Friday, May 10, 2024

Tani nuk ngre dot kokën se shoh mjekrën e Ulsiut, që t’ia shkul firaunit!’


Nga Agron Gjekmarkaj

Deputetët hynin kokulur e gati si tinëz në sallën e Kuvendit dje. Një si padëshirë e përzier me ankth i karakterizonte.

Nallbatit, një brengë i rrinte mbi kokë si reja që nuk dihet në lëshon shi apo breshër. Të hepuar e kishte shikimin, të dukshëm zemërimin, të zëshme psherëtimën.

Kosta i Gramozit dhe i Linditës parandiente stuhi dhe ikte ujdhesave duke thërritur “të shpëtojë kush të mundet, se kiameti po troket.”

Dëgjohej vetëm një hungërimë e murrëtyer – ‘cjepër, mzetër, t’i gjuaj me këpucë delenxhinjtë” dhe Lideri në perspektivë Gazi, zemër e të cilit është turbinë pozitiviteti, mundohej të kuptonte dhe ta qetësonte. “Ç’ke more i uruar, – i thoshte, – kush të ka mërzitur, ç’gjëmë a vaki të ka goditur, pse gjithë ky tërbim?! Mos hatri i Zotit, mos na bëj të pabërën, boll kemi Muçon!”

Dikur djali pas shumë lutjesh u shkreh: “Ne jemi mësuar të shohim Mamicën, vetë zonjën Elisë atje në ballë të qeverisë, me nure e fjalime të na qerasë, çoku syri na ëmbëlsohej. Tani nuk ngre dot kokën të shoh mjekrën e Ulsiut, që t’ia shkul firaunit; pakuptimësinë e Gonxhes; heshtjen prej zorzopi të Nikos dhe vetëkënaqësinë e Taos apo përhumbjen bukolike të Metes! M’u ëeput qafa duke mbajtur kokën ulur”, vikati i dalldisur.

Dash Sula e miratonte me tundje të lehta koke dhe herë pas here lëshonte një “ehsh” të zgjatur si dhimbje e përbashkët dalë nga zgafella e shpirtit apo solidaritet. Zor ta ndaje.

Gazi si posedues informacionesh si për mirë dhe për keq, e bindi të mos i dorëzohej dëshpërimit. Ai i rrefeu se Mamica po shoqëron Babon nëpër Alemanjë për të nxjerrë në selamet vatanë dhe pasdite bëj gajret se do të kthehet e bashkë me të, xhani do të gjejë prehje e paqëtim. Ashtu ndodhi dhe evlati ndihej më i motivuar.

Dilo Nasufi kishte zbritur me një të madhe dilemë në Tiranë: të jesh i pari në katund apo i fundit në qytet?! Dikur atje në Berat për gjërat e zonës, Babua e kishte në hesap. Tani këtu duhet të gëzohet kur takon Tonin dhe Çuçin apo kur i buzëqesh Etilda përtueshëm.

Bora me një çibuk elektronik tregonte  e qeshur sesi e kishte parë Babua në korridorin e Kryeministrisë dhe e kishte pyetur “kush je ti?!”.  “Jam Bora, Bora, ajo që e para të thirri Babooo, ministrja jote e dlirë dhe e mirë.”

Ai nuk qenkesh kujtuar veç kur  kjo ka insistuar që jam edhe Bora e “kronikës”. Atëherë ai e kishte përqafuar i gëzuar që personazhi i rezultonte anëtar kabineti.

Ismet Beqiri ia bëri fora dje me një fjalim që të kujtonte të tjera kohëra, vetë xha Selimin e Bratajve. Ai  foli për realizimin e planeve pesëvjeçare, lëvdoi siç i ka hije komandantit, vetë Babon dhe në fund në mungesë të një pisqolle për të shtirë në ajër, nxori një faqore raki. E  tërhoqi nja dy herë  me sy të skuqur çakërr dhe plot krenari fshiu buzët. “E mirë kjo viranë, – tha, – si fjalimet e Babos. Ta merr mendjen, po ta kthen prapë”.

Edhe Petrua partizani kishte një ligjerim tepkë, plumb për armikun dhe e mbylli plot sharm me një ‘vdekje fashizmit -liri popullit’.

Çyrbja më befasoi. Hyra në sallë. Qetësi, nuk pipëtinte as miza. Ai fliste. “Ç’thua more qerrata”, iu drejtova, po ai solemn, më këqyri vëngër si njeri i zënë me tema të medha!

Ajo që binte në sy ishte xhelozia e Xhemalit, i cili ka lidhje organike me kulturën kur Jyrgysi, kërcënimet për opozitën i mbështeste në një bazament filozofik të dorës së parë.

Bela dhe Tao bisedonin gjithë kohës, ëmbël, pa hile dhe lëvdonin punet e lal Erit. Si dy pëllumba dukeshin, u duhej vetëm një hudher për sy të keq.

Kryezëvendës Lideri Muli erdhi dhe drodhi dhenë. Si tribun u shfaq; me mantelin e së vërtetës mbi supe la dëshminë e tij. Një ditë e ka dhe gjarpëri – thotë diku Martin Camaj, ndaj fati më buzëqeshi dhe mua si një zëvendës lider i vogëlth krejt si ushtari Nemeçek pas oficerëve, të ulem me shefe Albanën për një kafe dertesh e shpresash.

Ajo nuk erdhi vetëm  për të më gëzuar deri në fund, por me Oerdin, i cili fije e për pe na vuri mbi tavolinë nene, ligje, data, të 20 viteve histori zgjedhjesh. Tani duhet të bëj një hap edhe me zonjën Garo dhe zonjën Kalaja që paqja e bashkimit të sanksionohet e plotë nën aromë kafeje, zier me durimin e zemrës së mirë.

Salianji ia bëhu si gjithmonë në shërbim të të tjerëve duke harruar veten. Pyeti kush ka hall, ia zgjidhi. Kush është në sherr, e pajtoj. Kush është pesimit, e ngriti moralisht dhe u bë def si një misionar i përkorë i virtytit. E mira e botës është kauza e tij.

Çdo gjë e ka një fund edhe dita e gjatë.

Imazhi  që mora me vete në mbyllje qe Ogi dhe Etilda tek dera e Kuvendit, dialogu mes të cilave, ndonëse hermetik, mbetej njerëzor. Etilda po i tregonte përmbajtjen e fjalimit të fundit në mbrojtje të Lalit shoqëruar me rënkim dhe angështi emocionale.

Ogit i hapej goja herë pas here nga një kalamendje gjumi, por në fund i tha “lëre mo e nga, e paske qarë, duhet ta botosh që t’u mbetet brezave për forcën e argumentit dhe guximit qytetar”.

Aty kaloi Antoneta Dhima. “Timin dhe të Ermos patjetër, – tha, – që do e vëmë në kornizë dhe do ia shpiem Babos peshqesh për ditëlindje me 4 korrik se ai ka shije për të bukurën dhe të dobishmen”.

Vetë e fillova ditën si një i sëmurë imagjinar. Doktor Tritani më bëri derman. E ula siparin duke qeshur në studio televizive me atë telbisqar Ylli Manjan, që e hedh llafin si benzinën në zjarr.

No comments: