Tuesday, January 1, 2013

Po sikur Napoleoni të fitonte në Rusi?!

Gjatë gjithë vitit rusët festuan dyqind vjetorin e fitores së armatës perandorake mbi ushtrinë më të madhe të kohës, të udhëhequr nga Napoleon Bonaparti. Por një autor rus mendon ndryshe nga ata që festojnë. Sipas tij, viti 1812, kur ndodhi beteja e Borodinos, ishte një moment historik unikal për Rusinë e kohës. Në atë çast, ky vend humbi mundësinë që t’i bashkohej civilizimit europian 
Mund të ngrihet edhe sot një hamendje e madhe,
rreth shkaqeve që e shtynë Napoleon Bonapartin që t’i lëshohej Rusisë cariste dyqind vjet më parë. Historiani francez Thierry Lentz ka rreshtuar disa arsye, në lidhje me këtë temë. Ai ka publikuar, vëllim pas vëllimi, korrespondencën e Perandorit (41 letra të njohura dhe të sistemuara deri tani), e cila përmblidhet në 14 libra voluminozë.
Pas 11 vjet mbretërimi, Bonaparti pushoi së qeni një “njeri i rastit”. Ai kishte arritur të themelonte një dinasti të tijën, duke iu bashkuar një familjeje të madhe mbretërore, asaj të Habsburgëve. Mari-Luiza i kishte dhënë atij një pasardhës dhe ai kishte për xhaxha (për shkak të aleancave) “të pafatin” Luigj të 16-të, të cilit ju pre koka në gijotinë nga Revolucioni francez (që ishte gjithashtu i shoqi i Mari-Antuanetës, edhe ajo e ekzekutuar në të njëjtën mënyrë).
Me fjalë të tjera, Bonaparti i kishte dhënë fund kapitullit njëzetvjeçar të Revolucionit, me të cilin francezët ishin ngopur tashmë. Në vijim, duke e zgjeruar Francën në kufinj që s’i kishte pasur kurrë më parë, Bonaparti kishte vendosur gjithashtu paqen në Europë dhe kishte nisur të ndërtonte konturet e një bashkimi që do t’i ngjante pak a shumë projektit të sotëm të Bashkimit Europian aktual – me një konfederatë shtetesh (në rajonet e Rinit, Zvicrës, plus një konfederatë pansllave). Kudo ai kishte vendosur ligje të bazuara në Kodin e tij të famshëm Civil, kishte ngritur sistemin e unifikuar të peshave dhe masave dhe po ndërtonte një sistem të madh komunikacioni. Ai mundi t’i afrohet shumë fitores mbi Anglinë, duke e futur këtë të fundit në një bllokadë totale, me çmimin e bukës që rritej papushim dhe me kryengritjet e shpeshta të brendshme (në vitet 1811-1812).

Fshatarësia, armikja e Napoleonit
Pikërisht në këtë moment, u shfaqën edhe problemet e para në kufinjtë e perandorisë. Në jug me Spanjën, në lindje me Rusinë, ku konceptet e reja napoleonike dukeshin sikur kishin zbritur nga Hëna. Këto vende nuk bënin pjesë në projektin modern, por bllokada ndaj Anglisë nuk mund të funksiononte pa to. Perandori s’mund të priste. Në Spanjë ai vendosi të zëvendësojë mbretin vendas, me të vëllain Jozefin, në 1808 dhe e gjeti veten në mes të një rebelimi total. Kurse në Rusi ndodhet diçka kurioze: armiqtë e tij më të mëdhenj u bënë fshatarët analfabetë, të cilëve ai u solli shkollat, arsimimin dhe Kodin Civil. Megjithatë ata e shihnin atë rregullisht si një pushtues dhe si Antikrishtin.
Para fushatës së Rusisë, Napoleoni e kishte mundur dy herë rresht ushtrinë ruse. Kishte ndodhur në Austerlitz, ku austriakët dhe aleatët rusë ishin mundur nga Bonaparti dhe në Eylau, në vitin 1807. Gjenerali rus Barclay de Tolly nuk parashikonte më ndonjë marshim tjetër përmes Europës. Ai besonte shumë tek hapësirat e pamata të Rusisë, duke u përpjekur ta tërhiqte armikun në thellësitë e një vendi që Napoleoni nuk e njihte dhe duke u munduar t’i evitonte betejat frontale. Ky plan nuk ishte në fakt tërësisht “rus”, ai përfaqësonte esencën e taktikës ushtarake të të gjithë ushtarakëve të mundur nga Bonaparti gjatë dekadës paraardhëse, të cilët kishin mësuar se ishin mundur pasi i kishin zhvilluar luftrat në vendin dhe në formatin që kishte imponuar Napoleoni.
Gjatë fushatës së vitit 1812, armata ruse ndoqi këtë taktikë, me ndihmën e një popullsie që e përkrahte me shumë dëshirë. Është e mundur që, siç vlerëesonin burimet franceze, Borodino të ketë qenë më shumë një humbje për vetë ushtrinë ruse, e cila braktisi fushën e betejës dhe që në fund humbi më shumë ushtarë se ushtria franceze. Por Armata e Madhe (ushtria e Napoleonit), ishte tkurrur shumë derisa mbërriti në Borodino. Ajo qe shkrirë gjatë rrugës, duke humbur qindra mijë njerëz, çka qe fatale për fatin e saj. E gjitha kjo pasi Bonaparti kishte një projekt tjetër në kokë.
Në fakt, gjatë dimrit të vitit 1812, gjenerali polak Sokolnitksi i dorëzoi Napoelonit një raport, një projekt të vërtetë politik, i cili përfshinte plani e pushtimit të Rusisë. E vështirë të kuptohet se cili qe efekti i këtij teksti tek Perandori. Ndoshta konjuktura e momentit ishte e përshtatshme për sulmin. Napoeloni shpresonte të lexonte një raport të atij lloji. Sipas këtij plani, parashihej që bujqit do të ngriheshin në revoltë kundër Carit dhe që Kozakët do t’i përkrahnin ata. I shtyrë nga ndjenja e poshtërimit e polakëve ndaj rusëve, ky plan duket se influencoi për të ndryshuar rrjedhën e historisë.
Nga rreth 700 mijë ushtarë që kishin mbërritur në Rusi, prej andej u kthyen më pak se 30 mijë të tillë, nën komandën e Muratit. Napoleoni ishte nisur më parë, duke i nxituar të mbërrijë në Paris, pas fjalëve për një komplot që ishin përhapur.
Megjithatë, sapo luftimet në Rusi përfunduan, influenca e fushatës së Napoleonit u ndje e fuqishme edhe mes rusëve. Ata shpreheshin se e kishin fituar luftën kundër Francës, porse fitorja e paqes qe ende e largët. “Dhjetoristët”, siç quheshin oficerët rusë, të cilët dhjetë vjet më vonë tentuan të rrëzojnë regjimin e Carit në Shën Petërburg, pretendonin se vendi i tyre i madh, Rusia, nuk mund të vazhdonte të jetonte siç kishte bërë deri atëhere. Nga ana tjetër, kjo ide kishte zënë vend, pasi Aleksandri i Parë, cari rus, kishte humbur gjysmën e ushtrisë së tij dhe kjo jo vetëm në betejat me Napoleonin. Sipas studimeve ruse, nga 120 mijë ushtarë rusë që hynë në Francë, vetëm 63 mijë prej tyre arritën në Paris. Gjejeni çu bë me të tjerët! Sigurisht që ata nuk u vranmë të tërë, pasi edhe vetë francezët me të cilët luftonin, e shihni Bonapartin si një gjakësor. Fanfarat ende nuk kishin heshtur, kur Pushkini vërente me gjenialitet prej profeti, në veprën e tij “Evgjeni Onjegin”: “ne aspirojmë të gjithë të bëhemi Napoleonë!”
Gjatë gjithë shekullit të 19-të, diktatorët tanë të ndryshëm janë munduar të drejtojnë miliona “krijesa dykëmbëshe”, kurse në shekullin pasardhës ne vetë këmi shpikur dhe ngjitur në pushtet Bonapartët tanë, të tillë që edhe francezët s’do t’i kishin imagjinuar. Padyshim që edhe këta të fundit patën Petenët, Kavinjakët, madje edhe një Napoelon të tretë, që Viktor Hygoi e quante me përkëdheli ironike “i vogli”.
Por e gjitha kjo nuk është veçse një vështrim që ne hedhim mbi kundërshtarin tonë të madh të dy shekujve më parë. Nga ana ruse, problemi kryesor nuk ka bërë përpara. Ne vazhdojmë të luftojmë me pushtuesit, siç e tregon edhe beteja e Borodinos, ky etalon historik esencial. Nja 15 vende europiane zgjodhën një rrugë tjetër, duke pushuar luftën, kur perandori hyri në kryeqytetet e tyre. Kjo u solli atyre një tufë ligjesh civile që i ndihmoi ato që të rrëshqisnin në revolucione dhe kryengritje. Por më Rusinë gjërat nuk ecën në këtë drejtim. Napoleoni kishte ardhur aty, ndër të tjera, edhe për të shkallmuar skllavërinë dhe për të ngritur në këmbë fshtarësinë, por nuk diti ta bëjë këtë. Në Rusi, ajo që francezët e shihnin thjesht si një sistem skllavopronarësh, nuk kishte ndonjë bazë ligjore. Si mund të rrëzohej ky sistem, në këto kushte? Dhe si mund të ngrihej mbi të Kodi Civil, në një vend ku gjithçka, nga lufta e deri tek paqja, varej nga autokratët?! Pasi e vrau mendjen thellë mbi të gjitha këto gjatë një muaji, ndërsa Moska digjej në flakë, perandori mori rrugën e kthimit.
Kurse ne vazhduam të ruajmë fort të gjitha defektet e gabimet tona, për të cilat kishim luftuar heroikisht kundër trupave të Napoleon Bonapartit. Këto gabime madje i morëm me vete deri në Paris. Dhe ishte kjo e drejta jonë historike për të vepruar kështu.

No comments: