Sunday, December 1, 2013

Kush ka frikë në PD nga hetimi i dosjes Olldashi?

Deputetja kurajoze e Partisë Demokratike, Mesila Doda, lëshoi akuza të forta ndaj kupolës blu. PD kërkonte komision hetimor për “shkulje veshi” dhe nuk kërkon për aksidentin e dyshimtë të deputetit Olldashi?
Pas vdekjes
së liderit anti-Basha-Berisha po përgatiten spastrimet e mëdha në Partinë Demokratike
E vranë apo u aksidentua Sokol Olldashi, lideri më i fortë karizmatik e me dinjitet, pas Azem Hajdarit, në selinë e Partisë Demokratike? Natyrisht edhe pas Berishës, por Saliu është gjallë. Kjo është pyetja publike, e cila do një përgjigje nga organet e specializuara të drejtësisë, që duhet të angazhojnë prokurorët e oficerët e policisë gjyqësore nga më të mirët dhe që nuk kanë asnjë lidhje të kryqëzuar me asnjë nga kupola e Partisë Demokratike.
Pra, të mos kenë asnjë lidhje me ish-kryeministrin Berisha dhe me kryetarin e PD-së, zotin Lulzim Basha. Ky duhet të jetë hapi i parë për të qenë realist dhe të besueshëm në këtë rast, pasi ndonëse flitet për një rast aksidental me humbjen e jetës së deputetit Olldashi, përsëri duket si një vrasje e mirëfilltë politike. Latinët thonë se për të vdekurin “ose mos fol, ose fol mirë!”. Dhe në këtë rast, nuk duam fare të na kujtohet kjo shprehje latine, porse Sokol Olldashi ishte më i miri ndër gjithë ato që janë sot në selinë e PD-së, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin Berisha. Themi më i miri, pasi flasim për një fytyrë tjetër të selisë blu, pas ikjes formale të ish-kryeministrit Berisha nga kryetar i PD-së, e ku Olldashi ishte më i gjalli, më popullori dhe më i sakti në atë seli të PD-së.
Bile më i forti për t’i sjellë prapë në pushtet pas katër vitesh. Natyrisht që nuk kemi si të mos themi se edhe Lulzim Basha, kryetari aktual, është një politikan perëndimor, pasi jo vetëm nuk do të ishim të saktë me votuesit demokratë, të cilët i dhanë atij mandatin, ndonëse shumë të kontestuar pikërisht nga Sokol Olldashi dhe Astrit Patozi, porse duhet pranuar se zoti Basha mbetet politikan që nuk pranon konfliktin dhe eliminimet politike të kundërshtarit. Në këtë pikë, Lulzim Basha, mbetet mbi të gjitha njeri dhe korrekt me disa parime të shenjta, dhe nuk gëzohet nga “vdekja e tjetrit më shpëton, mua!”. Tashmë, në skutat e disa qosheve të drejtësisë janë duke menduar se si ta mbyllin dosjen “Olldashi” dhe ta quajnë, bashkë me ikjen e tij nga jeta, të mbyllur me shumë çelësa. Burime nga brenda hetimit tregojnë se ka telefonata e interes nga brenda selisë së PD-së që të mbyllet kjo histori, siç u mbyll ceremonia e varrimit, shpejt e shpejt, ndonëse me nderime protokollare e popullore.
Dikush synon ta mbyllë shpejt e shpejt këtë histori, e cila tashmë duket se sapo është hapur, ndonëse edhe mund ta mbyllin si një dosje “aksidenti të thjeshtë”, por prapë dikush do ta rihapë. Nga elementët e besueshëm të specialistëve përkatës në fushën e aksidenteve apo para fakteve që më shumë ngrenë pikëpyetje se sa mbyllin pyetje në lidhje me këtë aksident, prapë del një pyetje: kush do të ishte i interesuar ta vriste Sokol Olldashin, gjithnjë nëse nuk është aksident? Edhe disa hamendje, lart e poshtë, se nëse ka ndodhur vërtet vrasja e jo aksident, duhen riparë e kontrolluar lidhjet e tij me ndonjë biznes, saktësohet për një javë.
Dihen miqtë e tij, pyeten, hetohen dhe një prokuror i mirë e vë dyshimin e parë dhe fillon e mbyllet qarku. Ka sms, telefonata, emra etj., dhe gjithçka sqarohet, nëse mbetet ky variant, siç duan ta largojnë disa syresh në PD. Por si i bëhet, kur nuk është as aksident, as vrasje nga segmente të krimit ekonomik, por është vrasje politike?! Ose nëse lëshohet prapë gjuha e lirë për të pyetur; si do të veprohet dhe a ka kurajë Prokuroria të hetojë edhe selinë e Partisë Demokratike, se cili ishte më i interesuar ta eliminonte atë? Çfarë rreziku ishte Sokol Olldashi në PD dhe çfarë interesash do të prishte ai në krye të një grupi të deputetëve demokratë, të cilët duhet pranuar se janë figura të forta në selinë e demokratëve e që janë hapur kundër dyshes Basha-Berisha? Po shpaloste një platformë politike brenda vetë PD-së, e cila siç po thuhet nga disa deputetë dhe analistë se Sokoli do të fliste hapur tek emisioni i Blendi Fevziut dhe më pas nuk do të kishte më autoritet Basha-Berisha në kupolën blu.
Pra, rrjedha në PD mund të ishte krejt ndryshe. Edhe fakti që Basha nxitoi e të thoshte, pas vdekjes së Olldashit, se jemi takuar e kemi rënë dakord të punojmë bashkë, nuk duket se zuri vend e u besua në grupin parlamentar, të cilët ulën kokën e shikonin në bisht të syrit Berishën. Kishte paksa një fytyrë të zezë kur e tha atë ditë, pasi në thelb Basha mbetet i bardhë në shpirt dhe kurrsesi nuk ofrohet tek mafia. Si ju duket deklarata e deputetes kurajoze të PD-së, Mesila Doda, e cila në parlament sa nuk tha se “e vratë ju!”, pra vetë PD. Dhe Mesila, ndonëse ish-gazetare e shkëlqyer, porse ishte edhe një mike e Olldashit në planin politik dhe e di shumë më mirë se çka po përgatiste ai, pra Sokol Olldashi.
Edhe Astrit Patozi e di mirë se çfarë pasioni kishte Sokoli për të bërë një PD më të fortë, më popullore, me të zgjeruar me të gjithë elementët antiqeveri e për të sjellë demokratët në pushtet. Vetvetiu lind një pyetje normale: a ishte qeveria e interesuar të vdiste ky lider demokrat që po forcohej në sytë e bazës demokrate, ndërkohë që asgjë nuk kishte në dorë në pikëpamjen juridike në selinë e PD? Ose edhe më saktë të vijmë tek pyetja: A e vrau qeveria? Dhe përgjigja mbetet “JO”! Dhe jo se duhet mbajtur mirë me qeverinë, siç kanë bërë apo bëjnë disa media të tjera, që rrinë e presin se “çdo të rrjedhë pas çdo shkrimi”!
Por, qeveria dhe në veçanti Ministria e Brendshme dhe SHIK që janë në varësi të kryeministrit, krahas veprimeve hetimore të prokurorisë, duhet të mos heshtin, por me strukturat e tyre të hetimit të zbardhin të vërtetën. Gazeta “Koha Jonë” ( jo e këtyre pak viteve që shkuan më Saliun e dytë) mbetet stoike dhe do të shkruajë të vërteta, sado të hidhura të jenë edhe për Ramën, edhe për dyshen Basha-Berisha. Nisur nga sa dihet dhe sa është thënë edhe nga vetë Olldashi, nga miqtë e tij, nga mediat etj., del se dikush aty, brenda në PD, e donte të vdekur Sokolin.
Gjithnjë, nëse vërtetohet se është vrarë ose aksidentuar qëllimisht. Fjala “e donte të vrarë” përkthehet në të gjitha rasat e gjinisë, duke thënë e donte shpirtërisht të vdekur, ndonëse mund të mos ketë menduar skemën faktike të vrasjes. Por edhe mund të jetë organizuar në mënyrë perfekte, aq sa edhe specialistët me të zotë hutohen nga hetimi. Nëse është kështu, atëherë i bie që dikush nuk donte t’i merrnin frenat e PD-së ose të atij që kishin vënë në krye të kupolës demokrate. Aq me tepër Olldashi që doli hapur, pas një votimi, të cilin e quajti të manipuluar, gjë të cilin nuk ia kishte bërë askush në publik kësaj PD-je që ishte tash 23 vite! A thua kjo deklaratë dhe ajo kurajë e morën në qafë Olldashin?!
Pra, nëse nuk del aksident, siç edhe po thuhet kudo, atëherë hetimi duhet të kapë parlamentin me një komision hetimor parlamentar. Të habit fakti se si PD-ja nuk kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për ish-deputetin e saj dhe kandidatin për kryetar të PD-së, në një kohë kur krijonte komisione hetimore “edhe për shkulje veshi”. Ky komision që duhej të ngrihej menjëherë do të vendoste para përgjegjësisë dhe njëkohësisht do të inkurajonte organet e hetimit për të zbardhur të vërtetën. Hetimiduhet të përfshijë, më pas, të gjithë emrat që kanë bërë ligjin në PD, por pa përjashtuar në asnjë rast edhe qeverinë, deri tek shërbimet sekrete nën varësinë e Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës. Kjo duhet bërë, nëse nuk duam që vrasjet politike të mos na mbijnë nëpër korridoret e politikës, duke e shndërruar vendin në një Sicili të vogël. Dhe se ligji të jetë mbi cilindo, edhe mbi kryeministrin e ish-kryeministrin, mbi këdo.
Është i vështirë, por duhet bërë ky hetim!

No comments: