Friday, October 29, 2010

Prania i ngjan me shume maces


Nga Frrok Cupi
A je i pranishem?… Ca thone se jane, por ne fakt nuk jane. Gjysma e politikes se zgjedhur me vota popullor, ben sikur eshte e pranishme, por prapa gardhit. Gete, dijetari gjerman, e kishte gjetur edhe kete nocion filozofik diku ne mjedise rustike. I pranishem je kur je si mace, jo si qen- shkruan Gete. Stina politike edhe kesaj here mberriti me nje theater vjeshtor, asgje me shume. Opozita politike prape nuk ka prani, njesoj si ne maj, si ne prill, si ne mars, si ne qershor. Prape prapa gardhit. Ky eshte tipari, i njejte, edhe pse duket se dicka ka ndryshuar. Tani braktisin komisionet parlamentare, sic ndodhi pardje. Braktisin sallen e Parlamentit ose deklaroje se “ne qofte se nuk beni keshtu, ne shpallim lufte”. (Kujtoni frazen e Getes “si mace, jo si qen”, sepse qeni del prapa gardhi dhe kercenon edhe mikun). Sipas deklaratave, menjehere do te fillojne protestat ne rruge (perseri ne rruge, qe i bie te quhet prapa gardhit; rustika e Getes perseri). Gjate gjithe kohes- jashte sistemit, as ne parlament, as ne gjykate, as ne tryeza. (perseri pamja filozofike geteiane). Ne fund te prillit dhe ne maj ndodheshin ne bulevardin “Deshmoret e Kombit”, dmth., jo te pranishem ne sistem. Luften kunder korrupsionit po e zhvillojne me te njejten menyre: pa prezence. Akuzohet kryetari i PS, por ky nuk del para njerezve; ne vend te tij dalin ca te tjere, thone dhjete fjale dhe zhduken. Edhe kur akuzojne qeverine, del dikush “prapa gardhit”, dhe vetem kaq. Perseri nuk jane te pranishem ne gjykate apo ne parlament. Shoqeria politike, por edhe shoqeria civile po ngarkohen me simptomat e mos-pranise. I papranishem prindi, i papranishem partneri, i papranishem deshmitari, etj. Prania dhe mosprania jane e tera dhe pjeseza e botes, njekohesisht. Prania eshte perendia, thoshte Arthur Shopenhauer. Po kur e shmang pranine? Njerezit e dobet na duket sikur shtohen, dhe numerimi i tyre behet aty ku mungojne. Njeriu thote “nuk isha” kur pyetet per nje krim qe behet ne sy te tij; thote “nuk degjova, as pashe” po per te njejten pyetje. Edhe arti ka shume pak deshmitare; libri e kultura- gjithashtu. Pemet e pyllit nuk e gezojne deshmine e njerezve, as zogjte, as peshqit. Shoqerise i mungojne deshmite e hapura. Edhe pse ka nisur epoka e shoqerive te hapura, vazhdon kultura e shoqerise se mbyllur, izolacioniste. Opozita politike mblidhet grusht ne seline e saj dhe kercenon per separatizem ose per mosprani. OSBE, organizata me e madhe rajonale e sigurise dhe stabilitetit tha se gjysma e politikes se Shqiperise nuk ka perfillur pranine nderkombetare, qe do te thote se nuk eshte e pranishme ne zgjidhjen e ceshtjeve te medha te demokratizimit dhe stabilitetit te vendit. Komunistet e periudhes se Luftes se Ftohte, aplikuan metoden “Cohu, ikim nga tryeza” e armikut. Udheheqesit komuniste te Shqiperise jane cuar nga te gjitha tryezat e bisedimeve, qe nga Konferenca e Parisit, deri ne Moske e Pekin. Pse keta njerez nuk e duan pranine? Mosprania eshte politike. Ne mbledhjen e 81 Partive Komuniste ne Moske, 1959, delegacioni shqiptar shenoi thyerjen e “kampit”. Kjo ishte fraza e krenarise, por ne fakt ndodhi vetem nje gje e thjeshte: Tanet u ngriten e iken nga tryeza. Ne nje nga sallat e Kremlinit, lideri sovjetik, Hrushov, kishte ftuar kater udheheqesit me te larte te Partise Komuniste te Shqiperise dhe iu tha fjale mikluese “duhet e bejme me shume per ekonomine tuaj…, e dime se nuk kemi bere sa duhet… po ju pse kaq nervoze!” Ne ate moment kryeministri yne u ngrit dhe tha se “nuk shitet Partia per 10 aspra”. Kaq ishte. Ata u cuan, iken, dhe nuk ishin me as pjese e asaj bote qe kishte mbetur ne Lindje. Te gjithe u shpallen armiq, qe nga Hrushovi deri te Dolores Ibarruri. Akti i “carjes” perfaqesonte strategjine e Lindjes ne pergjithesi, qe kishte zgjedhur rrugen e rezistences, ne vend te levizjes qe zgjodhi bota tjeter. Paprania zbulon inferioritetin e inferioreve. Puna eshte keshtu: kush shikon perpara nje me te mire se veten, i shmanget rruges. Eshte njesoj si me femrat: Vajza e bukur nuk ka shume shoqe, sepse shoqet nuk e duan pranine me variantin e bukur te llojit te tyre. Keshtu ndodh ne gjithe fushen.. Partia Socialiste ka shume te drejte qe nuk behet e pranishme ne parlament, por te drejte sipas kutit te inferioritetit. Ka krijuar nje grup me deputete kliente, por jo te afte per te zhvilluar parlamentarizem; ka therritur parlamentare te shpallur si te korruptuar, te perziere ne krime, etj.; ka share te gjitha ato kolona qe Europa dhe njerezimi ketu i quajne pune te mbara. Pasi ka thene se nuk e do rrugen e Kukesit, pasi ka thene se nuk arrihet NATO, pasi ka thene se nuk e pranon gjykimin e Europes, pasi eshte kapur duke punuar kunder lirise se qytetareve shqiptare ne Europe… si mund te shfaqet ne Parlament?! Kur ve re superioritetin e tjetrit, mendon se tjetri te shikon me te njejten mase inferioriteti; ketu fillon urrejtja. Prania dhe mosprania jane njerezore. Kush nuk eshte i pranishem ne pergjegjesite publike, do te thote se kjo i vjen nga brenda, ne zakonet njerezore, individuale. Ai qe nuk eshte “mik shtepie” per shumekend, nuk mund te jete as “mik i zotit”. Pergjegjesit politike te vecuar nuk mbajne me vete cilesite njerezore te “mikut te shtepise”. Keta nuk cmojne se armiqte jane te sinqerte, por edhe miqte duhet te jene gjithnje te tille. Mosprania ne miqesi dhe armiqesi nuk i lejon te njohin veten. Shtepia dhe miqte e shtepise kane ligjesi pranie. Miku prezent i ngjan me shume maces, se sa qenit ne shtepi, shkruan Gete. Ose nuk je prezent dhe nuk je mik.

UDHËTIM ME PERSONAZHET E MARUBËVE


“Kush je? Jo. Jo. Nuk dua. Hajd, nuk dua“. Këtu mbyllet kërkesa, shoqëruar me mirësjelljen telefonike drejt Znj. Terezina, pinjolles më të afërt të familjes së Marubëve. Zhgënjimi është i madh e bash edhe më i hidhur zëri i saj. Për fat, ajo është ajo, pasi të parët e saj tashmë i janë drejtuar historisë. “Dakord Zonjë. Dakord”, i gjegjem në përpjekjen e pafatë për të folur pak më afër me një nga njerëzit e mbetur të Dinastisë së njohur fotografike për trashëgiminë e MARUBËVE…Kjo është një nga përfaqësueset e gjalla të tyre në Shkodrën e sotme.
…
Në një ditë të sotme tetori, ngarkuar me shiun shkodran, shkojmë më kot për të folur me pasardhësit e mbetur të familjes MARUBI. Pas telefonatës së hidhur, rrugën e bëjmë pa shpresë sepse për fat kemi siguruar një takim me drejtoreshën e Fototekës MARUBI, Znj. Semiha Osmani. Është e disata herë që shkoj aty, ndërsa për miqtë e mi gjermanë është thjesht hera e parë. E adhurojnë Shqipërinë prej Shkodrës dhe këtë të fundit prej MARUBI-t dhe gjithçka e kanë të lidhur me të. Më duket sikur çdo mjedis apo çdo personazh e lidhin me trashëgiminë e imazheve të MARUBIT. Kjo më bën të druhem dhe mos t’ua sjell fjalë për fjalë bisedën telefonike të një dite më parë me Znj. Terezina. Si për ironi, Shkodra e shiut duket njësoj e dalë si nga ndonjë negativ i tyre. Shi i papushimtë (tipik shkodran); Rrugë të zëna; makina që nuk respektojnë asgjë, njerëz që s’pyesin për rregulla dhe kuptohet kaos. Shumë kaos. Shkodra, me gjithë ndryshimet e mëdha të viteve të fundit, është qyteti më i paorganizuar urban i vendit. Të gjithë nguten të futen në qerthullin e tyre, që nuk të çon askund. Mbase kjo duhet ta ketë ngacmuar italianin Pietro, të parin e Marubëve kur erdhi në këtë vend. Të ketë menduar se duhet t’i fiksonte? Kush e di? Nuk ka kujtime prej tij, ndërsa Marubët e kultivuar nuk lanë gjë për historinë e tyre. Vetëm se na dhanë gjithë jetën dhe temperamentin e Shqipërisë, që derdhet prej këtyre njerëzve. Kam fiksuar dy apo tre foto me shi të tyre, ku mbase ka pasur shi po kaq, por kuptohet qarkullimi ka qenë më i lirë. Atëkohë në vend të makinave në këtë vend lëviznin qytetarët vendas zhytur në të përditshmen e tyre, malësorë të drobitur, që shisnin ndonjë gjë dhe tregtarët aq të njohur…që e mbushën me nam vendin.

Në qytet
Edhe pse me zulmë të madhe, tregtarë, konsuj, ushtri ndërkombëtare dhe madje edhe varreza internacionale, kryeqendra e veriut është zhgënjyese. Shiu i tetorit 2010 të përcjell menjëherë në kohën e dy Marubëve të parë. Nuk e di pse ka një ndjesi të mbetur që Shkodra të njihet gjithmonë nga ajo kohë, por ai duket edhe si të jetë plazmimi më i mirë prej Marubëve për Shkodrën. “Ktu asht horrllëk. Kena mbet si n’at kohë. Shih ku shesim?“ Në fakt, ajo kohë është para viteve ’90, kur Dinastia e kishte mbyllur qarkun e saj. Jemi ngucur te një nga pallatet afër kishës katolike dhe s’mund të bësh asgjë më shumë. Të rrish dhe të këqyrësh. Burri, që na flet, ka një kafkë të madhe, me ekzagoma të kërcyera dhe është ngërthyer bashkë me një grua me veshje zadrimore, që nuk ia përcaktoj dot moshën. Asgjë më shumë sesa vazhdojnë të bëjnë një bisedë absurde. Gruaja s’ka blerë dot miellin. Me sa kuptoj: i shoqi, se kush i ka futur në kokë, që në kohën kur ajo shet të luajë me paratë e fituara te vendet e sportit. Kur ia shpjegoj miqve të mi, ata mbesin pak si të habitur. Nuk arrijnë të formulojnë as edhe pyetjen. Të varfër dhe shkojnë në loto?! Ani, e harrojnë shpejt, sepse e kanë mendjen te MARUBI. U bëj një rikonjicion të thjeshtë për Shkodrën nga streha ku jemi. Gruaja, nuk ruhet shumë nga shiu, kurse vetë, kur mbaroj sqarimin, mendoj se si mund të jetë burri i kësaj gruaje, që e ka transformuar komplet veshjen duke i lënë pak elementë tradite. E hamendësoj sesi mund të jetë ky personazh, që ndoshta paratë e miellit i luan në bastore për Chelsea apo Bayern-in. E kush e merr vesh.. Di vetëm që në darkë ka Champions League. Nuk po orientohemi dot mirë dhe ndërsa mundohemi t’i ruhemi pak shiut, muhabeti i gruas me burrin ka gjetur një tel ndërlidhje me njëri-tjetrin, dhe tashmë vijon i paqëm. Na thonë se nuk i bezdisin për taksa, por edhe qytetarët nuk po e çajnë shumë kokën për të blerë. S’kanë. Pozojnë si ato personazhet e qëmotit në Albume. Shiu është shtuar dhe makinat ngrenë valë të mëdha uji që tutje, kurse në strehën që korrespondon me pallatin, janë afruar dhe dy gra të tjera, por tashmë të veshura më me shije me rrobat e Zadrimës. Janë pothuaj njësoj: Kanë shaminë, futën dhe sipër një xhup, mbi rrobën poshtë, që s’është më aq e bardhë. Për të gjitha pyetjet ka përgjigje moskuptuese. “Jo. As edhe kjo. Jo dhe kjo…”. Me çfarë e siguroni jetën?-I pyes. “Shesim. Tanë të mirat i kemi”, më thotë me qesëndi njëra prej grave më të moshuara, që ka këpucë të stërmëdha burrash dhe që i ka bërë edhe transformimin më të çuditshëm rrobës së Zadrimës, teksa mban sipër këmishës një si T-shirt…Dhjetë minuta më vonë, kur largohemi tutje në rrugën që të çon në varrezat katolike, dy motorë bëjnë garë para syve të njerëzve se kush do të përshkojë i pari një distancë hipotetike, ndërsa i afrohemi një pijetore, ku të papunë të shumtë i janë ngulur në këqyrje boshe një stacioni me muzikë turbo-folk. Pinë me gllënjka të vogël rakinë, ndërsa një burrë me kokën e shtogët jep e merr pa folur mes tyre duke u shërbyer. Intensiteti i shiut jep apo merr dhe ngritjen e zërave, por burrat me pamjen e lodhur nga jeta dhe gjërat, flasin pak. Nga predispozita dhe varfëria e tavolinave janë të denjë për armatën shqiptare të të papunëve. Kuptohet, shumë të ngeshëm. Zëmë vend dhe ne tek një tavolinë e cepit, që ka një mbulesë të pistë. Burri me kokët e rrafshët na vjen menjëherë dhe me një shkodranishte të qetë, na e rreshton të gjithë menynë e tij. Gjithçka është mish dhe tym. Kuptohet raki dhe birrë. E pyesim për një adresë. Zhgënjehet, që se begenisim. E sigurojmë se do të marrim diçka. Ndryshon diçka, por dhe ne nuk mund të humbasim këtë mrekulli. Fytyrat e MARUBIT nuk ke nevojë që ti kërkosh në arkiva. Ata janë kudo në Shkodër…dhe një dorë duket se i ka mbledhur këtu. Muhabeti vazhdon i zvargur kudo dhe burrat ndërrojnë me njëri-tjetrin bisedën. Nuk flasin shumë, por në ato pak gjëra që më kap veshi, janë të njëjtat fjalë fjalori. “Ikum…S’kam. Shkume…S’kishte. E ndiva. A ku me gjet?” Në Shqipërinë e vitit 2010 vërtet s’mund të bësh apoteoza por kjo e varfërisë së këtyre njerëzve është e frikshme. Fytyra të mpita dhe pa asnjë shpresë prej 20 deri në 60 vjeç, zhytur në varfëri pa shpresë. Duhet të ketë ndërruar në këtë klub vetëm dekori. Një vajzë me një gjok të bëshëm dhe si shumë e stisur, na shikon indiferente nga një mur që është krejt i zverdhur…Përballë në titrat e ekranit, të rinj që ndajnë mesazhe me përshëndetje dhe vajza gjithë afsh…që kërkojnë afrime. Djem që reklamojnë potencën e tyre…Dhe këta burra, që i këqyrin, si të dalë nga studioja e vjetër e Marubëve. Nuk e di sesi mund të kenë qenë paraardhësit e këtyre që kanë pozuar te MARUBËT dhe çfarë kanë pasur në mëndje. Vërtetë, s’e di por edhe nuk e besoj të ketë qenë ndonjë gjë e madhe. Dy miqtë e huaj janë gjithë ngacmim sepse shpresojnë të takojnë pinjollët e MARUBËVE. Dikush ka sjellë t’i dhurojë dhe një album…”A ke me e nez?”, më pyet dikush. Jo, ia kthej…

Te Fototeka
“Jo, merr këtej”, më tregon një burrë. Dua të dal në një rrugicë dhe që andej pastaj të shkoj më shpejt te Dugajet e Reja. Shkodranët janë të ngeshëm dhe në një ditë natyrale, që ata e gëzojnë në më pak se një të tretën, unë konsiderohem si një karrem i mirë, për të më ngatërruar. Edhe ne i kemi të kufizuar lëvizjet tona. Shkodra, si asnjë qytet tjetër në Shqipëri, nuk do t’ia dijë fare për rregulla qarkullimi. Të gjithë ecin pa rregulla dhe të gjithë rrotullohen. Sikur Marubi të vendoste stativin e tij dhe aparatin nuk do mbetej larg imazheve të tij. Kushdo prej tyre: I pari. I dyti. I treti. Kur mbërrijmë te Fototeka, tashmë është rrebesh. Dy të huaj, njëri prej të cilëve me një mushama gati ushtarake, rrinë te shkallët dhe kanë gjetur formën e futur dhe gati të harruar të Fototekës të mbrohen. I përshëndetim, ndërsa ata me kortezi tërhiqen pas. Fototeka e Marubëve është vërtetë në qendër të Shkodrës por në një zgëqe, e cila mund të konsiderohet shumë larg ëndrrës së madhe që kemi të gjithë për MARUBËT. Për fat, Semiha Osmani, drejtoresha, është vetë gjithnjë në punë dhe madje në zyrën e saj bën dhe skanimet. Punë që e bën dhe kur shkojmë ne. Është punonjësja më e vjetër e këtij institucioni dhe ka nisur punë me të fundmin e Dinastisë fotografike, duke e ndihmuar që të skedonin të dy. Drejtoresha, me aq të huaj sa ka parë, vazhdon duke punuar dhe me çlirësinë e saj na bën thjesht vend të ulemi. E shikojmë me adhurim jo thjesht për punën që bën, por edhe për mënyrën sesi punon. Ka një shprehje të forti, që e mban të ngjitur me tiparet shumë të këndshme të fytyrës. Çuditet se ajo që duam prej saj është thjesht të shikojmë. “Si, të shikoni?-pyet. “Thjesht. Kaq.”-i themi Njëri prej nesh prek me kujdes negativat, ndërsa ajo i shpjegon teknikën e vjetër dhe mënyrën e punës. Na premton se do të na fusë dhe në arkiv. Pak minuta më vonë, vërtet kur mbaron është e disponueshme për të folur, por që kuptohet jo me shumë valë të gjata. Di të shpjegojë mirë dhe pak me ton irritomi, që është i zakonshëm për njerëzit që e kanë punën më tepër se punë, por edhe pasion. Miqve tanë të huaj, që janë ende të shushatur, u shpjegon thjesht dhe teknikisht procese të ndryshme, dhe gruaja që di gati përmendsh kutitë ku ruhen negativat, i orienton nëpër sallë. Semihaja ka punuar me ndërgjegje dhe se ka humbur kohë me fjalë, si në shumë institucione në vend. Ka krijuar dhe mban një mjedis në kushte optimale ku ruhen të gjithë negativat në xhama Në këtë fototekë ndodhen 500 mijë negativë të Marubëve, Picit dhe Jakovës dhe 250 poza të Nënshatit. Të gjitha ndodhen në gjendje tepër të mirë. Këto negativë janë nga vitet 1858 deri në 1959. Në këto negativë janë të paraqitura dy luftërat e mëdha botërore nga Kel e Gegë Marubi; foto të Kraj Nikollës, në Mal të Zi dhe të familjes së tij mbretërore realizuar nga Pjetër dhe Kel Marubi; janë negativët e Dedë Jakovës dhe të Shan Picit, të gjitha që konsiderohen si një pasuri e rrallë kombëtare. I shpjegon shoqes sonë me imtësi gjithçka ndërsa harron se përballë ka një mjeshtre të kamerës. Kjo është arsyeja që gratë e gjejnë shpejt gjuhën dhe komunikojnë tashmë lirshëm me njëra-tjetrën. Si punonin?; Si i mbanin dhe madje si vinin kutitë? “Hajde këtu”, i thotë befas mikes sonë. Semihaja afrohet drejt dritës dhe me dorë i tregon një nga negativat…Të gjitha fotografitë po punohen në një skaner special dhe imazhet dixhitale të negativëve do të jenë shpejt të kompjuterizuara. “Jena duke i këqyr një nga nji pasi secila prej tyre ka një element që të bën të ndjesh më shumë traditën, kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Për fat, në këtë fototekë po punohet shumë dhe për skedarin ose elementin informativ, që do ti orientojë më mirë studiuesit.”

Pak intermexo
Sipas studiuesve disa nga fotot e para në Shqipëri, ka të ngjarë të jenë, shumë të hershme. Pak vite pas fotos së parë të vitit 1858 të Pietro Marubit, që e themeloi dinastinë do të ishte në vitin 1863, fotografi vjenez Josef Székely, që udhëtonte me konsullin Johann Georg von Hahn (1811-1869), që na la një koleksion me pesëdhjetë pamje të Shkodrës, Prizrenit, Ohrit dhe Manastirit. Historia e “Marubit” fillon me Pjetër Marubin, (Pjetron). Ai lindi në Piaçenca të Italisë në vitin 1830. Garibaldisti dhe pjesëmarrës aktiv në luftën kundër pushtuesit austro-hungarez, ai u detyrua të ikte nga vendlindja e tij. Kërkoi azil politik pranë qeverisë osmane dhe gjeti si biznes të përshtatshëm fotografinë. Arkitekt, skulptor, piktor, Pjetri e kishte fillimisht artin e fotografisë një hobi, e më pas kjo do të bëhej profesioni i tij, duke hapur kështu jo vetëm të parën studio fotografike në Shqipëri, por ndoshta edhe në Ballkan në vitin 1858. Në po këtë vit, ai realizoi të parën fotografi në Shqipëri Hamza Kazazin. Disa prej tyre u botuan madje në The London Illustrated News, the La Guerra d’Oriente and L’Illustration. Marubi ndihmohej nga i riu Rrok Kodheli (1862-1881), që vdiq për fat të keq shpejt dhe pastaj edhe nga vëllai i tij Kel Kodheli (1870-1940), fëmijët e kopshtarit të shtëpisë së tij. Ky i fundit, më pas, mori të gjithë këtë biznes dhe pas vdekjes së Pietros. Ai arriti që të bënte fotografi jashtë studios me kamera shumë të avancuara. Thuhet se edhe piktori, arkitekti dhe fotografi Kolë Idromeno mësoi prej tij. Duke u kthyer te Marubët, që në atë kohë ishin shpirti i vërtetë i fotos shqiptare dhe që po përsosnin dora-dorës teknikën e tyre, brezi i tretë i tyre në familje ishte i biri i Kelit, Gegë Marubi që jetoi në tre sisteme në Shqipëri (1907-1984). Ai studio në Lion nga 1923 deri më 1927 në shkollën e parë të fotografisë dhe kinemasë, të themeluar nga vëllezërit Lumière dhe punoi në Shkodër si një fotograf profesionist. Ai ishte pionier i punës në celuloid dhe e zhvendosi punën e paraardhësve të tij që kishin punuar me pllakat e xhamit.

Pas Marubit
Gega ishte dhe njeriu që komunikoi gjithë kohën me Semihanë, atëherë atë vajzën e re simpatike që punonte në Fonotekë dhe që në një farë mënyre do të ishte dhe trashëgimtarja për ruajtjen institucionale të këtyre. Gruaja u rrit në Fototekë dhe në vitet e fundit ka bërë shumë punë për rritjen e saj cilësore dhe botimin, konform rregullave, të një pjese të trashëgimisë. Gruaja, që e kupton të ftohtin tonë tashmë në arkiv, prej kondicionerit, mundohet të ngutet. Na tregon një kuti bojë hiri dhe afrimin e një firme gjermane për të sistemuar sipas një projekti kutitë. Ka bërë luftë dhe ka lënë origjinalet dhe me dorë na tregon një mostër, e cila nuk mbyllet. “Dhëntë Zoti që kjo grua të jetë po kaq vitale gjithmonë, se vetëm kështu do t’ia dalë”, flasim me vete. I ftohti i Arkivës na është futur tashmë në asht dhe kjo na bën që tashmë realisht të ngutemi. Ajo që është e durueshme për negativat, s’është më për trupat tona. Ngrohemi disi në interiorin e Fototekës, dhe duke folur për fotot gati 150 vjeçare, mbledhim veten. E krijuar në vitin 1970, ajo është kthyer tashmë në simbolin e vërtetë të Shkodrës…Aty është edhe ndarja e fundit me Terezën, që tashmë edhe qesh me ne prej të ftohtit. S’ka më minuta për të. Duhet të kthehet.
…
Pak minuta më vonë jemi në shkallën e apartamentit të Terezinës. E fundmja direkte e Marubëve është krejtësisht e ftohtë. Shoqja jonë, një nga fotografet më të mira të 20 viteve të fundit në Shqipëri dhe një adhuruese e punës së tyre, dëshiron thjesht t’i japë dorën dhe t’i dhurojë një album të sajin. Jemi krejt të lagur, por gruaja është edhe më e prerë se në telefon. “Ti je ai që më more dje në telefon?”, po i përgjigjem. Tek dera ndërrojmë pak muhabet dhe përkthej në favor të shoqes sime. I them se ka ardhur thjesht për respekt dhe asgjë tjetër. Gruaja vendos pak buzën në gaz dhe kjo është shenja e vogël e kthesës së saj, por aspak e ndonjë mirëkuptimi të madh. Ikën pak dhe vjen me një kalendar të vitit të shkuar, stampuar me foto të MARUBIT. Kur mbyllet dera më fshihet çfarë mendoj për MARUBËT e gjallë. S’dua të prish kujtimin e tyre dhe profesionalizimin me sjelljen e saj arrogante. Këtë herë jam krenar për shtetin tim që po tregon kujdes për Fototekën e MARUBI-t dhe s’e ka lënë në dorën e saj. Mikja ime është e lumtur. Hapim pak rrugë në katin e parë, ku dy burra kanë sjellë gjithë mallin që s’kanë shitur dhe pozojnë drejt hiçit. Tutje, për herë të fundit me Shkodrën, tek Ura e Bunës, një peshkatar jep e merr me rrjetat. “Është kohë ideale, kur bie shi që të ketë peshq”, më thotë një burrë që mundohet i vetëm, të pastrojë vendin para klubit të tij. Ikim. Është vjeshta e dytë 2010.

*Shkrimi është mbështetur në të dhënat e nxjerra nga artikulli për historinë e fotografisë së Robert Elsie.

Albumi 6 botim i Fototekes Kombetare “Marubi”


Albumi Marubi-6 përbën një arritje në fushën e botimeve arkivistike. Ajo paraqitet me fondet e një prej arkivave më të vlerësuara në Europë, Fototekës Kombetare Marubi. Në faqet e këtij albumi parakalojnë dokumente, nga pasuritë më të mëdha të kulturës dhe historisë sonë kombëtare. Kemi të bëjmë me një arritje në lëmin e botimeve cilësore që plotëson një nevojë të kahershme për të afruar fondet e pasura të Fototekës Kombetare Marubi sa më pranë qytetarëve. Deri kohet e fundit kishin mbijetuar koncepte konservatore që përpiqeshin të përmbyllnin fondet e bibliotekave, arkivave, fototekave, muzeumeve sa më larg syrit të qytetarëve, duke i rrethuar ato me hekura, zinxhirë e mistere, në emër të sigurisë së fondeve, të çensurave ideologjive e gjithfarë pengesash absurde. Tani, në botë kanë lindur tendenca për institucione të hapura, për liberalizimin e praktikave menaxhuese, për t’i çliruar ato nga burgosja, për t’i afruar pranë studiuesve e njerëzve të thjeshtë. Këtë e kishin kuptuar punonjësit e Fototekës Kombetare Marubi me në krye drejtoreshën Semiha Osmani. E kishte nxitur edhe Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë e Sporteve , e cila i dha projekteve të fundit nxitjen e duhur. Dhe ja rezultati: sot kemi në dorë albumin Marubi-6, që plotëson serinë e albumeve Marubi, si dëshmi i këtij trendi të ri.

Albumi Marubi-6 tregon se Fototeka Kombetare Marubi, po i përgjigjet kërkesave të kohës për të bërë hapa në drejtim të sistemimit, përpunimit, dixhitalizimit e sistemeve mbrojtëse, si edhe për të proganduar e publikuar pjesë nga fondet e zgjedhura të saj. U hapën dyert për studiuesit, për qytetarët e thjeshtë, por edhe për atelietë e organizmat e huaja të interesuara për fondet e pasura të saj. Krahas punës për ruajtjen e dixhitalizimin e fondeve janë bërë hapa interesantë për publikimin e tyre, si kurimi dhe hapja e fotoekspozitave në Shkodër, Ulqin, Tiranë, Itali, Francë. Pas një pune të gjatë studimore, me fondet e përzgjedhura të Fototekës Kombetare Marubi, deri tani janë botuar gjashtë albume. I pari eshte “Gjurme Historike Kombetare ne Fototeken Marubi”, i dyti është realizuar në bashkëpunim me Atelienë franceze të Parisit. Më pas u realizuan, në edicione luksi, albumet e tjera të kuruara nga drejtoresha e Fototekës Kombetare Marubi,. Ka pese vjet që Fototeka Kombetare Marubi ka krijuar një traditë të re: T’u ofrojë bashkëkombësve kalendarin vjetor me pamje karakteristike të përzgjedhura nga fondet e Fototekës Kombetare Marubi, të cilët, gjithashtu, kanë shërbyer për propogandimin e tyre.

Fondet e pasura të Fototekës Kombetare Marubi, karakteri unikal i saj në Europë, si edhe publikimi i fondeve të saj me metodat nga më të ndryshmet ka bërë që të rritet interesimi i studiuesve, dhe rretheve kulturale, organizmave nderkombëtare për ruajtjen e modernizimin e kësaj fototeke. Janë edhe forma të tjera që do të shfrytëzohen në të ardhmen në fushë të publikimit e propagandimit.

Çfarë do të shohë syri i kurreshtarit kësaj radhe në Albumin Marubi-6 ? Si gjithnjë mjeshtrat e njohur të fotografisë së Shkodrës, Pjetër Marubi, Kel Marubi, Gegë Marubi, Shan Pici dhe Dede Jakova do të paraqesin punët e tyre të zgjedhura me kujdes e shije të kuruara me zotësi e kulturë profesionale nga Semiha Osmani. Bie në sy hapsira më e madhe që kanë zënë kësaj radhe fotografitë e Shan Picit. Ndërsa duken edhe punët profesionale-artistike të fotografëve të rinj Gegë Marubit dhe Dedë Jakovës. Fotografitë e vjetra të shekullit XIX i takojnë babait të fotografisë shqiptare, Pjetër Marubit. Janë theksuar veçoritë e secilit fotograf: kështu karakteri historik i fotografive të Kel Marubit, karakteri modern i fotografive të Dedë Jakovës, dhe Gegë Marubit, dominimi i botës së brendshme të personazhit dhe karakteri protagonist i natyrës në fotografitë e Picit. Pjesa më e madhe e fotografive i përkasin qytetit të Shkodrës, por areali i shpërndarjes përfshin edhe Alpet e Veriut, kryeqytetin e ri të Shqipërisë, Tiranën, portin e Durrësit, qytetin e vjetër shqiptar të Tivarit, si edhe Krujën e Elbasanin.

Tematika e albumit është e larmishme, por shihet qartë se kuratorja ka patur qellime të studiuara dhe ka përdorur metoda efikase pune. Aty ka etnografi, histori, urbanistikë, gjeografi e Shqipërisë, ekonomi, transport, art, etj. Albumi ka gjithejt 136 fotografi, 15% e të cilave i kushtohen plotësisht kostumeve të Veriut, që ndryshojnë për gratë, për nuset, për burrat, ndryshojnë sipas përkatësisë fetare, muslimane, katolike e apo ortodokse, ndryshojnë sipas moshës, sipas gjëndjes civile, të martuara, vajza fëmijë, për qytetin, për malësitë, apo për fushën. Edhe këto të fundit, ndara sipas krahinave, si Shala, Shoshi, Mirdita, Dukagjini, Zadrima. Por ka edhe fotografi me synime komplekse. Kjo sidomos kur fotografohet Pazari i Shkodrës, jepen elementet e urbanistikës, por edhe larmia e veshjeve e elementeve të tjera etnografike të banorëve të krahinave përreth Shkodrës, të cilat vinin për të bërë treg në Pazarin e Shkodrës. Ose kur ka fotografuar burra apo gra nga krahinat kanë dhënë jo vetëm veshjet apo elemente psikologjisë së portretit të tyre, por edhe elemente të natyrës, si për të theksuar se çdo banor ishte pjesë e produkt i atij mjedisi. Shpesh janë theksuar në mënyrën e fotografimit në grup të pjesëtarëve të një familjeje, mentaliteti i theksuar maskilist i strukturës së familjes malësore, ku vendin kryesor e kishte djali, si element i rëndësishëm i mbijetesës së kësaj familjeje. Në qendër të fotografisë renditeshin në menyrë tendencioze meshkujt, ndërsa vajzat e femrat në përgjithësi vendosen në pozita anësore, që mështeteshin dukshëm në supat e burrave.

Portreti është lavruar ndofta edhe për shkaqe të kërkesës që kanë patur studiot fotografike në Shkodër. Në këtë lamë janë dalluar Gegë Marubi dhe Shan Pici. Ato kanë kërkuar gjendjen sa më të natyrshme me qëllim që të nxjerrin sa më të plotë botën e brendshme të personazheve. Dallohet fotografia e Picit, me dy malësorë nga Dukagjini që pijnë duhan. Porteti i malësorit të parë dallohet për portetin e qeshur, ndërsa duart e shkathëta lidhin në mënyrë të vetëvetishme cingaren e duhanit. Malësori tjetër i ulur në tokë, është i përqëndruar në lëvizjet për fazën e fundit të lidhjes së cingares së duhanit. Kutija e duhanit qëndron e hapur, si për të treguar se zemrat e hapura mes dy miqve. Më tej në plan të dytë janë dy malësorë të tjerë që përshëndeten kokë për kokë, karaktersitikë kjo e malësorëve shqiptarë. Në plan të fundit janë malet me borë që qëndrojnë si symbol përjetësie. Pici ka bërë fotografi të plota të malësorëve apo grave të tyre, duke theksuar karakterin burrëror, krenarinë e ligjshme të malësorëve, zotër të vërtetë të trojeve të tyre. Ndofta të varfër, me veshje të grisura por të arnuara, të vjetra por plot sqimë, plot dinjitet e nur në fytyrat e tyre të thekuara nga dielli e shqota, ndofta nga dhimbjet e nga vuejtja, nga shtypja apo lodhja fizike. Por kuratorja ka mbajtur masën në këtë drejtim, duke dominuar në album notat optimiste, sidomos pasuria shpirtërore, aty ka shumë vend për portrete të personaliteteve të shquara të Shkodrës që kanë luajtur një rol të dukshëm në jetën artistike, shkencore dhe intelektuale të qytetit më të madh verior. Kështu dallohet fotoja e doktorit të parë të Shkodrës, Dr Basri Qallimit, i cili erdhi në Shkodër që në kohën e Turqise dhe ishte kirurg, patolog, ftiziatër, pediatër, gjinokolog e që bëri deri punën e mamis. Pastaj vijnë fotoja e klinikës së parë dentare në Shkodër, ajo e dentistit Hafiz Haxhi Hasan Kadukut, si dhe portretet e dr. Tasin Karagjozit, dr. Selaudin Mbrojes, dr. Bahri Kopliku, dr. Dhimitër Litos. Për të vazhduar me portretet e njohura në tërë vendin, ato të studiuesit Jup Kastrati, shkrimtarit Fadil Kraja, artistëve Tinka Kurti e Serafin Fanku, muzikantit Prenkë Jakova, trombistit Gjon Halili, farmacistit Pashko Ashiku, shkrimtarit Kristo Floqit, fotografëve Kel Marubi e Gegë Marubi, shkrimtarëve Risto, Llazar e Drago Siliqi, të reformatorit të ahengut shkodran Kolë Gurashit.

Me vlerë dokumentare historike janë fotot e anëtarëve të Këshillit të Bashkisë së Shkodrës, të deputetëve të parlamentit shqiptar, të anëtarëve të qeverisë Delvina, Vrioni, të anëtarëve të Doganës, të anëtarëve të policisë së qytetit, të shoqërive Bashkimi, Taraboshi, Lekë Dukagjini. Merr vlera historike sidomos fotografia fiksuar me rastin e ardhjes në Shkodër, të Tefta Tashkos e Lola Gjokës, krahas të cilave gjënden personalitete si Ernest Koliqi edhe Asdreni. Dallohen dy foto interesante: ajo e bibliotekës së qytetit të Shkodrës, me kryetarin e bashkisë së Shkodrës Zenel Prodanin, si dhe ajo e bibliotekës franceskane me Atë Gjergj Fishtën. Shumë interesante fotografia e një grupi intelektualësh shkodranë me Gjergj Fishtën në qendër. Shumë prej tyre luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen mendore shqiptare, si folkloristi Kolë Gurashi, mësuesit veteranë Kolë Margjini, Luigj Shala, Gaspër Harusha, Kolë Zezaj, Gjush Sheldija, Kolë Mosi, Kel Ujka, Karlo Shiroka, Kolë Laca, Ndue Paluca, piktori i popullit Simon Rrota, piktorët Ndoc Shala, Duro Guri, gjuhëtari Kolë Kamsi, si edhe Etërit franceskanë Martin Gjoka,Ambroz Marlaskaj, Lekë Filipi, Bernardin Palaj, Marin Sirdani, Anton Harapi. Jeta artistike e Shkodrës paraqitet me fotot e aktorëve të dramës Mustafa Pasha dhe të komedisë Don Kishoti, pamje nga karnavalet e Shkodrës.

Urbanistika e qytetit përbën një nga temat më të dashura të fotografëve shkodranë, të cilët kanë fotografuar me një përkushtim të madh pjesë të rëndësishme të jetës urbane të qytetit. Kështu Kafja e Madhe, lulishtet e qytetit, posta, pjaca, qendra e qytetit, Fushë Çela, Truma e Dugajëve të Reja, Agjensija e udhëtarëve Shkodër-Tiranë, Durrës, Ura e Bunës, Ambulanca Tepeks, Pazari i Shkodrës, etj.. Alkbumi Marubi-6 ka pamje nga jashtë të Dajlanit, të Kështjellës Rozafat, Doganës së Shkodrës, pamje nga brenda të Kalasë së Shkodrës. Bie në sy se një pjesë e fotove duan të tregojnë prirjen liberale dhe civilizuese të qytetit të Shkodrës.

Kuratorja Osmani ka ruajtur masën në krijimin e hapësirave për fotot e të huajve që janë instaluar në qytet me shërbime të ndryshme, të konsujve të Rusisë, Austrisë, Francës, Italisë, Jugosllavisë, shpesh me gjithë familjarët e punonjësit e konsullatës. Aty kemi edhe fotot e inxhinierit Briot, Attilio Siminit, pronarit italian të fabrikës së bukës e të miellit, Giuseppe Scapinni. Kemi fotot e Pazarit të Shkodrës që vizitohet nga turistë të huaj, si edhe të shkollës amerikane në qytet.

Përveç Shkodrës kapitull i veçantë është edhe ai i Durrësit, Elbasanit, Krujës, Tivarit e në mënyrë të veçantë, ai i Tiranës. Janë tetë foto që i kushtohen Tiranës, kryeqyetit të ri të Shqipërisë: dy foto të rrugëve të Tiranës, një e qëndrës, foto e Kafe Europës, e Hotel Internacional, Pazarit Nacional, Sakakut të Bakërxhijve, shitja e lirit në Pazarin e Tiranës.

Albumi dallohet për dritën si edhe për vlerat artistike, shkencore, prezantuese. Seria e Albumeve Marubi, e bashkë me ta, Albumi Marubi 6 përbën një mjet efikas për prezantimin dinjitoz të Shqipërisë, sepse jep të dhëna efikase për të pasqyruar identitetin tonë, vlerat thelbësore të shqiptarëve.

Kuratorja e Albumit. Drejtoresha e Fototekës, studiuesja e zellshme e fotografisë shqiptare, Semiha Osmani po jep rezultate shumë të kënaqëshme me punën e saj këmbëngulëse. Nga albumi në album ajo po e rrit ndjeshëm profesionalizmin e saj aq sa ka arritur me kompetencë të kurojë e përgatisë për botim gjashtë albume fotografike me fonde nga thesaret e Fototekës Kombetare Marubi.

Ilirët, një paragjykim po ndërron

Pas dhjetë vjet kërkimesh në Risan të Malit të Zi, zhvendoset në Shkodër ekspedita polake nën drejtimin e prof. Piotr Dyczek: “Shpresojmë të gjejmë gjurmë të qyteteve ilire”

Qendra e Kërkimeve Arkeologjike e Universitetit të Varshavës e zhvendos ekspeditën dhjetëvjeçare në Risan, të Malit të Zi, një kryeqendër e mbretërisë Ilire nën drejtimin e Teutës (230-228 p.e.s), zhvendoset në maj 2011 në Shkodër, rrëzë kalasë deri poshtë në Drin.
Prof. Piotr Dyczek prezanton rëndësinë e kësaj ekspedite e cila përuron mision për gjurmimin e rrënojave ilire, për të konfirmuar një mentalitet që sapo ka filluar të ndërrojë. Prof. Dyczek thotë se paraqitja e deritanishme e pasardhësve të shqiptarë si primitivë është e kundërt me atë që po dëshmon arkeologjia.
Lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes me Universitetin e Tiranës për pesë vjet gërmime në Shkodër, u shoqërua me ekspozitën “Ilirët në Evropën pa kufij” e hapur në Muzeut Kombëtar Historik në Tiranë. Aty prezantohen imazhe nga gërmimet në Risan, afër Kotorit në Mal të Zi.

Prof. Diçek, ju po njoftimi lajmin e rrallë për publikun vendas: fillimin e gërmimeve në gjurmë të mbretëreshës ilire Teuta në Shkodër, kur në fakt nga njerëzit flitet për botën ilire me një gjuhë të pabesueshme.
Së pari dua t’ju informoj se qendra ime arkeologjike që funksionon në kuadër të Universitetit të Varshavës, realizon gërmime në Rusi, Bullgari dhe Mal të Zi dhe specializimin im i ngushtë është arkeologjia klasike.
Në vitin 2000 rektori i Universitetit të Varshavës u takua me ambasadorin amerikan, Kristofer Hill në Poloni, (por edhe në Shqipëri dikur). Ishte koha kur administrata amerikane kishte planin e ndihmës për Ballkanin. Hill pyeti çfarë mund të bënte ky universitet për Ballkanin.
Atëherë Hill më tha: Ti je arkeolog, arkeologjia është çelësi i të tëra shkencave. Ishim para dilemës të ndihmonim Malin e zi apo Serbinë. Atëherë Polonia s’mund të ndihmonte Serbinë që ishte në përzhitjen e luftës.
U vendos marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës së malit të zi. Shkuam atje për të përcaktuar vendin e gërmimeve. Na dhanë gjashtë vende për të studiuar. Kur u ndodhëm në Risan, duke u nisur nga peizazhi, i thashë rektorit: Këtu, nuk do lëvizim prej këtej.
Për mua ishte interesante sepse specializimi im i parë ka qenë kultura e Minonit dhe Arthur Evans ka bërë gërmime në Knosos, ai ka punuar më parë në Risan. Aty zbuluam një thesar, 4600 monedha.
Nga përvoja dhjetëvjeçare në Risan, me çfarë qëllimi shkoni në Shkodër, çfarë shpresoni?
Isha takuar dikur me Neritan Cekën. Erdhi një ditë që u ritakuam dhe më pyeti ku doni të gërmoni?
Duke u nisur nga fakti që Risani ka qenë kryeqendra e mbretëreshës ilire Teuta, atëherë unë mendova që vendi më i mirë për të vazhduar, do të jetë Shkodra.
Erdha këtë verë me bashkëpunëtorë të mi dhe vendosëm që në maj 2011 të fillojmë gërmimet aty. Bëmë formalitetet, nënshkruam kontratën përkatëse me ministrinë e Kulturës.
Shkodra ka qenë kryeqendër ilire, por gërmime për këtë periudhë nuk janë bërë, kryesisht kanë qenë gërmime që janë marrë me periudhën e vonë romake. Ne shpresojmë të zbulojmë qytete ilire në Shkodër. Qëllimi ynë është që edhe të sjellim studentë shqiptarë atje që të kenë mundësi të punojnë në këtë fushë. Do të jetë rast i mirë edhe për studentët polakë.
Cili është pellgu i gërmimeve?
Dimë që në rrëzë të kalasë së Rozafës ka qenë qyteti i poshtëm, këtë areal do kapim deri në breg të Drinit, pjesa e poshtme e kalasë. Duke qenë se është një sipërfaqe e gjerë do të përdorim metodat gjeofizike që do të fotografojnë në thellësi për të gjetur gjurmë që të lokalizohen më saktë gërmimet.

Aty është kalaja që mban emrin e një gruaje, ndërkohë ju vini nga gërmimet për historinë që ka emrin e një gruaje, Teuta. Në një hapësirë kaq të ngushtë miti i dy grave.
Ne në Poloni i duam shumë femrat (qesh). Pëlqejmë femrat e çliruara dhe pikërisht në të dyja këto raste kemi të bëjmë me femra të vendosura.
Dimëë nga historia që në periudhën ilire femrat kanë luajtur një rol determinues.
Për zonën ilire Teuta është megjithatë një përjashtim.

Si e karakterizoni, jo vetëm për rolin si udhëheqëse?
Teuta përbën një rast fare unikal që në fiset ilire një femër të dilte e para. Jo vetëm që ishte mbretëreshë, por ajo arriti t’i shpallte luftë edhe Romës.
Domethënë në sjelljen e saj ka elementë më shumë se mashkullorë, më shumë se prijësi. Në tekstet tona të historisë kur unë kam qenë student kemi mësuar që me përjashtim të Hanibalit ajo ishte e vetmja që arriti t’i shpallë luftë Romës.

Në njëfarë kuptimi ajo e fitoi luftën që humbi me Romën. Rezultatet e triumfit erdhën më vonë, sepse ia la fronin të birit, i cili arriti të bëjë marrëveshje me Romën dhe falë kësaj Iliria u zhvillua më tej.
Po të përdorim një terminologji të stome, ajo ishte një burrë shteti në kohën e vet. Ishte njëkohësisht dhe patriote e madhe sepse përballë superfuqisë së Romës arriti të mbijetonte dhe t’i jepte vendit mundësi për zhvillim. Teuta i siguroi Ilirisë së atëhershme pavarësinë dhe zhvillim për 70 vjet me radhë. Duhej të kalonin 70 vjet që Roma të ulej këmbëkryq në tokat ilire.

Imazhin e saj, si e përfytyroni?
Ajo ka kryer një rol të ngjashëm me atë të Kleopatrës në Egjypt, por ne nuk e dimë akoma si dukej ajo me të vërtetë. Nuk kemi akoma një pamje të vërtetë të saj, reale. Vetëm e përfytyrojmë.
Në Risan tamë në gjurmë të mbretit Balajos. Artur Evans zbuloi i pari 14 monedhat e para të këtij mbreti. Pararendësi i tij ishte mbreti Gent përderisa ky arriti të shtypte monedhën e vet, konkludojmë që ka qenë mbret i fuqishëm. Për mungesë të burimeve të shkruara, Evans e kishte të vështirë të deshifronte rëndësinë e këtij mbreti. Ai ka pasur një territor mjaft të gjerë.
Nëse kryeqendra e tij ishte në Risan, zotërimet e tij përfshinin gjysmën e Kroacisë dhe gjysmën e Shqipërisë njëkohësisht. Gjatë gërmimeve tona gjetëm rreth njëmijë monedha të këtij mbreti çka na shtyu të mendonim që aty ka qenë vendi i prodhimit të monedhave. Balajosi mund të ketë jetuar në shek. II para erës sonë. Vetëm vitin e shkuar ne zbuluam 4600 monedha, 12 kg, në një vazo të madhe.
Të gjitha i takonin këtij mbreti, me përjashtim të njërës. Kjo na detyroi të shtyheshim në kohë dhe bëri që ajo histori e mbretërimit ilirik të hyjë më thellë në histori. Kjo shpjegon në njëfarë mënyre edhe zhvendosjen e mbretëreshës Teutë nga Shkodra në Risan për të përvetësuar këtë thesar që gjetëm, që të mund t’i shpallte luftë Romës.
Me gërmimet tona mendojmë me modesti se kemi sjellë një shërbim të madh: kemi zbuluar ekzistencën e një mbreti të ndërmjetëm, Balajos, për çka nuk dihej fare nga materialet e deritanishme.
Në qoftë se deri tani kishim informacion se mbretëresha Teutë kishte një shtet të fuqishëm, me këto zbulime i bie që struktura shtetërore ka qenë edhe para Teutës, domethënë që formacionet ilire kanë qenë të organizuara edhe para saj. Jemi të prirur të mendojmë se ilirët kanë jetuar mirë.
Në qoftë se deri para pak kohësh ka ekzistuar mendimi se ilirët kanë qenë primitivë dhe kanë qenë grekët ata që kanë imponuar kulturën e tyre, zbulimet e tanishme tregojnë se ilirët kanë qenë po aq të zhvilluar e të kulturuar dhe kanë pasur formacionin e tyre të pavarur.
Në këto 20 vitet e tranzicionit shqiptarët, sidomos, ata në emigrim kanë treguar se sa të nevojshëm e ka identiteti o sotëm shqiptar të strehohet tek kjo botë e lashtë. Do t’i kënaqnit po do t’u jepnit një shpresë të gjithë këtyre me qëllimin e ekspeditës suaj?
Patjetër që kanë të drejtë identifikohen me paraardhësit e tyre. Ne i kemi vënë ekspozitës titullin “Ilirët në Evropën pa kufij” sepse shqiptarët vazhdojnë të luftojnë të qëndrojnë mbi këmbët e veta.
Terreni është pjesërisht i rrethuar me ujë, çfarë metodash do të përdorni në këto gërmime?
Më parë duhet të bëjmë fotografimet satelitore nga ajri për të përcaktuar më saktësisht zonën, përderisa ne kemi si objekt për gjetur qendra ilire. Do të kërkojmë nga fotografitë atje ku janë nyjet e këtyre gjurmëve. Nga pikëpamja shkencore i kemi të qarta të gjitha. Me këtë projekt qëllimi është që të ndihmojmë edhe popullsinë vendase, më shumë për turizëm.
Ka ngjallur kundërshti nga fqinjët projekti juaj?
Pa dyshim që po. Më mirë të mos flasim për këto gjëra.

Zbulohet vendimi, Piramida shembet më 20 shkurt

Tiranë- Projekti për shembjen e Piramidës duket se i ka tejkaluar debatet politiko-mediatike, pro dhe kundër. Vendimi tashmë është marrë: godina në qendër të Tiranës, e ndërtuar si muze për diktatorin Enver Hoxha, i ka ditët e numëruara. Deputetja e PD-së, Mesila Doda zbuloi mbrëmë në emisionin “Ora e Debatit” se Piramida do të shembet në 20-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës nga qendra e Tiranës. Duke e lidhur datën e shembjes me simbolikën e rrëzimit të bustit të diktatorit, ajo bëri me dije se data 20 shkurt do të jetë dita e shembjes së Piramidës, për të ndërtuar në vend të saj Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Ky pohim i deputetes së Partisë Demokratike, Mesila Doda, vjen pas një debati të gjatë në media, që dje zbriti edhe në sallën e Parlamentit për shembjen ose jo të kësaj godine. Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij shprehu vendosmërinë për shembjen e Piramidës, duke thënë se “nuk bëhet fjalë për ndërtesën, debati është për kultin e njeriut më mizor, diktatorit më mizor në historinë e pasluftës, Enver Hoxha. Ai akuzoi PS-së se po mbron kultin e një diktatori, mbron krimet më monstruoze të Enver Hoxhës, të cilin ai e quajti “Hitleri i fundit, i mbetur në Europë”. “Nuk dua t’ua fshehim juve se mauzoleu i Enverit i ka muajt e numëruar. Në qoftë se demokratët nga e gjithë bota morën dhe qarkulluan në mbarë planetin copëza të Murit të Berlinit, ju ftoj të merrni copëza të mauzoleut të Enverit dhe t’i mbani për gjithë jetën si relikte”, -tha Berisha në Kuvend, duke paralajmëruar kështu shembjen brenda këtyre muajve, por pa përmendur datën 20 shkurt. Pas fjalës së Berishës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi pohoi se qëndrimi i socialistëve nuk ka të bëjë me Piramidën, por me shpenzimet për këtë projekt. “Ne kërkuam që të bëhet një gjë serioze, të merret një nismë serioze në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit. Ne kërkuam që të organizohet një konkurs ndërkombëtar. Ju një konkurs të tillë e organizuat para dy vjetësh. Harxhuat goxha euro të këtij populli dhe të këtij vendi, shpallët edhe një projekt fitues të çështjes. E gjithë kjo kushtoi një shumë të caktuar dhe kush përgjigjet për këtë shumë?” -iu drejtua Ruçi Berishës, duke shtuar se ajo godinë nuk është sot as Piramida e Enverit dhe as muzeu i tij, është Qendra Ndërkombëtare e Kulturës me emrin “ Pjetër Arbnori”. “Nuk keni parë anjë reagim pse iu vu kësaj qendre ndërkombëtare emri “Pjetër Arbnori”, plotësisht i merituar. Por ju ju ngacmon shumë edhe emri Pjetër Arbnori, duhet ta fshihni dhe Pjetër Arbnorin, se ju bën hije Pjetër Arbnori”,-tha Ruçi, duke i kërkuar Berishës nga salla e Kuvendit të anulohet vendimi për prishjen e Piramidës. Projekti për shembjen e Piramidës dhe kthimin e saj në Kuvend u pohua pak javë më parë, e më pas kjo çështje është debatuar gjatë në media nga njerëzit e artit dhe të politikës, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre pro dhe kundër për këtë vendim të mazhorancës.

Si po harrohet Babai i Gjuhës Shqipe

SHKRUAN: Fatos Salliu

Katandiset në një dhomë (4x2m) Babai i Gjuhës Shqipe. E ashtuquajtura Shtëpi Muze në nderim të Kostandin Kristoforidhit tashmë i ngjan më shumë një “furriku” se sa një monumenti kulture. Në fakt, që në kohën e diktaturës u ngrit një monument dinjitoz për këtë gjigant, i cili ndodhet në qendër të qytetit. Dhe veç këtij monumenti, asgjë tjetër për t’u shënuar. Brenda lagjes Kala në Elbasan ekziston një shtëpi muze, ku thuhet se jetoi Kristoforidhi. Shtëpia-dhomë e transformuar, madje e shpërfytyruar, ndodhet në afërsi të ish-burgut të vjetër, ndonëse për shtëpinë e lindjes nuk ka të dhëna të sakta. Pikëpyetjet janë të mëdha, pasi godina aktuale ku deklarohet se ka jetuar Kristoforidhi është vetëm një dhomë e një bodrum, kur ai kishte 9 fëmijë. Pavarësisht rrethanave dhe periudhës në të cilën ndodhemi, gjuhëtari i madh meriton më shumë. Dhoma është marrë nën kujdes nga skulptori Dhimitër Telezi dhe ndërsa hap derën, ai shprehet që të mos çuditemi nga tri pllakat e ndryshme në anë të portës, pasi dy të tjera janë vendosur nga pronarët e shtëpisë ngjitur, të cilët nuk pranuan që ajo të vendosej në murin e tyre. Sapo hyn në oborr, (një rrip i ngushtë që të çon në dhomën e vetme me çardakun e thjeshtë) në anë të zë syri një mur të ri prej betoni të sapondërtuar nga fqinjët. Shkallët janë karakteristike dhe në anë të çardakut vëren dollapët e punuar prej druri të rrethuar nga punët e ndryshme të Telezit. Zhgënjimi vjen sapo hapet dera! Gjuhëtarit të madh i kushtohet vetëm kjo dhomë me dërrasë të kalbur, pa tavan dhe me stenda të vjetruara të periudhës së komunizmit. Ndër të rrallat shtëpi muze që duhet të ishte një pelegrinazh për nxënësit e shkollave, një flamur krenarie e jona për turistët, ndodhet në këtë gjendje. Bashkia duket se e ka lënë në mëshirë të fatit shtëpinë e babait të gjuhës shqipe, duke e lënë në mëshirë të fatit. Stendat me vjershat e tij janë lënë përtokë, ku lagështira po i shkatërron çdo ditë e më tepër. Ndërkohë që ato pak sende dhje materiale të rilindësit janë të shpërndara vend e pa vend në atë hapësirë të vogël që i është lënë në dispozicion këtij njeriu të madh të gjuhës shqipe. Fotografitë e pakta që disponohen janë zvjerdhur akoma më shumë nga koha. I vetmi që kujdeset për ato pak metra katrorë është skulptori Dhimitër Telezi, i cili duket se këtë punë e bën me pasion dhe vullnetarizëm, për të ruajtur vlerat e qytetit. Kostandin Kristoforidhi lëvruesi dhe studiuesi i gjuhës shqipe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit dhe kulturës, u lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1847. Botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhjata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Nomi i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (toskërisht 1884). Ka lënë dorëshkrim “Krijesa dhe të dalët”( gegërisht), si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri, që nga viti 1870, për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t'u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874, pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës. U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të gjuhës shqipe. U vendos përfundimisht më 1884 në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi, derisa vdiq në vitin 1895. Veprimtaria e tij themelore ishte në dy fusha të lidhura ngushtë: për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Botoi më 1867 “Abetaren” gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit.

Pasaportat, në kufi të dyja të vlefshme

SARANDE- Deri në ditën kur në kufi do të kërkohet vetëm pasaporta biometrike, në pikëkalimet kufitare udhëtohet duke dorëzuar në sportelet e shërbimit policor të dyja pasaportat. Kjo praktikë është ndjekur këto kohë në terminalin e portit detar të Sarandës.

Shtimi i dukshëm i numrit të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta biometrike, është një realitet që vihet re edhe në pikat e kalimit kufitar të Qafëbotës dhe në terminalin e portit detar të Sarandës.

Sipas Alda Krashnicës, shefe e stacionit policor në portin e Sarandës, janë të pranueshme si pasaporta e vjetër kur në të ka një vizë të paskaduar edhe e reja, nëse qytetari e ka atë. Ajo sqaron se pasaporta biometrike nuk vlen më vete, por e bashkëshoqëruar me pasaportën ekzistuese. Znj.Krashnica tha se “megjithëse pasaporta e vjetër pas pajisjes me të re, bëhet e pavlefshme, tek ajo ka vlefshmëri viza e marrë, leja e qëndrimit dhe fotografia e mbajtësit.

Gjatë marrjes së vulës në sportelin e terminalit të portit detar, shihet se qytetarëve u jepet vula e kalimit në dy raste. Kur viza është marrë në pasaportën biometrike, nuk është nevoja për dy pasaporta, por kur viza gjendet në pasaportën e vjetër të nxjerrë jashtë përdorimit nga autoritetet policore, ajo duhet shoqëruar edhe me pasaportën e re.

Mësohet se praktika e përdorimit të të dy pasaportave në shumë raste do të vijojë të ndiqet deri në ditën kur në kufi do të kërkohet vetëm pasaporta biometrike, kur do të mundësohet udhëtimi pa vizë në zonën shengen. A.B.

Reichtag-Piramida dhe Rama-Agolli

Shkruan:
Artur Zheji


Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka zgjedhur si metaforë paraelektorale një akt ekspresiv politik, shembjen e Piramidës, që rri kaq vjet si një puçërr përkujtimore, në qendër të kryeqytetit tonë tejet puçrranjos në beton dhe shëmtira.

Kjo është një zgjedhje e tij, një provokim politik, jo pa efekte dhe jo pa debate të ndezura.
Reagimi i Opozitës, tashmë reagimi Rama, pasi Partia e dikurshme Socialiste, partia e 1001 shkollave, është padyshim partia e Njëshit, reagimi Rama pra, krahasoi me lehtësi diletante, Piramidën me Reichtagun. Pra, pasi e hëngri esëll provokimin e Doktorit, kryebashkiaku shekullor bëri, me siguri pa dashje, një gafë historike.
Reichtagu është ndërtuar në Berlinin perandorak dhe është hapur në vitin 1894. Tullën e parë e ka vendosur perandori gjerman Wilhelmi i Parë, shndërruesi i Prusisë, së bashku me Kancelarin Otto von Bismarck, në një Reich të bashkuar.
Reichtag ishte, pra, në origjinë të vet, një seli parlamentare e Gjermanisë së Bashkuar, e cila nuk lidhet me emrin e Hitlerit dhe as ka qenë objekt kulti për të. Përkundrazi, komunisti bullgar, agjent i Internacionales staliniste, antifashisti Dimitrov dhe më pas Bertolt Brecht-i dhe të tjerë, akuzuan se ishte Hitleri ai që e dogji Reichtagun, për të akuzuar komunistët dhe më pas për t’i shfarosur ata. Kjo tezë akoma edhe sot, ngelet një hipotezë, pasi mungojnë provat. Kjo është e vërteta historike. Kryetari le ta konsultojë.
Po Piramida e mermertë?
I kujtoj Ramës, që shfaqet kujtesëhumbur në shumë gjëra tashmë, se kjo “vepër monumentale” u ngrit me vendim të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, për të përjetësuar jetën, veprën e përjetshme dhe fitorjet e Enver Hoxhës.
Dihet se kush është edhe grupi i arkitektëve, udhëhequr nga familja e diktatorit, dihet dhe kush ka qenë komisioni aprovues dhe grupi i punës. Pa dashur të thellohem më tej mbi emrat e “vizionarëve” që e ndërtuan, besoj është i qartë sfondi i kuq politik dhe enverist, në të cilën kjo Piramidë u konceptua, u përzgjodh, u ndërtua dhe u lartësua.
Do të vazhdojmë të falsifikojmë historinë?
Të themi se Piramida është një pasuri kombëtare arkitektonike? Një vlerë historike që duhet të mbetet? Një zgjidhje urbanistike e vlefshme?
Apo kemi të bëjmë me mishërimin e plotë të politikës së vjetër, në të gjitha poret e veta, në të gjitha detajet dhe madje në të gjitha “puçrrat” e shumta të kryeqytetit?
Në vendin tonë falsifikimi, falsifikimi i thellë, është me sa duket lëng jete, lëng karriere dhe lëng ekzistence. Ky është dukshëm, “borxhi“, një hap i detyrueshëm përbetues, për t’u bërë pjesë e sektit dhe të Kupolës së politikës shqiptare.
Sepse mund të diskutohet kostoja e operacionit, nevoja imediate ose jo, por pjesa tjetër më duket një mërziti retorike, një trishtim i thellë dhe një enverizim i neveritshëm.
Në të njëjtin emision, për koincidencë ose jo, tek fliste për dasmën e tij, dhëndri kryeopozitar, tregoi me mallëngjim dhuratën më të çmuar që mori atë ditë “magjike”, një pusullë nga Dritëro Agolli, shkruar me dorën e tij dhe palosur në kutinë e penës së tij…
Më vjen keq Dritëro, ndonëse më shkrove një paçavure arrogante dhe plot fyerje, si përgjigje të shkrimit tim të paradoditshëm në MAPO, nuk u përgjigja, për etikë.
Por si dhe të thashë në shkrimin e mëparshëm, është Rama që të tërheq në fokus, si një vulë të vjetër me dyll të kuq, si një certifikues të vetin dhe të partisë gjithmonë e më shumë kuqalashe.
Është neveria e falsifikimit të realiteteve dhe interioreve, që më shtyn të shprehem publikisht, për ty, ish-Kryecensorin e Përgjithshëm të ish-regjimit.
Poetin, anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ndërkohë që të tjerë poetë, dergjeshin burgjeve apo varreve pa emër. Sepse edhe poet edhe anëtar të Komitetit Qendror të Partisë, edhe Kryecensor edhe romancier, edhe këngëtar i Enverit (/Për Enver Hoxhën këngë thur tërë jetën/ Komunisët) edhe i “persekutuar”, vetëm ti mund të jesh dhe kjo besoj nuk është shpifje, apo jo.
Por nuk je ti, Dritëro, as kësaj radhe objekti i këtij shkrimi, është ish-“rebeli” antikonformist, që është futur në Kupolën e konformizmit dhe për këtë përdor edhe pusullën tënde edhe kutinë “historike“ të pendës tënde.
Ditën që vdiq Hoxha, së bashku me Edin, ikëm larg syve të botës, sepse nuk arrinim të fshihnim dot gëzimin tonë të ekzaltuar, që Oktapodi i madh, “Kuçedra” që kish zënë dhe pushtuar “burimin e lirisë“, ndërroi jetë.
Nga Zoti dhe jo nga robi. Dhe nuk i gëzoheshim vdekjes së njeriut, Enver Hoxha, por ndalimit të jetëve që ai merrte, të lirisë që ai vriste, të lirivrasësve që ai mbante përreth, nxiste dhe udhëhiqte.
Dhe tani, ti Dritëro, do t’më mërzitesh përsëri, sidomos Sadija fisnike, porse, në atë dasmë politike, me presidentë dhe kryepriftërinj, me ish-kryeministra dhe me plot njerëz puçrra, arlekinë, oborrtarë, klounë dhe hipokritë, shumë hipokritë, dhuratën më të madhe dhe më të shtrenjtë e paskëshe dhuruar ti.
Jo Lubonja, ish-i burgosur politik i regjimit komunist; jo Ali Oseku, piktor i madh i dënuar por jo i nënshtruar, si dhe të tjerë liridashës, sot larg tij, që e frymëzonin dikur Edi Ramën, pikturën dhe identitetin e tij alternativ.
Trishtim i madh, apo jo?
Në këtë sfond ti Dritëro, je padyshim shumë më koherent dhe ke lënë pas, aty këtu, ca vargje që do të t’i kishte zili edhe Heinrich Heine, ndërsa Rama, tashmë vetëm kryetar i Partisë Socialiste, me militantë që flasin me zërin e tij, arsyetojnë me sintaksën e tij, artikulojnë si sozitë e tij, nxjerr, jo ata, por ty, ty Dritëro, në tregun e mallëngjimit postkomunist, “penën” tënde dhe “pusullkën” e shkrojtur me dorën e dridhur.
Tani edhe një sqarim. Të gjitha këto, do të mund të mbeteshin një monolog i brendshëm, një gjykim i heshtur që kapërcehet poshtë me një gotë konjak të mirë apo raki nga e jotja, me ca fraza poetiko-filozofike të Edgar Allan Poe-s dhe me ca vargje të Charles Baudelaire-t, porse nuk rrimë dot në tapetin Persian të poezisë dhe artit, jemi mjerisht të katapultuar në një Metamorfozë kafkaiane, ku njeriu shndërrohet në buburrec…

Dhe si t’ia bësh kur dëgjojmë në Tv, nga Kryeministri hije, për dy Piramida? Për piramidën mauzole të Hoxhës dhe piramidën e pusullkës Tuaj, Dritëro?
Si do të jetë vallë, jeta dhe vdekja, qyteti dhe xhungla e kryeqytetit, shteti dhe qeverisja e tij, nga piramidëdashësi, kryetar aktual i Partisë Socialiste Shqiptare?
Që ngatërron, për hir të të vërtetës së inkoshientit të tij, Piramidën e Hoxhës me Reichstag-un e Wilhelmit?
Kjo është çështja, dhe kjo çështje është çështje e kalamanëve që duam të rrisim në këtë vend, sa të bekuar aq edhe të mallkuar.
Dhe sinqerisht nuk do të doja të jetoja dhe aq më tepër të rrisja fëmijët e mi, në një epokë restaurimesh postkomuniste.
Nëse shembja e Piramidës Puçërr, shërben për këtë, shërben për ndaljen e frymës restauratore, Piramida le të shembet!
Nuk është as Piramida e Keopsit dhe as Reichtagu, apo jo?
 

Wednesday, October 27, 2010

Tefta Tashko Koço/Njëqind vjetët që ia dëshironim aq shumë


Nga Agron SEJAMINI

Më 2 nëntor, ka 100-vjetorin e lindjes. Sa shumë zemra ia kanë dëshiruar dhe bërë këtë urim këngëtares tonë të shquar?! Por, Perëndisë ajo bukuri dhe hijeshi iu desh 37-vjeçare. Ndoshta, për të mbetur e tillë përjetësisht edhe në kujtesën e brezave. Zëri i saj i mrekullueshëm edhe sot është magjik, duke e bërë edhe më të bukur, atë bukuri...

Iku shpejt edhe pse erdhi "vonë" në Shqipëri. Më 2 nëntor 1910, lindi në qytetin Fajum të Egjiptit. Në vitin 1921, në moshën 11-vjeçare sheh për herë të parë Shqipërinë. Familja e saj me origjinë nga Frashëri i Përmetit, braktis kurbetin dhe kthehet në Atdhe. Një fëmijë e etur në kuriozitetin e moshës dhe mall të rrituri, për vendlindjen e prindërve, pasi në vogëli, pëlqeu shumë gjuhën dhe këngët shqiptare që dëgjonte në festa dhe gëzimet familjare. Ndërkohë, shumica e mysafirëve që hynin në atë shtëpi, ishin ajka e patriotizmës shqiptare në Egjiptit. Babai i saj, Thanas Tashko ishte një prej tyre. Kur u rrit, ndjehej krenare që kishte parë Çajupin, Spiro Dinen, Jani Vruhon, Filip Shirokën... E rritur në atë ambjent atdhetar, kur erdhën në Korçë me familjen e saj, ndjehej më shqiptare se shqiptarët. Për fat zgjodhën për të jetuar, atë qytet që në vitet '20, ishte kryeqyteti i kulturës shqiptare. Ishte periudha kur u shfaq për herë të parë, nga disa të rinj që kishin ardhur nga Rumania, drama e Mihal Gramenos "Vdekja e Pirros". Personazhet e saj ishin veshur me kostumet e kohës, ndërsa dekoret ishin punuar me shije nga piktori Vangjush Mio. Por, më shumë gjallëri dhe freski i dha jetës artistike banda e shoqërisë "Vatra", e cila kishte ardhur nga Amerika. Dirigjenti i saj, Thoma Nasi, një muzikant i talentuar, grumbulloi disa muzikantë amatorë dhe krijoi një orkestër të vogël, e cila jepte koncerte me muzikë të lehtë. Pak më vonë u krijua edhe një orkestër me mandolinën e famshme korçare. Të gjithë të pasionuarit pas muzikës dhe artit formuan shoqërinë e "Arteve të bukura". Jo më pak e njohur në aktivitete ishte edhe grupi muzikor "Lyra".

Ajo ndjesi që i ishte shfaqur në Egjipt për këngën shqiptare tani 11-vjeçares, iu kthye në dashuri. Shoqet e saj më të rriturra, kënaqeshin me zërin e bukur, kur e dëgjonin Teftën, duke kënduar në shkollë ose në mbrëmjet e vogla familjare. Ajo interpretonte këngë të ndryshme, duke shpalosur qartë kujtesën muzikale, sensin e ritmit, shijen për meloditë e bukura... Në ditët e para të janarit të vitit 1922, në Korçë erdhi Fan Noli. Për të festuar ditëlindjen e këtij demokrati të shquar që e kishte më datë gjashtë, u organizua një koncert. Nga nxënësit e korit të asaj shkolle u dalluan dy vajza. Njëra ishte Tefta dhe tjetra e kishte emrin Jorgjia Truja. Një urim dhe përqafim nga Noli i madh, ishte kujtesë e mjaftueshme për mësuesit e muzikës, që të vlerësonin talentin e tyre. Në vitet që vijuan, u shtuan koncertet artistike, ku pjesëmarrja e Teftës dhe e Jorgjisë ishin të pa diskutueshme. Gjithsesi, e ardhmja e tyre vihej në udhë të mbarë, nëse ato do të fitonin një bursë studimi për në shkollat perëndimore të muzikës. Kështu, erdhi edhe koncerti i radhës, më 26 qershor të vitit 1926. Jo thjesht për të kënaqur publikun artdashës të qytetit të Korçës, por për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve. Drejt kinema "Luksit" atë pasdite vërshuan qindra vetë. Një pjesë e tyre nuk mundi të gjente bileta. Shkëlqeu Tefta në skenë nga hijeshia e atij fustani të bardhë, por dhe nga mjeshtëria e të kënduarit. Të ardhurat e atij koncerti iu dhanë si ndihmë konviktorëve. Por, më shumë se kaq fituan dy talentet korçare, që siguruan vëmendjen e posaçme për të ardhmen e tyre. Kështu, një vit më vonë u akorduan bursat e ëndërruara. Teftës i doli për të studiuar për kanto në Montpellier të Francës, ndërsa Jorgjisë për në Romë.

Gjatë periudhës 1927-1931, Tefta studio në Konservatorin e Muzikës në Montpellier dhe në vitet 1932-1936 studioi në Conservatorie National de Musique et de Declamation të Parisit. Për të hyrë në këtë konservator, Teftës iu desh të këndojë në sallën Gaveu, aktin e katërt të operas "Traviata". Juria e përbërë nga personalitetet muzikore më të shquara franceze, i akordoi Çmimin e Dytë. Në koncertin e dytë po për të njëjtin rast, ajo këndoi La cavatine du Page nga opera "Les Huguentos", fitoi Çmimin e Parë.

Qëndrimi nëntë vjeçar i Teftës në Francë, shënoi jo vetëm kalimin nga faza e rinisë (17 vjeç) në atë të maturimit fizik dhe intelektual (26 vjeç), por dhe i përshtatjes në një ambjent krejt të ndryshëm nga ai i Korçës. Gjithsesi, ajo nuk e zbehu për asnjë çast, dashurinë për Shqipërinë. Ndoshta në këtë mirësi dhe ndjesi të saj, ndikoi edhe qëndrimi pranë saj i familjes (nëna, vëllai dhe motra e madhe). Pra, ishte po ajo jetesë dhe tradita shqiptare që e shoqëruan në gjithë kohëqëndrimin e Francës. Dëshmon shumë edhe përgjigjja pozitive që i bëri ftesës së ardhur nga grupi polifonik himariot. Më 1930, shkuan nga Himara në Paris, një grup i madh për të regjistruar këngë solo apo duete të muzikës së lehtë, shqiptare dhe të huaj. Kishin dëgjuar himariotët për artisten e re shqiptare, ndaj nuk reshtën së pyeturi dhe kërkuari deri sa gjetën adresën e saj. Asnjë pjesëtar i familjes nuk iu bë pengesë në atë ftesë.

- Patjetër, të shkosh dhe të punosh me muzikantët e ardhur nga Shqipëria, i tha e ëma.

Kështu për dhjetë ditë me radhë, ajo u shkëput nga Montpellier dhe qëndroi në Paris. Gjatë gjithë kohës, Tefta punoi me pasion dhe përkushtim për të realizuar sa më mirë regjistrimet. Shtangu dhe u emocionua shumë kur dëgjoi disa nga këngët polifonike. Një bashkëpunim që i la mbresa të pashlyeshme, duke ia shtuar edhe më shumë dëshirën dhe merakun për perlat e këngës popullore shqiptare.

Gjatë studimeve në Francë, ajo u vlerësua shumë nga pedagogët e Konservatorit të Parisit, drejtues artistikë të Radios së Parisit dhe kritikë muzike. Edukimi në Francë, bëri që ajo të asimilojë në mënyrë të veçantë, repertorin vokal klasik francez, ku prioritet për përgatitje ishte njohja mirë e mjeteve karakteristike shprehëse muzikore si dhe e gjuhës frënge. Tefta ishte pjesëmarrëse në dy konkurse që organizoi Teatri i Operas komike franceze. Ajo interpretoi në rolet kryesore të dy veprave të mëdha dhe shkëlqeu me madhështinë e saj. Vlerësimi që iu bë këngëtares sonë nga kritikë të njohur parisienë, përmes artikujve të botuar në gazetat kryesore të kohës, janë pika më e lartë që ajo arriti gjatë karrierës së saj studenteske në Francë. Pjesëmarrja e saj në konkurse, koncerte, opera, dhënia e programeve në Radiostacionin e Parisit dhe fitimi i çmimeve dhe i diplomave të ndryshme në këto manifestime muzikale, dëshmojnë për një këngëtare me vlera të padiskutueshme. Pikërisht në këtë kohë, Teftës i krijohet shansi për të lidhur kontratë me një nga drejtuesit më të mëdhenj të teatrove të operave të Nju-Jorkut.

Anglezja, I.Uoll, e cila mbeti një nga shoqet e saj më të preferuara i shkruante:

"E dashur Tefta!

Duhet të qëndrosh patjetër në Paris që të dëgjojë zoti Xhonson, drejtor i operave të Nju-Jorkut. Po të mos e takosh do të bësh gabimin më të madh të jetës. Takoje këtë njeri, se është nga njerëzit më të rëndësishëm në Amerikë dhe mund të afrojë një kontratë me shumë interes. Qëndro sikur edhe bukë të mos keshë për të ngrënë ato ditë.... Duhet të përfitosh nga ky rast, që është kaq i shkëlqyer sa ti nuk mund ta marrësh me mend..."

Përgjigjja, e Tefta Tashkos tashmë dihet... Me kthimin në Shqipëri në vitin 1936, përveç programeve koncertale me muzikë dhome dhe operistike, ajo iu përkushtua interpretimit të këngës lirike qytetare shqiptare.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në mes të fletëve të një pasaporte të huaj, me të cilën këngëtarja jonë ishte e pajisur kur ndodhej jashtë, gjendet një gjeth i vogël i tharë.

Mbi të, Tefta ka shkruar me kujdes frëngjisht, vetëm dy fjalë:

"Vdes dhe s'tërhiqem".

Ishte motoja e jetës së saj, e shkurtër, por e denjë për të mbetur përjetësisht, Artiste e Popullit!

Këngët popullore të kënduara nga Artistja e Popullit, Tefta Tashko Koço

1. Çelni ju, moj lule, çelni.

2. Edhe ky bilbil.

3. Fryn veriu. (Teksti: L. Poradeci).

4. Kur më vjen burri nga stani.

5. Ishin dy kunata.

6. Kroi i fshatit tonë (Teksti: L. Poradeci).

7. Të dua, moj goc e vogël.

8. Dolla në penxhere.

9. As aman, moj lule.

10. As u gremis, moj lejthatë.

11. Moj hyrije, bukurie.

12. Kur më shkon sokakut.

13. Fol e qesh, moj sylarushe. (Teksti: M. Gura).

14. Qante lulja lulen.

15. Ku do shkosh, moj goc e vogël.

16. M'at'fush' t'mejdanit.

17. Kënga e bilbilit.

18. Fustani me pika.

19. Po këndon bilbili fushave.

20. As aman, o syri i zi.

21. Ma ven dorën përmbi dorë.

Këngët popullore të incizuara në shoqërinë fonografike "Columbia" - Milano 1942

1. Un', o ty moj të kam dashur.

2. Kjo- dashtnija kjoft mallkue.

3. Kenke nur' i bukurisë.

4. Për një ditë, kur del gaca në pazar,

5. Këndon kumrija.

6 Metelikun ta kam falë.

7. Ma ven dorën përmbi dorë.

8. Dallëndyshe vaj, vaj.

9. Qante lulja lulen.

10. Moj fëllanxë.

11. Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën.

12. Dy gisht përmbi vetull.

13. Moj Hyrije; bukurie.

14. Shamija e beqarit.

15. Iku nata.

16. Del një vashë prej hamami

17. Zare trëndafile.

18. Të dua, moj goc' e vogël.

19. As aman, moj lule.

20. Kroi i fshatit tonë.

21. O moj sylarushe.

22. Dolla në penxhere.

23. Bilbil çapkëni.

24. As u gremis, moj lejthate.

25. Dashtnuer tu bana.

26. Ani, moj Hatixhe.

27. Seç kënd on bilbili mali te.

28. Shkaperceva dy-tri male.

29. Edhe ky bilbil çka qenke një zog.

30. Kam shtëpinë e vogël.

31. I kam hypë vaporit.

32. Fry, moj er' e malit.

33. O në atë fushë t'mejdanit.

34. Edhe gurët e sokakut.

Katër poetët kombëtarë, Asdreni, Fishta, Koliqi e Poradeci

ndjekin në Shkodër, recitalin e Tefta Tashkos

E bujshme jehona e recitalit të Tefta Tashkos në Shkodër, në vitin 1938. Mysafir i nderuar në qytetin verior në ato ditë, ishte edhe Asdreni. Edhe më shumë e shtoi atmosferën festive recitali i këngëtares sonë të shquar lirike. Në sallonin e Kinoteatrit "Rozafa" zunë vend në reshtin e parë katër poetët kombëtarë: Asdreni, Fishta, Koliqi dhe Poradeci. Por, magjikja dhe madhështia e asaj mbrëmjeje, ishte këngëtarja Tefta Tashko. Një pjesë të kësaj të vërtete, e dëshmon edhe fotografia që po botojmë, fiksuar nga mjeshtri Marubi. Pjesën tjetër, shkrimi i botuar në gazetën e kohës "Diana", e cila përshkruan emocionet e atij recitali:

"Zojusha Tashko me lëvizjet e matuna të fytyrës, me zanin kumbues e t'ambël, me gjallnin e vet si dhe me tonin e ndryshëm të melodive - të naltë, të ultë, të shpejtë e të ngadaltë-luente me zemrat t'ona njashtu si lot era me detin e kalthër.

Në sa "Les filles de Cadix", - na gëzoi, na dha nji "bonne humeur" - aty, për aty, kanga e dytë "Sonnambula" e Bellini-t, na zhyti në nji melankoli të hollë. Artistja që e ndiente deri n'ekstrem kët pjesë muzikore - bani që edhe ne, bashkë me te, të jetojshim disa çaste trishtimi. Por "Tarentelle" e Rossini-t preku ndigjuesit, bile u quejtë "xhevahiri" i asaj mbramjeje. Sopranoja e jonë e zotnonte mirë kët kangë napolitane, tonet e së cilës herë të shpejtë herë të ngadaltë, tash të naltë tash t'ultë e plot graciozitet - s'la shpirt pa gzue e s'la zemër pa prekë.

"Ave Maria" e Schubert-it - kjo arie mahnitëse, u interpretue mrekullisht na knaqi pa masë. Nji frymë mystike e thellë përhapej në salon: kjo kangë shkrihej në nji botë shpitënsh. Të gjithë digjeshim n' ekstaz porsi nji i divoçëm para shtatores së nji shejti qi ban mrekulli. Kur mbaroi kjo pjesë shpërthyen duertrokitje frenetike e "bravo" të daluna nga kandi i thellë i shpirtit të ndigjuesve. Të gjitha kangët lanë përshtypjen ma të bukur, veçanërisht kangët t' ona. Ata u duertrokitën dhe u kërkuen për së dyti. Po, kanë të drejtë: ato janë kangët t' ona, kangë nxjerrë drejt për së drejti nga shpirti i popullit. Folklori i ynë muzikuer paraqitet gracioz, - mjafton të përshkohet nëpër nji talent arti. "Kroji i fshatit t' onë" - vargje nga Lasgush Poradeci - mund të krahasohet me kangët ma të bukura që interpretoi zojusha Tashko.

"Kroji i fshatit t' onë" u-ba kanga e pavdekshme e kujtimeve tona. Poezi e muzikë të bashkueme në kët kangë formuen dritën që të merr syt e të robnon. Për kso këngësh kemi nevojë. Kto duhen të përhapen në vendin t'onë. Muzika e bazueme në folklorin e kombit kontribuon në forcimin e karakterit nacional dhe e ndezë shkëndinë e dëshunis për ket vend të shum vujtun..."

"Diana", 1938

Tuesday, October 26, 2010

Liri Begeja, gruaja që bekoi Ramën


Shekulli ONLINE

Emri i gruas që lidhi në martesë çiftin Edi Rama dhe Lindita (Basha) Rama, zë vendin e më të zgjedhurit ndër miqtë aq sa të jetë kumbarë dhe të kryejë ceremonialin e unazave.
Kush është kjo grua që shfaqet në momentet kyçe të jetës së Edi Ramës? Liri Begeja është mik shtëpie i dhëndrit, por edhe një mik me rrënjë në historinë e Tiranës. Sigurisht janë rrënjë të paraardhësve të saj, prej të cilëve ka trashëguar diçka që vetëm sa e lë të nënkuptohet nga vizitat e saj të rralla në Shqipëri.


Në prag të fushatës zgjedhore të vitit 2003 që e vuri Ramën përballë kandidatit të së djathtës për kreun e bashkisë së Tiranës në atë kohë, Spartak Ngjela, Liria erdhi nga Parisi për të realizuar diçka speciale për mikun e saj. Bashkë me tre të rinj të grupit "West Side Family" realizoi "filmin" e një kënge që kishte qëllim të fitonte zemrat e atyre që s'ishin bindur për punët e Edi Ramës.
Kush vëren me kujdes videoklipin e këngës "Tirona jonë" me regji të Liri Begesë, kupton që ajo e "ka krijuar" figurën e Edi Ramës. Aksidentet e ideve dhe përpjekjeve të tij - diku të lëna në mes, e diku të shtyra me mund në finish - për zhvillimin e qytetit e bashkë me të edhe për ndryshimin e një fije mentaliteti për të jetuar në një qytet tjetër, për Begenë kanë qenë pasojat e shtysave të forta dhe të kryeneçe të individit Rama. Kënga pati sukses, sepse nuk ishte imazh i kuruar i punëve të një njeriu. Në fjalët e këngës që Rama i pat shkruar vetë, ai flet për Tiranën me zhurmë dhe plehra.
Sigurisht që fitorja nuk i erdhi Ramës as nga një këngë, as nga të tjera që i ngritën aleatët. Rama sugjeronte magjinë e shëmtisë, që funksionon kur je i vërtetë. Ky ishte imazhi që i propozonte kjo mike politikanit, i cili tani ka hyrë në një fazë tjetër.


Ide më të mirë Rama nuk pati kur realizoi një klip të dytë, për zgjedhjet e 28 qershorit. Atij i mungoi prania e në njeriu që e di për çfarë dhe kë po tregon. Me një ndjeshmëri të tillë është i pajisur shpesh njeriu që kërkon gjithë jetës të tregojë një histori që e ruan ose që e nxjerr prej vetes në formën e artit po edhe të dhunës.
Liri Begeja ka një histori. Është lindur në Francë më 1955. Është vajza e një emigranti shqiptar me nënë franceze. I ati i saj, Jusufi, ishte djali i madh i Ali Begejes, avokat, deputet dhe kryetar i bashkisë së Tiranës më 1922-1923. Në radhën e atyre që drejtuan Tiranën prej themelimit kryeqytet deri në fund të luftë së dytë botërore, Ali Begesë i njihet kontributi i madh për zhvillimin e arsimit, tregut të lirë dhe punishteve të zejtarisë.
I biri, Jusufi, ndoqi shkollë ushtarake, bëhet oficer kavalerie në Mbretërinë Shqiptare.
Më 7 prill 1939 mori pjesë me pushtimin italian, largohet nga Shqipëria, me shpresën se do të rikthehej nga ky mërgim i shkurtër. Nga Anglia vendoset në Francë, në Paris dhe pret që të kthehet në atdhe.


Në Shqipëri kishin ardhur në pushtet komunistët që arrestojnë të atin. Për Ali Begenë thuhet se pati pas kësaj fund të tmerrshëm në burgun e Tiranës në 1947-ën
Dy djemtë e tij iu bashkuan vijës politike që izoloi vendin për gjysmë shekulli.
Jusuf Begeja mbetet jashtë. Nga martesa me një francez i lindin dy vajza. Njëra nga ato u quajt Liri ose Liria Begeja, siç njihet në botën kinematografike.
Jusufi erdhi në Shqipëri vetëm në maj 1991. Kthimin në atdhe të të atit Liria dokumenton në "Rendez-vous në Tiranë", dokumentar që u transmetua në kanalin franko-gjerman "Arté".


Liri Begeja kishte realizuar tashmë në vitin 1987, filmin "Prilli i thyer", prodhim frëng i bazuar në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Filmi u vlerësua me çmimin e publikut në Festivalin e Lokarnos, dhe hyri në finalen për Çmimet César për veprën e parë, çmimi më i rëndësishëm kombëtar për kinemanë që jepet në Francë.
Historinë e saj shqiptare, ajo e tregon në një film biografik për familjen e saj, "Larg barbarëve" (1994) quhet. Ekipi i aktorëve është një ushtri e tërë artistësh shqiptarë që jetonë në Shqipëri, Francë e gjetkë: Timo Flloko, Larg barbarëve: aktorët shqiptarë Timo Flloko, Sulejman Pitarka, Piro Mani, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Lec Shllaku, Xhevdet Ferri, Sesilja Plasari, Anisa Markarian etj.
Filmi u shfaq po atë vit në Festivalin e Venecias.
Kritika e vlerëson për ndjeshmërinë ndaj temave sociale, varfërisë, prostitucionit apo emigracionit që ajo trajton në dy filmat e fundit "Ndryshoma jetën" i pritur veçanërisht mirë (protagoniste Fanny Ardant) dhe "Pa ty" (2004).


Dasma e Ramës, batutat e deputetëve

Dasma e Linda dhe Edi Ramës ka qenë kryefjala e ditës edhe në komisionet e Kuvendit. Madje, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë është hapur pikërisht me batutat për damën e çiftit Rama. Në këtë rast ishte deputetja demokrate, ajo që ka marrë meritat e dasmës. Ja batutat e plota...

Albana Vokshi: Qenkeni të gëzuar se martuat kryetarin. E shihni, unë e detyrova atë të martohej.
Malaj: Albana, ti do të ishe mirë të merrje shembullin e kryetarit tonë, bashkëjetesën ta kurorëzosh me martesë (qesh).
Edmond Spaho: Ore, thuajuni atyre biznesmenëve të PS-së që t'i blejnë një shtëpi kryetarit se s'ka lezet të jetojë më qira, tani është edhe familjar.
Flamur Noka (u fut kur mbledhja kishte filluar): Hë si shkoi dasma?


Rama në mëngjes në zyrën e PS-së
Dje dhëndër, sot në tryezën e punës. Kjo është historia e Edi Ramës, kryetarit të Partisë Socialiste, i cili ditën e diel u martua, ndërsa të hënën në mëngjes ndodhej në zyrë. Burime pranë kryetarit të PS-së, Rama, pohuan se ai është paraqitur në punë si çdo mëngjes, duke mos munguar. Këtë herë ai mbante në dorën e majtë unazën e platiniumit dhe si gjithmonë në të djathtën unazën e Bashkisë së Tiranës. Kryesocialisti ka vazhduar si gjithmonë ditën e tij të punës, duke zhvilluar takime me kolegë dhe bashkëpunëtorë.


Linda dhe Rea, kafe në Tiranë
Bashkëshortja e kryetarit të PS-së, Linda Rama, e ka kaluar ditën e saj në shoqërinë e vajzës, Rea Xhillari. Ato janë parë së bashku në një nga kafenetë e kryeqytetit, duke konsumuar kafen e mëngjesit. Nënë e bijë kanë treguar edhe një herë afërsinë me njëra-tjetrën. Këtë afërsi Rea e tregoi edhe një ditë më parë me bashkëmoshatarin e saj, Gregori Rama.


Diplomacia e Linda Ramës
Që Linda Rama nuk do të jetë thjesht një bashkëshorte e heshtur e Edi Ramës, u vu re që në ceremoninë e dasmës. Pas emocioneve të fillimit të ceremonisë, Linda u pa të merrte në dorë frerët e situatës dhe të ndihmojë bashkëshortin në punët e partisë. Stafi i Ramës pohoi dje se kanë mbetur të mrekulluar nga afrimiteti dhe njohja që ajo kishte me të gjithë. Ata vetë nuk e kishin takuar Lindën, por gjatë ceremonisë ajo shkon në çdo tavolinë duke trokitur gota dhe duke biseduar shumë përzemërsisht. Edhe gjatë bisedës së shkurtër me presidentin Topi dhe bashkëshorten e tij, Linda Rama tregoi një afrimitet të madh. Ajo i dha kreut të shtetit copën e parë të tortës dhe më pas qëndroi disa minuta duke biseduar me zonjën e parë, Teuta Topi.
Pas ceremonisë, Linda Rama tregoi aftësitë diplomatike teksa arriti të ulë Edin me deputetin që kërcënon të largohet nga PS, Vangjel Tavo. Linda Rama zhvilloi një bisedë shumë miqësore me Tavon dhe bashkëshorten e tij. Këtë kohë e shfrytëzoi edhe Edi për të diskutuar shkurtimisht me deputetin socialist për problemet e shfaqura kohët e fundit.
Edhe "Lëvizja për mendim ndryshe", nuk kishte asnjë mendim ndryshe për bashkëshorten e kryetarit Rama. Linda u pa të bisedonte përzemërsisht me deputetët Kastriot Islami dhe Andisa Harasani. Të dy këta deputetë, prej kohësh kanë shfaqur pakënaqësitë kundër politikës së kryetarit të tyre, por ditën e dasmës u treguan shumë të përzemërt.
Tashmë, Linda Rama duhet të shoqërojë Edin në të gjitha ceremonitë zyrtare dhe në të parën dha prova se do të jetë protagoniste. Burime pranë Ramës pohuan se ajo plotëson bashkëshortin në shumë detaje dhe për këtë arsye çifti do të ketë shumë sukses. Me martesën e dy ditëve më parë, Edi Rama i dha fund edhe akuzave dhe insinuatave të shumta të kundërshtarëve politikë, si dhe qetësoi socialistët e bazës që mendonin se kryetari i tyre duhet të kishte një bashkëshorte përkrah.



_________


Dasma e Linda dhe Edi Ramës
Pakkush mendonte se Edi Rama do të zhvillonte një dasmë me më shumë se 500 të ftuar ku do të dilte një tortë dhe ai do të puthte nusen. Ata që e njohin sadopak kryetarin e PS-së e dinë që ai është një njeri ndryshe nga të tjerët, që preferon gjërat jashtë tradicionales.


Por, dje ai zbatoi traditën duke ftuar në dasmë miqtë, shokët, por edhe shumë bashkëpunëtorë dhe kolegë të tij ndër vite. Rama me kostum serioz si gjithmonë ndërsa nusja, Linda Basha, me një fustan për mbrëmje gala. Linda Basha iu shmang tradicionales duke mos vendosur as vello dhe as fustan nusërie.


Rruga për në dasmën e Ramës ishte shumë e vështirë për të gjithë të ftuarit. Edhe pse policia e Tiranës ishte zotuar se do merrej me trafikun rrugor, kjo ishte e pamundur. Karvani i gjatë i makinave nisi nga zona e Liceut Artistik për të përfunduar tek "Xibraku" ku edhe zhvillohej dasma.


Në orën 16.00 të ftuarit e parë nisën të popullojnë ambientet e jashtme të lokalit ku kishte nisur të shtrohej koktejli martesor. Pak minuta më vonë aty u shfaq edhe çifti. Edi Rama takoi dhe trokiti gotën me të ftuarit që ndodheshin në ambientet e jashtme dhe më pas hyri brenda ku qëndroi me nusen.


Ndërkohë djali i tij Gregori u shfaq në hyrjen e lokalit në vendin e parë të një makine me shofer "VIP", xhaxhanë e tij. Olsi Rama ka një muaj që ka ardhur në Shqipëri nga SHBA. Në pjesën më të madhe të kohës Gregori i veshur me kostum dhe një kollare të kuqe është shoqëruar nga xhaxhai.


Pjesa e jashtme e lokalit ishte shndërruar në një vendtakimi për shumë personalitete të botës së politikës, medias dhe artit. Rreth orës 17.10 të ftuarit kanë hyrë në ambientet e brendshme të lokalit për të pritur ardhjen zyrtare të çiftit.


Në vend të "damixhelave të nderit" çifti Rama kishte punonjëset e Bashkisë së Tiranës. Të gjitha vajzat e reja ishin veshur me fustane rozë dhe shoqëronin të ftuarit si dhe ndihmonin çiftin.


Banketi ishte vendosur në të dyja anët e sallës dhe çifti i ri kishte vendosur që gjithçka të ishte shqiptare. Duke nisur nga vera dhe për të përfunduar tek "sushi japonez", gjithçka ishte përgatitur në Shqipëri për t'i dhënë dasmës një ngjyrë patriotike.


Pak minuta më vonë në sallë ka hyrë çifti Linda dhe Edi Rama, të cilët janë pritur me duartrokitje nga të gjithë. Ata kanë ecur në rrugicën e ngushtë duke u mbajtur për dore dhe tek të dy të sapomartuarit vihej re emocion i madh. Nusja është tip i ndrojtur dhe kjo u pa edhe në sallë, por habia ishte tek kryebashkiaku dhe kryetari i PS-së.


Edi Rama ishte shumë i emocionuar dhe pothuajse gjithmonë mbante për dore të shoqen.


E para që mori fjalën ishte mikesha e vjetër e Ramës, regjisorja Liri Begeja. E ardhur në Shqipëri enkas për dasmën ajo tha se Edi Rama ishte lidhja e saj e vetme me këtë vend.


"Unë po mbaj fjalën e nderit se po të mos më lejoje të beja këtë gjë, do të të vrisja!",- tha duke qeshur Begeja, e cila shkaktoi humor në sallë dhe hoqi pak tension nga shpatullat e Ramës. Regjisorja më pas i dha Ramës unazën dhe u largua në mënyrë që çifti të kryente ritualin e shkëmbimit të unazave.


Unaza e kryebashkiakut ishte një rreth i thjeshtë platini, të cilin e vendosi në dorën e majtë. Në të djathtën Rama mban unazën e vjetër të zezë me stemën e bashkisë. Në dorën e majtë të Ramës ndodhej edhe një byzylyk artizanal ndërkohë që edhe nusja mbante në dorën e djathtë një unazë me gurë dhe një byzylyk me hallka. Edhe për të unaza e martesës ishte e thjeshtë, një rreth i hollë platini.


Pas ndërrimit të unazave u kërkua puthja tradicionale e çiftit të ri dhe kjo vuri shumë në siklet Linda Ramën. Nusja iu afrua dhëndrit dhe e puthi në faqe, por Rama i tregoi me gisht buzën dhe kërkoi që puthja të ishte aty. Mes të qeshurave dhe duartrokitjeve të sallës Linda, e skuqur në fytyrë, u afrua tek Edi dhe me shumë turp e puthi lehtë në buzë.
Pas kësaj në podium u ngjitën djali i Edi Ramës, Gregori dhe vajza e Lindës, Rea Xhillari.


Linda, tepër e mallëngjyer, përqafoi dhe puthi vajzën e saj dhe më pas Gregorin. Për disa sekonda ajo i mbajti të dy fëmijët e përqafuar teksa sytë e saj u mallëngjyen. E njëjta gjë ndodhi edhe me Edi Ramën.


Njeriu energjik dhe i ngrirë ndryshoi si me magji. Akulli që rrethon kryebashkiakun u shkri kur përqafoi të birin dhe u duk sikur nga çasti në çast ndonjë lot edhe mund të shpëtonte prej syve të tij. Gregori Rama i qëndroi pranë të atit, të cilit tashmë ia kishte kaluar nga shtatlartësia.


Rama përqafoi edhe Rean 20 vjeçare.


Pas kësaj vendin e nderit në podium e mori Olsi Rama, vëllai i vogël i Edit. Ai bëri përshëndetjen në emër të familjes Rama dhe më pas i uroi çiftit jetë të lumtur. Gjithçka ishte perfekte dhe e vetmja gjë që u vonua ishte torta, të cilën çifti e preu dhe e ndau fillimisht me të parin e shtetit, Presidentin e Republikës Bamir Topi.


Pas ceremonisë, çifti dhe të ftuarit dolën në ambientet e jashtme ku u takuan dhe bënë fotografi me pjesën më të madhe të të ftuarve.


Mungesa e prindërve


Në dasmë mund të ishin më shumë se 500 njerëz, por munguan më të afërtit e çiftit. Edi shoqërohej nga djali Gregori dhe vëllai Olsi, por jo nga nëna e tij, Aneta. Njeriu që i ka qëndruar më pranë se askush tjetër në këto vite, kishte vendosur që ta linte vetëm teksa festonte me shoqërinë.


Të njëjtën gjë kanë bërë edhe prindërit e Linda Bashës. Ata kanë marrë pjesë tek ceremonia e organizuar dy ditë më parë në shtëpi dhe për këtë arsye kanë vendosur të lënë "rininë" të festojë me miqtë.


Tendat e çadrave të grevës


Greva e urisë së deputetëve ka qenë një moment shumë i rëndësishëm në jetën e Edi Ramës, aq sa e kishte marrë me vete edhe në dasmë. Tendat e përdorura nga deputetët gjatë grevës së urisë, dje ishin shndërruar në tendat e kokteilit të dasmës. Shumë nga të ftuarit nuk kuptuan asgjë në lidhje me tendat, por ishin grevistët ata që kishin një afeksion të veçantë me to.


Standardi i Asamblesë


Mes të ftuarve të shumtë të veshur më së miri binte në sy edhe një shtresë tjetër e popullsisë. Ata ishin anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së, të cilët kishin ardhur nga të gjitha rrethet për të marrë pjesë në dasmën e kryetarit Edi Rama. Së bashku me ta ndodheshin edhe të gjithë kryebashkiakët e majtë.


Linda Rama kthen Tavon në PS


Vangjel Tavo mund t'i lëshojë ultimatume PS-së por dje ai u dorëzua përpara thirrjes së veçantë të Ramës.


Nuk ishte Edi por Linda ajo që ktheu socialistin në gjirin e familjes së tij. Vangjel Tavo dhe e shoqja u panë dje në ambientet e dasmës duke diskutuar më kolegët e PS-së. Por kur doli përpara Linda Ramës, Tavo u shfaq shumë dashamirës dhe shfrytëzoi kohën edhe për të diskutuar me kryetarin e partisë në lidhje me problemet e Gjirokastrës.

Mendimi ndryshe në dasmë


Sa herë që Edi Rama merr një vendim për Partinë Socialiste, aq herë shfaqet edhe Kastriot Islami, i cili thotë mendimin ndryshe. Por dje Islami nuk kishte asnjë mendim ndryshe.


Teksa trokisnin gotën me kryetarin dhe bashkëshorten e tij, Kastriot Islami dhe Andis Harasani miratonin fjalët e tij. Gjatë ceremonisë Edi dhe Linda Rama u panë duke pirë verë të bardhë, por kur trokitën gotat me "Lëvizjen për mendim ndryshe", ata u shfaqën me verë të kuqe.

Ina Rama e vetmuar...


Kryeprokurorja Ina Rama është parë dje në ambientet e dasmës në shoqërinë e miqve të saj të prokurorisë. Ajo ka qenë e shoqëruar nga shoku i klasës, Olsi Çela, i cili është emëruar prej saj në krye të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Kryeprokurorja nuk kishte me vete bashkëshortin.


Familja Presidenciale


Bamir Topi dhe e shoqja Teuta kanë ardhur disi me vonesë në dasmën e djeshme, por për ta ishte rezervuar një vend nderi. Madje çiftit presidencial i ka takuar edhe copa e parë e tortës.


Linda ia ka dhënë tortën presidentin ndërsa Edi bashkëshortes së tij. Pas kësaj Teuta Topi ka biseduar për pak minuta me nusen e re, ndoshta duke i treguar se sa e vështirë është të jesh bashkëshortja e një politikani të profilit të lartë. Por mes dy grave është vënë re menjëherë një marrëdhënie shumë e mirë.


Ish-mbështetësit e Topit


Presidenti Topi u zgjodh në këtë post me mbështetjen e fuqishme të një grupi të madh deputetësh të PD-së. Pas kësaj grupi nisi të zvogëlohej në mënyrë të ndjeshme. Disa prej tyre lanë politikën ndërsa pjesa tjetër e pa veten jashtë PD-së. Dje presidenti ishte i shoqëruar vetëm nga dy deputetë, Besnik Mustafaj dhe Sali Shehu.


Nikolla bën mazhorancën


Mazhoranca ka treguar se dy kampet politike janë ende në luftë dhe askush nuk është i lejuar të ushqehet me tortën e armikut. Me këtë moto asnjë përfaqësues i mazhorancës nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e dasmës së kryetarit të PS-së, Edi Rama. Por një përfaqësues i mazhorancës ka dalë nga radhët, Nikollë Lesi.


Zv.ministri i Kulturës ka pasur dje barrën e vështirë të bëjë i vetëm mazhorancën në një ambient të mbushur me socialistë. Ai këtë gjë e ka bërë shumë mirë teksa dëfrehej dhe hidhte batuta me të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë edhe çiftin.


Lulet e Berisha-Meta


Kryeministri Sali Berisha nuk mund të shfaqej në dasmën e çiftit Rama, por nga ana tjetër nuk mund të mungonte në të. Ai ka gjetur një mënyrë tjetër për të qenë i pranishëm në dasmë. Rreth orës 15.30 makina e kryeministrit Berisha është parë në hyrje të vendit ku zhvillohej dasma.


Për të qenë i sigurt se të gjithë do e kuptonin se ishte dasma e tij, kryeministri ka dërguar personalisht togën e tij të shoqërimit. Ata kanë dorëzuar një buqetë me lule në emër të kryeministrit dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha. "I urojmë çiftit të ri fat, shëndet dhe lumturi në jetën e tyre bashkëshortore",- thuhet në kartolinën që shoqëron buqetën.


Të njëjtën gjë ka bërë edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta nuk e dërgoi buqetën e tij me lule në rrugë zyrtare, por më pas njoftoi zyrtarisht përmes zyrës së shtypit se edhe ai kishte marrë pjesë, në mënyrën e tij, në gëzimin e Edi Ramës.


Turpi i nuses


Të gjithë e kemi vënë re se Linda Basha, tashmë Rama, është e ndrojtur dhe i kushton vëmendje jetës së saj private. Ajo e ka treguar këtë gjë gjatë ceremonisë së djeshme kur i është dashur që të puthë bashkëshortin e saj. Me gjithë insistimin e Edi Ramës, Linda e ka puthur fillimisht në faqe dhe më pas e ka puthur lehtas në buzë. Të ftuarit duartrokitën ndërsa Linda Rama u skuq e tëra.


Gregori & Rea


Gregori Rama ka kaluar 20 vjet të jetës si fëmijë i vetëm ndërsa dje është bërë me një motër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Rea Xhillarin që tashmë është bërë me vëlla. Afrimiteti mes tyre është vënë re që në fillim të ceremonisë, por më shumë u vu re kur Linda Rama i përqafoi të dy. Më pas Rea u vendos në krah të Edi Ramës ndërsa Gregori në krah të Lindës.



***


Ai i veshur me një kostum të zi e kravatë të kuqe. Ajo me një fustan elegant ngjyrë pana, i cili kombinohej hijshëm me kostumin e bashkëshortit të saj me lule të vockla të zeza. Kanë qenë veshjet, me të cilat Linda dhe Edi Rama i kanë dhënë fund mbrëmë beqarisë. Edhe pse jo ende zyrtarisht, kryetari i Partisë Socialiste sot është i martuar me gruan e familjes tiranase Basha.


Për hir të saj, duket se Rama ka pranuar gjithçka "made from Linda". Ka qenë pikërisht ajo që ka përzgjedhur veshjen dhe arredimin festiv të shtëpisë në Pezë, ku mbrëmë është mbajtur darka private me familjarët e Edi Ramës dhe Linditës. Sigurisht që ka qenë pak larg nga skenat klasike, ku nusja shfaqet në mënyrë pompoze dhe më pas i premton dashurinë e përjetshme bashkëshortit të saj.
Dasma


Publikisht e quajti gjysmën e tij, ndërsa mbrëmë Edi i ka premtuar të jetë përkrah saj në të mirë dhe në të keq. E dëshmitarë të vetëm të këtij premtimi kanë qenë njerëzit më të afërt të çiftit të ri. Ndoshta, rastësisht, shtëpia nga ka nisur udhën martesa e Lindës dhe Ramës është pikërisht strehëza historike në fshatin Pezë të Tiranës. Aty rreth orës 21 të darkës, çifti i ri ka pritur të ftuarit. Nuk kanë qenë njerëz të njohur të politikës kësaj here, por njerëzit e ngushtë të rrethit familjar: prindërit, vëllezërit dhe motrat e çiftit të ri. Më shumë se sa një ceremoni dasme duket se nata e mbrëmshme ka qenë një sebep për njohjen dhe afrimin e dy familjeve.


Darka ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nuk ka pasur orkestër, por biseda dhe trokitje gotash vere të shoqëruara në sfond nga një muzikë e lehtë. Të pranishëm në darkën e mbrëmshme kanë qenë prindërit e Lindës, vëllai dhe motra e saj. Nuk ka munguar Rea, vajza 20-vjeçare e nuses së mbrëmshme. Ndërsa në anën tjetër të tavolinës kanë qenë të ulur njerëzit e afërt të Edit, ku përveç Anetës, nënës së tij, kanë qenë të pranishëm Olsi, vëllai i Edi Ramës dhe Gregori, djali i tij. Pjesë e tryezës kanë qenë dhe "të zotët e shtëpisë", familja e Dashamir Pezës.


Persona jashtë familjes që kanë marrë pjesë në darkë ishin Liri Begeja dhe një mikeshë e huaj e Edi Ramës. Kjo ka qenë tryeza, më të cilën mbrëmë Edi Rama dhe Linda Basha i dhanë fund beqarisë për të quajtur tash e tutje çifti Rama.


Zonja e shtëpisë, gruaja e Dash Pezës, rrëfen darkën intime në shtëpinë muze në fshatin Pezë të Tiranës

Entela Peza: Si u martua Edi Rama në shtëpinë time

Është mesditë dhe ende ka shumë gjëra për të bërë. Entelës i zien koka dhe si zonjë shtëpie që është kujdeset që çdo gjë të jetë gati për darkën e madhe. Në fakt, dhe pse nuk do të jenë shumë njerëz, për Entela Pezën dhe të pranishmit e kësaj nate, kjo është një darkë e madhe. Entela kujdeset për çdo detaj, paçka se gjithçka që përmban menyja dhe arredimi i shtëpisë janë të ideuara nga Linda dhe Edi. Nga mesdreka Entela kishte ende shumë punë për të bërë. Mungonte servisi i përsheshit të gjelit të detit. I bie telefonit për të përzgjedhur pikërisht atë të duhurin, që është me ato tasat e vegjël e me pjatancat e zbukuruara. E pasi sigurohet disa herë që pas pak do të vijë pikërisht ai i duhuri, Entela i hedh një sy një punonjësi sanitar që rrekej t'i jepte dorën e fundit pastrimit të oborrit dhe shtëpisë në hyrje, të së cilës dy shandanë të mëdhenj flakëronin gjithçka përreth.
I kanë sjellë aty në orët e para të mëngjesit, me dëshirën e mirë që qirinjtë do të ndikojnë sado pak në krijimin e një atmosfere sa më romantike, por Entela të shpjegon se shandanët, (pak më tutje ndodhen edhe një dyzinë ca më të vegjël) nuk do të përdoren gjatë darkës.


Nga jashtë, askush nuk e kupton dot që gjatë mbrëmjes në atë shtëpi do të bëhet një dasmë. Shtëpia Muze e Myslym Pezës nuk ka asnjë zbukurim nga jashtë. Ndërsa në hollin e shtëpisë, gjithçka është vendosur me një shije të hollë. Tavolinat janë të stiluara me mbulesa të mëndafshta, ku mbizotëron ngjyra panë dhe bezhë, e cila shkon hijshëm me dekorin e ambientit përreth shtëpisë muze.


Gotat dhe servisi janë shtruar në tryezë. Entelës i mungon njëri syresh që është pikërisht ai me të cilin serviret një nga ushqimet karakteristike të "tironcave", përsheshi me gjel deti. Entela tregon se menyja e darkës do të jetë krejtësisht tradicionale shqiptare. Që fillon me antipastat dhe deri te torta të shoqëruara me verë, sigurisht nga ajo e një cilësie me të mirë. Por, në mesditë, ende asgjë nuk ishte gati. Ndaj, dhe çdo tik-tak i orës rriste ankthin e Entelës. Ajo e di fort mirë që Linda dhe Edi janë "të fiksuar" në çdo detaj dhe Entela duket se ka bërë gjithçka që çiftit Rama t'i dhurojë natën më të bukur të jetës. Dhe duke gjykuar nga pamja e hijshme që kishte marrë shtëpia, duket se ia kishte dalë mbanë...


Policia, masa për dasmën


Ndërkohë, burime të policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se pas një letre të dërguar nga familja Rama, ata kanë marrë masa të shtuara sigurie për orët e dasmës së kreut të opozitës. Veç masave të sigurisë ka një plan masash për të lehtësuar trafikun dhe kushtet e tjera të lëvizjes gjatë orëve të ceremonisë, - bëjnë të ditura burime të policisë së kryeqytetit.

Fajon, dhuratë dasme për Ramën

Tanja Fajon, gruaja e lidhur ngushtësisht tashmë me çështjen e vizave të shqiptarëve, ka qenë dje në Tiranë. Asaj iu dorëzua Çelësi i Tiranës nga kryebashkiaku Rama dhe jo vetëm kaq. Fajon dhe Rama kanë darkuar bashkë dhe Fajon e ka uruar Ramën për dasmën.


Ajo i ka bërë kreut socialist edhe një dhuratë. Fajon ka ardhur nga Prishtina në Tiranë në një vizitë që nuk ka pasur të bëjë me ndonjë ftesë nga qeveria. Ajo është shoqëruar nga Erjon Veliaj në rrugën nga Prishtina në Tiranë


Këshilla e munguar e Rudina Magjistarit


Çfarë do të thotë të jetosh me një politikan aktiv? E kush më mirë se gratë e politikanëve mund t'i jepnin një këshillë bashkëshortes së ardhshme të kryetarit të PS-së. Mirëpo, nuk ka qenë kaq e lehtë të merrje një këshillë për zonjën Basha nga zonjat e rivalëve politikë të Ramës.


Me përjashtim të Liri Berishës që pyetjes së "SH2"-it iu përgjigj me një urim të shkurtër, gratë e tjera të politikanëve më të njohur të sotëm në vend, i janë shmangur (gati-gati me alarm!!) deklarimeve mbi dasmën dje gjatë kontakteve me gazetaren e "SH2"-it.


Xhoana Nano, gruaja e ish-paraardhësit të Ramës në PS, Fatos Nano, tha se nuk dëshironte të jepte asnjë këshillë dhe asnjë deklaratë për këtë dasmë, ndërsa Monika Kryemadhi, bashkëshortja e kreut të LSI-së, Meta, u shmang gjatë gjithë ditës së djeshme.


Një tjetër këshillë e munguar ka ardhur nga gruaja, e cila shumë më tepër se të tjerat e njeh bashkëjetesën me z. Rama, Rudina Magjistari. "Mendoj se nuk jam personi i përshtatshëm për të folur mbi këtë martesë", - tha ajo.


E kursyer në fjalë, por gjithsesi e hapur, ka qenë ndërkohë bashkëshortja e Sali Berishës. "I uroj çiftit Rama mbarsi e shëndet!" - tha ajo e pyetur nga gazetarja e "Sh2"-it.