Sunday, August 19, 2012

Rreth 45% e turqve në Gjermani duan të kthehen në atdhe

Në Gjermani jetojnë rreth 2,7 milionë turq apo persona me orgjinë turke, nga të cilët vetëm 700 mijë kanë shtetësinë gjermane
Rreth 45% e turqve që jetojnë në Gjermani dëshirojnë të kthehen në vendlindje, dhe vetëm 15% e tyre e konsiderojnë Gjermaninë vendin e tyre. Për më tepër, 62% deklarojnë se ndihen më mirë në shoqërinë e turqve. Këtë thotë një studim i bazuar në intervistat me një mijë persona, i institutit Info të Berlinit i publikuar më 17 gusht.
Edhe pse 39% e të intervistuarve jetojnë në Gjermani prej të paktën 30 vjetësh, janë 45% ata që konsiderojnë njësoj atdhe qoftë Turqinë e qoftë Gjermaninë dhe vetëm 15% e konsiderojnë atë atdheun e tyre në vend të Turqisë, përqindje kjo në rënie të vazhdueshme po të mbahet parasysh që në vitin 2009 ishin 21% që e mendonin kështu e në vitin 2010 kur ishin 18%.
Ndër 45% të të intervistuarve që dëshirojnë të kthehen në Turqi, pjesa më e madhe janë të moshës nga 30 deri në 49 vjeç. Në dëshirën për kthim duket se një rol të rëndësishëm luajnë besimi fetar dhe traditat, kështu 55% e të intervistuarve do të kishin dashur që Gjermania të kishte më shumë xhami.
Gjermania dhe Turqia kanë festuar vjet 50vjetorin e  traktatit të miqësisë, falë të cilit arritën fillimisht në Gjermani  900 mijë “punonjës të ftuar” turq. Shumë prej tyre vendosën të mos ktheheshin në atdhe dhe kështu me kalimin e viteve ai komunitet, falë ardhjeve të reja e lindjeve ka shkuar në 2,7 milionë persona. Nga këta rreth një e katërta, rreth 700 mijë vetë, ka marrë ndërkohë shtetësinë gjermane. 

No comments: