Sunday, February 9, 2014

Thjeshtë dhe qartë: ne vijojmë të jemi në fundin e fundit

 Afrim Krasniqi
Atëherë kur vendi ishte nën diktaturë kishim disa gjëra që na “mbanin gjallë”, na argëtonin dhe na merrnin pjesën e madhe të kohës së lirë. Dikush me libra, dikush me muzikën, dhe shumica me sportin. Futbolli ishte argëtimi kryesor dhe ndeshjet e rëndësishme ishin ngjarje kombëtare! Kush nuk ka festuar si i çmendur pas golit të Sokol Kushtës në Beograd apo Vasil Rucit në kulmet e Flamurtarit? Pas 24 vitesh ende luhet futboll, ende kemi kampionat, madje e quajmë “superiore”, kemi federatë
dhe ekipe, sponsorë dhe ca kupa argjendti që ia japim fituesit. Por sporti dhe sidomos futbolli sot janë shumë pak popullorë, janë marketing dhe treg, akuzat për shitblerje ndeshjesh janë të përditshme, dhe vijojmë të jemi një vend ku askush nuk e merr seriozisht kampionatin, golashënuesin më të mirë apo rezultatin e javës. Sepse shumëkush beson se gjërat janë të paracaktuara.

Sporti nuk është më argëtim, është biznes, madje biznes politik. Të gjithë e mbajmë mend sesi dje partia dhe Ministria e Brendshme përcaktonte se cili do fitonte kampionatin. Në mesin e viteve 90 kur erdhi demokracia secili e mbajmë mend sesi disa politikanë imponuan rritjen e numrit të skuadrave në kategorinë e parë vetëm për shkak se duhej të përfshiheshin skuadrat e zonave të tyre elektorale. Të gjithë mbajmë mend pak vite më parë kur një ministër zbarkoi shtetin në përpjekje për të ngritur një ekip nga zero dhe për ta bërë kampion. Të gjithë jemi dëshmitarë se disa presidentë ekipesh janë vrarë, disa janë arrestuar për trafik droge, disa bëjnë të fortin duke hyrë në lojë me grushta për të përcaktuar rezultatin, siç prokuroria ka hapur e mbyllur disa raste të përcaktimit paraprak të rezultatit midis “bosëve” të ekipeve. Dhe nëse politika ka dështuar, gjërat kanë shkuar jo mirë në Shqipëri, - ka persona përgjegjës. Për pasojë, nëse sporti sidomos futbolli ka dështuar, nëse ai ka humbur vlerën dhe besimin publik, ka persona përgjegjës.

Në një vend ku askush nuk mban përgjegjësi, ku oligarkia drejton, komandon, imponon, kërcënon, shantazhon, voton dhe numëron, - vetëm në vende të tilla mund të ndodhë që shefi që drejton këtë sektor të rizgjidhet 2-3-4 herë pa rivalë, në mënyrë konsensuale, duke pasur mbështetjen e bashkive të majta dhe të djathta, ekipeve me lidhje me qeverinë e djeshme dhe të sotme. Unë nuk kam asgjë personale me Armando Dukën. Ai mund të jetë biznesmen i mirë, mund të ketë lidhje politike në çdo krah, mund të ketë mbështetje në stafin e tij të federatës, mund të ketë mbështetjen e medias duke i dhuruar bileta falas drejtuesve të saj në ndeshjet brenda e jashtë vendit…..etj, etj.

Por zoti Duka është shefi i futbollit në Shqipëri prej 2002 dhe bilanci i drejtimit të tij dhe stafit të tij dominohet nga negativiteti. Ai është rizgjedhur për herë të katërt konsensualisht, pa rivalë dhe mund të rizgjidhet përjetë, por në sport suksesi nuk varet nga jetëgjatësia e udhëheqjes, - varet nga rezultatet konkrete. Dhe rezultatet nuk lënë vend për përjetësi dhe as rizgjedhje, por për nevojë urgjente reformimi, transparence, ndryshimi strukturor dhe cilësor! Gje qe cuditesisht nuk e kerkon me askush, as sporti, as shteti, as media, as ata qe kane kaluar gjysmen e jetes se tyre ne fushat e blerta!

Thjeshtë dhe qartë: ne vijojmë të jemi në fundin e fundit, - në standard, në cilësi, në investime, në konkurrencë, në rezultate rajonale dhe në listën e gjërave tek të cilat besojnë qytetarët shqiptarë! A mjafton kjo? Urimi vlen vetëm pë rata që gabimisht mendojnë se suksesi matet me mandatet e shefave në tribuna dhe jo me rezultatet në fushën e blertë!

No comments: