Sunday, October 16, 2011

AFORIZMA NGA BENJAMIN FRANKLIN (1706-1790)

Një fshatar midis dy gjyqtarëve është si peshku midis dy maceve.

Një ndërgjegje e mirë është një Krishtlindje e pafund.

Një perandori, si një tortë e madhe, është më e lehtë të kafshohet anash.
 
Një shtëpi nuk është banesë nëse nuk ka ushqim dhe zjarr për mendjen dhe për trupin.
 
Një kokëtrashë i shkolluar është më kokëtrashë se kur është injorant.
 
Një qindarkë e kursyer është një qindarkë e fituar.

Një njeri i mbështjellë në vetveten është një deng shumë i vogël.
 
Një vend për gjithçka, gjithçka në vendin e vet.

Një e çarë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.
 
Admirimi është fëmija e injorancës.

I gjithë njerëzimi është ndarë në tri klasa: ata që janë të palëvizshëm, ata që janë të lëvizshëm, dhe ata që lëvizin.
 
Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.
 
Duke dështuar së përgatituri, ju po përgatiteni të dështoni.
Asgjë nuk është e qartë në këtë botë përveç vdekjes dhe taksave.
 
Kënaqësia i bën të varfërit të pasur, pakënaqësia i bën të pasurit të varfër.
 
Huadhënësit kanë kujtesë më të mirë se borxhlinjtë.
 
Zelli është prind i fatit të mirë.

Mosbesimi dhe vëmendja janë prindërit e sigurisë.
 
Bëju mirë miqve tu, që t’i mbash; bëju mirë armiqve tu, që t’ua fitosh zemrën.

Mos e shpërdoro kohën, sepse është lënda prej së cilës përbëhet jeta.
 
Ha për të kënaqur veten, por vishu për t’i kënaqur tjerët.
 
Ose shkruaj diçka që ia vlen ta lexosh, ose bëj diçka që ia vlen ta shkruash.
 
Energjia dhe këmbëngulja pushtojnë gjithçka.
 
Përvoja është mësuese e mirë, por budallenjtë nuk mësojnë prej asgjëje tjetër.
 
Lojërat grasatojnë trupin dhe mendjen.

Gjeniu pa shkollim është si argjendi në minierë.
 
Zoti i ndihmon ata që e ndihmojnë veten.
 
Mysafirët, si peshku, fillojnë të bien erë pas tri ditësh.

Një gjysmë e vërtetë është shpesh një gënjeshtër e madhe.
 
Të jesh i varfër nuk është turp, por të kesh turp për këtë, është turp.
 
Ai nuk e zotëron pasurinë; pasuria e zotëron atë.
 
Ai që ka durim, mund të ketë çfarë dëshiron.
 
Ai që kompozon veten është më i zgjuar se ai komopzon një libër.
 
Ai që jua ka bërë një të mirë do të jetë më i gatshëm t’jua bëjë një tjetër se ai që ju i keni bërë mirë.

Ai që është i zoti të shfajësohet, rrallë është i zoti për diçka tjetër.
 
Ai që mendon se paraja bën gjithçka, mund të dyshohet se bën gjithçka për paranë.
Ai që jeton duke shpresuar, mund të vdesë esëll.
 
Ai që rrit një familje të madhe, mund të ketë një jetë plot me keqardhje, por pastaj do të ketë një kënaqësi sa jeta.
 
Ai që nuk mund të këshillohet, nuk mund të ndihmohet.

Ai që dëshiron të jetojë në paqe dhe kollajllëk, duhet të mos flasë për gjithçka që di dhe gjithçka që sheh.
 
Ai që është i sigurtë nuk është i parrezikuar.

Ai që bie në dashuri me veten nuk ka rivalë.

Dëgjoje arsyen ose ajo do t’ju bëjë ta dëgjoni.

Ndershmëria është politika më e mirë.
 
Sa pak janë ata që kanë guximin t’iu dalin zot gabimeve të tyre, apo vendosmërinë t’i përmendin ato.
 
Lumturia njerëzore nuk është ndërtuar aq shumë nga pjesët e mëdha të fatit të mirë sa nga përparësitë e vogla që ndodhin çdo ditë.
 
Unë arrij në përfundimin se pjesa më e madhe e të këqijave të njerëzimit kanë ardhur nga vlerësimet e gabuara që iu janë bërë vlerave të gjërave.
 
Nuk më bën aq keq mosha e vjetër sa më bëjnë mbipesha dhe mosha e vjetër.
 
Mendoj se vdekja është e nevojshme për ne aq sa gjumi. Ne do të zgjohemi të freskët në mëngjes.
 
Kam parë pak të kenë vdekur nga uria, kam parë me qindra të kenë vdekur nga ngrëniet.
 
Unë zgjohem çdo mëngjes në nëntë dhe nxitoj të lexoj gazetën e mëngjesit. Pastaj shikoj te nekrologjitë a është emri im, e pastaj zgjohem nga shtrati.
 
Nëse njeriu do të kishte gjysmën e dëshirave të tij, atëherë do t’i dyfishonte telashet e tij.
 
Nëse njeru do ta zbrazte kuletën e tij në kokën e tij, askush nuk mund t’ia nxirrte që andej.
Nëse të gjitha shtypshkronjat nuk do të shtypnin asgjë pa qenë e sigurtë se nuk përmbajnë fyerje, atëherë asgjë nuk do të botohej.
 
Nëse pasioni u drejton juve, atëherë lere arsyen të mbretërojë.
 
Nëse dëshironi shumë gjëra, atëherë shumë gjëra do t’ju duken pak.
 
Nëse dini të shpenzoni më pak se merrni, atëherë e keni gurin filozofik.
 
Nëse doni një shërbëtor besnik dhe që ju e pëlqeni, atëherë shërbejini vetes.
 
Në përgjithësi njerëzimi, që nga koha e përmirësimit të gatimit, ha dyfishin e asaj që kërkon natyra.
 
Është shumë më e lehtë t’i parandalosh zakonet e këqija se t’i heqësh ato.
 
Është shumë më e lehtë ta frenosh një dëshirë se t’i kënaqësh të tjerat që vijnë pas.
Vetëm kur të pasurit sëmuren e kuptojnë plotësisht pafuqinë e pasurisë.
 
Është syri i të tjerëve që na rrënon ne. Nëse do të isha i verbër nuk do të doja as rroba të bukura, as shtëpi të bukur, as mobilje të bukura.
 
Njeriu i papërtuar është njeri i lumtur. Përtaci është njeri i mjerë.

Duhen plot punë të mira që të krijosh reputacion të mirë, dhe duhet vetëm një punë e keqe që ta humbasësh atë.
 
Mbaji sytë hapur para martesës, gjysmë të hapur pas martesës.
 
Ligjet e butë rrallë përfillen; ligjet e ashpëra rrallë zbatohen.
 
Tragjedia e jetës është se ne plakemi tepër shpejt dhe mençurohemi tepër vonë.
 
Koha e humbur nuk gjendet kurrë më.
 
Shumë njerëz mendojnë se janë duke e blerë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë janë duke e shitur veten tek ajo.
 
Shumë dhelpra thinjen, por tepër pak bëhen të mira.
 
Shumë njerëz vdesin njëzet e pesë vjeç dhe varrosen kur janë shtatëdhjetë e pesë vjeç.
Imja është më e mirë se e jotja.
 
Kurrë mos e ngatërro lëvizjen me veprimin.

Nevoja nuk lejon kurrë pazar të mirë.

Një e sotme vlen sa dy të nesërme.
 
Më mirë shko në shtrat pa ngrënë se të zgjohesh me borxhe.

Kryengritja ndaj tiranëve është bindje ndaj Zotit.
 
Kujtohu jo vetëm t’i thuash gjërat e duhura në vendin e duhur, por shumë më tepër të lësh pa thënë gjërat e gabuara në momentin tundues.
 
Mos harro se huaja është para.
 
Të egër i quajmë ata zakonet e të cilëve ndryshojnë nga tonat.
 
Ai qesh me çdo gjë që thoni ju. Pse? Sepse ai ka dhëmbë të bukur.
 
Mos fol keq për askënd, por fol sa më mirë që të dish për çdo njeri.
 
Më trego dhe unë harroj. Më mëso dhe mbaj mend. Më përfshij dhe mësoj.
 
Ata që mungojnë nuk mbeten kurrë pa faj, ata që janë të pranishëm nuk mbeten kurrë  pa u falur.
 
Dyert e dijes nuk mbyllen kurrë.
 
Dera kryesore e tempullit të dijes është pranimi i injorancës sonë.
 
Syri i mjeshtrit bën më shumë punë se të dyja duart e tij.
 
Ligji më i rreptë nganjëherë bëhet padrejtësia më e rëndë.
 
Kushtetuta e SHBA nuk e garanton lumturinë, vetëm kërkimin e saj. Duhet ta arrish vetë lumturinë.

Rrota më e keqe e një qerreje bën zhurmën më të keqe.
 
Janë tre miq besnikë – një grua e vjetër, një qen i vjetër, dhe paratë në dorë.
Janë tri gjëra tejet të rënda: çeliku, diamanti, dhe njohja e vetes.

Nuk ka kurrë luftë të mirë apo paqe të keqe.
Tre veta mund ta mbajnë një sekret vetëm nëse dy prej tyre kanë vdekur.
Për ta zgjatur jetën, lehtësoi të ngrënat.
Për të pasur sukses, rend shpejt tek mundësitë, siç bëni me konkluzionet.

Nesër çdo gabim mund të ndreqej, por e nesërmja nuk vjen kurrë.
Dinakëritë dhe tradhtitë janë praktika të budallenjve, që nuk kanë mjaft tru për të qenë të ndershëm.
Luftërat nuk paguhen në kohë lufte, fatura vjen pas tyre.

Ne kemi lindur injorantë, por duhet shumë punë për të mbetur të marrë.

Kur ke mbaruar së ndryshuari, atëherë ke marrë fund.

Ku ka liri, atje është vendi im.

Kush është i ditur? Ai që mëson prej gjithkujt. Kush është i fuqishëm. Ai që i qeveris pasionet e tij.
 
Njerëzit e zgjuar nuk kanë nevojë për këshilla. Budallenjtë nuk i pranojnë ato.
Puno sikur ke për të jetuar 100 vjet, lutu sikur ke për të vdekur nesër.

Humbjet shkruaji në pluhur, përfitimet shkruaji në mermer./Elida BUÇPAPAJ

No comments: