Thursday, November 30, 2023

111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë - Flamuri kuq e zi u valvit në zemër të Nju Jorkut

 Nga Beqir SINA - New York

Shqiptarët e Nju Jorkut me rrethinat ngritën flamurin kuq e zi në zemrën e lagjes financiare të Manhatanit, Wall Street, parkun Bowling Green. Festa kombëtare e Shqipërisë, u kremtua me ngritjen e

flamurit tonë kombëtar në një vend emblematik për njujorkezët, aty pranë shtizës së lartë të flamurit amerikan ku ndodhet statuja e demit të bronztë në Broadway, parkun në Bowling Green, në Manhattan.


Ceremonia u zhvillua të hënën më 27 Nëntor nën kujdesin zyrtar të bashkisë së Nju Jorkut, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar, ish këshilltarin e bashkisë së Nju Jorkut, zotin Mark Gjonaj. E organizuar nga Zyra e Kryetarit të Bashkisë së NYC, kishte përfshirë disa departamente të qytetit dhe e koordinuar nga Mark Gjonaj, ish-anëtar i Këshillit të NYC, ceremonia i vuri theksin vlerave themelore të demokracisë që lidhen me pavarësinë dhe lirinë.


Në ceremonin e ngritjes së flamurit në nder të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,, mori pjesë kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, Komisioneri i qytetit të Nju Jorkut për Çështjet e Imigrantëve, Komisioneri për Çështjet Ndërkombëtare, Komisioneri për Çështjet Kulturore, Presidenti i Staten Island Vito Fosella , si dhe ambasadorët Shqipërisë, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, veprimtar e anëtarë të komunitetit .


Në aktivitetin në shënimin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në parkun Bowling Green, morën pjesë një sërë personalitetesh, përfshirë edhe zyrtarë të qytetit, si dhe një “skuadër” ceremoniale të uniformave të policisë nga NYPD, të cilët janë anëtarë të Shoqatës të Oficerëve të Zbatimit të Ligjit-“NYPD Illyrian Society”.


Mark Gjonaj, I cili e drejtojë aktivitetin ka mbajtur edhe një fjalim përshëndetës, duke ftuar më pas edhe përfaqësuesit e shoqatave, diplomatët e dy vendeve tona, ambasadorin e Shqipërise në Washington , Ambasador Ervin Bushati, Ambasadoren Albana Dautllari nga Misioni i Shqipërisë në OKB, dhe Ambasador Blerim Reka- Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju Jork.




Bekimin e ceremonisë së ngritjes së flamurit e dha Imam Edin Gjoni I cili e përshendeti me një fjalë rasti festën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.



Lutja fetare nga Imam Edin Gjoni i Qendrës Islamike Shqiptaro-Amerikane të Queens-it, u bëri thirrje të gjithëve “të reflektojnë mbi historinë që na bashkon”, duke u fokusuar në dy pika: “harmoninë dhe unitetin që përcaktojnë shpirtin shqiptar” dhe “mirënjohjen e përzemërt ndaj popullit amerikanë”, duke u kthyer në mbështetjen vendimtare të Presidentit Wilson për pavarësinë e Shqipërisë në vitet e para të shekullit të 20-të.


Sheshi , ku u bë ngritja e flamurit shëndrriti nga flamujt kuq e zi, dhe nga ngjyrat e veshjeve folklorike shqiptare, ritmet e valleve nga Grupi “Trashgëmnia Dardane” nga Tropoja, aq sa tërhoqën edhe vemendjen e njujorkezeve e turistëve të huaj nga mbarë bota, që po vizitonin këtë shesh .


Kryetari i bashkisë së New York, Eric Adams i cili tashmë e ka marrë titullin “Mikë i Shqiptarve”, me këtë rast i ka uruar festën komunitetit shqiptar në Amerikë, me një urim të veçantë për të gjithë shqiptarët në Ditën e Pavarsisë së Shqipërisë.


Ndërsa, ai iu drejtua podiumit, vendosi plisin dhe bëri shqiponjën me dy pëllëmbat e duarve në shenjë respekti, shprehu edhe një mirënjohje për mbarë komunitetit shqiptar në Nju Jork.


Kryebashkiaku Eric Adams me këtë rast vlerësoi qytetin me një komunitet të madh shqiptar duke e quajtur atë "kryeqyteti shqiptar i vendit".



“Nga Shqipëria e Vogël në Bronks, në Brooklyn, Kuins, në Staten Island, anëtar të komunitetit tonë janë shqiptarët të cilët janë edhe pronarët e disa bizneseve të mesme e të vogla, janë sipërmarrësit dhe janë nga ata njujorkezët punëtorë që e mbajnë qytetin tonë gjallë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë shqiptarë!”, tha Adams. 


Në këtë ceremoni, në emër të diplomatve shqiptar foli ambasadori Bushati, i cili u shpreh i nderuar që po festojmë së bashku Ditën e pavarësisë në SHBA, e cila tha ai është një avokate dhe aleate historike e integritetit dhe pavarësisë së kombit tonë; “SHBA, janë një komb i madh që kan mbështetur gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët në momentet e tyre më kritike, dhe vijojnë me të njëjtin përkushtim mbështetjen e palëkundur ndaj Shqipërise,” tha ai.

Eshtë bërë traditë që festa e flamurit kuq e zi të na njohë edhe me histori suksesi të shqiptarve të Amerikës. Këtë herë një histori suksesi ishte ajo që sollën me përfaqësimin e tyre dy vajzat shqiptare, punonjëse në zyrat e larta të qytetit.


Teksa ato përshëndetën nga podiumi i zyrës së Bashkisë së qytetit të New Yorkut, aty ku edhe ato punojnë dy vajzat e reja shqiptare, Ledia Dobi, dhe Orchida Arizaj, nëpërmjet përfaqësimit, pra të fjalimeve të tyre, treguan se nuk janë të pakta historitë e suksesit të fëmijëve të shqiptarëve anembanë botës, dhe veçanërishtë e atyre të rinjëve shqiptar që kan studiuar në shkollat the universitetet amerikane, ndërsa sot ata punojnë në zyrat e administratës së qyteteve më të mëdha, në SHBA.


Orchida Arizaj, solli nëpërmjet fjalimit të saj elekuent, suksesin i cili bën krenar çdo shqiptar.


Një vajzë e re kjo me ëndrra të mëdha, me një bukuri tipike mesdhetare dhe inteligjente, e veshur edhe simbolikisht për të nderuar Ditën e Flamurit 28 Nëntorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, tregojë se ajo vjen nga një familje patriotike, dhe e presekutuar gjithë jetën në regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ku pjestar të familjes së nënës së saj tha ajo u pushkatuan, u burgosën dhe u interrnuan, përfshirë edhe nënën e saj që u lind e u rritë në kampin e interrnimit në Gradishtë - Lushnje.


Rrugëtimin e deritanishëm të suksesit ajo gjatë fjalës së saj ia dedikoi lirisë në SHBA, ku ajo është shkolluar, por dhe edukimit të marrë prej prindërve, veçanërisht dy prindërve gjyshit dhe gjyshes të nënës saj,(Qemal Dema e Flutura Ndreu), të cilët ishin pinjollët nga dy familjet më patriotike, familje më në zë (Ndreu dhe Dema) të njohura këto në të gjithë Shqipërinë, e trojet shqiptare.


Z. Arthur Piccoli, president i lagjes Bowling Green Park, i cili e ndjek këtë ceremoni të ngritjes së flamurit po në këtë shtizë për tre dekada, prej se kur ajo nisi për herë të parë, pos një përshendetje rasti midis të tjerave përmendi  edhe ngritjen e flamurit shqiptare më 1992, në këtë park nga tre patriot shqiptar . 


Ngritja e flamurit shqiptar  në këtë shesh, tha ai  ështe një nder dhe krenari për gjithë  komunitetin shqiptarë.


Ai permendi me këtë rast një akt të shënuar në këtë shesh nga tre dibranë, nga Gani, Halil, dhe Sami Nesimi, të cilët në Bowling Green Park, ngritën për herë të parë këtu në këtë shesh dhe këtë shtizë, flamurin shqiptar pa yllin e komunizmit. Ata e vendosën flamurin shqiptar krah flamurit amerikan me inisiativen e tyre, tre dekada më parë, duke hequr nga shtiza një flamur shqiptar me simbolet komuniste( flamur i bler nga biznesmen me origjinë greke). Dhe kështu flamuri kuq e zi - përsëri u vendos dhe u valvit lart me inisiativën e shqiptarve, teksa vazhdon kjo ceremoni edhe sot, në distriktin Bowling Green, Manhattan-NY.


Në fjalën e tij, Edward Mermelstein, Komisioneri i Zyrës së Kryetarit të Bashkisë për Çështjet Ndërkombëtare vuri në qendër të vëmendjes ngritjen e komunitetit shqiptar në Nju York, që nga fillimet ndoshta modeste si "një histori tipike e Nju Jorkut të qëndrueshmërisë dhe të suksesit të emigrantëve nga mbarë bota.


"Le të jetë ngritja e flamurit të sotëm një simbol i aspiratave tona të përbashkëta," tha komisioneri Mermelstein.


Kryetari i Këshillit Koordinues i Diasporës, zoti Mark Gjonaj në cilësinë e drejtuesit të kësaj ceremonie, foli disa herë për rëndësinë e madhe të kësaj dite, e cila tha ai i bashkojë të gjithë shqiptarët në një kombë dhe një flamur. Ai, theksoi rëndësinë e festimit jo vetëm të flamurit, por edhe të “identitetit” tonë kombëtar. “Në këtë ngritje flamuri ne vijmë si një popull… si shqiptarë në mbarë botën”, tha ai.


Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë ! Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar, Zoti e bekoftë Amerikën – rroftë Flamuri kuq e zi dhe Pavarësia e Shqipërisë.



Ceremonia e ngritjes të flamurit në zemrën e Distriktit Financiar të Manhatanit, Wall Street - parkun Bowling Green, është bërë një ngjarje vjetore për komunitetin shqiptar çdo 28 Nëntor.

No comments: