Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje duke marrë dosjen e vettingut të gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, pas artikujve të publikuar në media, ku ajo akuzohet se u ka fshehur organeve të vettingut një dënim nga gjykatat grek të 20 viteve më parë.
Sipas dokumentacionit të siguruar edhe nga Voxnews.al, Irena Gjoka është dëbuar nga autoritetet kufitare greke për falsifikim dokumentesh dhe asaj i është ndaluar hyrja në zonën Shengen për 10 vite. Vendimi i autoriteteve kufitare të Janinës është përforcuar nga gjykata e po kësaj prefekture në Greqi, që rrëzoi në 2004-ën ankimimin e Irena Gjokës për anulimin e dëbimit.
Irena Gjoka akuzohet se e ka fshehur këtë fakt nga formulari që ka dorëzuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku kaloi vettingun përkatësisht në vitet 2020 dhe 2022.
Nëse ky dënim do të ishte deklaruar, atëherë vendimmarrja e trupës së vettingut me shumë mundësi do të ishte krejt tjetër, të paktën sipas vetë standardit të vendosur s inga shkalla e parë e rivlerësimit, ashtu edhe nga shkalla e dytë e këtij procesi.
Arsyeja është e thjesht. Janë një sërë ish-gjyqtarësh dhe ish-prokurorësh që janë shkarkuar nga detyra që prej nisjes së vettingut për fshehje dënimesh, masash disiplinore, apo edhe për mosjustifikim të 20 metër katrorë pasuri.
I pari që u bë shembull për mosdeklarim të një dënimi ishte gjyqtari i lartë, Admir Thanza. Thanza ishte dënuar në Itali për vjedhje me dhunë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, kur Thanza madje ishte dhe gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.
Vetë gjyqtari nuk e mohoi faktin e ekzistencës së këtij dënimi për të cilin tha se ishte vepër që nuk e kishte konsumuar ai, por një familjar i tij por që ai e kishte marrë përsipër për të mbrojtur familjarin e tij. Thanza deklaroi se e ka marrë përsipër një dënim të kunatës e cila kishte kryer një vjedhje vetëm që nipi i tij 9-vjeçar të kurohej në Itali, ndërsa ka shpërthyer në lot para trupës gjykuese.
Rasti tjetër është ai i gjyqtares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të Tiranës, Semiramis Hoxholli. Vettingu nuk gjeti probleme në kriteret e pasurisë dhe të profesionalizmit, por ajo u shkarkua nga detyra sepse nuk kishte deklaruar dënimin e vëllait të saj në Greqi për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, që u konsiderua si kontakt i papërshtatshëm.
Shembull tjetër është ai i ish-prokurores së Kurbinit, Ajola Prençi. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi atë nga detyra pasi nuk kishte deklaruar në formular se bashkëshorti i saj ishte dënuar për korrupsion. Prençi deklaroi se nuk e kishte fshehur ngjarjen e bashkëshortit dhe theksoi se zgjidhja e çështjes së tij u takon organeve të drejtësisë. Megjithatë, kjo e penalizoi në rivlerësim.
Një tjetër rast, është edhe ai i ish-anëtarit të KPA-së, Luan Daci. Daci u emërua në Kolegj duke e fshehur një vendim shkarkimi të marrë ndaj tij në vitin 1997. Ai jo vetëm që u shkarkua nga KPA, por u mor edhe i pandehur dhe dënua me burg për falsifikimin e formularit.
No comments:
Post a Comment