Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka shpallur një luftë ballore gjykatësve italianë, të cilët po përpiqen të rrëzojnë që në gjenezë skemën e saj aq shumë të lavdëruar të dërgimit në Shqipëri të emigrantëve të paligjshëm...
Të premten e javës së kaluar, një gjykatë në Romë i dha një goditje ndoshta fatale skemës së Melonit, duke vendosur se nuk mund të ndalohen emigrantët e parë të dërguar në Shqipëri. Përkundrazi, ata duhet të lirohen menjëherë pasi vendet e tyre të origjinës - Bangladeshi dhe Egjipti - janë të pasigurta.
Në këto kushte, Meloni ka firmosur një dekret urgjent për të ndryshuar ligjin përkatës, dhe ministrat e saj janë të bindur se kjo do t’i pengojë gjyqtarët të marrin vendime të ngjashme në të ardhmen. Skema e Melonit për mbajtjen në Shqipëri të mijëra emigrantëve të paligjshëm që kapen në det duke udhëtuar drejt Italisë, nisi javën e kaluar dhe shihet në të gjithë Evropën si një ndryshim potencial i lojës në betejën për të ndalur emigrantët e paligjshëm.
Synimi është të transportohen në Shqipëri deri në 3.000 emigrantë, për të përpunuar kërkesat tyre dhe riatdhesuar në kohë rekord. Vetëm emigrantët meshkuj të rritur nga vende të sigurta, do të dërgohen në 2 qendrat e ndërtuara enkas në Shqipëri, të cilat janë nën juridiksionin italian.
Azilkërkuesit që marrin përgjigje negative, do të mbahen atje në pritje të dëbimit. Këtë vit, vendi kryesor i origjinës për emigrantët që mbërrijnë nga deti në Itali është Bangladeshi. Egjipti, Tunizia dhe Pakistani janë në dhjetëshen e parë, ashtu si dhe Guinea dhe Gambia. Dhe asnjë nga këto vende nuk është në luftë.
Gjashtëmbëdhjetë emigrantët e parë u transportuan javën e kaluar në Shqipëri nga anija detare italiane “Libra”. Katër u kthyen menjëherë në Itali, pasi pretendonin se ishin të mitur apo u konsideruan të pambrojtur. Me pas një gjykatë në Romë, refuzoi kërkesat për azil të 12 të tjerëve me arsyetimin se ata ishin nga vende të sigurta, përkatësisht Bangladeshi dhe Egjipti, pra ishin jo refugjatë.
Por të premten, një gjykatë tjetër po në Romë - që shqyrtoi vlefshmërinë juridike të aktit të ndalimit të tyre - dhe vendosi që megjithëse nuk janë në luftë dhe në listën e vendeve të sigurta të Italisë, Bangladeshi dhe Egjipti nuk janë në realitet vende të tilla.
Pra emigrantët nuk mund të mbaheshin në këto qendra, ndaj u transportuan me një anije të rojes bregdetare në Bari, në Italinë Juglindore, ku tani janë vendosur në një qendër të hapur emigrantësh në pritje të apelimeve të tyre, të cilat do të vendosen brenda 14 ditëve.
Me shumë gjasa ata do të humbin gjurmë duke u arratisur, siç ndodh me shumë emigrantë të paligjshëm. Vlerësohet se kostoja e transportit të 12 emigrantëve nga Kanali i Siçilisë për në Shqipëri, dhe nga Shqipëria në Pulja është 20.000 euro për çdo emigrant. Pra çerek milionë euro në total.
Ky është një shembull i përsosur, i asaj që kriza e emigrantëve po i shkakton Evropës. Nëse lejohet që të mbetet në fuqi vendimi i gjykatës së Romës në rastin e këtyre 12 emigrantëve, kjo do të thotë se asnjë emigrant nuk mund të çohet ndonjëherë në Shqipëri. Por Meloni është shumë e vendosur në rrëzimin e tij.
Të hënën në mbrëmje, kabineti i saj publikoi një dekret urgjent, i cili e rikthen në qendër të vëmendjes listën e vendeve të sigurta të qeverisë. Ajo dhe ministrat e saj thonë, se ky dekret i ri nuk mund të anashkalohet nga gjyqtarët.
Përplasja midis qeverisë së saj dhe gjyqësorit, sinjalizon fillimin e asaj që shumë e quajnë si “lufta e tretë civile” midis qeverive të zgjedhura të Italisë dhe gjyqtarëve të pazgjedhur në 3 dekadat e fundit. Në të parën, gjatë fillimit të viteve 1990, gjykatësit italianë nxorën në gjyq qindra biznesmenë dhe politikanë për pagesat dhe pranimin e ryshfeteve.
Ishte një kryqëzatë gjyqësore, e cila hyri në histori si Mani Pulite (Duart e Pastra), dhe shkaktoi rrëzimin e të ashtuquajturës Republikë e parë. Në përgjithësi ata u mbështetën nga italianët. E vetmja forcë politike që mbeti e paprekur ishte Partia Komuniste Italiane, e cila ishte në prag të ngjitjes në pushtet.
Por manjati mediatik Silvio Berlusconi shfrytëzoi rastin, hyri në skenën politike dhe fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 1994. Kështu nisi lufta e dytë civile. Gjyqtarët e detyruan në 4 raste kryeministrin e kohës që të përballej me dhjetëra procese penale. Megjithatë italianët nuk i mbështetën gjyqtarët dhe vazhduan të votonin për Berluskonin, megjithëse në fund ai u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2011.
Por edhe këtë herë, italianët nuk po i mbështesin gjyqtarët. Dy vite nga marrja e detyrës, kryeministrja e parë grua e Italisë, renditet më lart se kurrë në sondazhe. Një nga arsyet është se italianët e votuan për të frenuar migrimin e paligjshëm. Dhe në këtë synim, ajo mbështetet nga shumë njerëz në Bruksel.
Shumica e udhëheqësve të BE-së, duan tani krijimin e një skeme të ngjashme të drejtuar nga BE-ja për menaxhimin e emigrantët të kapen në det. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e ka vlerësuar skemën e Melonit si “një mënyrë të menduari jashtë normales” dhe në “përputhje me detyrimet sipas ligjeve të BE-së dhe atyre ndërkombëtare”.
Natyrisht, kundërshtarët e Melonit janë të dëshpëruar nga refuzimi i gjykatësve në Romë për të vërtetuar ligjshmërinë e ndalimit e 12 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti, dhe theksojnë se ky vendim e vret që në lindje skemën e saj me 2 qendrat e pritjes në Shqipëri.
Por siç u tha Meloni gazetarëve: ”Mendoj se vendimi i gjyqtarëve në Romë ishte politik dhe i njëanshëm… Përveç kësaj, çështja e vërtetë është shumë më e gjerë. Problemi është se askush nuk mund të riatdhesohet ndonjëherë. Pra nuk mund të zbatosh dot asnjë program për të mbrojtur kufijtë e vendit tënd!”.
E përditshmja italiane “Il Tempo”, ka publikuar një e-mail të dërguar javën e kaluar nga një gjyqtar i lartë për kolegët e tij, ku ai lë të kuptohet se Meloni është më e rrezikshme se Berlusconi, dhe ata duhet të gjejnë një zgjidhje. “Meloni nuk është subjekt i asnjë hetimi gjyqësor, ndaj ajo nuk është e motivuar nga interesi personal por nga vizioni politik dhe kjo e bën atë shumë më të fortë dhe veprimet e saj shumë më të rrezikshme”-thotë ai në email.
Në vitin 2022, një shtetaseje moldave iu refuzua azili nga Republika Çeke, me arsyetimin se Moldavia është në listën e saj të vendeve të sigurta, me përjashtim të Transnistrias. GJED-ja vendosi se për shkak se Republika Çeke e kishte caktuar Moldavinë si pjesërisht të sigurt, ajo nuk mund të jetë një vend i sigurt.
Ndaj shtetasja moldave s’mund të rikthehej në vendin e saj. Por çfarë lidhje ka kjo me emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti që duan të shkojnë në Itali? Italia i ka përcaktuar të dyja vendet si vende të sigurta, dhe jo vetëm pjesërisht të sigurta, siç kishte bërë Republika Çeke në rastin e Moldavisë.
I pyetur në një konferencë për mediat nëse gjyqtarët e Italisë mund të largojnë nga tani e tutje emigrantët në 2 qendrat e ngritura në Shqipëri, Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi tha: “Jo, sepse ky aktivitet kontrollohet nga një ligj që dominon mbi të parin”. Shumë shpejt do të zbulojmë nëse ai ka të drejtë./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”
Shkruar nga Nikolas Farrell
No comments:
Post a Comment