Saturday, August 23, 2014

Mbledhja e Çamit, Bajram Bajraktari i çon letër Fiqiri Dines, ish-kryeministër

NGA: VELI HAKLAJ   TIRANE-Në Arrën, kur Muharrem Bajraktari kthej për Çam, Bajrami u nda, por pas këmbënguljes së Muharremit (“mos të kuptojnë të tjerët, masandej ndaju në kryengritje”), ai pranoi këto udhëzime:
1) Me i dërgue një letër Fiqiri Dines me anën e Hamit Likës.
2) Me u llafosë me disa vetë për të pa çfarë mejtojshin rreth kryengritjes (Muharremi e kishte porositë Bajramin që të mos caktonte gjë, d.m.th. grada e premtime).

3) Nëse i binte ndonjë letër pa dyllë të kuq në dorë, ta këndonte dhe të jepte përgjigje tuj falenderue dhe tuj ju thânë: “Rrini gati e në kristë mëshojini”.

Njerëzit me të cilët duhej të bisedonte Bajram Bajraktari ishin: Mer Doda, Sali Shehu, Met Troci (Reç); Murat Mera, Sheh Misini, Can Marku, Mehdi Daci, Rushit Daci, Han Mata, Mersin Mehdia, Sylejman Ramadani, Dervish Hani, Ali Velia (Kalis); Zejnel Lita (Kala); Dali Shaqiri e Brahim ... Me shtatë prej tyre ai kishte folur (Mer Doda, Sali Shehu, Murat Mera, Sheh Misini, Can Marku, Dali Shaqiri, Mersin Mehdia), të tjerët nuk i ka kërkue fare. Ndër këta vetëm Mer Doda e Dali Shaqiri ia dhanë fjalën troç, ndërsa Mersin Mehdia kishte refuzuar.

Murat Mera e Sheh Misini u shfaqën pro kryengritjes, por nuk kishin pranuar pjesën organizative dhe me armë duke u shprehur se “jemi pleq dhe nuk mund t’i besojmë kërkujt”). Sali Shehu kishte thënë: “N’mujshi me futë edhe Cenin (Cen Elezin), unë hy”. Ndërsa Can Marku (i arratisun) dhe Zejnel Lita nuk kishin pranuar.
Pra, personat që kanë pasur dijeni në Lumë rreth kryengritjes që po përgatitej nga Muharrem Bajraktari ishin: Daut Hoxha, Halim Serani, Dostan Baftjari, Zaim Banushi, Ahmet Sadiku, Cen Seda, Sheh Misini, Murat Mera, Dali Shaqiri, Can Marku, Mersin Mehdia, Zejnel Lita.

Bajram Bajraktari ia dërgoi letrën Fiqiri Dines me anën e Ibrahim Hoxhës (Dardhë) dhe po këtij njeriu i kishte dhënë përgjigjet e letrave të Beqir Sinës dhe Rifat Camit, të cilët viheshin në dispozicion të Muharremit e pritnin urdhër. Siç kishte udhëzue Muharremi, Bajrami iu dha atyre këtë përgjigje: “Hyni në kontakt me Fiqiri Dinen, ose kur të fillojnë në Lumë të vepronin edhe këta”. Bajrami i kishte shkruar edhe një letër Dostanit (korrier H. Çiku atëherë në shpi, por kishte djemtë në mal), rreth qëndrimit të Muharremit në Shumëri.

Përpara kësaj kohe (verë 1945), Bajram Bajraktari u ka kthye dy përgjigje Mark Gjonit dhe Pashuk Bibës që kërkojshin takim, duke u thënë që do t’ja referonte Muharremit. Një letër tjetër (pranverë 1945) ia kishte dërguar Rifat Ndreut, të cilin e kishin dhëndër, duke kërkuar veshëmbathje. Mbas dy javësh kanë ardhur 5 palë çorape dhe brenda një letër me lajmet e radios. Mbas Mbledhjes së Çamit janë takue në Arrën dhe Muharremi vendosi me heq dorë nga organizimin me pari, se nuk doli gjâ, dhe prej çdo fshati në Lumë me zgjedh nga 10 - 15 djem që të betoheshin dhe të vepronin nën urdhërat e Dostanit, Imerit, Sefës.

Mbledhja e Çamit
(shtator 1945)

Iniciatorët e Mbledhjes së Çamit ishin Muharrem Bajraktari e Pashuk Bibë Mirakaj. Sipas Bajram Bajraktarit, në këtë mbledhje kanë marrë pjesë: Nik Sokoli, Mark Tunxhi, Gjergj Vata, Mal Shabani, Imer Bardhoshi, Pashuk Biba, Nikollë Deda (kushurini i Mark Gjonit), Hamz Isufi (përfaqësues i Ram Mujës – Malësia e Gjakovës), Mark Mala prej Shale. Kanë qenë gjithsej 100 vetë, të gjithë të arratisur në male. Furnizues kanë qenë gjashtë shtëpi të Çamit (Sul Tahiri, Ahmet Mustafa etj.). Mark Gjoni nuk kishte vajtë me pretekst sëmundje, por kishte Nikollën për të marrë vesh vendimet. Për këtë arsye nuk është caktue data e hyrjes në veprim dhe ka mbetë në kompetencë të Muharremit e të Gjon Markut, që nuk u gjet mâ dhe pastaj zu dimri.
Në këtë mbledhje kanë vendosë me fjalime dhe aklamacion që:
1) Muharrem Bajraktari të ishte kryetar i Lëvizjes dhe Komandant i Përgjithshëm i operacioneve.
2) Formimin e 25 (njëzetë e pesë) batalioneve në 6 (gjashtë) regjimente.
3) Kanë caktue komandanta regjimentesh, ndër të cilët Bajram Bajraktari ka ndigjue me siguri: Zenun Alia (Malësi e Gjakovës), Mark Malaj (Shalë), Pashuk Biba (Pukë), Nik Sokoli (Dukagjin). Luma e Mirdita nuk kanë caktue njeri.
Kanë caktue komandanta batalionesh: Gjergj Vatën (Shalë), Mark Tunxhin (Mërtur), Ram Mujën (Malësi e Gjakovës), Imer Bardhoshin (Has), Sef Xheladinin, Imer Miftarin, Dostan Rexhepin, Mustaf Agën.
Plani i mësymjes:
1) Regjimenti Luma – [do mësynin] Kukës e Bicaj.
2) Malësia e Gjakovës – Kukësin e Tropojën.
3) Puka e Dukagjini – Pukën pastaj Shkodrën.
4) Shala, në koordinim me Pukën - Shkodrën.
5) Mirdita – Shën Palin e Lezhën (prerje e komunikacionit Tiranë – Shkodër).
6) Dibra – Peshkopinë.
7) Të arratisurit e Selitës e të Matit – Mbi Burrel, ose me sigurue grykën e Selitës nga një depërtim i forcave partizane që ishin në Qafë Shtamë.

Qëllimi i Muharrem Bajraktarit mbi
kryengritjen

Etapa e parë e kryengritjes
Për Kukësin:
1) Komandën e regjimentit me ua besue Sadik Spahisë ose Osman Litës (me të cilët do të takohej). Nëse ata refuzojshin, Dostanit.
2) Dostan Rexhepi (Batalioni I), plus Batalioni i Metohisë (Rrafshi i Dukagjinit – Kosovë) në drejtim të “Shtrazës”.
3) Imer Bardhoshi (Batalioni II) mbi Kolsh.
4) Imer Myftari (Batalioni III) mbi Kep të Myçit.
5) Sef Xheladini (Batalioni IV) e Mefail Zajazi mbi Bicaj dhe me i ndihme Dostanit.
Siç duket detyrën më të rëndë e kishte sektori i Shtrazës dhe fuqinë më të madhe ky sektor (dy batalione vetëm me të arratisur).
Faktori i dytë me rëndësi ishte thyerja e mbrendshme në ushtri:
1) Imer Myftari me letra nga Pashuk Biba, Mark Malaj e Nik Sokoli kishte minue një pjesë të Brigadës XI (elementa malësorë, pukjanë e shaljanë, të gjithë nënoficera e ushtarë. S’paku kështu thoshte Imeri dhe kishte një listë prej 50 vetash të tillë). Këto reparte ishin më shumë në Kolsh.
2) Rreth Batalionit Special: a) Hamëz Rexhepi kishte marrë përsipër Mujedin Isufin, K.B. (lidhje familjare) edhe Liman Nuhin; b) Hashim Salia, Masllum Cenën, nëntoger (të një vllaznije); c) Liman Peposhi, Hasan Myftarin (mik); d) Imer Myftari, Selim Brodin (të cilin do e rregullonte me Mus Istrefin).
Prej popullit në Kukës e në Bicaj nuk ka pasë kush dijeni. Muharremi nuk e dëshironte një gjë të tillë për arsye sekreti.
Ndërkohë që Can Xhelili (me gradë të paditur) gjatë gjithë verës kishte bërë teatra: Kontrollonte një fukara për revole dhe e shtronte në dru; shkonte nëpër shtëpi e thoshte kam ardhë me marrë opângat e Bajram Bajraktarit, që ka lânë me u bâ; u takonte me të arratisur ditën e i lente me kalue pa pushkë (Hamit Lita, Nezir Prendi, Sul Tota, Sabri Lita në Gjinetën e Kalisit).

Etapa e dytë e kryengritjes
Fuqia e [Qarkut] të Kukësit:
1) Dostan Rexhepi e vetë Muharrem Bajraktari për Dibër, ku parashifej një rezistencë e fortë.
2) Imer Myftari e Imer Bardhoshi për Burrel.
3) Ram Muja për Pukë e Shkodër.
4) Metohia (Rrafshi i Dukagjinit) me u kthye dhe bashkë me Kosovën të survejonin lëvizjet e ushtrisë serbe e t’u japë çdo pengesë.
5) Mefail Zajazi dhe Arif Reçani të njëjtën detyrë në Maqedoni.
6) Myftar Spahia, Asllan Zeneli, Haziz Fetahu me qëndrue në Lumë.

Etapa e tretë e kryengritjes
1) Kollona e parë: Muharrem Bajraktari për Tiranë prej Peshkopie – Qafë Murrizë.
2) Kollona e dytë: Mark Gjoni, idem Llesh – Mamurras.
3) Kollona e tretë: Llesh Marashi (?), idem prej Shkodre.
4) Bilal Kola, Tahir Mena, Imer Myftari, Ndrec Lufi për Krujë.
5) Hysni Dema – Veprim demonstrativ për Elbasan.

Konsekuenca politike ndërkombëtare

1) Muharremi nuk mendonte një ndërhyrje jugosllave.
2) Nëse po, jo në formë zyrtare dhe mund të shkaktonte kompli-kacione ballkanike.
3) Anglo–amerikanët do ta mbështetnin kryengritjen me çdo mjet.
4) Do t’u faktonte se populli nuk e don regjimin komunist.
Duke llogaritë tërësinë e faktorëve, Muharrem Bajraktari parashifte tri beteja: a) Në Maqellarë e Çenak, b) Në Shkodër, c) Në Ujë të Matës. Këto ishin vendimtare dhe nuk llogariste tjetër formë lufte. Ishte i sigurtë mbi suksesin e Etapës së parë për të ngritë popullin mbarë. Armatim populli kishte për ditët e para, pastaj do vijonin shkarkimet ajrore. Dem Ali Pozhari, Uk Sadiku, Mefail Zajazi kishin nga një murtajë.
Sipas Bajram Bajraktarit, i cili kishte qenë mjaft skeptik për suksesin, kryengritja dështoi, pse do të dështonte autori i vetëm i dështimit Mark Gjon Markaj. Arsyeja: ambicioni. Do të dështonte dhe për një tjetër arsye: nevojiteshin tre drejtues, një në Kukës, Muharremi, një në Peshkopi, një në Shkodër. Do të dështonte prapë se në anën kundërshtare mund të dilshin gjashtë Muharrema e populli në Shalë (Muharrem Bajraktari, në krye të forcave të xhandarmërisë, kishte kontribuuar më 1926 për shtypjen e Kryengritjes së Dukagjinit - V.H.)
Për planin e kryengritjes nuk kishin patur dijeni këta të arratisur: Muhamet Sula, Ram Meta, Jakup Laçi. Han Kotares, Nezir Prendit, Hamit Litës u ishte dërgue një letër që, sipas pohimeve të Hanit, nuk e kishin marrë.
Mbas dështimit të kryengritjes, Muharremi është tërheqë në Breshtën e Oroshit, qendër dimri ku ka ble 12 kuintal misër (shërbimin e kanë bâ Preng Gjergji e Baftjar Buci, të arratisur nga Lura).
Bajram Bajraktari me Hamdin (djalin e Muharremit), Sul Dogjan Misinin dhe Ali Xhelilin janë nda me qëllim dorëzimi. Muharremit nuk i kanë treguar për këtë, por Aliu, me pëlqimin e Bajramit, tha se do të merreshin vesh me Gani Ethemin dhe Bajrami ka shkue tek Rasim Murati (Ujmisht) për të hy në kontakt me Selman Ali Bajraktarin (nipi i tij). Këtu rastësisht kanë gjetë Ali S., i cili jo vetëm që nuk pranoi të delte me u takue, por organizoi rezistencën brenda me 5 - 6 burra të tjerë dhe të nesërmen shtini H. M. në shpinë me një kompani. Arsyeja: kishte një pushkë me leje të nxjerrun për t’u mbrojtë nga të arratisurit dhe se delte në rrenë përpara autoriteteve. Me dhjetra herë H. M. u kishte kalue të arratisurve para grykës së pushkës, por atyre nuk u kishte ra në mend që ta qëllonin, për të vetmen arsye se ai nuk ishte shtylla e pushtetit komunist.
Një muaj gjueti Ujmisht – Lusën – Buzëmadh – Topojan - Kollovaz e anasjelltas, Arrën – Reç – Lurë – Breshtë, nëpër borë, mâ shumë pa bukë, dhanë këtë rezultat për Bajram Bajrak-tarin: pushkën e thyeme (pa shenjestër) dhe trupin e dërmuem. Nga kjo vuajtje ai nuk e ka rimarrë mâ veten dhe deri në përpjekjen e Lojmes ka qenë praktikisht pa armë.
Takimi me Litajt dhe me Cen Elezin - Prill 1946

Në rikthim nga përpjekja e “Limthit” Muharrem e Bajram Bajraktari, me mbështetës të tyre, kanë shkuar në “Perdhukaj” tek Emri Lita dhe Uk Lita. Këtu morën vesh se u arratisën Cen Elezi me djemtë, Dan Kaloshi, Osman e Zejnel Lita. Litajt erdhën natën dhe u takuen me Muharremin e Bajramin në dhomën e Emrisë. Pasi e pyeti Muharremi rreth situatës, Osmani tha: Kanë ikë gjysma e Tiranës (oficerë etj.) dhe Ceni. Sigurisht është bâ me urdhërin e anglezëve dhe sa t’na e bâjnë Dibra, po ja nisim na para.
Muharremi tha: Kjo është ikje nga frika se do të jetë zbulue ndoj dallavere, prandaj po presin një herë. Osmani insistoj dhe në fund i dhan vendim me sulmue Kalanë e Dodës, mbasandej teposhtë. Bajram Bajraktari, Zejneli, Dostani, Taf Lita, Sefa e kuptojnë se çfarë u vendos dhe kundërshtojnë, por, mbasi nuk u ndigjuen, u besatuen me e sabotue këtë tentativë të marrë. Sipas Bajram Bajraktarit:
a) Osmani donte të bante një sulm hakmarrës.
b) Muharremi nuk ja prishi qejfin dhe pranoi një gjakderdhje të kotë me konsekuenca katastrofale për popullin.
Tafën e Rushitin i çuen në Kalis (Bajrami, Brahimi e Sefa kishin refuzuar) me u thanë Sylejman Ramadanit, Han Malës, Mersin Mehdis e 25 të tjerëve që caktoj Osmani të vinin natën me gjithë pushkë.
Bajram Bajraktarit prapë iu vardisën dhe e çojnë në Vilë me të njëjtën porosi për Baftjar Latifin, Sulejman Mulën, Liman Pajazitin, Isuf Jatën, Selman Kamberin, Qazim Dalipin etj., por ai kishte vendosë mos t’u thoshte. Bajrami shkon tek një kushuriri i tij (Ahmeti) afër Qazim Dalipit dhe merr bukë. Këtu thërret Qazimin, i tregon krejt historin dhe i thotë mos të vinte as atë natë, as masnesër mbrama, por, nëse donte me u pa me ta, le të shkonte pa pushkë. Qazimi nuk deshi me u pa hiç me ta. Bajrami kthehet afër mëngjezit dhe raporton që u kishte thënë, pa u takue me tjetër njeri.
Edhe prej Kalisit njëlloj erdhi vetëm Nezir Prendi pa pushkë. Neziri ka ardhë ditën, ashtu edhe Sulejman Ramadani. Neziri nuk ka pranue dhe është kthye, kurse Ramadani ka llafosë me Litajt. Të nesërmen kanë ardhë partizanët (shiko më poshtë Përpjekjen e Perdhukës). Së bashku me Litajt vëllezërit Bajraktari dhe pasuesit e tyer kanë kaluar në Gramë, ku janë takue me Cen Elezin. Ceni tha se e kishin marrë në qafë djemtë, por, mbasi kishte dalë, do të kalonte në Reç, Dardhë e Lurë për të formue çeta dhe me i goditë partizanët kudo. Edhe Osmani ishte i të njëjtes mendje. Muharremi nuk ka pranuar dhe u ndanë për t’u takuar mbas dy javësh, takim që nuk u vërtetue për arsye të ndjekjes nga forcat e pushtetit.
Sipas Bajram Bajraktarit, dukej qartë se Ceni kishte dalë me urdhën për me bâ aksione, por Muharremi nuk ishte për këtë gâ. U rezervonte për kryengritje të gjânë, nëse situata merrte këtë drejtim. Muharremi kishte hjekë çdo mendim kryengritjeje, vetëm priste mesin e verës për t’u largue.

Tubimi në Malin e
Zarishtës - Perrollaj (Has)

Nga përpjekja e Lojmes Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari, Neshat Hamza, Esat Bajraktari kanë kalue në Has (Gjinaj, Perrollaj, Nikoliq), ku kanë gjetë disa çeta të Rrafshit të Dukagjinit (Kosovë). Këto çeta kishin pasë ndejt vazhdimisht afër kufirit dhe tek to Muharremin e drejtoi Haziz Fetahi.
Këtu janë mbledhë 30 vetë (Uk Sadiku, Sef Sadiku, Hajdar Maloku, Reshat Kajaklia, Gazi Bokshi, Selman Krasniqi etj.)
Pas takimit me përfaqësuesit e çetave të Kosovës, Muharrem Bajraktari shpërndau letra për Pukë, Malësi të Gjakovës (Tropojë), Rrafsh të Dukagjinit (Kosovë) me këtë përmbajtje:
Të vinë tek miku Sef Sadiku, në Has, për këtë arsye:
a) Nëse do të bahemi një numër 300 – 500 të arratisur do të sulmojmë Kukësin.
b) Për ndryshe do të nisemi për në Greqi. Nisja do të bëhej më 15 gusht 1946.
Letrat dhe detyrën për grumbullim e mori Sef Sadiku. Kurse Muharremi, Bajrami, Neshati dhe Esati morën dhe tre kosovarë që të merrshin pastaj shokët prej Hasi në vendin e përqëndrimit.
U mblodhën me rradhë Lumjanët e Reçët (kaluan nëpër Surroj – Arrën – Reç – Ujmisht – Lusën) dhe Bajram Bajraktari bashkë me tre kosovarët e tre lumjanë u kthye në Has për të marrë të tjerët. Bajrami ishte shumë i sëmurë, por ia kishte dhënë besën Sef Sadikut dhe shkoi. Në Limëth, ku i kishte lënë, i gjeti shokët dhe u bashkuen. Bajram Bajraktari kosovarët i mori nga Gjinajt. Nisja nuk u bë më datë 15 por më 24 gusht, për arsye të vonesës së Bajram Bajraktarit, që s’mund të ecte. Gjithësejt kanë qenë 56 vetë dhe kanë pasë nga 8 kg bukë, që i kishte grumbullue Muharremi. Për të vijuar rrugën për në Greqi, janë organizue në dy toga: a) Ejup Binaku, 24 vetë; b) Taf Lita, 24 vetë; c) një tetëshe në qendër me Muharremin.
Bajram Bajraktari ka ngulur këmbë për mos me u nisë, sepse, sipas deklarimeve të tij:
a) nuk dëshironte të shkonte në Greqi (pretendime greke);
b) ishte i sëmurë dhe i sigurtë që nuk mbërrinte.
Muharremi pati frikë për vëllanë e tij, Bajramin: 1) mos u dorëzonte pa mbërritë ata në Greqi; 2) se po e kapin ose e vrasin nga dobësia.
Pasi iu hodhën Bajramit të gjithë me lutje, i morën pushkë, kollanë, çantë (racionin e bukës nuk e kishte marrë) dhe janë nisë. Sef Sadiku i dha besën Bajramit se do të kthehen afër kufirit dhe ky e Liman Peposhi e kanë marrë deri në Krue të Bardhë për krahu.
Kanë pasë udhëheqës Han Kotaren. Kanë kalue Novosej – Jellove – Duf – Vllahnie – Llazropolje dhe drejtue për Bitolë dhe Resnje për kalimin e kufinit. Në përpjekjen afër rrugës Bitolë (Manastir) – Ohër Bajram Bajraktari është nda me Sef Sadikun dhe një nga kosovarët dhe që të dy i ka humbë (vra) në kthim. Bajram Bajraktari i është dorëzue popullit në Belicë, më 13 nëntor 1946.
Vendimin për të kalue në Greqi Muharremi e kishte marrë qysh mbas dështimit të kryengritjes dhe votimit të popullit dhe vetëm fillimi i dimrit e kishte lënë në Shqipëri më 1946. Qysh atëherë Bajrami iu kishte thënë shokëve (Sul Dogjan Misinit, Mus Mahmutit etj.) se nuk do të shkonte në Greqi.
Sipas Bajram Bajraktarit, Muharremi në Greqi nuk ka shkue me dëshirë, por u detyrue:
a) Pamundësi për të bâ kryengritje vetëm me forca të mbrendshme.
b) Vështirësi qëndrimi nga ndjekjet.
c) Për të studiue situatën.
Kur janë nisur për në Greqi, Muharrem Bajraktari u ka thënë pasuesve të tij: “Do të kthehem menjëherë sa të shofë situatën. Ose do të vij për veprim, ose do të bâj ilegalitet të msheftë e të vdes këtu. E kam pi çorbën e emigracionit. Në shtete të huaja nuk mund të jetosh pa iu nënshtrue konditave, interesave të vendit ku qëndron, të cilat mund të jenë kundra interesave kombëtare. Në emigracionin e parë kam patur paret e mija, tashë nuk e kam asnjë lek, për këtë duhet me u kthye. Kjo është arsyeja e shtrejtësis time, pse dhe unë e di se pasuria nuk merret në atë dynja me vedi”.

(d.b/BalkanWeb)

No comments: