Saturday, November 30, 2013

Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e late Sokolin të vetëm

Nga Mesila Doda

Shqetësimi për të cilin do të duhej të flisja sot ishte ai i ndodhive që tashmë na duken të kaluara, qysh prej një jete, importi i armëve kimike, dhe reagimi popullor që e ndoqi kur u kuptua që një vendim i mjegullt, me pasoja të forta mbi jetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve po merrej dhe askush nuk dinte asgjë...madje edhe më tepër, po tentohej të shitej si një shans i madh, pasi ne të vegjlit e globit, tashmë do të zgjidhnim hallet e superfuqive. Kjo do të ishte tema për të cilën do të duhej të flisja gjatë seancës së kaluar, seancë e cila nuk u bë për shkak të një jete që humbi, për jetën e mikut tim më të mirë, Sokolit.
Kushdo në këtë sallë e di që hapat tona politikë përgjatë legjislaturës së kaluar dhe këtyre muajve të parë të opozitës kanë qenë thuajse gjithmonë të përbashkëta. Unë dhe Sokoli kemi përballur së bashku betejat elektorale në të njëjtin qark, në qarkun më të vështirë në Shqipëri për në demokratët, Fieri. Kemi punuar bashke
çdo ditë për të shëndoshur një strukturë partiake e cila po bartte dita-ditës shenjat e një lodhje pushteti. Kemi ecur në çdo manifestim partiak e miqësor bashkë, deri edhe ditën e protestës kundër armëve kimike ishim bashkë, në respekt të atyre vlerave njerëzore të lirisë, të vërtetës dhe jetës, në respekt të një mënyre të re të bërit politikë, t’u flasësh njerëzve me zemër dhe me përunjesi, vlera që duket se i kemi harruar në këtë sallë ku vaniteti dhe intriga shpesh bëjnë kërdinë.
Të shihje në terren politikanin Sokol Olldashi, ishte si një leksion përunjësie e dashurie për njerëzit, për ata që ndoshta nganjëherë ne mund të na duken krejt, krejt të veckël. Të shqyrtoje me të një argument duhet të ishe e sigurt që kishe përpara vetes kritizerin më të hekurt, por që nuk dinte të të fyente kurrë, dinte të nderonte e të mbronte pa çmim miqtë e tij.
Të nderuar kolegë! te dashur miq!
Do të kalojnë kohët dhe kjo ngjarje do t’i përkasë historisë! Unë nuk besoj se do të lexoj a do them ndonjëherë ndonjë fjalim më të trishtuar se ky! Një faqe e re e historisë së këtij kombi u mbyll pa u celur ende, faqja e një qasje të re shoqërore, njerëzore e politike. Do ishte koha kur e vërteta, qoftë dhe e hidhur dhe e trishtuar, do thuhej me zë të lartë e pa u nginjur; do ishte koha kur përunjësia, thjeshtësia dhe dashamirësia mes nesh dhe mes atyre që i konsiderojmë më të vegjël do të përbenin idealin e një politike të re, e një politike pa vello, pa armiqësi, pa skelete që flejnë në shtretër pushtetesh dhe që më pas vërsulen pa kuptim duke renduar jetët e shqiptarëve, duke e bërë vendin më të rëndësishëm të shtetit tonë Parlamentin e Shqipërisë shpesh strehe kriminelësh.
Ja pse sot ky fjalim është tejet i trishtë! Mes nesh vdiq një burrë që donte të ndryshonte botën, që donte me zemër miqtë e shpesh dhe armiqtë e tij, që kish pasione të mëdha në zemër politikën dhe artin, sepse të dyja janë arte për njerëz të vërtetë e zemra të mëdha!
Sokoli ishte i mrekulluar nga ajo që shqiptarët bënë duke mbushur sheshet pa komanda, pa urdhra partiakë, pa sforcime njerëzore për një kauzë që ata e mendonin të drejtë. Besoj se ndjemë të njëjtën gjë: njerëzit kanë nevojë për të vërteta dhe për përgjigje, përgjigje që unë ende nuk i gjej dot.
Askush nga ne, askush ne ketë Parlament, nuk do mbushë dot kurrë boshllëkun e lënë prej tij. Por idealet e një historie të re për Shqipërinë, ëndrrën e Sokolit tonë kemi detyrën dhe të drejtën ta mbajmë në jetë. Mjaft më hipokrizi perbeniste, shuka me baltë qe ja hedhim fytyrës së tjetrit kur do duhet në fillim të pastrojmë tonën.
Unë kisha faj! Unë kisha faj ato dhjetëra, ato qindra herë kur tentova të isha politikane e mirë, oratore e shkëlqyer dhe harrova që u afrova në politikë, jo se më duhej një rrogë e as se më duhej dashamirësia e eprorëve, por e doja politikën, që të sillja ndryshimin, të mundësoja një botë më të mirë.
Ju kishit Faj! Kishit Faj kur e late Sokolin të vetëm në përpjekjen e tij titanike e solitare për të ndryshuar të djathtën shqiptare, për të bërë një forcë politike më militantë që afrohen nga zemra e jo nga xhepi pranë politikës. Kishit të gjithë faj se e latë vetëm, madje shumë herë dhe e qëlluat dhe e përbaltët dhe e bëtë të ndjehej fajtor pa faj. Sot askush nuk bën dot Pilatin!!!
Ka ende vite deri në fund të kësaj legjislature. Deri në fund të jetës sonë do duhet të përballemi me sfida që nuk i mendonim kurrë se do i hasnim përballë. Por pasionet e këtij burri të ri e të vjetër, Liria, e Vërteta, Partia Demokratike e Shqipërisë, do duhet të mbijetojnë....të gjithë ne do duhet ta nisim me një mea culpa, dhe të kuptojmë çfarë do duhet të ndryshojmë në jetën tonë, në politikën tonë, në mendjen dhe në shpirtin tonë. Do duhet të ndërmarrim një aksion të ri për shoqërinë shqiptare në mënyrë që të kultivojmë vlera e jo kulte, do duhet të riformësojmë fort një ideologji të së djathtës larg nga zgjidhjet pragmatiste dhe rreth vlerave tradicionale te saj, dhe më së fundi do duhet të bëjmë një betejë opozitare të animuar e të inspiruar, betejë në dobi të më të vegjëlve, votuesve tanë, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, thjesht do duhet që të gjithë të jemi nga pak SOKOL në këtë Parlament!

No comments: