Wednesday, May 8, 2024

Shqiptarët hanin bukë me uthull ose sheqer, si reagoi Enver Hoxha kur ia tha anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani. Rrëfimi i plotë

 


Ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani vjen për lexuesit e noa.al me këtë rrëfim ku ndalet në diskutimin në Byronë Politike për gjendjen e vështirë ekonomike të punonjësve të bujqësisë.

Si e kundërshtuan në Byro, ndërsa Enver Hoxha mbante shënime. Kur e ka ndjerë veten më ngushtë Muho Asllani dhe një detaj me ca njerëz që dikur mbanin portretin e tij në festë.

Si filloi rënia e komunizmit me vështirësitë ekonomike, aq sa nuk kishte më mundësi as për të organizuar paradat festive. Një rrëfim për ngjitjen “e rrufeshme” në postet më të larta të shtetit të djalit të një karrocieri që kishte mbaruar Institutin e Kamzës me  rezultate të shkëlqyera.

Muho Asllani ishte 34 vjeç kur u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në vitin 1971, duke qenë njëkohësisht sekretari i Komitetit të Partisë për Shkodrën që mbulonte çështjet e bujqësisë dhe ekonomisë. Ishte vetëm 44 vjeç kur u zgjodh anëtar i forumit më të lartë të partisë-shtet, Byrosë Politike. Njëkohësisht Sekretar i Parë në një nga rrethet më të rëndësishme të vendit, Durrësit.

Një ngjitje e rrufeshme që mund të prishte karakterin e një karrieristi, por jo të njeriut që e mbaroi shkollën e lartë me triko e çorape leshi.

Në këtë intervistë të rrallë të vitit 2018 që ju sjell noa.al, Muho Asllani ka rrëfyer historitë e tij të 1 Maj-eve, që nga momenti kur parakalonte si student me portretin e Kadri Hazbiut në dorë e deri kur u vendos që në vitin 1990 të mos parakalohej më. Komunizmi nuk kishte më para as për të bërë parakalimet festive dhe i dërgoi punonjësit të festonin në piknikë në natyrë me shpenzimet e veta.

Por në rrëfimin e Muho Asllanit ka edhe një moment që ka parë me sytë e tij: Punëtorët e bujqësisë që hanin vetëm bukë me uthull.

Intervistuar nga: Alket Aliu

Keni qenë sekretar i parë në gjashtë rrethe. Si i keni njohur njerëzit në zonat ku keni drejtuar?

Në Burrel dhe Kukës kishte një burrni. Po të të thoshin se kjo punë bëhej brenda afatit të caktuar, ishte e kryer. Kishte vështirësi për t’i bindur njerëzit se detyra mund të kryhej, por po t’i bindje dhe të jepnin fjalën, nuk kishte nevojë për t’i kontrolluar. Në Shkodër, nga ura e Bahçallëkut deri në Velipojë, ka qenë ndryshe. Të premtonin, por gjenin gjithfarë justifikimesh kur i gjeje me punën e pakryer. Nuk e them për të ulur një zonë apo për të ngritur një zonë, por për të treguar se duheshin pasur parasysh edhe këto gjëra në mënyrën e organizimit të punës me njerëzit.

Ku e keni ndjerë veten më ngushtë?

Më ngushtë se kudo, në Shkodër. Kisha gjithë rrethin e familjarëve dhe të njohurve dhe i kisha shumicën te dera që në 7 të mëngjesit. Kush kërkonte të drejta studimi për fëmijët, kush kërkonte të vinte nga fshati në qytet, kush kërkonte punë më të lehta… Ishin si nga rrethi im familjar, ashtu edhe i gruas, se ajo ishte qytetare denbabaden. Kur u zgjodha në Komitetin qendror, një këshillë më ka dhënë im atë: Dëgjo, bir! Mos fol çfarë të të vijë për goje dhe mos bëj çfarë të të vijë për dore! Këtë këshillë e kam kujtuar shpesh, e kam patur gjithmonë parasysh. Këshilla e dytë ishte: Respektoji të gjithë, por më shumë ata që kanë bërë luftën. Dhe vërtet, veteranët e luftës i kam pritur vazhdimisht, ngado që vinin. Më kanë marrë kohë boll, por besoj se i kam lënë të kënaqur. Por çdo gjë kthehet. Edhe unë kur shkoj sot nëpër zyra të shtetit, më ulin e më respektojnë.

Por edhe në Burrel. Ishte hera e parë që më caktonin sekretar të parë të një rrethi, në vitin 1974. Kam shkuar në një periudhë të vështirë, në mes të një dimri të ashpër që kishte bllokuar rrugët dhe kishte probleme furnizimi. Ditën e parë që kam mbërritur, kisha veshur një xhup ushtarak dhe mbaja kokore. Askush nuk më njihte. Ecja në këmbë dhe shikoj shumë njerëz të mbledhur para një dyqani-barakë. Çfarë ka dalë? Pyes njerëzit. Uthull, më thonë. Ika. Thirra kryetarin e komitetit ekzekutiv për gjendjen në furnizimin e qytetit. Gjendja ishte e vështirë dhe kryetari më numëroi gjithë mallrat ushqimore që mungonin, duke përfshirë edhe uthullën. Mora në telefon drejtorin e ndërmarrjes së furnizimit në Shkodër, që e kisha mik që kur punoja si sekretar. A ke uthull? e pyeta. Po! më tha. A po më nis nja dy fuçi? Jo mor, po të nis një autobot. Dhe kështu solla një ZIS “Molotov” me dy tonë uthull që u shit brenda pak ditësh.

Po pse pikërisht uthull?

Fshatarët e zonës së Burrelit mbushnin shishe me 2/3 ujë, 1/3 uthull, i hidhnin ndonjë lugë sheqer dhe me të hanin bukën. Ishte e tmerrshme. Këtë problem e kam ngritur edhe në mbledhjen e Byrosë Politike. Nja dy shokë u hodhën përpjetë dhe m’u kundërvunë, duke thënë se s’është e vërtetë, s’ka mundësi që punonjësit e bujqësisë të hanë bukë me uthull. Por unë i kisha parë me sytë e mi. Enver Hoxha dëgjonte dhe mbante shënim. Më bëri vetëm një pyetje: Kështu është, Muho? Kështu është, shoku Enver, u përgjigja unë. Enver Hoxha e kishte si parim që verifikonte gjithçka që ne i raportonim dhe unë këtë e kisha kuptuar. Ishte mënyra e tij që të merrte informacione sa më të sakta. Dhe unë përfitova nga rasti në shumë raste të siguroja paradhënie për kooperativat bujqësore, kur u mungonte buka. Qeveria ngulte këmbë që kooperativat të paguanin borxhin që kishin marrë më parë, ose të bënin punë të ndryshme. Nuk toleronte Mehmet Shehu. E zgjidhëm pikërisht duke i ngarkuar kooperativat me punë shtesë gjatë dimrit për t’u siguruar bukën kur nuk e kishin. Ose duke organizuar aksione.

Le të mbetemi te buka me uthull. Ju thatë se Enver Hoxha e dinte nivelin e varfërisë ku jetonin shumë shqiptarë…

Çështja e varfërisë ishte e ndjeshme. Edhe shoku Enver ishte i informuar. Më pyeti një herë për punën e furnizimit dhe i thashë se në Shkodër merrnim vetëm një pako margarinë në javë. “Po a ju del? më pyeti Enveri. Si ja bën ajo nëna jote në Shkodër?”. “Me thënë të drejtën, i thashë, kur bëjmë makarona, e hedhim të gjithën në tenxhere dhe aq është”. Por Enver Hoxha, me gjithë dëshirën e mirë, nuk i zgjidhte dot të gjitha problemet.

Ka patur një traditë organizimi të festës së 1 Majit në Tiranë…

Për 1 maj kemi parakaluar gjithmonë. Parakalonin fillimisht veteranët, pastaj kolektivat më të dalluar dhe përfaqësues nga rrethet që kishin arritur rezultate të larta, njerëz që kishin bërë shpikje e racionalizime. Në fillim parakalonin edhe me kafshë, me dele, me lopë, me qerre e kuaj, me produkte bujqësore e blegtorale, gozhdëve, xhamave e plot të tjera. Bënim parapërgatitje të mëdha për paradat e 1 Majit, pa neglizhuar asnjë detaj. Mbaj mend edhe kur na zuri një rrebesh shiu, por nuk u larguam. U strehuam poshtë urës së Lanës derisa pushoi shiu i madh, pastaj vazhduam përgatitjet. Zakonisht, parakalimin e mbyllnim ne studentët, që vendoseshim në formacion sportiv dhe mbanim në duar edhe portretet e udhëheqësve, të anëtarëve të Byrosë Politike. Unë kam mbajtur portretin e Kadri Hazbiut, që më është dukur gjithmonë më popullor.


Por erdhi një moment që votuat për përjashtimin nga partia të Kadri Hazbiut…

Po, është e vërtetë. Edhe kam diskutuar në atë mbledhje.

Ndërkohë, ju u bëtë anëtar i Byrosë Politike dhe u ngjitët ju në tribunën e 1 Majit, ndërsa studentët këtë radhe mbanin portretin tuaj në duar…

(Qesh) Po, është e vërtetë, dhe shumë njerëz më kanë pyetur se si më dukej vetja në atë kohë. Të them të drejtën, kam pyetur shpesh herë veten nëse e meritoja që të më mbanin portretin në parakalim. Por jam munduar ta justifikoj me punë këtë nder që më bëhej. Tribunat nuk i kisha qejf. Edhe për 1 Maj, mundohesha të rrija nga fundi, se edhe isha më i ri, ndërsa të tjerët shtyheshin për të qëndruar sa më pranë shokut Enver. Shokët më ngacmonin, më thoshin se duhet ta lidhja më mirë kollaren e plot batuta të tjera. Por nuk do t’i harroj edhe ca njerëz që në atë kohë mbanin në duar portretin tim dhe më dërgonin puthje nga bulevardi. Jam përplasur me njërin prej tyre në një bisedë televizive shumë vite pas rënies së komunizmit. Ishte bërë një nga drejtuesit e të djathtës.

Por në vitin 1990 nuk u zhvillua parada tradicionale e 1 Majit. Çfarë ndodhi?

Ishim në gjendje varfërie të madhe. Kishte filluar kriza. Duheshin para edhe për të organizuar festimet, ndërsa me shpenzimet ne ishim te minimumi i minimumit. Dhe kështu u vendos që 1 Maji të festohej ndryshe, duke bërë piknikë në natyrë nga vetë ndërmarrjet. Dhe kështu u bë. Unë në atë kohë isha sekretar i parë i Durrësit dhe organizuam aktivitete në natyrë, në kodrat e qytetit, në plazh. Rezultoi diçka shumë më e bukur se në vitet e tjera dhe njerëzit u kënaqën, megjithëse me kushte modeste. Shumë njerëz nuk morën pjesë, sepse secili do bënte shpenzime për veten e vet, por tradita e atij viti u përsërit dhe vazhdoi edhe pas rënies së komunizmit.

Por vitet e fundit duket se është zbehur ndjeshëm kjo traditë…

Po, dhe më vjen shumë keq. Pavarësisht ndryshimeve, edhe sot 1 Maji duhet të festohet. Është dita e klasës punëtore dhe më vjen keq që po humbet ajo traditë solidariteti që ne filluam. Çfarë i kushton sot një biznesmeni të organizojë diçka në këtë ditë për të kënaqur punonjësit e ndërmarrjes së tij private? Mund ta heqë mënjanë gjatë vitit atë fond të vogël që i duhet për këtë ditë, por edhe vetë biznesmenin do ta ndihmonte të kishte marrëdhënie më të afërta me punonjësit

No comments: