Monday, August 4, 2014

Shqiptarët e arratisur në Greqi, agjentë të Sillogut e kontrabandistë

Dosjet e Sigurimit: Veprimi antikomunist në qarkun Korçë
Nga Veli HAKLAJ

V. Veprimi antikomunist në Qarkun e Korçës
Në Qarkun e Korçës, pas goditjeve që ishin dhënë ndaj personave të implikuar me procesin e Tiranës, si Kol Rodhja, Zhanke Gorguzi etj., ishte konstatuar një rënie e aktivitetit të antikomunistëve. Terreni më i përshtatshëm për të punuar kundërshtarët e regjimit në këtë qark kishin qenë nënprefekturat e Kolonjës dhe Leskovikut. Që prej muajit prill 1946, ishin goditur dhe zbuluar disa rrethe antikomunistësh.



1. Antikomunistët
e Korçës

1.1 Rrethi i Liceut të Korçës
Qysh prej kohësh, në Liceun e Korçës kryenin veprimtari antikomuniste disa studentë, si Niko Qirka, Trajan Xheka, Albert Kashiroti, Peti Bishka, Spiro Tezha, Foqi Skëndi, Koço Topçe, Ilia Emanuil, Piro Xhumertiku, Jani Nano, Ropi Karamitro dhe Tika Karamitro, të cilët lidheshin me profesorin Nikolla Dajka nga Shkodra. Këta në shkollë ishin munduar të sabotonin punën e BRASH-it dhe ndërmarrjet e ndryshme. Të gjithë elementët e sipërshënuar vinin nga rrethet antikomuniste, djem të klasave borgjeze, dhe disa prej tyre kishin bërë pjesë në Rojen e Hekurt. Frymëzues i tyre ishte prof. Nikolla Dajka. Ata ishin munduar të shtonin radhët e tyre me elementë të pakënaqur. Janë futur edhe në Ushtri, por në një rreth shumë të ngushtë. Prej këtij rrethi, me aktivitet ishin Niko Qirka, Peti Bishka dhe Trajan Xheka, të cilët në qershor 1946 u arrestuan. Bashkë me ta u arrestuan dhe prof. Nikoll Dajka dhe ushtar Pjetër Zefi.
Pas këtyre arrestimeve, anëtarët e rrethit që mbetën jashtë shkëputën lidhjen, por një pjesë e tyre iu bashkuan një rrethi tjetër, sikurse do të trajtohet më poshtë.
Që nga mesi i vitit 1946, elementë që propagandonin kundër regjimit dhe që ishin evidentuar në aktivitet ishin: Aleksandër Cica, Lefti Papjosifi, Kola Karamitro, Raqi Mole, Vangjo Xibi, të cilët kishin një rreth shoqëror të gjerë pas vetes, të përbërë nga: Nesti Zheke, Mikail Kosova, Lefti Kosti, Lisimak Faber, Naum Veriga, Musha Karbunara, Soto Veriga, Maqo Tezha, Foqi Skëndi, Ropi Karamitro, Tika Karamitro; katër të fundit vinin nga rrethi i Niko Qirkës.
Sipas raportit, anëtarët e këtij rrethi ishin persona që zor se mund të arrinin në një organizim, për shkak se tregoheshin të rezervuar, por këta ishin identifikuar si persona që mund të dëmtonin duke folur lart e poshtë dhe duke përhapur parulla. Ata fillimisht ishin mjaftuar me organizimin e takimeve me njëri-tjetrin dhe zhvillimin e bisedave kundër pushtetit.
Të gjithë këta ishin të pakënaqur nga pushteti komunist, sepse disa kishin humbur privilegjet që kishin në regjimet e kaluara, kurse disa të tjerë ishin të prekur nga reformat e ndryshme. Këta kishin intensifikuar lëvizjet, sidomos kohët e fundit, në lidhje me zhvillimet në arenën ndërkombëtare.

1.2 Rrethi i grave antikomuniste
Në qytetin e Korçës ishin edhe këto gra që zhvillonin një aktivitet antikomunist: Varvara Ali Kuçi, Veko Hasan Xama, Fadile Hysni Qyteza, Pavlina Gani Peqini, Nurfo Sami Koprencka, Medo Fiço Banga, bashkëshortet e Kol Rodhës dhe Riza Shtyllës, vajzat e Bexhet Uranit dhe Reshat Spahiut dhe e motra e Abedin Belit. Që të gjitha ishin nga familjet e goditura nga regjimi komunist. Këto kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe flisnin mjaft kundër pushtetit. Prej këtyre, më aktive ishin identifikuar: Varvara Ali Kuçi, Medo Fiço Banga dhe bashkëshortja e Riza Shtyllës.
Ky rreth lidhej me rrethin e Aleksandër Cicos me anën e Varvara Ali Kuçit.
1.3 Rrethi i Socialdemokratëve
Rrethi i Socialdemokratëve drejtohej nga dr. Lito; ata përhapnin parulla të ndryshme dhe propagandonin fort kundër regjimit komunist. Ky rreth përbëhej nga dr. Lito, dr. Shaban Pëllumbi, dentisti Zia Starova, agronomi Spiro Konomi, veterineri Noçka dhe tekniku i Arsimit, Emin Çomo, - të gjithë intelektualë. Sipas raportit, këta nuk kishin diçka të organizuar, por vetëm dyshohej se mos lidhen me rrethin e Myzafer Pipës në Shkodër, pasi pak kohë përpara, Drita Kosturi kishte qenë në Korçë dhe gati gjithë kohën e qëndrimit aty ajo kishte qëndruar me dr. Liton dhe rrethin e tij. Këtij rrethi, kohët e fundit i ishin shtuar dhe këta persona: Prof. Preng Kaçinari, prof. Seit Duro, dr. Thoma Plasa dhe studenti i Medicinës, Sulo Mborja. Ky rreth mbante lidhje me rrethin e Aleksandër Cicos me anën e Lefti Papajosifit.

1.4 Rrethi i Nacionalistëve
Ky rreth ishte mjaft i vjetër dhe përbëhej nga: Qazim Frashëri, Mehmet Baba, Qani Sulejmani, Faik Baba, Bexhet Frashëri, Surja Mborja, Xhevdet Muftiu, Ibrahim Mborja, Xhelal Shtylla, Seit Villa, Fadil Gari dhe Seit Maliqi. Këta ishin të gjithë elementë që rridhnin nga shtresa të pasura. Nuk tregonin ndonjë aktivitet të dukshëm, për arsye se ishin mjaft të tronditur nga arrestimi i Petraq Katros dhe Marko Katros, arrestime që iu shtuan arrestimit të Kol Rodhës. Anëtarët e këtij rrethi kishin shpresë në ndryshimin e situatës vetëm nga një ndërhyrje e huaj dhe kështu ishin në pritje gjithmonë, pa bërë vetë ndonjë lëvizje.

1.5 Rrethi
i Vorio-
Epirotëve
Rrethi më i gjerë në këtë qark ishte ai i Vorio-Epiro-tëve. Pas godi-tjes së bërë kundër tyre në vitin 1945, nuk rezultonte që të kishin diçka të organizuar. Veprimtaria e tyre konsistonte në takime me njëri-tjetrin nëpër kafene dhe në përhapje parullash kundër regjimit komunist. Gjatë muajit qershor 1946, kishin shfaqur aktivitet Llambi N. dhe Gaqo S.. Ky i fundit kishte pasur takime edhe me përfaqësues të UNRA-s dhe kishte bërë mjaft lëvizje Korçë - Tiranë. Persona që përbënin këtë rreth ishin: Pando B., Llambi N., Kostaq P., Perikli Z., Taqi B., Kristaq K., Spiro M., Lipi Z., Dhori P., Manol S., Aqile F., Vasillaq C., Ndoni M., Gaqi S., Jorgji B. dhe Jani A. Këtij rrethi i bashkoheshin dhe tregtarët e mëdhenj dhe të prekur nga tatim-fitimet. Elementët e këtij rrethi nuk ishin dukur shumë në aktivitet, sepse e dinin që njihen si elementë të tillë dhe për këtë ruheshin mjaft. Megjithatë, këta ishin evidentuar nga strukturat e Sigurimit si burimi i të gjitha parullave të dala në lidhje me çështjen e Vorio-Epirit. Nga personat e treguar më aktivë gjatë vitit 1946 ishin arrestuar: Arqile F., Pando M. dhe Vasil K..

1.6 Arrestime të tjera në Korçë
Në lidhje me zhvillimin e fundit të situatës dhe si shpërndarës të një sërë parullash, ishin arrestuar në mesin e vitit 1946 në Korçë edhe Aleksandër Cicua, Kola Karamitro, Vangjo Xhibi, Foqo Skëndi, Panajot Cico, Goni Treska, Raqi Gjëmbi dhe Lefti Papajosifi. Në kohën kur përpilohej raporti, proceset e tyre ishin në vazhdim. Në përfundim të raportit për pjesën e Korçës konkludohej se në këtë qark nuk konstatohej diçka e organizuar, por vetëm paraqitje rrethesh të ndryshme.

1.7 Nënprefektura
e Leskovikut
Nga arrestimet e bëra në qarkun e Gjirokastrës dhe nga deponimet e personave të proceduar kishte rezultuar se në Nënprefekturën e Leskovikut vepronte një komitet Vorio- Epirot, i cili kishte lidhje me Sillogun e Janinës. Komiteti ishte ngritur nga Thanas V., sipas udhëzimeve që kishte marrë nga agjenti i Sillogut të Janinës, Kristaq Z.. Komiteti përbëhej nga Thanas V., kryetar, i emëruar me dekret të Sillogut, Nikollaq K., Andon T., Llazi K. dhe Mihall C., anëtarë.
Korrierë të këtij komiteti kanë qenë Loni V. dhe Sotir H., ndërkohë ishin arrestuar Thanas V., Andon T., Loni B., Sotir H. dhe Kolaq K..
Më vonë, në maj 1946, u zbulua edhe një grup tjetër antikomunist, i cili udhëhiqej prej Kadri Vrionit. Këta kishin formuar një komitet me emrin "Bashkimi Shqipëtar". Përgjegjës i këtij komiteti ishte Kadri Vrioni dhe anëtarë Fuat Maska Glina, Bido Muharrem Rusi dhe Reis Asllani. Këta kishin pas vetes edhe një sërë personash të tjerë, si: Aliko Murat Lefteri, Thepni Dervish Hajdari, Sami Radani, Dervish Perati etj.
Ky komitet kishte pasur lidhje me antikomunistët me origjinë greke me anë të Alike M. dhe me Korçën me anë të Thenai D., i cili lidhej me avokat Aqif L.. Këta kishin shtruar si nevojë zgjerimin e organizatës me elementë të prekur nga pushteti, kishin mbledhur ndihma nga anëtarët e organizatës dhe këto ia kishin dërguar Aqif L., në Korçë. Këta kishin pasur edhe vulën të shkruar "Organizata Bashkimi Shqipëtar, Dega e Leskovikut". Prej këtyre ishin arrestuar anëtarët e komitetit, kurse anëtarët e tjerë u këshilluan me anë të njerëzve të Frontit.

1.8 Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Kolonjës
Edhe në Nënprefekturën e Kolonjës u zbulua një grup kundërshtarësh të regjimit komunist në prill 1946, që e kishin filluar aktivitetin që nga janari i 1946-ës.
Ky grup u zbulua me arrestimin e disa personave që qenë strehues të të arratisurve. Nga deponimet e tyre ishte dokumentuar veprimtaria e një komiteti me emrin "Komiteti Krahinor i Bashkimit Shqipëtar", i cili përbëhej nga Zalo Selenica, Baba Muharrem Kershova, Zenel Gostivishti, Tefik Selenica, Xhelal Xhezo dhe Isa Drishti, të gjithë elementë me një të shkuar nacionaliste dhe eksponentë të Ballit Kombëtar.
Këta kishin bërë disa mbledhje, në të cilat kishin shtruar nevojat e zgjerimit të radhëve dhe për përforcimin e bandave të armatosura. Ata kishin ngritur një nënkomitet në sektorin e Shën-Mërtirit, me kryetar Muharrem Feim Boshanin, komandant Hajdar Gazi Orgockën dhe sekretar Ystref Nazi Lenckën. Ndërkohë kishin krijuar lidhje me të arratisurit kolonjarë në Greqi dhe me antikomunistët me origjinë greke. Kishin furnizuar grupin e të arratisurve të Ditar Kurtesit me shokë, i cili do t'u shërbente si pikënisje e arritjes së një force të armatosur kundër regjimit komunist në Shqipëri. Parullat e tyre kishin bërë që, antikomunistë të Kolonjës që kishin qenë të lidhur me Ballin, ta ndjenin veten në pasiguri dhe, për rrjedhojë, kishte pasur mjaft arratisje. Komiteti i Kolonjës mbante lidhje me Korçën me avokat Ali Selenicën dhe Fuat Kostrecin. Këta dyshoheshin se ishin anëtarë të Komitetit Qarkor, mirëpo nga deponimet e tyre nuk kishin dalë prova implikuese në këtë drejtim. Nga antikomunistët e implikuar në këtë komitet u arrestuan: Baba Muharremi, Zalo Selenica, Tefik Selenica, Xhelal Xhezo, Zenel Gostivishti, Riza Kreshnova, Isa Drishti, Avokat Ali Selenica, Fuat Kostreci, Rafail Prodani, Ali Qyteza, Gazi Orgocka, Muharrem Roshanji, Qerim Alushi, Safet Sako, Nadire Selenica, Medi Nexhmi, Avni Alishau, Sali Riza Psari, Ali Shaqiri, Muhamet Agolli, Fejzullah Muharremi, Qerim Alushi, Skënder Koçi, Mehmet Bido dhe Refat Ibrahimi.
Në muajin maj 1946 u zbulua dhe një grup, të cilët po përgatiteshin për t'u arratisur në Greqi. Frymëzuesit e këtij grupi ishin Nuri Hudunishti dhe Islam Zervaska, që të dy zogistë. Këta, qysh në verën e vitit 1945, kur regjimenti II (ish-Brigada II e Divizionit II) ndodhej në katundin Zervavaskë të Pogradecit, përgatitën një grup për t'u arratisur, por nga masat që u morën në atë kohë u ndaluan. Këta nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre, por në mënyrë shumë konspirative vazhduan punën dhe, kur regjimenti II erdhi në Korçë, personat antikomunistë ranë në lidhje me avokatin Ali Selenica dhe Sami Koprenckën me anë të Ferit Goblarës, i cili lidhej me rreshterin Bashkim Koleci.
Ata kishin përgatitur një memorandum që do t'ua dorëzonin anglezëve në Greqi, të cilin e shkroi Ervehe Panariti. Atë ditë që do të arratiseshin, kishin bërë plan që të vrisnin komandantin e Divizionit.
Disa ditë para se të arratiseshin, u diktuan, dhe në lidhje me këtë veprim u arrestuan 37 vetë, prej të cilëve ishin këta civilë: Sami Koprencka, Ferit Goblara, Ervehe Panariti, Xhelal Tabaku, Muntas Cenko, Emnor Koleci, Nuri Hudunishti, Islam Zervaska, Sulo Sako, Servet Jahja, Riza Bejko, Tomor Koleci dhe këta ushtarakë: Nëntoger Qamil Agaj; reshterët Murat Braholli, Bashkim Koleci, Banush Lahe, Sokol Malo, Goxho Dervishi; kapterat Resim Hajdani, Zarf Danglli; nëntoger Islam Xhemali; ushtarët Bexhet Ajazi, Bexhet Voci, Eqrem Kallajxhiu, Bexhet Çerçizi, Skënder Ali Floqi, Zeqir Bahtjari, Mark Dedaj, Zylyftar Mukja, Ali Musa Braha, Abedin Nurka, Nevrus Kulla, Hasan Dedaj, Tosun Zeneli, Ded Çallaku dhe Kalem Derzho. Prej këtyre u liruan tre të fundit.
Një kohë, në sektorin e Dardhës dolën në skenë Kristo Shkrapi dhe Andon Dimoshi. Këta kishin përhapur parulla të ndryshme në lidhje me pretendimet greke dhe dyshohej se mos ishin agjentë të Greqisë. Të dy u arrestuan, por nga deponimet e tyre nuk doli një gjë e tillë. Këta iu referuan gjyqit si kontrabandistë.
Në Nënprefekturën e Kolonjës, nga mosditja e Organeve të Sigurimit të Shtetit për demaskimin e personave antikomunistë, ishin arratisur Haxhi Shabani, Nevrus Shabani dhe Safedin Haxhiu.

1.9 Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Pogradecit
Në Pogradec, pas arrestimit të Enver Hados dhe Llambi Bashos, rrethi i tyre nuk kishte më aktivitet. Anëtarë të këtij rrethi, që dukej se vazhdonin veprimtarinë dhe që flisnin kundër pushtetit, ishin: kapiteni I, Hysen Shehu dhe gjykatësi Sandër Kraja. Këta, duke qenë persona që nuk pajtoheshin me regjimin komunist, propagandonin vazhdimisht kundër pushtetit.
Në Nënprefekturën e Pogradecit, ata që tregonin një aktivitet antikomunist ishin: Zenel Qerimi, Qamil Nevruzi, Reshta Selenica, Hasan Qerimi, Myske Leshica, Vasil Bicka dhe Skënder Starova. Ky rreth ishte dukur në lëvizje, sidomos pas zhvillimeve të fundit në arenën ndërkombëtare.
Përveç këtij rrethi, në Pogradec vepronte edhe rrethi i Tasi Shurtit i përbërë nga Tomorr Starova, Laçe Gjata, Kozma Gjata, Virgjir Ballamaçi e disa të tjerë, të cilët dhe këta kishin shtuar aktivitetin në mesin e vitit 1946. Këtij rrethi i ishin shtuar edhe anëtarët e rrethit të Enver Hados (Hysen Shehu dhe Sandër Kraja).
Prej këtyre, për veprimtarinë antikomuniste të treguar ishin arrestuar: Zenel Qerimi, Tasi Shkurti dhe Vasil Joka.

1.10 Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Bilishtit
Edhe grupi i Spiro Konomit, që ishte në Bilisht, e kishte ndërprerë veprimtarinë antikomuniste. Spiroja u transferua në Korçë, kurse gjykatësi Sali Qafmolla u pushua nga puna dhe shkoi në Elbasan. Ndërkohë, Spiro Konomi kishte filluar të aktivizohej me rrethin e dr. Litos në Korçë.
Në Nënprefekturën e Bilishtit, gjatë muajit qershor 1946, kishte të dhëna se disa persona që vinin nga radhët e Ballit Kombëtar kishin gjallëruar veprimtarinë antikomuniste. Këta ishin: Selman Gjyli, Zini Kapshtica, Maliq Aliu, Maliq Kasemi, Kamber Idris Tresteniku, Murat Idris Tresteniku, Enver Seit Rakicka, Muhamet Rakicka, Ibrahim Bede Progeri, Nexhmi Kurilla, Pali Pallamari, Miço Toka dhe Gaqi Treni. Sipas informatave që dispononin Organet e Sigurimit të Shtetit, ky rreth përbëhej nga persona të fshatrave të ndryshme dhe takoheshin vetëm rastësisht me njëri-tjetrin dhe nuk kishin asgjë të organizuar. Ky rreth konsiderohej si rreth me persona të ndryshëm, që shpërndanin parulla dhe flisnin keq për regjimin komunist.
Në Nënprefekturën e Bilishtit, strukturat e Sigurimit kishin pasur dyshim se agjentura greke do të kishte baza, dhe kështu kohët e fundit kishin arrestuar: Ibrahim A., Hasan B., Adil I., Sali A., Jorgji K., Kiço S. dhe Haxhi R. Por nga hetimet e bëra, të gjithë personat e arrestuar, kishin bërë kontrabandë dhe nuk rezultonin fakte për implikim në veprimtari agjenturore në favor të Greqisë.


(Vijon nga numri i djeshëm)
1. Veprimi i agjenturës greke
Në këtë qark, sipas raportit të cilit i referohemi, puna më e madhe kundër regjimit komunist bëhej nga agjentura greke. Organet e Sigurimit të Shtetit kishin dhënë vazhdimisht goditje kundër këtyre elementëve, por në raport shënohej se ata kanë pasur dhe kanë në vijimësi baza. Kjo sepse agjentura greke gjente mbështetjen e elementit minoritar.

Ky ka pasur agjenturë të vjetër, me anën e të cilëve kishte prekur ndjenjat kombëtare të tyre. Ajo që kishte influencuar mjaft kishte qenë dhe pozita [e dobët] e Shqipërisë në botën ndërkombëtare.
Veprimtarinë kryesore antikomuniste në qarkun e Gjirokastrës e kishin zhvilluar të arratisurit në Greqi, të cilët ishin bërë agjentë të Sillogut dhe kontrabandistë. Këta të fundit, për të ushtuar profesionin e tyre më lirisht kishin hyrë në shërbim të agjenturës greke. Si të arratisurit, ashtu dhe kontrabandistët, më të shumtët kishin bërë punën e korrierit, duke sjellë dhe materiale propagandistike, si gazeta, trakte etj.
Agjentura greke ishte munduar që në këtë qark të ngrinte një organizatë dhe më vonë për të ngritur një lëvizje, sadopak të vogël, por vetëm për të gjetur pretekst për një ndërhyrje me armë. Por këtij organizimi i ishte prerë hovi nga arrestimet e kryera nga Organet e Sigurimit të Shtetit.
Me gjithë goditjen e dhënë në fillim të vitit 1946 për rrjetin e spiunazhit grek, konstatohej që dhe më pas ishin zbuluar rrjete të ndryshme.
Raporti evidenton faktin se në muajin prill 1946 ishte zbuluar një grup agjentësh, i cili ishte ngritur nga Kolonel Predy, misionar i UNRA-s. Ky grup përbëhej nga Azbi P., Aqif H., Banush D., Idris M., Dilaver Q., Mihal Ll., Harallamp P. dhe Kli M.. Grupi u ngrit nga Azbi P. në bazë të udhëzimeve që kishte marrë nga Koloneli Predy. Udhëzimet e Kolonel Predy-t ishin: 1) Të mblidhnin informata mbi organizimin e pushtetit. Si mbahen nëpunësit? Si është ushtria nga pikëpamja politike dhe ekonomike? Çfarë propagande bëhej nga ana e Frontit? Si ndaheshin ndihmat e UNRA-s dhe a ka elementë të pakënaqur nga pushteti? 2) Si duhej të punonin. Të bënin propagandë antisovjetike, të propagandonin në ushtri për të dezertuar në Greqi, të propagandonin në popull për një demokraci të tipit perëndimor etj. Për të mbledhur informata dhe për të bërë propagandë, si pikë të parë shtruan nevojën e ngritjes së një rrjeti dhe shtimin e radhëve. Kështu, Azbi P. ngriti një rrjet informativ të ndarë në tre sektorë: E para Papajan D., me qendër Çukë, Mihal K. me qendër Dhivër dhe Tobi M. në Delvinë. Për Sarandën, Azbi P. dhe Dilaver Q.
Nga të tre këta sektorë, ai që kishte punuar më tepër ishte Tovi M.; Papajan D. ishte lidhur me Sillogun e Korfuzit dhe u arrestua më 5 mars 1946 me rrjetin që u zbulua në krye të vitit, ndërsa Mihal K. nuk kishte dhënë asnjë informatë dhe nuk ishte takuar fare me Azbi P., megjithëse pranoi.
Në veprimtarinë e tyre ky grup kishte bërë disa mbledhje, kishin përhapur parulla, si në popull, edhe në ushtri, u kishin dhënë informata politike, ushtarake dhe ekonomike përfaqësuesve të UNRRA-s, kishin pasur lidhje me anglezët J. H. Halsadet, F. Gerson, Robertson, Kroni, M. A. Neli, Wrigli dhe Péin. Ky i fundit, kishte udhëzuar Azbi P. për ngritjen e një çete të armatosur dhe i kishte premtuar për furnizime me armë etj.
Për punën që kishin bërë, të lartpërmendurit ishin shpërblyer dy herë nga anglezët me një shumë prej 50 sterlinash, të cilat i kishin ndarë midis tyre. Prej këtij grupi ishin arrestuar: Azbi P., Aqif H., Banush D., Idris H. dhe Dilaver Q.

2. Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Përmetit
Në Nënprefekturën e Përmetit, pas arrestimit të komitetit Vorio-Epirot të kryesuar nga At Aleks P., sipas raportit, i arratisuri Miço Zh., organizoi një rrjet të dytë, të përbërë prej: Thimjo Ç., Vasil R., Pandi P., Vasiliqi Zh., At Minaj, Kolo Z., Aleks A., Lefkothe N., Kristo G., Lazo I. dhe Ollga G. Të gjithë u arrestuan. Prej këtyre, ata që kishin shërbyer më tepër kishin qenë Thimjo Ç., Vasil R., Pandeli P., të cilët iu referuan gjyqit. Vasiliqi Zh., e shoqja e të arrestuarit Miço Zh., u internua. Të tjerët u lanë të lirë pasi nuk dilnin shumë të implikuar.
Ky rrjet, me anën e të arratisurve Miço Zh. dhe Note Zh., kishin marrë materiale propagandistike nga Greqia dhe i kishin shpërndarë. Kishin dhënë informata të ndryshme dhe për këtë ishin shpërblyer.

3. Veprimi antikomunist në Libohovë
Në muajin prill 1946, u godit një rrjet spiunazhi në Pogonin e Libohovës, i kryesuar nga Thomjo Gj. dhe Ilia Z.. Ky rrjet kishte filluar aktivitetin e tij qysh në korrik të 1945-ës, duke u lidhur me portkomandantin e Korofiliqis, Ilia Athanasulla. Këta kishin pasur si korrierë Aleks P. dhe Dhimitri K. Aleks P. ishte vrarë më 28 nëntor 1945 nga forcat e kufirit, ndërsa mundohej të kalonte kufirin së bashku me Dhimitri K. Ky i fundit, qysh prej asaj kohe, u tremb dhe nuk shkoi më si korrier, kështu që filloi të përdorej si korrier Vasil Dh. Prej këtij rrjeti u arrestuan: Thimjo Gj., Ilia Z., Miçi K., Jani K., Pano Ç., Thoma L., Milto P., Kosta K., Dhimitri S., Thana M., Fotini B., Pinello P. dhe Vasil Dh. Nga këta, Thimjo Gj., Ilia Z. dhe Vasil Dh. iu referuan gjyqit, të tjerët u liruan.
Në Rreze të Zezë të Libohovës, u arrestua rrjeti i përbërë prej: Kosta Evangjelidhi, Petro Noto, Mihal Telo, Nikolla Shkopi dhe Maria Leka.
Në muajin prill 1946, u arrestuan dhe Papadhimitri J., nga katundi Grazhdan, Stavro K., nga katundi Qenurio i Konispolit, dhe Andon Th., të cilët kishin pasur lidhje me të arratisurit që vinin nga Greqia dhe me anën e tyre merrnin material propagandistik e dërgonin informata mbi gjendjen e këtejme. Edhe këta iu referuan gjyqit.

4. Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Delvinës
Nga informatat që dispononin Organet e Sigurimit të Shtetit, rezultonte se në Rezomat të Delvinës vepronte një rreth antikomunistësh, që kishin lidhje me spiunazhin grek. Ky rreth përbëhej nga: Garufo Ç., Kosta Ç., Mihal K., Ziso B., Stavro P., Thanas T., Miçi Z., Grigor F. dhe Jorgo D. Ky rreth kishte pasur lidhje me të arratisurit Vasil B., Panajot K. dhe Nasho K. Këta kishin sjellë material propagandistik dhe të holla nga Greqia. Të arratisurit në Greqi kishin pasur lidhje me mësuesin e arratisur Lefter G., i cili ishte dërguar nga spiunazhi grek buzë kufirit në Filat, për të organizuar rrjetin brenda kufijve të Shqipërisë. Prej këtij rrethi u arrestuan: Kosta Ç., Garufo Ç., Mihal K., Ziso B., Stavro P. Prej këtyre iku nga burgu i komandës së rrethit të Delvinës Kosta Ç., i cili ishte parë të kalonte kufirin.
Me rastin e vrasjes të Kiço N., më 17 maj 1946, nga njësiti i të arratisurve që vinin nga Greqia me në krye Dhimitri M. dhe Sotir M., u arrestuan 11 vetë, si strehues, furnizues dhe informatorë të tyre. Ky njësit kishte ardhur me qëllimin që të vriste Kiço N. dhe Theodhori M. Të dy këta kishin qenë partizanë, kishin dezertuar në Greqi dhe ishin bërë korrierë të tyre, por më vonë pendohen për punën që bënin në favor të agjenturës greke dhe lidhen me Organet e Sigurimit të Shtetit. Theodhori M. nuk mundën ta vrasin, mbasi nuk e gjetën. Prej të arrestuarve iu referuan gjyqit Vasil M., Thoma D. dhe Theodhori M. U internuan Fotini dhe Dhespo M., të tjerët u lanë të lirë.
Më 7 korrik 1946, kapet i arratisuri Filip P., i plagosur në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit, ku mbeten të vrarë Sotir M. dhe Vangjel K. (të dy të arratisur). Ky grup i armatosur përbëhej nga: Filip P., Vangjelo K., Sotir M., Jani K. dhe Pavllo M. Këta dy të fundit munden të shpëtojnë. Ky grup i armatosur ishte dërguar nga Greqia, nga nënkolonel Miltiadh Muzaqitis, për të sjellë material propagandistik dhe për të marrë informata rreth lëvizjeve ushtarake etj.
Nga deponimet e Filipit, që prej prillit 1945, del që ai të jetë vënë në shërbim të spiunazhit grek. Kishte ardhur pesë herë në Shqipëri dhe, nga deponimet e tij, dilnin një sërë personash që kishin qenë në shërbim të spiunazhit grek dhe që kishin qenë bazë për të arratisurit që vinin nga Greqia. Prej këtyre personave, pjesa më e madhe ishin arrestuar që në procesin e janarit 1946 dhe nga ata që nuk ishin të arrestuar, por që dilnin mjaft të implikuar, u arrestuan: Vangjel K., Llambi K., Mustafa D., Dhimo P., Pando G., Anastas P., dhe nga deponimet e Vangjel e Llambi Ll. u arrestua Vangjel N.
Në kohën kur përpilohej raporti, procesi i tyre ishte në vazhdim e sipër.

5. Antikomunistët e Konispolit - Grupi i Rexho Plakut
Gjatë muajit korrik 1946, nga informatat që kishte Sigurimi i Shtetit, rezultonte se po përgatitej një grup me në krye Rexho Plakun për t'u arratisur në Greqi.
Rexho Plaku ishte i prekur nga reforma agrare. Ky, qysh në vitin 1945 ishte munduar të mblidhte një pjesë të pronarëve të Konispolit dhe t'i dërgonte qeverisë një lutje për të shtyrë zbatimin e reformës agrare. Rexho Plaku me Alush Plakun, Shuaip Rushitin dhe Petrit Taken, u munduan me anën e propagandës së tyre të bindnin gjithë pronarët e prekur nga reforma agrare dhe besnikët e tyre që të arratiseshin në Greqi. Elementët e këtij grupi ishin: Rexho Plaku, Alush Plaku, Beqo Plaku, Shuaip Rushiti, Jaho Faiku, Rexhep Brahimi, Ismail Taka, Dilaver Taka, Isuf Ibrahimi, Mustafa Tahir Kurani, Safet Myterisi, Petrit Taka, Rushan Mullaj, Skënder Taka, Hasan Plaku, - të gjithë nga Konispoli. Po në këtë grup ishin dhe këta persona: Sabri Hamzarai nga Markati, Safet Dajlani nga Shalesi, Isuf Ymeri nga Peja e Kosovës, banues në Nimet, Pilo Loli nga Çifliku, Rexhep Bajrami nga Vergoi dhe Haxhi Slokoshi nga Konispoli. Këta kishin përhapur parulla të ndryshme në popull dhe sidomos në lidhje me pretendimet greke, duke e paraqitur se Korçën e Gjirokastrën do t'i marrë greku. Luftën midis Shqipërisë dhe Greqisë e kanë paraqitur të paevitueshme dhe për këtë kishin thënë se "është më mirë të arratisemi në Greqi".
Bazuar në të dhënat e marra nga të arrestuar më parë, Rexho Plaku, Pilo Loli dhe Shuaip Rushiti, në muajin nëntor të vitit 1945, ishin takuar në vendin Pagaj të Konispolit me nënkolonel Miltiadh Muzaqitis, të cilit i kishin premtuar se do të propagandonin në popullin e Konispolit që të arratiseshin në Greqi. Këto deponime, të cilat dukej që ishin të fabrikuara, të mësipërmit nuk i kishin pranuar.
Prej këtij rrethi, nga Organet e Sigurimit të Shtetit ishin arrestuar dhe referuar gjyqit ushtarak: Rexho Plaku, Beqo Plaku, Petrit Take, Dilaver Take, Halil Dine, Shuaip Rushiti, Mustafa Kurani, Sabri Hamzarai, Rexhep Ismaili, Isuf Ymeri, Pilo Loli dhe Shyqyrana Sejko.

6. Antikomunistët
e Kurveleshit
Më datë 30 qershor 1946, u arrestua Feride K., e cila mbante një pushkë ditën, në mes të pazarit, nën manto. Nga të dhënat që dispononte Sigurimi i Shtetit, rezultonte se një grup kishin përgatitur t'i bënin atentat Kolonel Shefqet P. Në krye të këtij grupi qëndronte Azis Q. nga Golemi i Kurveleshit, mik i ngushtë i Ismail G., dhe Hava G., e shoqja e Ismailit. Atentati do të bëhej nga Feride K., së cilës Havaja i kishte premtuar një sasi të hollash. Në këtë grup, përveç të përmendurve, ishin dhe Xhemil K., Bajram G. e Maliq Sh. Disa prej tyre ishin mbledhur një natë në stanin e Azis Q., ku kishin biseduar rreth situatës dhe kishin propaganduar fort kundër pushtetit. Ky atentat qe përgatitur për hakmarrjen e Ismail G., pasi ata quanin si shkaktar të vrasjes kolonel Shefqet P. Të gjithë të sipërmit u arrestuan dhe iu referuan gjyqit.

7. Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Sarandës
Me gjithë arrestimet e bëra në janar 1945, kundër rrethit që vepronte në Sarandë, dhe arrestimin e rrethit të Azbi P., Organet e Sigurimit të Shtetit konstatonin se kishte mbetur prapë një rreth tjetër i gjerë, që kishte vazhduar punën pa ndërprerje. Ky rreth u zbulua me arrestimin e Grigor G. në gusht 1946, i cili kishte qenë ndërlidhësi dhe korrieri më besnik i këtij rrethi. Ky lidhej me të arratisurin Dhimitri M. Më pas u arrestuan disa nga personat më kryesorë të këtij rrethi, si Harallamp dhe Aleks P., Sokrat M., Vito D. etj. Nga informatat e grumbulluara nga strukturat e Sigurimit, rezultonte se ky rreth antikomunistësh kishte filluar aktivitetin e tij qysh në prill të 1945-ës. Elementët kryesorë të këtij rrethi ishin: Sokrat N., Aleks P., Vaso Gj., Mihal Ll., Kristo Gj., Vasil Ll., Jani D., Jani Zh., Perikli Z., Spiro M., Themistokli M., Koço D., Vasil Gj., Janaq B., Lako N., Jorgo Zh., Thoma P., Piro Z., Miço Ll., Taqi Th. Gj., Mitro Q. etj.
Ky rreth ishte mjaft i gjerë dhe anëtarët e tij kishin pasur lidhje me anë të Dhimitri M. me Korfuzin, kishin bërë mbledhje të rregullta, kishin dhënë informata politike, ushtarake dhe ekonomike, ishin munduar të propagandonin në ushtri për të dezertuar, kishin marrë trakte dhe gazeta dhe, me rastin e 2 dhjetorit 1945, ishin munduar të sabotonin zgjedhjet. Për punën që kishin bërë ishin shpërblyer nga agjentët e Greqisë.
Sipas raportit, anëtarë të ndryshëm të këtij rrethi kishin bërë mbledhje në shtëpi të Mihal Ll., Vaso Gj. dhe në dyqan të Sokrat N. e në disa vende të tjera. Në mbledhjet e bëra para 2 dhjetorit 1945, shtronin si detyrë, të propagandonin në popull për abstenim dhe rreth reformave të ndryshme, duke i quajtur si të padrejta. Në mbledhjet e bëra gjatë vitit 1946, kishin biseduar rreth gjendjes ndërkombëtare dhe kishin arritur në përfundimin se Korça dhe Gjirokastra shpejt do të aneksoheshin nga Greqia; kështu këta nxirrnin si detyrë që të punonin sa të ishte e mundur më shumë. Anëtarët e këtij rrethi, kishin pasur lidhje dhe me vende të tjera me anë të Vito D. Këta lidheshin në Vlorë me Vangjel Q. Nga ky kishin marrë informata të ndryshme dhe i kishin dërguar postë të ardhur nga Korfuzi. Këto ky i kishte shpërndarë në Vlorë. Nga të dhënat që administroheshin, rezultonte se në Vlorë Vangjel Q. kishte një rreth prej 10 - 12 vetësh.
Rrethi i të implikuarve të Sarandës kishin pasur lidhje dhe me Gjirokastrën me anë të Miho Gj., të cilit i kishin dërguar postën dhe kishin marrë nga ai me anë të korrierit Miço Zh. Kanë pasur lidhje me Delvinën me Taq P. dhe Stavro K., të cilit i kishin dërguar dhe marrë postën. Kanë pasur lidhje dhe me një rreth në katundin Nivicë - Bubar, i cili përbëhej prej Spiro P., Vaso M., Vaso P., Stefan K., Foto P., Kiço P., Mitro F., Misto Th. dhe Spiro K. Këta lidheshin në Sarandë me Sokrat N.
Nga informatat që kishin grumbulluar strukturat e Sigurimit, rezultonte se dhe në katundin Aliko të Sarandës vepronte një rreth kundërshtarësh të regjimit, të përbërë nga Thimjo M., Ilia M., Nasho K. dhe Koci P. Këta ishin evidentuar si pjesëtarë të mbetur të këshillit Vorio-Epirot, që ishte goditur në janar 1946, me në krye Vangjel Z., Çavo P. Edhe ky rreth, si gjithë të tjerët, kishte shpërndarë gazeta greke dhe i kishin dhënë informata Dhimitri M.
Disa nga pjesëtarët e këtij rrethi kishin bërë pjesë edhe në grupin e Azbi P., si Aleks dhe Harallamp P., Sokrat N., dhe njëkohësisht lidheshin edhe me agjentët anglezë.
I gjithë ky rreth kundërshtarësh të regjimit, kishte pasur si korrierë dhe ndërlidhës me të arratisurit: Grigor G., Miço Ç., Kiço T., Mitro F., Miho S., Marko N., Jorgji Gj., Kosta K., Miho L. dhe Vasil T. Prej këtij rrethi, kishin qenë të arrestuar që në procesin e parë: Pavllo Ll, Mihal Ll., Kristo Gj., Miço Q. e Thanas T.
Në kohën e hartimit të raportit, ky proces ishte në vazhdim e sipër dhe ishin arrestuar deri në atë kohë: Thanas Z., Piro Z., Foto P., Dhimitri Ç., Vito D., Sokrat N., Mitro F., Miho L., Gjike S., Harallamp F., Aleks P., Kosta K., Grigor G., Ilo N., Jorgji G., Janaq B., Koço T., Vasil T., Spiro R., Vaso G., Vasil L., Stavro K., Jorgo N. dhe Taqi P. Prej këtyre kishin vdekur në burg Spiro N. dhe Stavro K.
Në raport theksohej se, përveç këtyre rretheve që ishin goditur, në Qarkun e Gjirokastrës kishte edhe mjaft rrethe të tjera kundërshtarë të regjimit komunist, por që Organet e Sigurimit të Shtetit akoma nuk kishin marrë dijeni të qartë për veprimtarinë e tyre. Këto rrethe ishin:
Rrethi i Peshkëpisë së Libohovës, i përbërë nga: Anastas Gramatikoi, Aleks Noto, Vangjel Tasho, Kosta Papa, Nikolla Guda, Dhimitër Seloti, Miho Margariti, Jorgo Seloti, Aristith Pilafi dhe Jorgji Mandi, të gjithë nga Peshkëpija. Disa nga këta elementë bënin pjesë në rrethin e zbuluar në Rrezen e Zezë.
Rrethi i Lovinës së Libohovës, i përbërë nga: Spiro Merxhani, Kosta Merxhani, Miho e Kristo Paguna, Pando Shoni, Andon Filipi, Kristo Strati, Vangjel Danga, Mitro Danga, Ilia Demi dhe Llambi Beka.
Rrethi i Pepelit të Libohovës, i përbërë nga: Aleks Gjoka, Aleks Varezi, Theodhor Gjoka, Jorgo Zhanga dhe si korrier kishin Jorgo Gogonin.
Në fund, raporti i përgatitur nga Shtabi i Sigurimit të Shtetit theksonte se në qarkun e Gjirokastrës, përveç rretheve që ishin përmendur, kishte dhe një sërë rrethesh të tjera të pagoditura, të cilat do t'i shënonin në raportin e ardhshëm, pasi nuk kishin një njohuri të gjerë për to.
(Vijon nesër)

No comments: