Doli nga shtypi libri: " KOSOVA - 10 DITET E PARA TE PAVARESISE" me njoftime kronologjike , komente dhe analiza nga axhensite me te njohura ne bote. Botimin e ka pergaditur Shoqeria Botuese " Kuvendi"
Shenimi hyres i botuesit Pjetër Jaku
“ Pavarësia” ishte e vetmja fjalë, që u lakua në të gjitha rasat, jo vetëm shkurtin e këti viti. Nuk ka fjalë në gjuhën shqipe, që të jetë përdorur më shume dhe, që të jetë ëndërruar më shumë, për t’u prekur. Në të vërtetë, pavarësia, jo vetëm në ëndrra, por u vu në themel të çdonjërit, nga të palindurit tek të pamundurit për ta ngrit dheun e tokës së larë më gjakun e tyre. E vetmja fjalë që e mori kuptimin e rritjes, te burrënimit, atë të të qënit të secilit Sovran i jetës së vet, Sovran i shpresës së tij, i ëndrrës së tij, i tokës së tij, i gjithëçkaje që i përkiste secilit prej te gjithëve. E vetmja fjalë, që nënkupton të lënit hapur të portës, pa patur frikë vrazhdësinë e gjuhës së grethave me “z”-t dhe “zh”-t sllave, pa patur frikë daljen për të hapur derën e moskthimit, derën e vdekjes, Të gjithë shqiptarët e kanë përjetuar këtë fjalë, me të gjitha dimensionet e saj, e kanë pritur realizimin, në të gjitha ëndrrat.
Kush e solli pavarësinë?
Së pari, do të vinte përgjigja: Pavarësinë e sollën ata që nuk janë dhe ata që ishin e janë me ta, me pavdekësinë e tyre.
Së dyti: e solli kolonizimi i tokave shqiptare dhe shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve nga trojet e tyre historike. Le te kujtojmë ligjin e 10 shkurtit 1865, që u jepte kolonisteve 3 ha tokë të punueshme për 3 ha tokë të papunueshme, si e si të sillte sa më shumë serbë në Kosovë. Pra. E solli ligji i 03 janarit 1880, ku qeveria serbe kishte llogaritur edhe shpenzimet ne favor të saj. Në qoftë se për shpërnguljen e 40 mijë familjeve shqiptare do të harxhohesin 600 miljon dinarë, për kolonizimin e po kaq familjeve do të duheshin vetëm 200 miljon.
Së treti dhe më e rëndësishmja: e solli 1913-ta dhe padrejtësia më e madhe që iu bë shqiptarëve në të gjitha kohrat, vetëm pse serbët kishin dalë fitimtarë në luftën kundër osmanëve. A duheshin shpërblyer ata me një dhuratë të tillë?
Së katërti: e solli Memorandumi i Çubriloviçit “ Dëbimi i shqiptarëve” , ku sipas tij destabilizimi i Serbisë na paska ardhur nga anarkistët shqiptarë. Ky memorandum i priu gjithë spastrimeve dhe dëbimeve të dhunshme, të qindra mijëra shqiptarëve për në Turqi dhe vende të tjera. Memorandumi famëkeq mban vitin 1937.
Së pesti: Pavarësinë e solli levizja studentore e pranverës së vitit 1981 dhe përgjakja e Prishtinës. E solli 1989-ta dhe ripushtimi i Kosovës, duke iu rikthyer edhe njëherë viteve 28-40, kur serbët vetëm në katër qytete( Pejë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prizren) ndërtuan 15943 shtëpi për kolonët serb. Kështuqë, Kosova ishte ripushtuar disa herë dhe në disa forma.
Së gjashti: e solli lufta dhe gjaku i bijëve të saj, i ushtarëve të Lirisë të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Së shtati dhe ndoshta së pari: E solli qendresa dhe durimi fenomenal ( biblik) i asaj politike që ndoqi i paharrueshmi Ibrahim Rugova dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij që, edhe pse ishin nën kërcënim të vazhdueshëm, ditën të punojnë bashkë e t’i bindin miqtë e mirë, për t’i ndihmuar, ashtu siç u bë.
Së teti: e solli dëbimi masiv, i paparë në historinë e popujve, të shqiptarëve nga trojet e tyre, veprim makabër ky i xhelatit Millosheviç.
Dhe, së nënti: E solli e drejta e kombeve për të vetëvendosur, e drejta për liri, e drejta për të qënë të pavarur. Këto e të tjerë faktorë, që e sollën Kosovën në pavarësi janë shkencërisht të përligjur, politikisht të padiskutueshëm, moralisht të ngjizur në një gjuhë, në të njëjta zakone dhe të njëjtat kompaktësi përbërësish, që i japin të drejtën një kombi, për të qënë i pavarur dhe për t’u vetëqeverisur, edhe pse serbët dikur perdoren tezën e mosditjes së vetëqeverisjes nga shqiptarët.
Veç këtyre, a mundet dhe si, që serbët, përjetësisht të qeverisin një komb, që nuk ka asnjë lidhje me ta? Si mundet, që 6 përqind e serbëve të Kosovës të qeverisin 92 përqind të shqiptarëvë? Kur, ku dhe si ka ndodhur kjo në ndonjë vend të botës?
Cila është përmbajtja e këti libri dhe për çfarë duhet të shërbejë?
Shoqëria Botuese “ Kuvendi”, me një veprimtari botuese 15 vjeçare, i ndoqi me shumë vëmëndje ngjarjet që kishin të bënin me Kosovën, që në krijimin e saj. Në mënyrë të veçantë dhe, me një objeksion të veçantë, i sistemoi ato në dhjetë ditët e para të Pavarësisë, duke bërë edhe njëfarë seleksioni për të shmangur përsëritjen. Njoftimet vijnë ditë pas dite dhe nga i gjithë spektri i politikës ndërkombëtare, pasqyruar në mediat më të njohura të botës, si dhe nga mediat shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë. Një sistemim i tillë duhet t’i mbetët historisë, si një dokument më vlerë dhe lehtësisht i kontrollueshëm, për të gjitha rastet, kur kërkohet t’i referohemi fakteve historike, që kanë të bëjnë me këtë evenimet të një rëndësie shumë të rëndësishme. Më lehtë do ta ketë historiani, pas shumë vitesh t’i referohet këti botimi, se sa të shfletoj qindra mijëra faqe gazetash, për një paraqitje të saktë. Më lehtë do ta kenë diplomatët të ndërtojnë punën e tyre dhe t’u përgjigjen problemeve, që mund t’u dalin në takime të ndryshme, më lehtë do ta ketë gjithëkush ka nevojë ta fiksojë ose, t’i rikthehet kësaj ngjarje për motive të çfarëdoshme, qoftë edhe krijuese. Kështu, ky botim mendojmë se mund të marrë edhe vlera arshivuese të kompaktësuara, jo të hallakatura. Veç njoftimeve, në këtë botim gjinden edhe qendrime të ndryshme për të njëjtin problem. Një vend të veçantë zë në këtë libër edhe qendrimi i diasporës shqiptare, sidomos në Amerikë.
Diaspora shqiptare në Amerikë në ditën e shpalljes së pavarësisë
Pak ditë pas shpalljes u takova me një nga aktivistët më të njohur të diasporës, këtu në Amerikë, që për disa vite kishte drejtuar një radioprogram në gjuhën shqipe, nga ku ishin bërë të gjitha thirrjet, për të dalë në demonstrata antijugosllave, sidomos nga viti 1981 e këndej.
Kujtim Qafa, sapo ishte kthyer nga Kosova, ku e kishte “prekur” pavarësinë, aty ku ishte shpallur. “ Jam i befasuar,-më thotë ai,- nga dy faktorë, që kanë të bëjnë me psikologjinë shqiptare për raste festash dhe gëzimesh të tilla. Vetëpërmbajtja dhe organizimi model nga organet qeverisëse. Asnjë mburrje triumfale, edhe pse ishte një triumf i padiskutueshëm, asnjë e shtenë armësh në gjithë Kosovën. E kush mund ta ndalë shqiptarin të përdorë armën në gëzime të tilla? Pra, për këtë rast ai u përmbajt. E kush mund ta respektojë qeverinë e tij më mirë se shqiptarët e Kosovës? Besoj askush!”
Kujtim Qafa ishte nisur me Prenk Domgjonin që të premtën, edhe pse nuk ishin ende të sigurtë, nëse pavarësia do të shpallej të dielën, me 17 shkurt 2008. Veç kësaj, flamuri 3 km në Prizren, ishte një befasi jasht imagjinates dhe mbajtja e tij prej 1878 vetave. Në të gjitha qytet kryesore të botës, ku ka shqiptarë të organizuar, ishin thirrur komisionet për të manifestuar këtë rast. Në New York ishte zgjedhur sheshi dhe njoftuar shqiptarët. Aty gazetari i njohur Gjekë Gjonlekaj do t’i jepte tonin e zjarrtë masës së madhe të njerëzve, duke revokuar raste nga puna e tij si gazetar ne “ Zerin e Amerikës”. Prenk Gjokaj, edhe pse me defekt ne makinën e tij, do të gjente mënyrën për të ardhur në Detroit, pa filluar manifestimi. Në Çicago, pas ndalimit të përdorimit të sheshit, do të gjendej salla për më shumë se 1600 vetë, që emocionet të mos ndrydheshin më. Në Boston, Ohio, Texas e kudo Amerikës, do të “plasnin” telefonat, duke uruar njëri tjetrin. Në të gjitha kafet shqiptare, do te mblidheshin, për të ndjekur momentin e shpalles së pavarësise dhe gjatë gjithë ditës do të qendronin aty. Mbasdite u organizuan tubime, ku e si munden, nga më të voglat në familje, deri tek tubimet e organizuara. Shumë prej këtyre momenteve janë të fiksuar në faqet e këti libri.
A është pavarëesia vetëm kaq?
Në rrethet shqiptare kudo në botë, krahas gëzimit, u diskutua shumë edhe ky model pavarësie, ku ende shqiptarët e Kosovës nuk e gëzojnë të drejtën, kur pakicat serbe ( vetëm 6 përqind ) mund të pengojnë ligjet kushtetuese, të vetmet pakica në botë që kanë të drejta të dyfishta, që mund t’u imponohen shumicës. Ku është demokracia në këtë rast dhe, sa do të zgjas kjo lloj qeverisje? Më mirë kështu se hiç! Hap pas hapi dhe ditë pas dite do të portretizohet shteti i Kosovës. Paketa Ahtisari nuk është e pandryshueshme, perderisa Kosova ka parlamentin e saj. Ndërkombëtarët nuk do të qeverisin përjetësisht. Nga 120 vendet në Paralmentin e Kosovës, 20 karrigat e pakicave janë pak si shume, kur ata janë vetëm 8 përqind e popullsisë. Për të gjitha këto etj.. etj.. ndoshta do të duhet edhe nje botim i dytë, ndoshta do të bëhën edhe disa sish.
Pjetër Jaku,
No comments:
Post a Comment