Edhe pas vdekjes Muamar Gedafi u bë shkak debati për liderët e rinj të Libisë, për vendin se ku duhej të varrosej ish-i forti i vendit, por edhe për kërkesën e hapjes së një hetimi nga OKB-ja për minutat e fundit të jetës dhe vrasjen e tij. Vdekja e Gedafit i dha fund konfliktit tetëmujor në Libi. Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Libi ka njoftuar se Gedafi do të varrosej të premten, sipas ligjit islamik, i cili kërkon varrim brenda 24 orëve. Por Ali Tarhouni, ministri që konfirmoi për Këshillin vdekjen e Gedafit, tha se varrimi do të vonohet për shkak të hetimeve në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij dhe debati për vendin se ku duhej të varrosej. Zyrtarët nuk dhanë asnjë detaj mbi vendin apo kohën e varrimit. Gedafi dhe djali i tij Mutasim janë vrarë që të dy në rrethana që nuk janë shumë të qarta dhe trupat e tyre janë trajtuar si trofe për luftëtarët rebelë. Reagimi i OKB-së mbi brutalitetin gjatë minutave të fundit të Gedafit e ka trembur Këshillin e Tranzicionit. KT ka njoftuar se Kolonel Gedafi u vra pa dashje gjatë shkëmbimit të zjarrit mes besnikëve të Gedafit dhe rebelëve në Sirte, dhe nuk ka detajuar nëse djali i tij, Mutasim, u kap i gjallë apo i vdekur. Por një video e re e publikuar të premten ka treguar se Mutasim është kapur i gjallë, dhe fotot e videot e të atit të tij, të cilat janë publikuar para dhe pas vdekjes, tregojnë qartësisht se me ta është abuzuar dhe se janë ekzekutuar nga afër. Kufomat e Gedafit dhe të birit po ruhen deri sa të zgjidhen planet për varrimin tij. Një çështje e re mbi Gedafin është kërkesa që ka bërë Navi Pillay, zyrtarja më e lartë e të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara, e cila ka kërkuar zyrtarisht një hetim, pasi raportimet se Gedafi ishte kapur gjallë dhe ekzekutuar, si dhe videot e transmetuara ishin “shumë shqetësuese”.
Vdekja e Mutasimit
I ulur, i mbështetur në një mur dhe duke pirë një cigare, por edhe duke kthyer nga një gllënjkë nga një shishe uji, kanatierja e tij e bardhë e mbuluar me gjak, këto ishin minutat e fundit të djalit besnik të Gedafit, Mutasim, pasi ai ishte kapur nga rebelët. Mutasim, një oficer i lartë ushtrie dhe këshilltar sigurie, u fotografua më pas gjallë dhe i shtrirë në një dyshek. Herën tjetër që fotoja e tij u publikua, ai ishte i vdekur në një dyshek në tokë i qëlluar në kraharor dhe stomak. Radha e ngjarjeve që ka të bëjë me vdekjen e Mutasimit është e paqartë. Një burim nga Ushtria tha se mund të konfirmonte vetëm se ai ishte qëlluar në qafë dhe vrarë. Mutasim ishte larguar në Egjipt pasi organizoi një grusht shteti të dështuar kundër të atit. Më pas, ai u fal dhe u kthye në krah të Gedafit si këshilltar i sigurisë kombëtare.
Aksioni
Të enjten, një bombardim përfundimtar u lançua nga Tornadot RAF, të cilët sinjalizuan hedhjen e bombave nga avionët francezë. Gedafi dhe i biri, Mutasim, ishin në të njëjtën makinë, e cila u kthye në Sirte, ku u ndoq nga rebelët. Të paktën 50 besnikë të Gedafit u vranë nga bombardimet në rreth 100 makina që po largoheshin nga qyteti. Gedafi, i plagosur në të dyja këmbët, u largua përmes pemëve bashkë me disa besnikë dhe u fshehën në tubat e betonit, ku edhe u spikatën nga rebelët. Një sërë videosh u publikuan në internet, ku ai lutej për mëshirë. Pak momente pasi u filmua kjo video, besohet se Gedafi është qëlluar i ekzekutuar nga rebelët përpara një turme të madhe njerëzish. Por dje, korrespondenti i CBC, që ishte i pranishëm, tha se Gedafi ishte qëlluar nga një prej besnikëve të tij në mënyrë që t’i evitonte poshtërimin. Ka pasur edhe raportime të tjera se ai ishte qëlluar gjatë një konflikti brenda ambulancës që po e çonte atë në spital apo se atë e kishte kapur plumbi gjatë shkëmbimit të zjarrit. Një video tregonte kufomën e Gedafit që tërhiqej zvarrë nëpër rrugët e Sirtes, përpara se t’i bënin edhe një paradë në turmat festuese në Misrata.
Grate e Gedafit
- Martesa e parë e Gedafit me mësuesen Fatiha al-Nuri zgjati më pak se një vit. Çifti kanë një djalë, Mohamed, por u nda dhe për të nuk dihet asgjë që pas divorcit, në vitin 1970.
- Aisha, e bija e Gedafit, 34 vjeçe, e arratisur në Algjeri. E njohur si Klaudia Shifer e Afrikës Veriore, vajza bionde e Gedafit ka drejtuar tubimet pro të atit të Tripoli. Ishte avokate në trupin mbrojtës në gjyqin e Sadam Husein.
- Safiyah, 60 vjeçe, e arratisur, gruaja e Gedafit prej 40 vitesh. Është nëna e shtatë fëmijëve të Gedafit, çifti ka adoptuar edhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Ajo është e famshme për përdorimin e avionëve privatë për të bërë blerje veshjes në Europë dhe ishte pronare e linjës ajrore “Buraq Air”. Pasuria e saj personale vlerësohet rreth 19 miliardë euro, përfshirë 20 tonë flori. Ajo u arratis në Algjeri bashkë me Aishën, në gusht.
Përveç grave të familjes, lideri libian ishte i rrethuar nga një gardë e gjerë femërore, të cilat zotoheshin të luftonin deri në fund të jetës për të. Koloneli kishte gjithnjë pranë edhe katër infermiere, nga të cilat, një bjonde voluminoze ishte më e afërta e tij.
Dita e fundit e Gedafit
8:30 – Avionët francezë sulmojnë konvojin me të cilin Gedafi po udhëtonte dy milje në perëndim të Sirtes. 15 kamionë të armatosur u shkatërruan nga ky sulm. Gedafi i plagosur, i shoqëruar nga disa burra besnikë, kërkon strehim në një nga tubacionet e stuhisë. Forcat rebele fillimisht qëlluan nga larg dhe më pas u afruan në këmbë.
11:05 – Forcat rebele njoftuan se zonat e fundit të mbetura të Sirtes janë marrë prej tyre dhe se luftëtarët po kërkonin nëpër shtëpi dhe ndërtesa për të gjetur besnikë të Gedafit.
14:00 – Pas shkëmbimit të të shtënave, Gedafi u zbulua i fshehur në tubacionin e stuhisë.
14:56 – “Reuters” raportoi se Gedafi ka vdekur nga plagët e marra gjatë kapjes.
15:00 – Festime në Libi nga lajmi i kapjes së Gedafit.
15:44 – Imazhet e marra me celular tregonin Gedafin me rroba dhe fytyrën të mbuluar në gjak.
16:02 – TV “Al-Jazeera” transmeton imazhe tronditëse të një burri që ngjasonte me Gedafin të shtrirë në tokë dhe të plagosur keq, duke i rrjedhur gjak nga koka dhe i lidhur nga kyçet, ndërsa luftëtarët e përplasin atë në trotuar.
16:31 – AFP raportoi se djali i Gedafit, Mutasim, është gjetur i vdekur në Sirte.
16:30 – Kryeministri në detyrë në Libi, Mahmoud Jibril, konfirmoi në TV vdekjen e Gedafit.
16.59 – Al-Jazeera tregon video të trupit të Gedafit që tërhiqej zvarrë nëpër shesh.
17:25 – Raportohet se trupi i Gedafit ka mbërritur në Misrata.
No comments:
Post a Comment