Tuesday, July 8, 2008

Silvana Braçe: Unë bëj pjesë tek ata shqiptarë që e shohin të bukur dhe me shpresë vendin e tyre


Albert Zholi

INTERVISTA/Silvana Braçe: Unë bëj pjesë tek ata shqiptarë që e shohin të bukur dhe me shpresë vendin e tyre

TVSH ndryshoi rrjedhën e jetës sime
Hyrje
Gjithnjë aktive dhe në lëvizje. Silvana Braçe ish- drejtuesja e qindra emisioneve televizive në TVSH tashmë vazhdon aktivitetin e saj në Itali dhe Diasporë. Me dhjetëra koncerte që zhvillohen mes bashkëatdhetarë ve shqiptarë në Itali, Zvicër dhe rrethina mbajnë vulën e saj jo vetëm si drejtuese, por dhe organizuese. Me pasionin e përhershëm, gjithnjë lozonjare dhe e brishtë dhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e saj, vazhdon të jetë gjithnjë e re dhe karizmatike. Ajo është një nga gratë shqiptare që mposhti çdo vështirësi dhe arriti të ruajë karrierën e saj artistike dhe jashtë kufijve duke mos bërë kurrë jetën e një emigranteje të thjeshtë, por duke e vazhduar aty ku e la në Shqipëri. E ndërsa vazhdon me pasionin dhe buzëqeshjen e saj miqësore të drejtojë aktivitetet e shqiptarëve Silvana vazhdon të jetë dhe një ambasadore e shkëlqyer e atdhedashurisë në të gjitha format dhe ngjyrimet e saj. Atdhedashuri që e përcjell me shumë pasion tek emigrantët shqiptarë dhe mbi të gjitha tek brezi i dytë, tek fëmijët që janë të shtrënguar të jetojnë larg vendlindjes së tyre, Shqipërisë.
Box 1
VESHJA
Duke qenë një grua imazhi duhet të keni një raport të mirë me veshjet. Shpenzoni shumë?
Më pëlqen të vishem bukur, por më tepër shpenzoj për veshjet e skenës, ndërsa për përditë kam veshje të thjeshta që nuk kushtojnë, por që duken bukur megjithatë, sepse unë, e kam një sekret, i interpretoj ato. D.m.th, qëndrimi, ecja, shkon në harmoni me çfarë unë kam zgjedhur për një rast të caktuar. Jam kursimtare përgjithësisht dhe për këtë unë pres lëvdata, por ndodh e kundërta.

Box 2
Emisioni i parë
Cili ka qënë emisioni i parë që keni drejtuar në televizion? A ka pasur një emocion të veçantë atë ditë?
Emisioni im i parë ka qenë “Midis këngëve”, ku vetëm për një fragment unë isha intervistuese në terren për dëshirat muzikore. Nuk kam patur emocione dhe nuk e kam ditur vlerën asaj dite të parë në ekranin e vogël. Pikërisht ky shpengim bëri përshtypje në publik, buzëqeshja dhe profesionistë t shtuan se në ekran u duk edhe një portret tjetër interesant.. . këto ishin komentet e para prej të cilave nisën të më dalin fletët... d.m.th nisi vetëndjerja, që për fat nuk më shkëputi nga realiteti, por rriti përgjegjësinë tek unë për të paraqitur çdo herë edhe më mirë.
Si është e kaluara juaj. Ku u formua Silvana dhe çfarë mbani mend nga periudha e pafajësisë suaj?
Jeta fëminore është kujtimi, më i bukur, më i pastër që më vjen gjithmonë në mendje, si fillim jete, si koha e ëndrrave të mëdha, gëzimeve, shpresave. Dhe pse dhjetëvjeçarët kalojnë, mendja kur do të prehet vetiu... ndalon atje, pra është pikënisja dhe kuptohet sa e rëndësishme është ajo për formimin dhe historinë tonë më pas, madje nuk di të them se është familja apo shkolla, ajo më e rëndësishmja, që ka ndikuar të bëhem “unë”. Kujtoj kopshtin dhe edukatoret atje... mësuesen e shkollës fillore..., të cilat kanë qenë zonja të vërteta... gra të bukura me zë të ngrohtë dhe shumë të dashura... modelet e mia të para... për qëndrimin që do mbaja më pas. Më duhet të them se dhe ushtrimi në balet, që nga klasa e parë dhe mësueset atje kanë ndikuar shumë, gjithashtu, në formimin tim.
Keni qenë një vajzë e thjeshtë apo e përkëdhelur. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të tjerët?Marrëdhëniet me shokët dhe shoqet e shkollës kanë qenë të shkëlqyera. Kam qenë e evidentuar në fakt, dhe si një rast i veçantë trajtohesha, por gjithmonë e dalluar për mirë. Po kështu dhe me mësuesit, që mua më është dukur, se më kanë dashur gjithmonë dhe më kanë mbajtur me “hatër” nga kjo simpati. Kam qenë shumë e urtë dhe e ndrojtur, por jo se nuk kam qenë dhe “komandante”. Kurrë nuk kam spiunuar ose prishur shoqërira. Kam qenë shoqe e mirë dhe e besuar për të gjithë karakteret. Kështu më kishin mësuar edhe në shtëpi, që kurrë të mos merrja e çoja fjalë, më kishin ushqyer dhimbshurinë për më të dobëtit, të mos diferencoja shoqet nga raca, pasuria apo bukuria, por t’i doja të gjitha, të mos i ktheja “xhevap” më të rriturve, të mos përdorja fjalët “nuk dua”, d.m.th të përpiqesha gjithmonë të isha gati, në shërbim të të tjerëve. Pra, në shkollë unë u mësova që vetëm të lavdërohesha. Sa herë vinin prindërit të takoheshin me mësuesit, ndaheshin të lumtur nga fjalët e mira për mua dhe mi sillnin ato, duke më mësuar, ndoshta pak keq, se më vonë unë e kam patur të vështirë të pranoja vërejtjet. Kam gjurmë të kësaj edhe sot, megjithë përpjekjen për të qenë e arrirë në shumë gjëra që i marr përsipër.
Më pas erdhi koha e shkollës. Ju mbanin si bukuroshja e shkollës?
Nuk kam patur diçka për të veçuar nga jeta shkollore, se s’kam qenë çapkëne, por i kujtoj ato vite si një shqetësim i vazhdueshëm për të qenë e shkëlqyer, jo për vete se nuk e kuptoja se sa do më vlente kjo, por se kështu bëja krenare familjen dhe përmbushja besimin e dashurinë e mësuesve të mi. Që në gjimnaz nisa të bëhem e njohur si spikere në Radio Tirana e më pas në TV, por kjo më bëri edhe më të ndrojtur në shkollë dhe të kompleksuar se isha ajo e bukura, artistja, që kishin parë në darkë, ndërsa në mëngjes e zakonshmja.. . e kjo linte rast për komente. Por, që kur nisa kontaktet me RTV mbaroi jeta ime shkollore. U rrita para kohe, ia nisa halleve të tjera dhe kohën time, mendjen time e pushtuan tekstet e prezantimeve, që i mësoja faqe të tëra përmendësh, emocionet e tmerrshme para kamerave dhe problemet që më sillte ballafaqimi me gjithë të tjerët në ambjentin e kësaj pune që ishin më të rritur se sa unë. Dhe kujtimet e mia të këtyre viteve janë tashmë të mbërthyera nga ato artistike dhe të punës dhe pak kanë mbetur nga jeta gjimnaziste dhe studentore.
Ëndrra juaj ka qenë televizioni apo kishit një ëndërr tjetër?
Ëndrra ime u ravijëzua herët, që 14 vjeçe kur u caktova spikere në programet e rinisë në Radio Tirana e më pas me prezantimin e programeve muzikore në TV. Më parë më dukej se do bëhesha artiste filmash, akrobate cirku, balerinë, këngëtare... edhe mësuese kisha shumë dëshirë!
Ndonëse jeni marrë me televizion ju keni studiuar për ekonomik. Pse kjo përzgjedhje?
-Unë studiova për ekonomi-financë në Universitetin e Tiranës, dhe në fakt mendova se TV do të ishte një punë e dytë, jo për nga rëndësia, por si kohëzgjatje, dhe investova seriozisht në studime, ku kam dalë me rezultate shumë të mira në lëndët profesionale. Pas diplomimit punova 4 vite si ekonomiste, por pa u shkëputur nga ky institucion. Do ishte ftesa për të punuar me kohë të plotë në TV që më ndryshoi rrjedhën e jetës sime, dhe kalova nga shifrat në hapësirat fantastike të artit.


Gjithsesi jo gjithçka ka shkuar fjollë. Ka pasur dhe momente të vështira apo jo?
Nuk di ta them sepse nuk jam tip që mbaj ditar, apo statistika. E jetoj jetën çdo ditë, me intensitet maksimal e s’kam patur e as kam kohë të bëj përmbledhje, të shkruaj kujtime. Mendoj se çdo ditë ka momentet e vështira dhe të bukura se unë kam zgjedhur të jetoj me shumë njerëz përreth, me shumë angazhime, përkushtime, emocione. Megjithatë, diçka di ta them menjëherë se s’ka qenë aspak e lehtë të mbijetoja në TV, por kam punuar shumë dhe kam qenë e pathyeshme në besimin tim, se e meritoja të isha aty. Ditët më të vështira kanë qenë ato të punës, relizimit të programeve e më të bukurat vinin të nesërmen kur më uronin dhe komplimentonin.

Sipas mendimit tuaj kush është primare tek një drejtuese emisioni, bukuria apo inteligjenca?
S’ka primare, mendoj, duhet të jesh e kompletuar me të dyja. Jo me bukurinë si “kukull”, por atë magjepsësen, që vjen nga një shpirt i bukur dhe i pasur e nga një mendje e kthjellët dhe e shëndoshë. Im atë më pyeste, që fëmijë: “Më mirë të jesh e ditur apo e bukur?”. Dhe po vetë më përgjigjej: “Më mirë i ditur”. Po të jesh i zgjuar, di ta zbukurosh vetë vehten përveç bukurisë që ta jep vetë dituria.
Kush kanë qenë personazhet që ju kanë ndihmuar në karrierë?
Siç ju tregova, kur nisa, s’merrja vesh nga kjo punë, isha spikere në TV dhe s’kisha modele, por kur hyra në këtë radhë, gjeta aty Raimonda Belli, Flutura Çangun, Zerina Kuken, Fatbardha Krajën, Luljeta Laçin, Mimoza Tafaj, që ishin të gjitha një më e mirë se tjetra dhe kishe çfarë të merrje nga secila prej tyre. Ndërsa nga televizioni italian kisha idhull Rafaela Karranë.
Në një Shqipëri të varfër edhe prezantueset e televizionit jetonin si gjithë të tjerët. Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të ndryshonit profesion?
Nuk mendoj se pasuria është aq e rëndësishme për të ndryshuar profesionin. Nëse do mund të jepja më shumë diku tjetër, ndoshta dhe do e provoja. Shpresoj që dhe puna që kam bërë ka qenë shumë e dobishme. Këtë ma kanë provuar duartrokitjet dhe përshëndetjet e publikut që më kanë inkurajuar për vazhdimësinë.
A ekziston për ju dashuria e vërtetë?
Unë besoj tek dashuria e vërtetë. Ndoshta kjo që them është naive sepse edhe e kam pësuar nga ky besim, por kjo s’do të thotë të mohoj ekzistencën e saj.

Në Shqipëri të gjithë njerëzit merren me politikë. Juve ju intereson fusha e politikës?
Politika më pëlqen, është diçka shumë inteligjente dhe e domosdoshme për stadin aktual të shoqërisë njerëzore. E ndjek politikën pikërisht për këtë pjesë, duke lexuar midis rreshtave. Ne në mënyrë shumë të papërgjegjshme, shpesh japim mend e bëjmë si më të zotë se ata që janë në krye... por s’është e vërtetë. Unë s’kam marrë kurajon të hyj në politikë, me gjithë ofertat, pikërisht se s’ndjej të kem atë formim kompleks, të gjithanshëm, që kërkon të qenit aty, përveçse ende e dashuroj profesionin tim dhe pozicionimi në politikë s’do i bënte mirë atij.




Çfarë pëlqeni tek të tjerët dhe a jeni kritizere?
-Më pëlqejnë njerëzit e sinqertë që flasin, tregojnë, njerëzit muhabetçinj dhe me humor. Nuk jam kritizere për të tjerët, unë i pranoj njerëzit ashtu siç janë, ose maksimumi mund t’i sugjeroj diçka, por me shumë kujdes që sugjerimi mos të tingëllojë kritikë ose mospranim.
Si e ndjeni veten në emigracion?
Unë nuk e ndjej emigracionin, se po e vazhdoj jetën njëlloj si në Shqipëri. Vazhdoj të punoj me koncerte për bashkatdhetarë t në Itali (siç bëja edhe më parë) dhe jam shumë e lidhur me gjithçka ndodh në Shqipëri përmes udhëtimeve të shpeshta, komunikimit dhe tv satelitor. Më mungon studio e Tvsh, por kam punuar aq shumë aty, saqë mbresat janë ende të forta.
A mendoni se do të ktheheni një ditë në Shqipëri?
Sigurisht, vetëm koha nuk është e përcaktuar qartë, për shkak të angazhimeve me punë të bashkëshortit. Unë bëj pjesë tek ata shqiptarë që e shohin të bukur dhe me shpresë vendin e tyre, ndryshe nga një pjesë e konsiderueshme, që për fat të keq, që hedhin baltë mbi Shqipërinë tonë të dashur dhe çdo përparim të saj e mohojnë ose ngjyrosin me politikë. Do të dëshiroja me gjithë zemër që fëmija im të edukohej në shkollat tona, megjithëse tashmë dhe ato janë si në perëndim, por unë si romantike e pandreqshme që jam, besoj se atje ka ende diçka prej toke, prej Shqipërie, që mua më pëlqen aq shumë, se është e imja, se jam rritur me të, se jam krenare për veten. Dhe këtu ndryshoj nga shumë bashkatdhetarë që mohojnë origjinën e tyre dhe nuk u flasin fëmijëve në gjuhën tonë. Jam përpjekur, me statusin që kam si njeri publik, të influencoj sado pak në rritjen e ndjenjës të shqiptarizmës, sidomos nëpër koncertet e shumta nëpër Evropë, ku jo thjeshtë prezantoj, por përcjell mesazhe të fuqishme, të cilat sjellin emocione, lot dhe shumë shumë shumë duartrokitje.
Ç’është familja për ju?
Gjithçka për mua rrotullohet tek familja. Kështu jam rritur tek prindërit ku çdo gjë diskutohej, tregohej, gëzohej, vajtohej, në familje e të njejtën traditë dua të përcjell dhe në familjen e re që kam krijuar. Komunikoj shumë edhe me djalin, Fatjonin, që t’i krijoj atij terrenin e favorshëm për të shprehur çdo dëshirë e mundim, të ndjej mbështetjen dhe ndihmën në raste të vështira, të kuptojë se shtëpia është e vetmja fole e ngrohtë dhe e sigurtë e për të ardhmen që ajo t’i vlejë si një valvul shkarkuese nga streset e jetës si i rritur. Pra familja për mua është gjithçka dhe çdo gjë tjetër bëhet në funksion të begatisë dhe gëzimit të saj. Mendoj se kur punojmë për familjen tonë, punojmë dhe për një begati dhe harmoni të gjithë shoqërisë.

Nëse do ishit e pasur gjëja e parë që do bënit?
Do e ndaja pasurinë time me të tjerët. Më erdhi dikur një ide, sikur u pasurova e në vend të mendoja se ku do kënaqesha me këto para, unë po bëja listën e të afërmve dhe miqve që kishin më shumë nevojë për to. Kurrë nuk do e shpërdëroja pasurinë për luks të tepruar. Nuk e adhuroj. Më pëlqen jeta e thjeshtë, sa më afër tokës, natyrës, duke u përplasur për ekzistencë.

Ndërkohë që vitet ikin ju mbeteni e njëjtë. Sa kohë i kushtoni look-ut në ditë?
Fare pak. Vite më parë, më shumë rrija përpara pasqyrës dhe pispillosesha, por e kuptova dikur, se sa më natyral, aq më e shëndetëshme është për fytyrën dhe më bukur dukesh. Në skenë dhe ekran, sigurisht që kam një kujdes tjetër. Nuk frekuentoj qendrat e estetikës, jo se nuk kam qef edhe unë të relaksohem dhe të më bëhet yzmet në to, por për vehten nuk kam asnjëherë kohë, ndërsa për familjen apo miqtë, jam gjithmonë gati të përgjigjem edhe me sakrifica. Çështje karakteri! Si përfundim, nuk bëj as extation (zgjatje floku) e masazhe, as pedikur e manikyr, por përdor nganjëherë ndonjë krem për fytyrën dhe kaq.
Librat në jetën tuaj diçka e përhershme?
Jo e lidhur pazgjidhshmërisht, por aq sa ato më duhen. Jeta tani është shumë dinamike dhe s’ka kohë për të lexuar qindra fletë, por në çdo mënyrë, përpiqem të informohem e të jem në rrjedhat e kohës. Leximi i romaneve më është dukur gjithmonë një luks, pasi unë që fëmijë kam rendur pas punës dhe i kam dhënë kuptim jetës përmes “action”, veprimit, komunikimit, përkushtimit dhe shumë gjëra që do të mi kishin mësuar leximet voluminoze, mi ka mësuar jeta, se kaq gjallë e kam jetuar atë, kam mijëra njohje, kilometra pa fund udhëtime dhe ndodhi ekstreme. Jo se nuk lexoj, madje leximi më qetëson, më ushqen trurin dhe me të vërtetë që e konsideroj luks, se përvojat e të tjerëve vijnë aq lehtësisht si mësime për ty, se është e mrekullueshme p.sh të lexosh autorë si: Stefan Cvajg... apo Daniel Still (për ne femrat janë një lumturi dhe frymëzim i jashtëzakonshë m). Më pëlqejnë edhe librat biografikë e historikë, d.m.th çdo e vërtetë.

Ushqimi i prefruar
S’kam preferenca. Ha çdo gjë, që është e lezeçme.

Supersticioze?
Me raste. Ne të gjithë kur jemi në hall, kujtohemi për shenjat fatsjellëse, ose kthejmë sytë nga qielli e me “ahe” lusim shpëtimin tonë. Dhe unë nuk bëj përjashtim nga ky ritual i vjetër sa njerëzimi

No comments: