Tuesday, October 18, 2011

Belgjika: Mos kërkoni azil rrezikoni kthimin e vizave

Kërkesat në rritje të qytetarëve shqiptare për azil në Belgjikë kanë sjellë në Tiranë drejtorin për Imigracionin dhe Azilin në ministrinë e Brendshme Belge Freddy Rosemont.

Në takimin me Drejtorin e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, të zhvilluar sot paradite, u bë e ditur se vetëm në muajin tetor janë bërë 240 kërkesa për azil nga shqiptarët, ndërsa theksoi se të gjitha do marrin përgjigje negative. Burgaj deklaroi se ka nisur hetimi për të gjitha rastet abuzive.

“Në muajin tetor vihet re një tendencë rritjeje e shtetasve shqiptarë që shkojnë në Belgjikë për të kërkuar azil dhe do të marrim masa dhe do të hetojmë me intensitet të lartë çdo zyrtar ose shoqatë joqeveritare, të cilët me dokumente fiktive abuzojnë duke tejkaluar çdo komptencë ligjore me vërtetime, duke mashtruar qytetarët shqiptarë për të kërkuar azil në Belgjikë”,- theksoi Burgaj.

Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Imigracionit dhe Azilit, në Ministrinë Federale të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës u shpreh se gjatë muajit tetor ka qenë problematike fluksi i madh i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptar.

“Muaji tetor na ka vënë para një problemi të madh dhe numri i azilkërkuesve gjatë muajit tetor deri ditën e sotme llogaritet në 240 veta dhe përgjigjja ndaj kërkesës së tyre është jo dhe jemi të bindur që shqiptarët që vijnë në Belgjikë për të kërkuar azil nuk vinë spontanisht” , -nënvizoi Freddy Rosemont.

ROOSEMONT NE SHKODER: MOS KERKONI AZIL RREZIKONI KTHIMIN E VIZAVE

Pasdite drejtori i përgjithshëm i Imigracionit dhe Azilit, Fredyy Roosemont, vizitoi qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar një takim sensibilizimi. Pasi pikërisht nga ky qytet kanë ardhur kërkesat më të shumta për azil.

Fredyy Roosemont, theksoi se "nëse do të vijojë të jetë prezente një situatë e tillë e azil-kërkuesve, Shqipëria rrezikon të përballet me kthimin e regjimit të vizave".
Sipas tij, vetem në 14-ditëshin e parë të muajit tetor janë regjistruar 161 persona nga Shqipëria që kanë kërkuar azil në Belgjikë.

Fredyy Roosemont njoftoi se vetëm dje ( e hënë) ishin paraqitur edhe 50 shtetas të tjerë që kanë kërkuar azil për qëndrimin në Belgjikë. 60 % e azil kërkuesve shqiptarë vijnë nga Shkodra, ndërsa pjesa tjetër e azil- kërkuesve janë nga kryeqyteti dhe Kukësi, përkatësisht me nga 20 përqind secili"
(e.m/BalkanWeb)

No comments: