Monday, August 20, 2012

Astrit Leka: Implikimi i Beqir Minxhozit në vrasjen e Qemal Stafës dhe roli i Enver Hoxhës

Quhet Astrit Leka dhe gjatë luftës pseudonimi i tij është “Alariku”. Ka qenë njëri prej përfaqësuesve komunistë të grupit të Shkodrës dhe njëri prej drejtuesve të njësiteve guerile në Tiranë, Pejë, Mitrovicë, Shkup, etj. Ka qenë shok shkolle me Qemal Stafën në Firence dhe shok klase me Ramiz Alinë, në Shqipëri, ndërkohë që me Qibrie Ciun dhe disa të tjerë ka qenë në burg.
Ka mbaruar disa fakultete me nota të shkëlqyera, megjithëse gjatë periudhës së komunizmit rezulton si punëtor kanalesh për shkak të urrejtjes së verbër të kupolës komuniste ndaj tij. Eshtë rreth moshës 80- vjeçare dhe aktualisht banon në Gjenevë të Zvicrës. Por memoria e tij është mjaft e freskët për të kujtuar ndodhitë e asaj kohe. 

Zoti Leka, çfarë i keni thënë Ali Eltarit për Qemal Stafën?
Këtu dua të sqaroj një keqkuptim sepse unë i kam folur Ali Eltarit për raportin midis Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë. Por gjatë bashkëbisedimit telefonik, ai e ka kuptuar sikur flitej për Qemal Stafën dhe Ramizenë. Për këtë gjë i kërkoj ndjesë lexuesve të nderuar, ku z.Eltari ka përdorur emrin tim, kundër Qemal Stafës.
Kur e keni parë për herë të parë Qemal Stafën?
Që në vitin 1938 kur ai ishte i internuar në Breshtan të Beratit. Në atë kohë e kam takuar dhe kam biseduar me të. Ishte shumë i ditur dhe i komunikueshëm. Por ishte edhe i guximshëm. Nuk i trembej syri.
Ju vetë çfarë mendoni për Qemal Stafën?
Unë mendoj se ai është një patriot i ndershëm, një njeri i përgatitur, trim dhe fisnik që rrjedh nga një familje fisnikësh. Babai i tij ka qenë kryetar gjyqi, ndëras im at prokuror. Qemalin e kam njohur qysh kur isha i vogël në Elbasan, kur ai takohej me kushërirën e tij Shejnaze Juka e cila ishte shoqe e ngushtë e motrës sime. Pastaj me Qemalin jam takuar në Firence. Unë isha në gjimnaz ndërsa ai studionte në fakultetin e Drejtësisë së Firences. Atje më ndodhi një përplasje dhe unë rraha kreun e rinisë fashiste të shkollës. Por Qemali më doli në krah dhe më ndihmoi me këshillat e tij.
Përse e rrahët kreun e rinisë fashiste?
Sepse ai më shau Shqipërinë dhe sidomos më shau flamurin e shqiptarëve. Ngjarja ndodhi kur në Tiranë Vasil Laçi qëlloi mbi Viktor Emanuelin. Atëherë gazetat italiane shkruajtën shumë. Dhe gjatë kësaj atmosfere të tensionuar ai më shau duke më thënë se: “Ju në flamurin e Skënderbeut keni simbolet e Liktorit”. Atëherë unë e qëllova  në sy dhe ai ra përtokë, pastaj e çuan në spital dhe mua më bënë problem. Donin të më përjashtonin nga shkolla. Por Qemali i cili na rrinte pranë, më tha se gjatë argumenteve mbrojtëse duhet të mbahesha tek flamuri ynë. Meqë italianët hiqeshin sikur nuk ishin pushtues në Shqipëri, ata nuk kishin përse të na shanin flamurin. Kjo më shpëtoi. Pastaj unë nisa një disiplinë mjaft të fortë në studimet shkollore dhe dola i pari i klasës. Këtë nuk e bëra që të mburresha vetë, por që ata ta kuptonin se deri ku arrinin përmasat e shqiptarëve.
Si sillej Qemal Stafa në Firence?
Ai ishte i përsosur dhe ishte një njeri model. Studionte shumë dhe ishte fisnik. Mbaj mend se në atë kohë, Qemal Stafa u lidh me komunistët italianë dhe i kërkoi atyre ta ndihmonin që të krijonte Partinë Komuniste në Shqipëri. Por ata i thanë se për shkak të faktit që Italia ka pushtuar Shqipërinë, kjo ndihmë nuk do të tingëllonte mirë për opinionin. Prandaj, ata i rekomanduan të kërkonte ndihmë nga komunistët jugosllavë. Pastaj kur erdhëm në Tiranë, unë për shkak të njohjes  me të, hyra në grupin komunist të Shkodrës. Jemi ende në ditët kur nuk ishte krijuar PKSH-ja.
Çfarë mund të përmendësh tjetër nga Firence?
Mund të përmend kampionatin e futbollit italian, ku në atë kohë shkëlqente një shqiptar i quajtur Lushta. Ai ishte fenomen i futbollit dhe luante me Juventuesin. Ishte i paparë dhe ne merrnim shumë emocione me të.
Po në Shqipëri kë kishit në klasë?
Në Shqipëri studiova në një grup me Ramiz Alinë, Manush Alimanin, Prokop Murën, Siri Kodrën, etj.
Kur jeni bashkuar me lëvizjen komuniste në Shqipëri?
Para korrikut të vitit 1941.
Ku ishit ju më 8 nëntor kur u themelua PKSH?
Unë isha në Tiranë, por nuk isha pjesëmarrës në themelim. Ndërsa, një kushëriri im ishte tek dera e godinës duke bërë roje. Pra, të gjithë ishim pranë ngjarjeve të rëndësishme politike të asaj kohe.
Si e keni perceptuar luftën e Dytë Botërore?
Ishte një luftë heroike dhe kombi shqiptar duhet të jetë krenar për madhështinë e kësaj lufte. Unë nuk perceptoj si luftë civile, megjithëse ndonjëherë pati edhe përplasje midis shqiptarëve, pra midis partizanëve dhe ballistëve.
Të kthehemi tek argumenti i Eltarit: A kishte kjo luftë elemente të imoralitetit?
Elemente të imoralitetit nuk kishte por shfaqje të dashurisë kishte, padyshim. Natyrisht, dashuria ishte disi e ndaluar në radhët e partizanëve por kishte edhe raste të tilla.
A keni parë ju ndonjë rast kur vajzat dhe djemtë putheshin gjatë kësaj lufte?
Kjo pyetje që bëni  ju është shumë e padrejtë, në mënyrën se si formulohet. Por unë një herë kur isha në shtëpinë e Ymer Dëshnicës, një ditë kur hapa derën e dhomës, pashë atje duke u puthur Ramize Gjebrenë me Nako Spiron. U skuqa nga turpi dhe e mbylla derën menjëherë. Pas pak, doli Nakoja dhe më tha: “Dëgjo këtu more djalë. Ne me të vërtetë e kemi ndaluar dashurinë gjatë luftës, por këtë e kemi bërë që të mos tremben prindërit e vajzave që t’i dërgojnë ato në luftë. Në fakt ne nuk jemi kundër dashurisë dhe përparimit”. 
Më sipër ju thatë se Ramizeja me Zaho Kokën kishin lidhje dashurie?
Kjo është vërtetuar tanimë dhe nuk ka sekrete. Por në lidhjen e tyre Zaho Koka gaboi rëndë dhe ia la të gjithë përgjegjësinë Ramize Gjebresë.
Përse gaboi?
Sepse gjatë sqarimit, apo gjatë gjyqit ai tha se: “Ramizeja më provokoi dhe unë nuk kam faj”.
Po Ramizeja çfarë tha?
Ramizeja e pranoi atë gabim dhe u tha atyre se Zahua nuk kishte faj. Pra, e mbajti përgjegjësinë për vete. Pastaj atë e pushkatuan padrejtësisht. Ndërsa Zaho Kokën e vrau ndërgjegja dhe thonë se ai doli në betejë i pambrojtur dhe i zbuluar. Pra, me një dëshirë për të mos jetuar më pas asaj që i ndodhi.
A ka pasur raste të tjera me pasoja të tilla?
Disiplina për hir të së vërtetës ka qenë e madhe. Por lidhjet e dashurisë ndodhnin vetvetiu. Sepse ata ishin të rinj dhe shumë të ndjeshm për jetën. Natyrisht, që këto raste ishin sporadike por kishin efekte negtiave prapavepruese. P.sh, mbaj mend se Shejnaze Jukën, mbesën e Musa Jukës, e cila ishte partizane donin ta pushkatonin, njëlloj si Ramize Gjebrenë. Pikërisht për këtë shkak.
Përse donin ta pushkatonin?
Sepse ajo ishte dashuruar me Met Bajraktarin. Dhe erdhi një orientim për ta ekzekutuar. Pastaj u anullua. Unë vetë njëherë kam bërë sherr me Alqi Kondin për Shejnaze Jukën. Sepse ai e quante imorale dhe nuk e lejonte atë që të hynte në strukturat e larta të PKSH-së.  Pastaj Met Bajraktari u vra në luftë, ku gjithashtu u vra edhe Shejnaze Juka.
Po Qemal Stafa a kishte shumë lidhje me femrat?
Jo, Qemali ishte serioz dhe i zgjuar. Ai ishte i vendosur për çështjen e patriotizmit dhe të shpëtimit kombëtar. Ishte modeli i një idealisti dhe trimi të vërtetë. Lidhja e tij ishte publike pas një fejese që kishte me Drita Koturin. Ata të dy rrinin bashkë.
Po me Nexhmije Hoxhën a kishte lidhje Qemal Stafa?
Kjo është një gjë për të cilën nuk mund të flasë askush. Këtë e dinë vetëm ata të dy dhe të gjitha gjërat e tjera që thuhen ndaj tyre janë thashetheme.
A mund ta ketë spiunuar Enver Hoxha, Qemal Stafën, për vrasjen e pesë Majit?
Jo. Kjo është gënjeshtër e trashë dhe mos u besoni këtyre marrëzirave.
Si u diktua Qemal Stafa që banonte në shtëpinë e Beqir Minxhozit?
Kjo ka ndodhur kështu. Beqir Minxhozi kishte marrë një shtëpi me qira pranë spitalit. Dhe një ditë kur e kapën fashistët në rrugë, ata i gjetën në xhep edhe kontratën e qirasë së shtëpisë. Pastaj, dyshuan dhe shkuan në atë shtëpi në mënyrë të befasishme.Bënë rrethimin dhe luftuan me Qemal Stafën. Ai nuk u dorëzua dhe luftoi si trim deri në fishekun e fundit. Pastaj, e vranë.
Ju vetë në cilat zona keni luftuar?
Unë kam qenë komandanti i guerrilasve në Tiranë, Pejë, Mitrvcë, Shkup, etj. Pra, kam luftuar në të gjitha trojet tona për lirinë e vendit. Madje edhe jam burgosur prej gjermanëve.
Çfarë ka ndodhur pas burgosjes?
Pas burgosjes, Enveri tentoi të ndërronte robërit gjermanë duke ia kthyer nazistëve dhe të na merrte neve. Mbaj mend se në burg isha unë, Qibrie Ciu, etj.  
A e njihni Ilia Plakun?
Po e njoh. Motra ime dhe motra e tij, ishin shoqe të ngushta. Ndërsa Frosina Plaku ishte një luftëtare e lirisë.
Çfarë ndodhi me ju pas luftës?
Pas luftës studiova me korrespondencë në një grup me Shabn demirajn, Qemal Haxhihasanin, etj. Mbarova dy universitete brenda nj periudhe të shkurtër. Pra, studiova për Gjuhë Letërsi dhe Gjeografi. Gjithashtu në atë kohë kam studiuar shumë gjuhë të huaja

Ali Eltari: Ja biseda ime me Astrit Lekën
Por, tamam ditën, që z. Plaku botoi atë shkrim, ku më “ulte” mua, duke treguar shkallën e kulturës së tij të pamjaftueshme, më merr në telefon nga Gjeneva e Zvicrës një person, që kishte mbaruar në perëndim numër të madh fakultetesh, por që unë nuk i numërova dot, se, ato, ishin aq shumë, sa që vërtetë më mahnitën. Ky person, nga fjalët e nxjerra, dukej që ishte njeri i edukuar. Nga mënyra si fliste, të krijonte përshtypjen e njeriut fisnik dhe i admirueshëm. Ai, gjatë luftës, siç më tha, kishte qenë, për ca kohë, ndërmjetës për bashkëveprimet e luftës ndërmjet komunistëve, ballistëve dhe legalistëve. Në fillim, më tregoi se, ishin bërë luftëra të përbashkëta kundër pushtuesve, duke pasur arritje të lavdërueshme. Por, më pas, për faj të komunistëve, ky bashkëveprim luftarak kundër pushtuesve u ndërpre, kuptohet, pas kritikave të Enverit, që i rrezikohej pushteti, pas luftë. Më tregoi disa hollësi edhe për persona, që punuan dhe u përpoqën të vazhdonin këto bashkëveprime, por unë, nga që i dëgjoja për herë të parë ato emra, të them të drejtën, nuk i mbajta mend. Nja tre apo katër herë më kërkoi falje, që po më fliste shpejtë se, telefoni atje kushtonte shumë. Pastaj, me shumë takt, për të mos më fyer, siç kërkojnë të bëjnë këta artikullshkrues, më tha se, në faktet, që përmendja në artikullin e parë, kisha bërë vetëm një gabim. Ai ishte nga krahina e Zahos dhe e njihte mirë atë ngjarje. Ato, që shkruaja për Qemalin, sipas tij, ishin tërësisht e vërtetë, por kisha ngatërruar kohën. Ngjarja kishte ndodhur shumë kohë më parë, dhe se, ai, nuk i vinte fajin Qemalit, por vajzës. Mirë ajo, nga që u magjeps pas Qemalit, paska faj të rëndë, po vetë Qemali, që pranoi të miklohet, a mund të quhet i pafajshëm? Të gjithë e kemi kaluar atë moshë, por morali, me të cilën na kanë edukuar prindërit, bashkë me qumështin e nënës, nuk i kemi lejuar vetes të biem në gabime të tilla... Qemali ra. Pse? A mund të quhet ai “fajtor i pafajshëm!” Pra, Qemali, kur i jepej rasti, nuk e linte t’i humbiste... Ju quheni si të doni, ai ishte ashtu siç ishte... Personi shumë i edukuar, duke më mbështetur, në lidhje me Qemalin, më dha të kuptoj se, në këtë pikë, kisha pasur të drejtë. Në fund më premtoi të më dërgojë disa materiale, që me sa duket, do të ishin si mbështetje ilustruese për ato, që kisha shkruar, por duke kërkuar fjalën time të nderit, se nuk do t’i botoja. Dhe unë do ta mbaj fjalën. Veprimtaria e këtij patrioti të madh, përmblidhet në përpjekjet për të njohur të huajt figurat e mëdha të historisë shqiptare. Me punën e tij është vendosur busti i Skënderbeut në Vjenë, por edhe në vende të tjera. Ka zbuluar edhe shumë figurat tjera, nga lashtësia deri në ditët tonë, dhe ka vendosur bustet e tyre në vendin ku dhanë jetën. Ky është Astrit Leka, nga fshati Borsh i Sarandës, që gazeta franceze DNA, në shkrimin për të, e ka titulluar “Astrit Leka, dje në Tiranë “armik i popullit” sot në Gjenevë heroi shqiptar!”

Ilia Plaku: Astrit Lekën e njoh shumë mirë
Astrit Lekën e njoh shumë mirë. Edhe kjo është gënjeshtër e Eltarit, sepse motra e Astrit Lekës,  Fatmira, ka mbaruar institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe ka qenë shoqe klase me motrën tonë, Agllaia. Pra, ishin shoqe në institutin femëror. Dhe ajo, Fatmira e di mirë historinë e Frosinës me Qemalin. Pra, e di mirë që këtu nuk ka asnjë histori. Jo më fejesë, apo lidhje të tjera që i shpik Eltari. Astrit Leka nuk mund të ketë pranuara se midis Qemalit dhe Frosinës mund të ketë pasur një fejesë. 

Kush është Astrit Leka
Anëtarë i Kryesisë së Org.së Veteranëve të  Luftës të Shqipërisë, OBVL-Tiranë
Themelues dhe Kryetar i SOLIDEST-Shoq.Ndërk.Zhv.Vend.Lind. me seli në  Gjenevë .
Ish Këshilltar i pëgjithshëm Federatës botërore të veteranëve me 37 milionë anëtarë, FMAC-Paris.
Zëv. President i Konfederatës Evropiane të veteranëve dhe ushtarakëve të luftës, CEAC-Paris.
Kryetar nderi i Bashkimit të Intelektualëve  Shqiptarë  UIAS – Bernë, Zvicër.

No comments: