ajo duket mjaft e shqetësuar.Muhamet Zaimi, babai i Griselda Zaimit, akuzon kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, se përdori vajzën e tij në fushatë, ndërsa tani shprehet se e kishte vetëm të dashur.

ETLEVA DELIA

No comments: