Kreu i Partisë së Lirisë Ilir, Meta është arrestuar këtë të hënë në afërsi të ish-rrethrrotullimit Shqiponja, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.
“Gijotina” sjell pamjet nga aksioni i ndalimit të ish-Presidentit dhe kryeministrit Meta, i cili nxirret forcërisht nga makina me të cilën lëvizte.
Në video shquhen rreth një duzinë efektivesh, me uniformë dhe civilë, shumica të maskuar, që përdorin forcën për të nxjerrë nga automjeti kreun e partisë së Lirisë.
Mënyra se si ka vepruar policia për të ndaluar Metën është parë shpesh në aksionet që zhvillon për të arrestuar persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Pas arrestimit, Meta është transportuar në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u paraqit edhe avokati i tij Genc Gjokutaj dhe disa prej anëtarëve të Partisë së Lirisë.
Tedi Blushi në një prononcim për gazetarët në hyrje të drejtorisë së Policisë tha se “arrestimi i Metës është një akt i mirëfilltë terrorist nga krye terroristi Altin Dum Dumani”. Kreun e SPAK e quajti “xhelatin e Edi Ramës që ka marrë përsipër misionin për asgjesimin e opozitës, pluralizmit politik dhe demokracisë”. Edhe avokati Gjokutaj, tha se Meta është rrëmbyer në mënyrë “banditeske” dhe “jo ligjore”.
Më tej, Meta u transportua drejt bllokut të sigurisë te “Mine Peza”, pranë komisariatit të policisë aty.
Meta akuzohet për korrupsion të kryer në bashkëpunim në tre raste, për pastrim parash dhe mosdeklarime e fshehje të pasurisë. Burime zyrtare të SPAK thanë se të dhënat mbi këtë arrestim do të bëhen të ditura në vijim.
Momenti kur makina që transporton Metën del nga ambientet e DVPT për ta çuan ish-Presidentin te “Mine Peza”.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata ka miratuar edhe një masë sigurie “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin, bashkëshorten e kreut të PL-së, me të cilin disa muaj më parë ai njoftoi nisjen e procedurave të divorcit.
No comments:
Post a Comment