Sunday, November 26, 2023

Si u shfaq në “qiellin” e muzikës shqiptare “ylli” Parashqevi Simaku...?

 


Nga Xhevat MUSTAFA

Meqenëse vetë Parashqevia nuk e ka rrëfyer historinë e ditës së saj të parë, të ardhjes dhe të hyrjes në godinën e Radio Tiranës, rreth 42 vjet më parë, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj të gjithë atyre që e ndihmuan atë ditë dhe deri sa u ngjit në skenën e Festivalit të 20 të Këngës në Radio Televizion më 1981, së pari të të ndjerëve, MIQVE të mi, Josif Doja, Agim Papakroko, Agim Krajka, Ferdinand Deda..., po e bëj vetë këtë punë, edhe me avantazhin apo cilësinë e qenies një nga aktorët dhe përjetuesit e saj.
Parashqevia kishte zë e talent të lindur, por ajo ishte vajzë Kavaje (province) dhe bijë dy punëtorësh të thjeshtë! Prandaj, mund të them me bindje se mund të mbetej një këngëtare e ansamblit amator të Shtëpisë së Kulturës të Kavajës, duke bashkëpunuar kryesisht me kompozitorin Rexhep Hasimi, nëse “nuk do t'ia hapte derën" një njeri nga brenda Radio Tiranës dhe RTSH-së. Sa këngëtareve të tjera, me zë të mirë dhe talent, nuk iu ishte hapur kjo derë, duke mbetur këngëtare amatore në qytetet e tyre ose duke "vdekur fare artistikisht"?! Jo për vetëmburrje, por për një të vërtetë që e dinë shumë mirë, nga të gjallët në Redaksinë e krijimtarisë muzikore e të kulturës në ato vite, kompozitorët Spartak Tili, Gazmend Mullai, Zhani Ciko, Ali Hazbia, Antoneta Malja, Aida Shehu, Mine Prençi...e nga të vdekurit, të ndjerët, Agim Papaproko (drejtor i Radio Tiranës në ato vite), kompozitori Agim Krajka dhe Ferdinand Deda(dirigjent) si dhe poeti Josif Doja, kjo vajzë e thjeshtë u ndihmua nga unë (nëna ime dhe e saj punonin bashkë në Ndërmarrjen e Qilimave në Kavajë, që quhej edhe Ndërmarja Leshpunuese) të futej në festival më 1981 e të bëhej ajo që u bë pas këtij viti. Atë ditë me shi, kur ishte rreth 17 vjeçare, ajo erdhi në Radio Tirana me të atin, një punëtor i thjeshtë, trup imët, nga pamja e jashtme i vrarë nga puna e jeta dhe me Josif Dojën, shok i imi i fëmijërisë dhe drejtor i Shtëpisë së Kulturës të Kavajës, të cilin në mënyrë figurative mund ta quaj edhe “ëngjëll zbulues dhe mbrojtës” të saj, Parashqevia ishte me grip. Nga ethet i ishin çarë e puçrosur buzët dhe ngjirur fare pak zëri. Sapo e pa, me të drejtë, me shqetësimin e një drejtuesi, që parësor kishte seriozitetin, cilësinë dhe suksesin e një veprimtarie muzikore tradicionale me jehonë kombëtare, drejtori Agim Papaproko, më tha: - Më vjen keq, Xhevo, por nuk mund ta fus në Festival kavajsen tënde puçrranjose dhe shumë të re si moshë! Le të rritet edhe 2 vjet e të piqet si zë dhe silleni përsëri. Unë, duke e pasur për disa vite më parë koleg redaksie dhe mik, e kundërshtova po me bindje të plotë: - E ke gabim, Gimi! Kjo vajzë ka zë, trup dhe fytyrë të bukur. Ka perspektivë të sigurt! Pas një hezitimi, që mund ta cilësoj të logjikshëm e të përgjegjshëm, drejtori pranoi. I bëra një fletëhyrje të firmosur nga shefi i redaksisë sime, të kulturës, shkrimtari Alfred Kanini dhe e dërgova Parashqevinë në Redaksinë e Muzikës, në katin e dytë, me dritare nga ana e Veriut. Fati i madh i Parashqevisë qe kompozitori Agim Krajka! Kur ajo po këndonte një këngë, ndërsa muzikën e luante në piano dirigjenti dhe kompozitori Ferdinand Deda, në zyrën e shefit të redaksisë së krijimtarisë muzikore hyri kompozitori Agim Krajka. Sapo e dëgjoi zërin e Parashqevisë dhe i hodhi një sy fluturimthi, Agimi tha me bindje të plotë e me zë të lartë, sa u dëgjua mirë nga të gjithë sa ishim në atë zyrë: "kjo vajzë do të marrë këngën time! I shkon edhe si zë..." Natyrisht, kështu edhe u vendos po atë ditë... Të gëzuar si Parashja edhe unë, zbritëm poshtë në hollin e Radios, ku na prisnin i ati dhe Josifi. Edhe ata u gëzuan shumë kur u thashë se Parashen e pëlqyen dhe pranuan. Duke qenë i vjetër në Radio Tirana dhe duke parë e dëgjuar shumë se çfarë bëhej në mjediset e saj dhe në të tjera muzikore e artistike, në konfidencialitet, me dashamirësi dhe me sinqeritet prindi dhe bashkëqytetari, i thashë të atit: - Parashqevia mund të bëjë karrierë si këngëtare, por kjo ka edhe të keqen se mund t’i dalin fjalë për nga ana e nderit dhe moralit. Mos mu anko më vonë se ti ma more në qafë vajzën! Ai, pasi më falënderoi edhe një herë, më tha me emocion dhe bindje: - Kurrë! Për ne, mbi të gjitha është që të futet në Festival! Nuk do të ta harrojmë këtë të mirë të madhe e pa asnjë interes që na bëre sot...! Nuk do t’ia harrojmë as Josifit gjithçka ka bërë për Parashen! Këtë të vërtetë, Parashqevia, viktimë e një virusi tradicional shqiptar, "e harroi" shpejt, duke mos e kujtuar në asnjë nga intervistat e shumta! Më kujtohet se pas disa vitesh, kur ishte bërë këngëtare e madhe, pas një interviste me Adi Krastën, e takoj Parashqevinë para derës së Estradës së Tiranës, nga ana e Muzeut Historik, U përqafuam dhe pastaj e qortova me të qeshur e ngjeshur: - Edhe mbrëmë në intervistë më harrove? Gati 1 orë e nuk gjete pak sekonda të kujtoje ndihmën time...?! - Më fal, xhaxhi Xhevat! – më tha duke më buzëqeshur si fajtore. Të jap fjalën se do ta bëj në intervistën e ardhshme, më të parë, që do të kem me gazetarë e në televizione të tjerë! Por, ashtu siç paramendoja e siç kishte ndodhur prej vitesh më parë, më harroi edhe në intervistat e tjera! Më mirëkuptoni: me emrin dhe krijimtarinë publicistike 20 vjeçare në Radio Tirana, si redaktor i disa emisioneve nga më të dëgjuarit e më të pëlqyeshmit masivisht (“Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “Ngjarje dhe data”, “Radiorevista letraro-artistike”, e tj; pas vitit 1990 me rreth 2.500 analiza dhe opinione të botuar gjatë 32 viteve, shumica në f.1 të gazetave kryesore në Shqipëri e Kosovë dhe me 5 romane të botuar, unë nuk kam nevojë për meritën dhe të bëhem qesharak si Beluli, me ndihmën që i dhashë Parashqevisë për t'u futur në Festivalin e e 20 të Këngës në RTSH të vitit 1981! Fatmirësisht, këtë të vërtetë e dinë edhe ish kolegët e gjallë të mi në redaksinë e kulturës në Radio Tirana në vitet 1970-1990...! Me humor e jo pa më shkaktuar keqardhje, këta më thonin shpesh: - Tashmë u bë e madhe "vajza jote e dytë" e tani nuk ta ka më nevojën!" Ndërsa drejtorit, mikut tim të ndjerë dhe njeriut të mirë, Agim Papaproko i thoja pas çdo suksesi e çmimi të Parashqevisë nëpër festivale dhe veprimtari të tjera muzikore: - E shikon, Gimi, se doli parashikimi im për të ardhmen e Parashqevisë? Siç shprehet dhe kuptohet nga ky rrëfim i imi, me disa detaje që më kujtohen shumë mirë edhe sot, pas afro 42 vitesh, nuk ka qenë nevoja të sajoj asgjë për ta zmadhuar dhe zbukuruar të vërtetën për ditën kur këngëtarja amatore Parashqevi Simaku u fut për herë të parë në godinën e Radio Tiranës! Siç dihet në Festivalin e 20-të Këngës në RTSH të vitit 1981, me pjesëmarrjen për herë të parë, ajo mori çmim të tretë me këngën e Agim Krajkës “Ç’lumturi na dha kjo jetë?”. Padyshim ndër më të gëzuarit isha edhe unë, sepse nuk kisha zhgënjyer vetveten me reklamimin me superlativa, që i kisha bërë dhe ndihmën që i kisha dhënë. Të nesërmen hyra si fitues në zyrën e drejtorit të Radio Tiranës dhe për t’i shprehur mirënjohjen e ftova për ta qerasur në klubin e RTSH-së, në katin e parë. -Na nderoi të dyve Parashqevia, Gimi! – i thashë ndërsa zbrisnim poshtë. Jam i bindur se me këtë zë të ëmbël dhe talent interpretimi do të bëhet një yll i ri i muzikës sonë! -Kur e nisi këngën isha në ankth, por kur e përfundoi dhe u duartrokit gjatë nuk po u besoja veshëve! – më tha ai me sinqeritet. Kisha rezerva në fillim, më shumë për moshën e saj shumë të re...! Duke u përpjekur të jem sa më i përmbajtur e korrekt në vlerësimet, sidomos pa kapërcyer mbi kompetencat e kritikëve muzikorë, Parashqevia kishte zë të ëmbël dhe aftësi interpretative, por jo kapacitetet vokale, jetëgjatësinë në karrierën muzikore dhe numrin e titujve të fituar nëpër festivale të Vaçe Zelës, Irma Libohovës, Aurela Gaçes...! Ky mbivlerësim i vetvetes, bindja personale se mund të bënte emër e karrierë edhe jashtë Shqipërisë, mendoj se i shkatërroi Parashqevisë rrugëtimin muzikor dhe i shkaktoi "shuarjen e shpejtë si yll"! Këtë opinion ma ka shprehur edhe miku im, kompozitori i madh Agim Krajka, që e ka ndihmuar shumë në Tiranë dhe në vitet e bashkëpunimit në veprimtari muzikore në AMERIKË! Besoj se i vlen këtij rrëfimi edhe një bisedë me Agim Krajkën pak muaj para se të largohej nga kjo jetë. U takuam tek kafja që mban emrin e një kënge të tij shumë të bukur, “Lemza”, në galerinë tek pallati i madh ndërtuar tek ish Kinema “17 nëntori”. Sapo ishte kthyer nga Amerika. Kur shkoi biseda tek Parashqevi Simaku, ai më shqetësoi me lajmet për shëndetin dhe për zhvillimet e fundit e të pakëndshme të karrierës së saj muzikore. -Më beso, Xhevat! I jam lutur shumë dhe disa herë që të bashkohej me grupin tim e të shkonim nëpër dasma të shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, siç bënin prej kohësh dhe me përfitime të mëdha Merita Halili, Eli Fara, Irma Libohova dhe disa këngëtare të njohura të Kosovës. Por, Parashqevia nuk më dëgjoi dhe këmbënguli JO e JO! I ishte mbushur mendja se mund të futej në “piramidën” e Hollivudit...! Sinqerisht, më vjen shumë keq për atë si njeri e si këngëtare...! Suksesi i Parashqevisë më ndihmoi një vit më vonë, edhe për ndërhyrjen time, konfidenciale, të pabujë e reklamë, për këngëtaren gjithashtu të talentuar Marina Grabovari, tek drejtori Agim Papaproko, për koincidencë, po me rekomandim nga Josif Doja, i cili kishte njohje familjare me këtë këngëtare. Marina qe me fat, sepse kishte, po nga brenda Radio Tiranës, edhe mbështetjen këmbëngulëse të këngëtarit dhe kompozitorit të mirënjohur, Avni Mula. Edhe si shoqe e të bijës, Invës, edhe duke e vlerësuar për zërin dhe talentin, ky e kishte angazhuar me këngë në Dekadat e Majit. Prandaj, gjykoj se roli i Avniut duhet të ketë qenë më përcaktues se i imi, më tepër përforcues i bindjes. Për Marinën, siç ka rrëfyer edhe ajo vetë, kishte rezerva për t’u pranuar nga komiteti partisë për arsye të një “njolle politike” në biografinë familjare. Fatmirësisht, “njolla iu fshi” dhe kjo pengesë u kapërcye! Marina u bë një nga këngëtaret konkurruese në Festivalin e 21 të Këngës në RTSH. Siç dihet kjo këngëtare me zë të fuqishëm dhe me të ardhme të sigurt e të suksesshme, fitoi çmimin e parë me këngën “Një djep në barrikadë” të Avni Mulës dhe tekst të poetit Hysni Milloshi!
Po e përsëris edhe në mbyllje: ky rrëfim nuk i shton gjë cv-së time, por është futur me tre qëllime. Së pari, si homazh për miqtë e mi të ndjerë Josif Doja, Agim Papaproko, Agim Krajka, Ferdinand Deda. Së dyti, për t’i shërbyer për rikthim nëpërmjet kujtesës 42 vjet më parë e për nostalgji e mirënjohje vetë Parashqevisë. Së treti, për t’i shërbyer të vërtetës, historisë, arkivave mediatike dhe të rrjeteve sociale..!

No comments: