Monday, August 20, 2012

Ilia Plaku: Qemal Stafa nuk ishte i fejuar me motrën time, por më 5 Maj, ajo ndodhej në shtëpinë ku u bë vrasja

Qemal Stafa dhe motra ime nuk kanë pasur asnjë lloj lidhje fejese, apo gjëra të tilla. Ata kanë qenë shokë lufte dhe bashkëpunëtorë në dëbimin e fashistëve nga Shqipëria”. Kështu u shpreh dje, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot”, Ilia Plaku, vëllai i dëshmores Frosina Plaku, i cili nënvizoi se:”Kush lufton për liri e di fare mirë se të gjithë shokët e shoqet rrotull teje të bëhen si vëllezër e motra”.
Zoti Ilia, në shkrimin e tij, zoti Ali Eltari, thotë se lufta e Dytë Botërore kishte edhe fragmente imoraliteti. Ju si mendoni?
Kjo është shpifje nga njerëz injorantë të cilët duke mos ditur se kë të sulmojnë për t’ju servilosur politikanëve të sotëm, më në fund kanë gjetur si fushë lufte, heronjtë dhe dëshmorët tanë. Pra, këta parazitë meqë kanë mbetur pa punë për shkak të pensionit, shkojnë e ngacmojnë pjesën më të nderuar të identitetit tonë. Ali Elltari me të gjithë kategorinë e injorantëve të tjerë, tani i janë vërsulur luftëtarëve të lirisë. Por ndryshe nga të gjithë injorantët e pashkolluar të botës, këta të fundit janë injorantë me tituj akademikë. Madje, Ali Eltari është një nga akademikët e Ballkanit, i cili për fat të keq ende nuk ka mësuar historinë e lavdishme të kombit të vet.
Përse e thoni këtë?
Sepse ai në të gjitha përfundimet që ka nxjerrë për luftën, është ngatërruar aq keq, sa ai në vend që të flasë për betejat dhe numrin e të vrarëve, na flet për historitë e dashurive dhe për numrin e dashnoreve të Qemal Stafës. Pra, atij i duket se është duke bërë radioskopinë e moteleve të Tiranës, dhe jo epopenë e lavdishme të heronjve tanë. Dhe për të vërtetuar marrëzitë perverse që nxjerr nga goja, zoti Eltari thotë se gjatë luftës, krerët komunistë ishin të martuar, ose bashkëjetonin me femra. Dhe këtu përmend Enver Hoxhën me Nexhmijen, Mehmet Shehun me Fiqëretin, etj. Por me këto argumente ai nuk e mbulon dot të vërtetën e madhe të sakrificës sublime që bënë partizanët në këtë luftë titanike. Me këto shembuj, ai do të vërtetojë imoralitetin e luftës, po përkundrazi edhe ky argument vërteton pastërtinë e Enverit, të Mehmetit, etj. Sepse Enveri i dha fjalën Nexhmjes në luftë dhe e mbajti besën edhe pas lufte. U martua me Nexhmijen dhe as nuk i shkoi mendja për ndonjë grua tjetër, duke treguar kështu korrektesë tepër të lartë. Po kështu edhe Mehmeti, apo shumë drejtues të tjerë të luftës. Ka qenë ky moral i shëndoshë që ju kundërvu shpifjeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre sipas të cilëve, “komunistët kishin dalë maleve dhe bënin qejf”. Por në fakt e vërteta tregoi se me qindra e mijëra vajza dolën në male dhe luftuan heroikisht duke mbajtur lart edhe figurën morale të femrës shqiptare.
Si mund t’i komentoni disa raste kur kanë ndodhur edhe historira rozë nëpër male? Madje ka pasur edhe ekzekutime të padrejta për këtë shkak?
Për të argumentuar mendimin tuaj, ju mund të më jepni një rast, ose asnjë. Ndërsa unë mund t’ju jap me qindra raste kur figura morale e partizanëve dhe partizaneve tona është në shkallën më të lartë.
Në të vërtetë ka shumë raste kur vajzat dhe djemtë, janë dashuruar gjatë luftës. Kjo sidomos ka ndodhur në kupolën e Shtabit apo në kryesitë e batalioneve?
Por unë ju them se në të gjitha rastet ata që janë lidhur shpirtërisht në luftë, janë martuar patjetër me njeri tjetrin pas lufte. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë me aventura, apo me dashuri të rreme sa për të kaluar kohën. Por gjithsesi edhe këto raste ishin disi të rralla. Të gjithë ishin të përqendruar te fitorja e luftës, sepse në luftë dihet mirë se si ndodh. Në luftë mund të vrasësh armikun por edhe mund të vritesh. Dhe për këtë arsye nuk mund të planifikosh shumë gjatë për jetën. Sepse në luftë çdo ditë mund të jetë dita e fundit e jetës, por partizanët kishin besim se do ta fitonin luftën dhe e fituan. Disa prej tyre, trima dhe idealistë, dhanë jetën në luftë dhe nuk kërkuan asgjë. Ata ikën nga kjo botë vetëm me dëshirën dhe besimin se Shqipëria do të çlirohej. Prandaj, mendoj se çdo hedhje balte mbi ta është një akt barabar dhe kriminal. Pasi morën në trup nga një tegel plumbash të pushtuesve, ata nuk vdiqën, por u ringjallën për 45 vjet rresht në zemrat tona duke na frymëzuar për jetën dhe lirinë. Madje, kështu thotë edhe kënga popullore: “Bij, ç’është kështu me ju/ vitet tutje ju tëhu”. Pra, vitet iknin dhe ata dukeshin sikur afroheshin më shumë tek ne.  Dhe prandaj unë ju pyes: “a besoni ju zotërinj, se ata heronj, apo dëshmorë që nuk i vrau dot artileria e pushtuesve, mund t’i vrasë sot stilografi i ndryshkur i disa pseudoakademikëve ballkanikë, të cilët me siguri, po të vizitohen tek psikiatri do të rezultojnë se janë handikapatë. Këtë nuk e them vetëm për zotërinë në fjalë, por për të gjithë historianët e sotëm që po ngrihen kohët e fundit kundër heronjve dhe dëshmorëve të luftës sonë.
Përse keni urrejtje kundër historianëve të sotëm?
Ka një termometër të saktë që mat shkallën e sëmundshmërisë mendore të çdo historiani. Dhe unë po ju them se nëse një historian del kundër luftës së popullit të vet, mos u merrni fare me të, por çojeni direkt tek psikiatri, se ai patjetër do të ketë lojtur nga fiqiri i kokës. Ndryshe, historianët e dinë se kurora e lavdisë së çdo kombi buron nga emrat e heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë. E gjithë bota i ka vënë heronjtë e vet në altarin e nderit ndërsa historianët tanë po u gjuajnë atyre me gurë që t’i dëbojnë. Por çdo tentativë është e dështuar. Dhe pas çdo manipulimi me historinë unë do të them vetëm një frazë: “Ky është turp”. Sipas tyre  dhe sipas antikomëtaristëve të deklaruar, komunistët i kthyen malet, kodrat, fushat dhe luginat në fole dashuriçkash. Pra, sipas tyre ata bënin sikur luftonin dhe në të vërtetë synonin pushtetin,  femrat dhe lavdinë. Sa poshtë paskan rënë akademikët tanë! Sepse Eltari e di fare mirë se ligji i luftës i ndalonte kategorikisht këto lloj aventurash. Në atë kohë luftëtarët e donin njëri -tjetrin si pjesëtarin e familjes së tyre, pra si vëlla e motër.
Sipas zotit Eltari, Qemal Stafa ka pasur disa lidhje me femrat, ju si mendoni?
Për këto nuk ia vlen të merremi më me këto lloj fantazish delirante dhe aluçinante tejet të qëllimshm e dashakeqe. Veçse lufta Nacional Çlirimtare nuk bëhej për femra, grada apo pushtet. Këtë Eltari e di më mirë se unë, por puna ia do të thotë të kundërtën. Prandaj, një qytetar duke replikuar me të, në gazetën “Sot” iu drejtua atij me fjalët: “Paç faqen e zezë”.
Eltari hedh një lloj dyshimi se Qemali është vrarë pasi ka qëndruar një natë me femrat në shtëpi afër spitalit. Ju si mendoni?
Kjo është shtëpia e nderuar e Beqir Minxhozit që ishte edhe një nga bazat e luftës. Dhe të gjitha ato që thotë Eltari janë batakçillëqe dhe pabesira të ndotura. Më lejoni të mos merrem me to se nuk kanë asnjë vlerë
Thuhet se Qemalin mund ta ketë spiunuar Enver Hoxha, ju si mendoni?
Kurrën e kurrës, jo. Mos u merrni me këto budallallëqe.
Zoti Eltari përmend zotin Astrit Leka se ai i ka vërtetuar disa nga argumentet e tij, për Qemal Stafën. E njihni ju, Astrit Lekën?
Po e njoh shumë mirë. Edhe kjo është gënjeshtër e Eltarit, sepse motra e Astrit Lekës,  Fatmira, ka mbaruar institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe ka qenë shoqe klase me motrën tonë, Agllaia. Pra, ishin shoqe në institutin femëror. Dhe ajo, Fatmira e di mirë historinë e Frosinës me Qemalin. Pra, e di mirë që këtu nuk ka asnjë histori. Jo më fejesë, apo lidhje të tjera që i shpik Eltari. 
Çfarë ju ka treguar Frosina për Qemal Stafën?
Plot gjëra. Qemali ka qenë disa here në shtëpinë tonë. Madje edhe Enveri. Por unë mbaj mend ngjarjen e datës 5 maj, kur u vra Qemali.
Si e mbani mend këtë datë?
Unë isha 7 vjeç. Në të gdhirë të datës 5 maj, Frosina u kthye në shtëpi nga deriçka e pasme. Ishte e gërvishur në fytyrë, në krahë dhe këmbë. “O Perëndi – thirri nëna ç’më je katandisur kështu moj çupë? Frosina nuk foli fare, por u lëshua në krahët e nënës, duke qarë me dënesë, si një fëmijë. Ç’të ka ngjarë, kush të ka rrahur moj e gjorë”, i tha nëna. Dhe Frosina iu përgjigj: “Mama, prit më lër të zbrazem se jam e mbushur”. Pastaj ajo i sqaroi nënës se çfarë kishte ngjarë atë mëngjes herët, të datës 5 maj.
Çfarë tha Frosina?
Ajo tha se: “Na vranë shokun më të mirë. Ishim në një mbledhje në shtëpinë e një shoku pranë spitalit. Na rrethuan fashistët. Spiunët e mallkuar do na kenë ndjekur. “Po kë vranë moj çupë”, pyeti nëna. “Na vranë Qemal Stafën, shokun më të mirë, të kujtohet ai që mbante syze kur bënim mbledhje këtu në shtëpinë tonë? Për të na shpëtuar ne, shokë e shoqe, ai doli nga shtëpia dhe u sul drejt karabinierëve, duke i qëlluar me patllake. Kjo ndodhi gjersa iu mbaruan fishekët. Ata katilët fashistë do të na e paguajnë 100 fish këtë që bënë. Ja këtu do të jemi”, tha ajo. Dhe ky ishte betimi i saj të cilin së bashku me shokët dhe shoqet e veta e mbajtën duke ia marrë hakun Qemal Stafës.
Ju thatë se kjo ndodhi në mëngjes që pa gdhirë. Çfarë emergjence kishin këta komunitë që ishin mbledhur që pa u gdhirë në shtëpinë e një shoku?
Ajo ishte një bazë lufte. Dhe ndodhej tek spitali i sotëm. Në Tiranë kishte disa baza të tilla lufte,ku strehoheshin partizanët. Edhe shtëpia jonë, pranë ambasadës  jugosllave ishte një bazë lufte. Aty kanë ardhur komunistët dhe komunistet më të njohura, partizanët dhe partizanet nga e gjithë Shqipëria, etj.
Çfarë bëhej në këto mbledhje?
Organizoheshin atentate dhe bëheshin planet e luftës guerilase. Shtypeshin dhe ndaheshin trakte për t’i përhapur në të gjithë Tiranën. Ndonjëherë mblidheshin dhe dëgjonin radio-Londrën, ose stacione të tjera të huaja. Por në përgjithësi ndaheshin detyra. Ne në shtëpinë tonë kishim një makinë shkrimi që atëherë. Dhe unë isha shtatë vjeç. Flija në një dhomë me motrën time dhe sa herë që zgjohesha e shihja atë, duke shtypur në makinë shkrimi, ndonjë material të luftës.
Sidoqoftë,  a ju shpjegoi Frosina më 5 maj, se përse nevojitej të bëhej një mbledhje që pa u gdhirë?
Ajo ishte luftë dhe lufta nuk njeh orare pritjeje, apo respektim axhendash. Ajo ishte një mbledhje grupi dhe merrnin pjesë shumë personalitete të luftës.
Cili ishte roli i motrës suaj në këtë mbledhje të datës 5 maj?
Më duket se ajo ishte caktuar të ruante në oborr për lëvizjet dhe kontrollet e fashistëve. Këtë detyrë ajo e bënte atë ditë, së bashku me Kriston dhe Drita Kosturin. Ndërsa brenda në dhomë atë mëngjes ishin shumë të tjerë që diskutonin për tematikën e mbledhjes.
Zoti Eltari thotë se në këto raste komunistët nuk mblidheshin për mbledhje partie, por për qejf. Pra, e thanë me gjuhën sotme sipas Eltarit  ata mblidheshin për “party”, apo për darka, Ju si mendoni?
Lëreni atë se nuk vlen ta përmendim më përderisa tani është bërë bajat me shkrimet e tij. Kush del kundër luftës çlirimtare të kombit të vet, nuk mund të bëhet kurrë një historian objektiv. Por nga pas do ta ndjekë gjithmonë dështimi. 
Eltari në shkrimin e tij thotë se Qemali dhe motra juaj Frosina ishin të fejuar? Cili është komenti juaj?
Këto janë shpifje të trasha që mund të thuhen vetëm nga njerëz të papërgjegjshëm. Unë jam vëllai i Frosina Plakut dhe i them me kompetencë dhe saktësi të plotë të gjitha të vërtetat. Qemal Stafa dhe motra ime nuk kanë pasur asnjë lloj lidhje fejese, apo gjëra të tilla. Ata kanë qenë shokë lufte dhe bashkëpunëtorë në dëbimin e fashistëve nga Shqipëria. Kush lufton për liri e di fare mirë se të gjithë shokët e shoqet rrotull teje të bëhen si vëllezër e motra. Kështu ishte edhe Frosina me Qemalin, me Drita Kosturin, Fiqirete Shehun, Nexhmije Xhunglinin, etj. Zoti Eltari mund të ngrejë me ironi një pyetje: A thua që partizanët dhe partizanet të kenë qenë pa ndjenja dhe pa zemër, duke çuar dëm rininë e tyre? Përgjigja jonë është kjo: Ata djem e vajza të reja kanë pasur zemër e ndjenja, dëshira dhe shpresa, por mbi të gjitha ata kishin dashurinë për atdheun e robëruar dashurinë për për lirinë aq të shtrenjtë e të munguar, besimin në të ardhmen për një Shqipëri të re në liri e pavarësi. 
Në fakt a ka qenë e fejuar ose e lidhur me ndonjë djalë motra juaj Frosina?
Motra ime nuk ishte as e fejuar dhe as e lidhur me ndokënd. Ajo nuk e njohu kurrë dashurinë, sepse ishte e dashuruar me lirinë. Endrra dhe pikësynimi i saj ishte dëbimi i pushtuesve nga vendi ynë dhe më vonë ndërtimi i një shoqërie të pastër pa hileqarë dhe dredharakë. Për këtë ajo luftoi dhe dha jetën e saj në Korçë, gjatë organizimit të luftëtarëve në atë zonë.
Përse nuk e bënë Heroinë të Popullit Frosina Plakun, pas luftës?
Kjo është një histori tjetër, por në fakt ajo konsiderohej si heroinë e vërtetë, por pashpallur e kësaj lufte. Frosina Plaku ishte vajza-flamur që ndodhej në krye të demostratës së tetorit të vitit 1941, duke hyrë në histori si “vajza-flamur”.
Pyetja e fundit: Zoti Eltari thotë se Varrezat e Dëshmorëve duhet të trajtohen si varreza të komunistëve. Sepse aty mungojnë nacionalistët, ballistët, etj. Cili është mendimi juaj?
Sipas këtij përcaktimi të akademikut tonë u dashka të kemi edhe Varreza të Dëshmorëve nacionalistë, ballistë, legalistë, etj. Pra, ai propozon vazhdimin e luftës civile edhe në jetën e përtejme. Por le ta pyesim vetë, zotin Eltari nëse ai ka qenë ndonjëherë në Varrezat e Dëshmorëve. Sepse komunistët sikur t’i bashkonim në një parcelë të vetme, ata do të zinin vetëm 10 për qind të numrit të përgjithshëm të dëshmorëve të atjeshëm, që simbolizojnë anë e kënd, Shqipërinë. A e di zoti Eltari, moshën  e atyre që prehen atje? Mbani vesh: 22-23 vjeç është mosha mesatare e tyre. Shkoni dhe lexoni emrat, ditëlindjen dhe ditën e rënies së tyre. Ime motër, Frosina Plaku dhe plot të tjera që prehen atje, ishin vetëm 19 vjeçare kur ranë në luftë. Frosina u vra nga breshëria e mitralozave fashistë më 9 shtator të vitit 1943. Më parë, më 28 tetor 1941, pra para themelimit të PKSH-së, ajo duke qenë në krye të demonstratës më të madhe antifashiste në sheshin kryesor, u godit rëndë dhe u arrestua. Shokët e saj, Gjikë Kurtiqi, Avram Koja, Dr. Petraq Leka, etj, organizuan arratisjen nga spitali i Tiranës, nga pavijoni burg. Një vit më vonë, ajo plagoset para burgut të Tiranës, ku ra Mine Peza. Ajo mbahet mend si flamurtarja e demonstratës antifashiste, si trimëreshë e guximtare.. Un vetë vëllai i saj do të doja ta quaja komuniste time motër, por si për ta prishur paksa ritmin e përrallës së Eltarit, për komunistët në përgjithësi dhe ata shqiptarë në veçanti, po u them se Frosina nuk ishte anëtare e PKSH-së. Por ajo ishte dhe mbeti një pishtar krenarie për të gjithë ne, që mbajmë atë mbiemër. Si edhe për të gjithë ata që e duan Shqipërinë si e gjithë Evropa dhe bota përparimtare. Ilir Bushi

No comments: