Monday, October 10, 2011

Zgjedhjet për strukturat në PD, negociatat sekrete për emrat e rinj

SHKRUAN: Nevila Perndoj 10-10-2011 11:12
TIRANË I angazhuar prej një dekade në strukturat e larta të Partisë Demokratike, anëtari i kryesisë dhe ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, mund të jetë e vetmja surprizë e zgjedhjeve të afërme në selinë blu për nënkryetarët dhe sekretariatin. I renditur i dyti në listë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së për kryesinë e re, Sokol Olldashi shihet si kandidatura më favorite për numrin dy në PD, atë të Sekretarit të Përgjithshëm. Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën “MAPO” se në votimin e afërm për zgjedhjen e strukturave të larta të partisë nuk do të ketë surpriza për dy nënkryetarët, ndërsa po diskutohet fort emri i Olldashit për të zëvendësuar Ridvan Boden, zyrtarin hijerëndë të Partisë Demokratike, që deri më tash ia ka dalë me organizimin e strukturave të kësaj partie. Andaj, largimi i mundshëm i Bodes mund të shihet më së shumti si një mundësi për rifreskim dhe kontribut të shtuar në realizimin e kësaj detyre. Ridvan Bode është gjithashtu ministri më i rëndësishëm në kabinetin “Berisha”, duke e bërë thuajse të pamundur pas gjashtë vitesh pune si ministër alternimin e dy funksioneve, që sa të ndryshme, aq edhe të rëndësishme janë.
Pakti
Sa kohë që kryetari i partisë ndihmohet në punën e tij nga dy nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm, do të jetë sërish Berisha, i cili do të përcaktojë kandidaturat për postet në fjalë. Praktika e deritanishme ka treguar se kryetari i demokratëve ka përballë në votime një kandidaturë të fortë dhe një të dobët, duke lëshuar apriori një sinjal të qartë tek anëtarët e Këshillit Kombëtar se për kë duhet votuar. Këtë gjë në fakt, ai e ka bërë edhe për zgjedhjen e sekretariatit, ndërkohë që në bazë të statutit, Berisha ka të drejtën ekskluzive që të zgjedhë pa votim zëdhënësin e partisë dhe Sekretarin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Burime nga PD-ja sqaruan për gazetën se posti i dy nënkryetarëve nuk do të ndryshojë. Pra, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi do të përfshihen sërish në proces votimi kundrejt kandidaturave më pak të votuara, aq sa rezultati i votimit nuk mund të sjellë ndonjë risi për secilin nga emrat. Ajo që do të jetë interesante është votimi për Sekretarin e Përgjithshëm, njeriu i cili organizon funksionimin e përditshëm të partisë si dhe garanton zbatimin e akteve të nxjerra nga organet qendrore në degët e PD-së në bazë. Ashtu si për nënkryetarët, edhe për Sekretarin e Përgjithshëm rolin kyç do ta luajë vetë kryeministri Sali Berisha. Burime konfidenciale bëjnë të ditur për gazetën “MAPO” se,
në rast se në bisedat paraprake kreu i ekzekutivit do të bindet për një largim të Bodes (të kërkuar ndoshta edhe nga ky i fundit), atëherë në skenë do të futet emri i Olldashit, si kandidatura më favorite. Burimet saktësojnë se Bode mund t’i kërkojë Berishës një largim të butë, vetëm nëse në listën e kandidaturave për postin e Sekretarit të Përgjithshëm do të përfshihet Sokol Olldashi, një emër të cilin me sa duket, Bode e ka mbështetur jo pak gjatë jetëgjatësisë politike në PD. Në anën tjetër, Olldashi është parë në PD si një emër i sprovuar në strukturat partiake, ku angazhimi i tij në bazë deri më tani ka qenë i frytshëm. Vetë Olldashi nuk e ka mohuar, por as edhe pohuar mundësinë e përfshirjes së tij në garën e ethshme për postin numër dy të partisë. Emri i tij është kuotuar së fundmi si më favoriti, edhe pas deklaratës së një tjetër figure të rëndësishme aq edhe ambicioze në PD, Lulzim Basha, i cili kësaj here përjashtoi mundësinë e angazhimit të tij në strukturat drejtuese të partisë.
Emrat e rinj
Në bazë të statutit, Këshilli Kombëtar zgjedh me votim të fshehtë jo vetëm dy nënkryetarët e partisë, sekretarin e përgjithshëm, por edhe sekretarët funksionalë. Nisur nga votimi i fundit për kryesinë e re, kryeministri Sali Berisha pritet të bëjë një alternim të kontributeve, me votat që morën secili prej kandidatëve. Berisha pritet të rifreskojë jo pak sekretariatin, duke futur në lojë edhe emra ambiciozë në këto vite qeverisjeje nga PD-ja. Një prej tyre pritet të jetë edhe ajo e deputetes Mesila Doda, e cila përflitet për postin e Sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun. Për postin e Sekretarit Ligjor në PD, kandidatura më favorite është ajo e Ilir Rusmalit, por nuk përjashtohet edhe emri i Oerd Bylykbashit, ekspertit zgjedhor të PD-së, aktualisht shefi i kabinetit të kryeministrit Sali Berisha. Për çështjet ekonomike, përflitet emri i Edmond Spahos, i cili çuditërisht u rëndit i treti për nga votimi për kryesinë e re. Ndërsa nuk dihet se kush do të jetë i emëruari i Berishës për postin e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, detyrë të cilën deri më tani e mban Gert Bogdani.

No comments: