Thursday, October 13, 2011
Obama: Kemi prova për komplotin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se Uashingtoni garanton që Irani “do të paguaj një çmim” për tentativën për atentat ndaj ambasadorit saudit në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, deklaroi pas akuzave të Iranit për shpifje se Uashingtoni i ka të gjitha provat për të vërtetuar orkestrimin e një atentati ndaj ambasadorit saudit.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Obama akuzoi qeverinë iraniane për një sjellje tërësisht të papërgjegjshme.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit informoi se ka kontaktuar me Teheranin zyrtar, për të diskutuar komplotin. Ditën e martë, dy persona u arrestuan në Nju Jork, me akuzën se po organizonin vrasjen e përfaqësuesit të Arabisë Saudite në Uashington.
”Faktet i kemi në dorë dhe të gjithë mund t’i shohin”, tha Obama gjatë konfernecës. “Të jeni të sigurt se nuk do ta kishim çuar përpara këtë çështje, nëse nuk do të kishim të gjitha të dhënat që mbështesin versionin tonë. i kemi të gjitha provat dhe do t’i bëjmë shumë shpejt publike”.
Ndërkohë, Arabia Saudite e ka akuzuar Iranin se po përpiqet të sigurojë ndikim ndërkombëtar përmes vrasjeve, pasi Shtetet e Bashkuara e akuzuan Teheranin si ideator të një komploti për vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Washington. Ministri i Jashtëm saudit, Princi Saud al-Faisal tha sot gjatë një vizite në Australi se vendi i tij po përpiqet për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve të Iranit dhe se nuk përkulet para presioneve.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment