Propozimet e shpeshta të Lëvizjes
Socialiste për Integrim, për vlerësimin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe së
fundi rikthimin e “5 heronjve të Vigut” në qendër të Shkodrës, ka ngjallur
reagime në arenën e politikës shqiptare. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar,
Dashamir Shehi, në një prononcim për gazetën “Sot”, propozimin e LSI e
konsideron si kapital politik.
Për Shehin, LSI kërkon të marrë vota me “5 heronjtë
e Vigut”. “I gjithë ky vit është i mbushur me “5 heronjtë e Vigut”, me 70
vjetorin e Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo bëhet thjesht për kapital politik”, u
shpreh Shehi. E ndërsa sa i takon vlerësimit të figurës së Enver Hoxhës, Shehi
tha se nuk mund të vlerësohet një kriminel, ndërsa vlerësimi i LANÇ i takon
shtetit dhe jo qeverive. “Vlerësimi i Luftës Nacional Çlirimtare është një
çështje që i takon shtetit dhe jo partive. Nuk e kuptoj pse këta dalin veç e
veç, LSI dhe PS. Po luajnë me figurën e Enverit. Sigurisht që duhen nderuar
dëshmorët e LANÇ, por jo Enveri. Ne si LZHK nuk e duam Enver Hoxhën. Edhe ato
që kanë mbetur nga Enveri duhet të hiqen”, u shpreh Shehi.
Kurt Kola
Një prej vuajtësve të regjimit
komunist, kreu i partisë “Rruga e Lirisë”, Kurt Kola, akuzon klasën politike se
nuk po heq dorë nga komunizmi. Propozimin e LSI për rikthimin “5 heronjve të
Vigut”, Kurt Kola e ka cilësuar kërkesë politike. “Është kërkesë politike. Nuk
po hiqet dorë nga sistemi i terrorizmit komunist. Ai sistem u ngrit në bazë të
një lufte sa nacionale dhe civile, e cila më pas ndërtoi një padrejtësi. 5
dëshmorët meritojnë vlerësim, por nuk mund të jenë simbol i Shkodrës kur 50
vjet u persekutuan nga komunizmi. Ata mund të konsiderohen simbol i terrorizmit
komunist”, u shpreh Kola. Sa i takon vlerësimit të figurës së Enver Hoxhës, si
një ish i përndjekur politik, Kola do ta cilësonte një absurditet. “Këta
palo-historianë duan të vlerësojnë figurën e Enver Hoxhës. Në 56 mijë të
pushkatuar kanë qenë dhe fëmijët e tyre, dhe a mund të rehabilituar figurën e
këtij krimineli. Kjo kërkesë mund të çojë në një konflikt social”, tha Kola.
Vlerësimi i Luftës Nacionalçlirimtare, në kuadër të 70 vjetorit të saj, është
një tjetër propozim i LSI.
Kurt Kola nuk është kundër vlerësimit
të LANÇ, por kjo nuk duhet të bëhet nga politika. Sipas tij, në çështjet e
historisë nuk duhet të “fusë hundët” politika, por duhet të merren vetë
historianët, të cilët duhet të jenë objektiv dhe profesionalë në detyrën e
tyre. “Lufta Nacional Çlirimtare është mirë që të vlerësohet nga historianë jo
partiakë. Nëse do të vlerësohet nga të edukuarit e Partisë së Punës, nuk do të
bëhet vlerësim real për LANÇ. Në komisionin shtetëror të jenë të pranishëm edhe
të huaj, anglezët të cilët kanë ndihmuar luftën e popullit shqiptar. Ky
komision duhet të nxjerrë në pah figurën negative të Enver Hoxhës, i cili gjatë
luftës vrau ata që mendonte se do t’i kishte rivalë nesër”, tha Kurt Kola. Kreu
i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar se ka ardhur koha që të rivlerësohet edhe
monumenti i “5 Heronjve të Vigut” në Shkodër, që sipas tij, u largua nga qendra
e qytetit në mënyrë të padrejtë. Në fakt, një ditë më parë Këshilltarët e
LSI-së kanë depozituar një kërkesë në Këshillin Bashkiak të Tiranës për
rivendosjen e emrit të rrugës "Dëshmorët e 4 Shkurtit". Interesant
është reagimi i këshilltarit të PS-së në bashki, E.Salianji, sipas të cilit
kësaj rruge duhet t’i mbetet emri i Rugovës, dhe të gjendet një rrugë tjetër
për “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Eneida Jaçaj
No comments:
Post a Comment