Saturday, January 5, 2013

Gerard Depardieu u bë shtetas rus

Natalia Kovalenko

Aktori i famshëm francez Gerard Depardieu ka marrë nënshtetësinë ruse. Dekreti përkatës u nënshkrua ditën e enjten (më 3 janar) nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Mbi ndryshimin e shtetësisë së vet Depardieu deklaroi pasi Presidenti francez François Hollande, i cili u zgjodh në postin e kryetarit të shtetit në vitin 2012, njoftoi mbi aplikimin në vend të taksës 75 % mbi të ardhurat që tejkalojnë shumën 1.000.000 € në vit. Aktori e vlerësoi këtë vendim të autoriteteve franceze si një përpjekje për të ndëshkuar njerëzit e pasur për "suksesin, krijimtarinë dhe talentin e tyre" dhe deklaroi publikisht se do të vendoset me banim të përhershëm në Belgjikën fqinje. Kryeministri i Francës, Jean-Marc Ero (Ayrault), e quajti gjestin e aktorit “patetik” dhe “jopatriot”. Pas kësaj Depardieu refuzoi publikisht nënshtetësinë franceze. Ai shiti vilën e vet në Paris dhe bleu shtëpi në një fshat të vogël belg. Më vonë Këshilli Kushtetues i Francës e konsideroi aplikimin e tatimit 75 % mbi të ardhurat të paligjshëm. Megjithatë kjo nuk ndikoi në ndryshimin e vendimit të Gerard Depardieu.
Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, gjatë konferencës së madhe për shtyp të Presidentit Vladimir Putin, gazetarët iu lutën atij që të komentojë situatën e krijuar me aktorin e famshëm francez. Putin deklaroi se Depardieu mund të marrë nënshtetësinë ruse, nëse do të shprehë një dëshirë të tillë. Pasi mësoi mbi reagimin e Putinit nga shtypi, Gerard Depardieu i shkroi menjëherë një letër Presidentit rus. "Duke dashur shumë Rusinë, rusët, të cilët janë të afërt me mua përkatësisht shpirtit dhe karakterit, pa ditur rusishten, por duke qenë i gatshëm për të mësuar minimumin e domosdoshëm me qëllim që të merrem vesh me njerëzit, unë po drejtohem me kërkesën për të marrë pasaportën ruse, pasaportën e një kombi të madh. Për mua kjo do të jetë një nder i madh, unë e dua vendi Tuaj President dhe dëshiroj të jem qytetar i tij", - thuhet në mesazhin e aktorit francez.
Dhe ja tani Gerard Depardieu u bë shtetas rus. Nëse do të vendoset me banim ai në Moskë - kjo nuk dihet. Por në qoftë se do të marrë një vendim të tillë nuk do të pendohet aspak, madje do të dalë i fituar, mendon Kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndëretnike të Dumës Shtetërore të Rusisë, Gadzhimet Safaraliev:
- Sistemi tatimor që kemi ne aktualisht në vend është mëse normal dhe ai mund ta kënaqë plotësisht Gerard Depardieu. Përveç kësaj, aktori francez gëzon një popullaritet jashtëzakonisht të madh në vendin tonë, ai ka luajtur madje në shumë filma të përbashkët ruso-francezë. Unë jam i mendimit se punë për të në Rusi do të ketë plot. Ai do të ketë mundësi edhe të fitojë shumë, edhe të merret me kënaqësi me biznesin e vet në vendin tonë.
Udhëheqësi i Republikës Çeçene, Ramzan Kadirov, ka deklaruar më parë se çeçenët janë të gatshëm për t’i krijuar aktorit të madh të gjitha kushtet e domosdoshme për një qëndrim mjaft komfort në territorin e Rusisë, në qoftë se aktori do të zgjedhë Çeçeninë si shtëpinë e vet të re.
Meqë ra fjala, Depardieu është i njohur në botë jo vetëm si aktor i mrekullueshëm, por edhe si një verëbërës i përkushtuar. Ndoshta, në Kaukazin rus, i cili ka qenë gjithmonë i njohur për verërat dhe pijet e veta të forta dhe që shquhet për mikpritjen bujare, ai do të dëshirojë të merret me punën e vet të preferuar dhe të thotë fjalën e vet në këtë biznes.

No comments: